Kthimi në krishterim i Yasmine Baidaoui

Apr 27 • Kisha në botë

Vetëm në krishterim – tha Jasmina – kam njohur një Zot që do falas». “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte në Hyjin, dhe Fjala ishte Hyj” (Gjn 1,1). Me këtë varg, Zoti i mëshirshëm i zbuloi asaj fytyrën e tij të vërtetë pas një ecjeje të gjatë kërkimi, plot zhgënjime. Yasmine Baidaoui, e reja libaneze që u kthye në krishterim, zgjodhi emrin e parë të Rita-Maria: ajo i tregoi Aleteia-s për ecjen e saj plot me praninë e dashur, të mëshirshme dhe zemërdhembshur të Zotit.

 

Nga Yasmine Rita-Maria Baidaoui

 

Lajmi tronditi familjen time

Jam rritur në një familje myslimane sunite dhe kam studiuar në një shkollë laike, studentët e të cilës ishin të gjithë myslimanë. Në jetën time kanë qenë dy momente vendimtare: pagëzimi im dhe më pas shndërrimi që ka pësuar marrëdhënia ime me Jezusin – kur u shndërrua nga fetari e natyrshme në besim të vërtetë.

Kur isha rreth 8 vjeçe, shikoja filma për Jezusin pa ditur asgjë për të. Me kalimin e kohës, kureshtja më shtyu të shtroja pyetje për Islamin, dhe prandaj kam kërkuar përgjigje të kënaqshme në Kuran, por nuk kam gjetur ndonjë.

Vazhdova ecjen time në kërkim të Zotit të mëshirës, ​​dashurisë dhe faljes, por përgjigjet i gjeta në krishterim: në atë çast vendosa të kërkoja të dy sakramentet e pagëzimit dhe krezmimit përmes miqve të krishterë.

Lajmi e tronditi familjen time: “Vajza jonë po bëhet e krishterë?! Nëna ime reagoi me kundërshtim, ndërsa për babanë tim nuk kishte asnjë problem përveç bezdisë së reagimit të njerëzve. Nëna ime më thoshte që të mos pagëzohesha para vdekjes së saj, dhe ditën e pagëzimit tim ajo bëri sikur ndihej keq në përpjekje për të më bindur të hiqja dorë nga kjo.

 

Sa bukur është të zhytesh në atësinë e Hyjit!

Pagëzimi im ishte si një lindje e re, por rritja ime e vërtetë ndodhi në “Shkollën e Besimit” të Atë Ramzi Jreij, ku e kuptova se marrëdhënia ime me Zotin ishte thjesht tregtare, edhe pse tashmë e dija se Jezusi është Zoti i dashurisë, mëshirës dhe faljes. I lutem Zotit që të bëjë realitet dëshirat dhe ëndrrat e mia, dhe unë ndez qirinjtë për ta bërë atë shëruesin tim hyjnor, mbrojtësin tim, gjykatësin tim dhe imazhin që kam nevojë.

Në moshën 25 vjeçe më kanë pagëzuar tre priftërinj: George Kamel, Jean El-Gemani dhe Charles Kassab. Zgjodha emrin që kam tani, sepse është Shën Rita ajo që më mëson të lutem: sa për Virgjëren Mari, ajo është nëna e Kishës, dishepulla ime e preferuar dhe e përsosur, e para dhe më e larta. Prandaj unë dua të ndjek shembullin e saj në nënshtrimin tim të plotë ndaj vullnetit të Zotit dhe përmes ecjes sime të bëhem një shërbëtore e planit shëlbues të Zotit.

Çfarë ndjesie e papërshkrueshme! Kam ndier një dashuri të paimagjinueshme që shkon përtej pasionit në thellësitë e besimit. Në atë çast, kam besuar në praninë e Jezusit që po më pagëzonte, gjë që më ka lejuar të zbuloj kuptimin e vërtetë të besimit dhe të zhytem në thellësitë e atësisë së Hyjit!

Ç’marrëdhënie e mrekullueshme mes bijve dhe atit që i do ata falas, pa asnjë kusht dhe pa asnjë kthim… Kam kuptuar edhe se Ati im qiellor më pranon me mëkatet dhe shëmtinë time, dhe se ai dëshiron shpëtimin tim. Kam kuptuar gjithashtu se lumturia ime e vërtetë qëndron në zbulimin e dashurisë së tij, në mënyrë që unë të di si ta dua veten dhe të tjerët.

 

Kjo është përvoja ime mes Islamit dhe Krishterimit

Jam përpjekur ta lexoj Kuranin, por s’e kuptoja përmbajtjen e tij, dhe më pas kam vendosur të studioj fenë islame. Për këtë arsye, shkova të takoja një sheik për t’u informuar rreth besimeve fetare: ajo përvojë ishte e mjaftueshme për të prishur gjithë imazhin që kisha formuar në mendjen time. I bëra pyetje për poligaminë, të cilave iu përgjigj duke e arsyetuar kështu: “Ndoshta gruaja e parë ka probleme që e pengojnë të lind fëmijë…”. Pas një diskutimi të gjatë, i thashë: “Po sikur të katër gratë të kenë probleme të ngjashme?” Ai u përgjigj: “Në këtë rast, burri duhet ta pranojë fatin e tij”. Gjë për të cilën i kërkova me këmbëngulje: “Dhe çfarë do të mendonit ju për një burrë që do të kishte probleme shëndetësore të tilla që të pengonin lindjen e fëmijëve?”. Në atë moment u dorëzua: “Bija ime, një burrë nuk mund të kënaqet me një grua të vetme.”

Përgjigjja e tij nuk dukej bindëse për mua, ashtu si edhe shumë tema të Kuranit që unë nuk isha në gjendje t’i pranoja. Në Islam, unë isha mësuar ta konsideroja Zotin si një dordolec, edhe pse Kurani gjithmonë e përkufizon atë si “të mëshirshëm e zemërdhimbshëm”, përveç që ai na dënon dhe na fajëson për çdo shkelje edhe më të voglën. Unë nuk e pranoja këtë kontradiktë: si mundet Zoti të më mëshirojë dhe në të njëjtën kohë të më peshojë edhe gjënë më të vogël me një peshore?

Një ditë mora përgjigjen: “Nëse vendosni të pendoheni për mëkatet tuaja, Zoti do t’ju falë”. Por kjo përgjigje nuk më bindi sepse është normale që Zoti të më fal nëse pendohem: por, në këtë rast, çka do të ishte hiri?

Dashuria e vërtetë qëndron në faktin që një person të jetë i dashur falas, me gjithë shëmtinë e tij: për mua, Zoti nuk ishte “dordoleci” që është atje për të më bërë të ndihem fajtore edhe për fajin më të vogël, por përkundrazi ati që shqetësohet për lumturinë dhe shëndetin e bijve të tij.

Në krishterim kam njohur Zotit dashurues, i cili nuk pret asnjë obligim ose imponim nga ana ime për të më dhuruar dashurinë e tij. Jam i sigurt se lutja është një marrëdhënie dashurie mes Krijuesit dhe njeriut: ajo është e ngjashme edhe me marrëdhënien e dashurisë mes një burri dhe të dashurës së tij, sepse marrëdhënia ime me Zotin tim nuk e ndryshon atë, por më ndryshon mua dhe mbjell paqe në zemrën time, që të mund ta pranoj realitetin tim me zemër plot shpresë dhe besim te Zoti që më shoqëron gjithmonë.

 

Më akuzonte për apostazi, sot edhe nëna ime u beson vuajtjeve të Krishtit

Koha kalon dhe familja ime më në fund e ka pranuar kthimin tim në besimin e krishterë. Marrëdhënia ime me nënën time është përmirësuar, gjë që tani nuk kundërshton më nëse shkoj në kishë për t’u lutur ose nëse shoqëroj dikë për të marrë sakramentin e pagëzimit.

Në të kaluarën, nëna ime më spiunonte dhe më thoshte se po e përdhosja shtëpinë sa herë që më shihte të bëja shenjën e kryqit. Tani, në vend të kësaj, pranon kryqin dhe figurën e Jezusit në shtëpi. Dhe pastaj ajo nuk është më e mërzitur kur shkoj në Meshë, madje shoh se ajo ka mësuar përmendësh edhe disa vargje të Biblës, dhe kur sheh filmin Mundimet e Krishtit ajo derdh lot duke thënë: «Sa ka vuajtur Jezusi!». Ky është një vlerësim i rëndësishëm, nga goja e një myslimaneje.

Sa për babanë tim, ai nuk kujton asgjë – ka sëmundjen e Alzaimerit. Nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen time dhe falënderoj Zotin që më tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Kur përballem me disa probleme në jetën time, i bëj vetes pyetjen e mëposhtme: si do të mund ta kisha bartur kryqin tim pa Jezusin? Dhe atëherë nuk e shoh më as mëkatin në të njëjtën mënyrë! Zoti hyn në zemrën time për të shëruar plagët e mia dhe për të shpartalluar mëkatet e mia, dhe dëshiroj me afsh që ai të arrijë deri te thellësitë më të fshehta.

 

Nga ky çast, mendimet e mia kanë ndryshuar

Kur më kërkonin të flisja për përvojën time, gjithmonë isha e interesuar të diskutoja ide të reja teologjike, krijuese, që trondisin gjithmonë dëgjuesit, derisa Atë Ziad Nassar më dha këtë këshillë: “Mos punoni për lavdinë tuaj personale ose që të tjerët të binden për kulturën tuaj teologjike; qëllimi juaj në jetë është t’u shpjegoni të tjerëve se Zoti është ati i tyre, i do ata falas dhe i pranon ashtu si janë. Ky është lajmi i mirë, i cili nuk qëndron në dhënien e informacionit teologjik për të tjerët.

Nga ky moment, mendimet dhe marrëdhënia ime me Zotin, me njerëzit dhe me ungjëllizimin kanë ndryshuar: kam mbaruar studimet në komunikim dhe media, pastaj kam studiuar teologji, aktualisht jam e angazhuar në “Shkollën e besimit” me Atë Ramzi Jreij. Me shokët e mi, kam themeluar grupin “Lajmëtarët e Rrugës”, përmes të cilit u predikojmë njerëzve në rrugë dhe bëjmë shpalljen e parë.

Jam angazhuar edhe në famullinë e Shën Takla-s në Bauchrieh me atë Joseph Soueid. Kam kompozuar rreth dhjetë himne duke përfshirë “Biri im dhe Zoti im”, i cili është regjistruar, dhe ëndërroj të publikoj një album.

 

E kam dëgjuar të më thotë: “Ti je bija ime e dashur”

Falënderoj Zotin sepse ai është ati im dhe sepse më mbush me shpresë dhe paqe gjatë stuhive të jetës sime; përveç kësaj, kur i kërkoj atij të më ndihmojë në vështirësitë e mia, e ndiej që më thotë: “Mos ki frikë, ti je bija e dashur dhe unë jam ati yt”. E falënderoj sepse ai është i vetmi që më do falas pa më kërkuar asgjë tjetër përveç lumturisë sime. Kjo është lumturia e vërtetë.

Disa njerëz mendojnë ta gjejnë lumturinë në pushet, para, gjëra të çmuara, bukuri, udhëtime, miq, seks, dashuri, martesë dhe fëmijë: e gjithë kjo është e mirë dhe e dobishme, me kusht që të mos i bëjmë ato bazën apo themelin e jetës sonë, mbasi në atë moment do të rrezikonim të humbisnim gjithçka.

Askush nuk mund të ma heq dashurinë dhe atësinë e Zotit: ai është qendra e jetës sime dhe mbështetja ime! Nëse Jezusi nuk është guri i këndit i jetës sonë, gjithçka shembet kur arrin katastrofa./drita.info

 

Burimi: it.aleteia.org

Përktheu:  Rev. “Drita”

Shpërndaje

Comments are closed.

« »