Besimi/feja është kërkim për të përjetshmen!

Apr 27 • Meditimi i ditës

27 prill 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 6, 8-15; Ps 119, 23-24.26-27.29-30; Gjn 6, 22-29)

 

Prania e Hyjit

Kur jam i thirrur në shoqërim me shokun,
mezi e pres këtë dhe e ndiej veten se po më bëhet nder.
Kur Hyji më thërret që ta kaloj kohën në afërsinë e tij,
Ai dëshiron ta njoh dhe ta ndjej dashurinë e tij.
Me besim dhe fe e hapi intelektin dhe zemrën time ndaj Hyjit,
dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i vetëdijshëm për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

Lus për hirin e fesë, të besoj
në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja
vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,
që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

Ku, në ç`gjë në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?
Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,
a jam i aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të pasur?
Nëse i kam vërejtur këto lëmi,
do të vendosi që në të ardhmen do të sigurojë për to hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

E lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, ndoshta edhe disa herë,
dhe dëgjoj çfarë më flet Hyji.


Gjn 6, 22-29

22 Të nesërmen, populli që kishte zënë vend matanë detit, pa se aty s’ishte veçse një lundër dhe se Jezusi nuk kishte hyrë në lundër bashkë me nxënësit e tij por nxënësit ishin nisur vetëm. 23 Ndërkaq, prej Tiberiadit erdhën disa lundra afër vendit ku hëngrën bukë (pasi Zotëria falënderoi). 24 Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. 25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë:
“Rabbi, kur erdhe këtu?”
26 Jezusi iu përgjigj:
“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
më kërkoni, jo pse patë mrekullitë,
por pse hëngrët nga ato bukë
dhe u ngitë.
27 Veproni,
por jo për ushqim që prishet,
por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme:
atë do t’jua japë Biri i njeriut,
sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj.
28 Atëherë ata i thanë:
“Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?”
29 Jezusi iu përgjigj:
“Vepra që Hyji kërkon është kjo:
besoni në Atë që Ai e dërgoi.”


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Turma përsëri është e uritur dhe e ndjek Jezusin: besojnë se do t`ua plotësojë nevojat e tyre. Jezusi përpiqet në njerëz për të thelluar besimin e tyre të brishtë. Ushqimi për trupin është i rëndësishëm, por më e madhe është kërkesa për ushqimin e jetës së përjetshme.
  • O Zot, edhe unë di të jem si turma duke kërkuar për të përmbushur urinë aktuale. Më fal për ato momente kur të kam shfrytëzuar që t`u shërbesh interesave të mia. Më kujto se vula e Atit është vënë mbi mua. Kjo e vërtetë le ta këndellë shpirtin tim të uritur.

 

Bashkebisedimi

Çfarë po ndodh në mua gjatë lutjes?
A jam i ngushëlluar, i shqetësuar, apo indiferent?
E paramendoj Jezusin sesi qëndron apo rri ulur pranë meje
dhe i shpaloj gjithçka ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »