Mesazhi shenjtërues i pikturës për Nënën Tereze   

Apr 24 • Kulturë

Nga Prend BUZHALA

 

Sot mjafton “të pushojmë” në këtë mëngjes, duke e shikuar këtë pikturë të maestros Idriz Berisha, kushtuar Nënës Tereze. Idriz Berisha ka rreth tri-katër dekada që e pikturon Nënën Tereze, si frymëzim që nuk merr fund asnjëherë.

 

1.
Të pushojmë?
Mirë, të pushojmë pak, se ndoshta secili prej nesh ka shumë punë. E cila na qenka ajo punë kaq e madhe, mund të pyesë dikush.
Pas, së pari, është privilegj i bukur të kesh rastin ta shikosh pikturën, dhuratë mëngjesore.
Dhe ja, duke e shikuar jo për një çast, por ta shikosh gjithnjë sot e nesër e përgjithmonë pikturën e asnjëherë të mos e shuash etjen e përjetimit piktural.
Janë ato çaste, kur piktura të merr për dore e të fut në një botë tjetër: në atë të qetësisë së përshpirtshme. Ti do të hysh aty, te kjo botë qetësie, dhe do ta pasurosh përvojën tënde të bukur. Është ai emocioni themelor, i përkundur në djepin e frymëzimeve të të bukurës dhe të të vërtetës. Domethënë: ti arrin ta jetosh më thellë jetën personale, ta zgjerosh përtej vetvetes. Madje, do t’i kuptosh mesazhet që i përcjell piktura: një hark diellor shenjtërues përreth kokës, një sfond i kuq, shenjë e zemrës së dashurisë së pa skajshme, një shikim i butësisë së pafund njerëzore që përcillet si mesazh shekujsh nën ngjyrën bardh e blu, shoqëruar me lule, me urata e me kundrimin thellësisht dashamirës drejtuar edhe kohës së sotme: “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, do të thoshte kjo Nanë e Njerëzimit dhe e kombit tonë. Ja edhe tri-katër thënie tjera të saj:
“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”
“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”
“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”
“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

2.
E pra, piktura na sugjeron që njeriu ta jetojë jetën të plotë, me urti e dashuri, si qenie e gjallë ashtu siç e hapim pikturimin trup, shpirt, mendje, zemër e frymë shenjtërie, të bëra njësh në penelin e Xhixhit.
“Mbyllni sytë për të parë”, na porosit piktori me renome botërore, Paul Gauguin.
Po!
Atëherë edhe mund të bëjmë pak udhëtim shpirtëror, për ta hequr frikën e ankthin në këtë kohë pandemie. Për ta pranuar dashurinë tereziane për njerëzimin, për të lënduarit e për të goditurit në jetë.
Piktura, kudo që të jesh e kudo që e shikon, aty për aty e ka një privilegj,, si gjithë arti: ta krijon një VEND TË SHENJTË , posi ai këndi i lutjes së përshpirtshme tereziane. Ti e ke bërë zgjedhjen tënde si njeri: për të qenë afër pikturës, domethënë afër vetvetes, afër shpirtit e afër të perëndishmes. I bërë njësh me heshtjen e shenjtë kundruall një shqetësimi të madh: diçka e rëndë po ndodh rreth nesh dhe botës. Ti qenke drejtuesi spiritual i vetvetes. “Jepe dashurinë e ndihmën tënde, jepe vetveten, e të gjithë jemi të shpëtuar” shprehet Jane Goodall.
Prandaj, posa ta shikosh qetësisht, shikoje edhe njëherë, duke i mbyllur sytë, mbylli sytë dhe e shikon së brendshmi këtë pikturë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »