Thashethemet – shkatërrimi i imazhit të tjetrit   

Apr 27 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Njeriu si qenie sociale e ka të nevojshme të komunikojë, të flasё, tё shkёmbejё ide, opinione, mendime, të komunikojë çfarë ndjen, të diskutojë me tjetrin dhe për tjetrin, aktivitete kёto qё e karakterizojnë ditën e tij. Mirëpo, siç e dimë, përpos bisedave të nevojshme dhe të dobishme, mjerisht një pjesë të konsiderueshme të kohës në komunikim, bisedë, diskutim, duket se e zënë thashethemet. Një aktivitet mjaft i pranishëm në shoqërinë tonë, edhe pse i pakëndshëm, negativ, toksik për tërë shoqërinë.

Shpesh mund t’ju ketë ndodhur të dëgjoni, lexoni e gjithashtu edhe të diskutohet, se si njeriu krijon varësi nga duhani, alkooli, lëndët narkotike, kleptomania (vjedhja), apo varёsi tё tjera tё dëmshme. Por, pak flitet për varësinë ndaj thashethemeve, ku mes tё tjerёve përfshihen edhe personat që kanë pozitë dhe përgjegjësi. E këtu mund të citojmë Papa Françeskun kur u drejtohet gazetarëve: Përhapja e thashethemeve është një shembull terrorizmi, shembull se si ju mund ta vrisni një person me gjuhën dhe penën tuaj. 

 Kështu që, nëse ndaleni dhe analizoni pasojat, dëmet që shkaktojnë thashethemet do të kuptoni që aspak nuk janë më të lehta, e më pak të dëmshme, sesa pasojat dhe dëmet që shkakton  duhani, alkooli, lëndët e ndryshme narkotike. Që në realitet këto të fundit më shumë janë të dëmshme për vetë personin, pastaj edhe për tjetrin dhe mbarё shoqërinë. Kurse thashethemet kanë një tendencë tjetër, atё qё të dëmtojnë, tё lëndojnë,  të ulin, e të vrasin  tjetrin.

Pra, është e dukshme, që thashethemet janë bërë pjesë e pandashme e bisedave në shoqërinë tonë. Edhe pse janë biseda jo të këndshme, pa themel, pa bazament, ato vazhdojnë të marrin dheun e të zënë pjesën më të madhe të komunikimit. Kështu që, kush më pak, e kush më shumë, secilit prej nesh i ka ndodhur ta gjej veten në këtë kurth. Ato vërtet janë të pashmangshme, sepse jam unë, je ti, jemi ne, që u kemi krijuar, apo u krijojmë terren dhe e lejojmë të na përfshijë kjo vorbull pa menduar gjatë.

Fakt ёshtё që nuk mund ta ndalim askënd që të mos bëjë thashetheme, nuk mund t’i zhdukim ato, por ne mund të bëjmë që ato të jenë më të zbehta e të pafuqishme duke mos u dhënë hapësirë, duke mos u bërë pjesë e bisedës edhe nëse ndodhemi përballë situatave të tilla. Gjithashtu, mund të jemi thjesht dëgjues për hir të respektit dhe kulturës, por jo bashkëpunues dhe diskutues në biseda të tilla, pasi është energji e harxhuar kot. Është humbje kohe, është ngarkesë psikike dhe shpirtërore. E për të dalë nga kjo situatë, kërkohet vetëdije, guxim e qëndrueshmëri që të mos bëhemi pjesë e të mos përfshihemi në biseda të tilla.

Pra, siç dihet,  thashethemet janë biseda, sajime të pavërteta që syri i njeriut nuk i ka parë, janë trillime, shpifje. Që mjerisht, siç u cek edhe në fillim, si qëllim kanë shkatërrimin, dëmtimin e imazhit të tjetrit, përuljen, e gjithë kjo ndoshta ndodh nga mungesa e mirё informimit se çfarë synimi kanë thashethemet, e ndoshta edhe nga  pavetëdija jonë.

Gjithashtu, janë po ato që shkaktojnë konflikte, shkatërrojnë jetën shoqërore, nxisin ngatërresa, përçarje në familje, nё bashkësi, punë, shoqëri e miqësi. Janë ato që na pengojnë për të arritur paqen e shpirtit. Kështu, ato bëhen pengesё e madhe në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha. Bëhen pengesё në zhvillimin e dashurisë, besimit, respektit, mirënjohjes. Janë aq shumë helmuese, sa që pengojnë, errësojnë sytë dhe mendjen për të parë të mirën, të bukurёn, suksesin, apo diçka pozitive tek tjetri. Sepse, thashethemet kanë tendencën ta njollosin tjetrin e ta ulin emrin e mirë (reputacionin) e tij. E gjithë kjo bëhet për të nxjerrë veten tonё në pah.

E jo pak herë, pa dallim, tё gjithëve na ka ndodhur ta gjejmë veten në kёtë kurth, por e rëndësishme ёshtё tё mos jemi të varur nga ato. Sepse pa dashur të gjykoj, mjerisht ka persona që thashethemet i kanë si ushqimin e tyre tё përditshëm, dhe po ashtu ka nga ata që ndjejnë kënaqësi  tё merren me to, tё flasin e ta pёrgojojnё tjetrin.

 

Kush bёn thashetheme?

Të gjithë, dashur e pa dashur, jemi përfshirё në këtë vorbull, me vetëdije a pavetëdije, por këtu po përqendrohemi tek ata persona që kanë krijuar varësi, që e fillojnë dhe e mbyllin ditën me thashetheme, dhe e kanë bërë stil jetese.

Mirëpo, nëse bëjmë një vlerësim psikologjik, shihet dhe lexohet qartё se personat që e kanë kthyer qёllim nё vetvete tё bёrit thashetheme, janë ata persona që janë të pakënaqur me veten e tyre, ata që kërkojnë tё tërheqin vëmendjen, që shfaqin  mungesë vetëvlerësimi. Janë ata që u mungon gëzimi e lumturia dhe qё e ushqejnë vetën me xhelozi, smirë, urrejtje, zili. Janë ata që tregojnë shenja zhgënjimi e frustrimi, që ndihen bosh dhe që e shohin veten si dështakё dhe tё paaftё tё arrijnё sukses nё jetё. Janë po ata persona, që e shohin veten e tyre mbrapa tjetrit, aq sa arrijnë t’i shohin vetëm shpinën sepse nuk ia lejojnë vetes sё tyre mundёsinё për të parë e admiruar fytyrën e tij. E duke parë vetëm shpinën e tjetrit, e cila nuk të mundëson të shohësh dhe të  interpretosh asgjë pёr tё, fillojnë e trillojnë gjëra të paqena, pra shpikin thashetheme.

Gjithashtu, personat që merren me thashetheme, janë ata që kanë probleme personale, e mendojnë se duke u marrё me jetën e tjetrit e kanë më të lehtë të harrojnë problemet e tyre. Janë persona që nuk e kanë lejuar të edukojnë apo të zhvillojnë brenda vetes ndjenjën e përgjegjësisë. Është e qartë se personat e shëndoshё mendërisht dhe shpirtërisht janë përgjegjës për atë që bëjnë e thonë, dhe janё tё vetёdijshёm se u kërkohet përgjegjësi e kërkesë llogarie kur kemi të bëjmë me  gjëra të pa vërteta, e të pa baza, që e lëndojnë, e shkatërrojnë, dhe e vrasin  tjetrin.

Po ashtu, personat që merren me thashetheme kanë frikë se mbesin vetëm, e kështu mendojnë ta mbajnë shoqërinë duke diskutuar për jetën e tjetrit, thjesht duke u marrë me thashetheme. Kështu sukseset, vlerat, dhuratat, talentet, të mirat  e tjetrit, mundohen t’i kthejnë në gabime apo në diçka negative. Vetëm e vetëm për ta ulur atё, pasi mendojnë se duke vepruar kështu e ulin atё nё sytё e tё tjerёve dhe ngrenё veten e tyre. Nё fakt, ndodh e kundërta, sepse personat që merren me thashetheme lëndojnë, përulin, fyejnë, njollosin, fundosin më shumë e më parë veten e tyre se sa të tjerët. Njё sjellje e tillё, me të pavërteta e trillime pёr rrjedhojё e patolerueshme, bёn qё ata tё mbesin vetëm dhe tё mёnjanuar nga shoqёria.

Pra, mos u merrni me jetën e tjetrit, mos u merrni me vogëlsirat e tjetrit se nuk ia vlen. Mundohuni më shumë tё kini gjëra të bukura dhe të vlefshme tek vetja juaj, kushtojuni rëndësinё e duhur, e pastaj nuk do keni kohë të merreni me jetën e tjetrit. Mundohuni ta jetoni jetën tuaj  mirë, pastaj edhe jetën e tjetrit do ta shikoni me sy ndryshe. Frenoni gjuhën kur tundoheni të bëni thashetheme, sepse ju nuk e pengoni dot tjetrin duke u marrё me thashetheme, por veç veten tuaj.  Ndёrkohё qё tjetri vazhdon të ecë përpara, ti rri në vendnumёro duke e lodhur veten me trillime e gjëra të pavërteta, Eleonor Roosevelt thotë: Mendjet e ndritura diskutojnë për idetë, mendjet mesatare diskutojnë ngjarje, mendjet e shkurta, diskutojnë njerëzit.

Le ta pyesim veten tonё: Unë për çfarë flas e për çfarë diskutoj? Jo aq për t’u përgjigjur, sa për të analizuar e pёr tё parë se çfarë qëndrimi kam ndaj thashethemeve? Sa hapësirë u jap atyre? A ndihem mirё kur merrem me thashetheme? Apo ndjej një lodhje psikike dhe shpirtërore? Apo ndjej  keqardhje që kam arritur në këtë gjendje? Nëse e shihni se thashethemet jua kanë zënë frymën, mos heshtni, mos kini frikё dhe turp, ta pranoni këtë gjendje, por mbi të gjitha mos keni frikё dhe turp të kërkoni ndihmë nga persona kompetentё, që si qëllim kanë t’ju ofrojnë ndihmë për të dalё nga kjo vorbull.

 

Tё qenit viktimë e thashethemeve

Mund t’ju ketë ndodhur ose mund t’ju ndodhë të jeni viktimë e thashethemeve. Në realitet nuk është krejt e thjeshtë dhe e lehtë të përballesh me to. Sepse është diçka që nuk ka të bëjë me ty, por flitet për ty. Është diçka pёr tё cilёn ti nuk je në dijeni, ndёrkohё qё tё gjithë rreth e rrotull teje diskutojnë e flasin për ty, kuptohet se thuhen gjëra negative. Por, megjithatë nëse ndërgjegjja nuk të padit mos ki frikë, mos u shqetëso, mos u brengos, mos u mërzit. Sepse ti e di kush je. E mbi të gjitha ji gjithmonë vetvetja.

Njё njeri me ndërgjegje të pastër, që nuk e padit ndërgjegjja, ai që ka vetëvlerësim, vetëbesim të shëndoshё, që ka  personalitet të qëndrueshëm, nuk ka frikё dhe nuk ka pse të frikësohet e të shqetësohet nga thashethemet, pasi ato thjesht të ndihmojnë për të kuptuar që ti je përpara nuk ke mbetur në vendnumëro.

Gjithashtu, nëse je viktimë apo bëhesh viktimë e thashethemeve, ruaje qetësinё e mendjes dhe tё shpirtit, mos e merr mundimin që të shpjegohesh apo të justifikohesh ndaj thashethemeve. Por mbi të gjitha, ki besim se e vërteta do të dalë në dritё. Ti e di të vërtetën. Nëse je viktimë e thashethemeve mos u mërzit, nuk je vetëm, sepse as Jezusi nuk u kursye  nga ato. Kur bënte mirë thoshin po e bën me ndihmën e Beelzebulit. (Khs Mt 12, 24)  Pra siç dihet Ai vepronte vetëm mirë, edhe për këtë nuk iu kursyen thashethemet. Tani mund të imagjinohet se çfarë do të thuhet për mua, për ty, e për ne.

Kjo na vërteton, dhe na ndihmon të kuptojmë, se personat që e kanë të vështirë të pranojnë sukseset, arritjet e tjetrit, e mundojnë veten duke trilluar gjëra të papara e të pathëna. Por, mos u trembni nga ato, nuk mund t’ju bëjnë asgjë. Ndoshta për njё moment mund t’ju shqetësojnë shqisën e të dëgjuarit, por me rëndësi është që mos të lejoni t’ju kalojnë në zemër e të pushojnë aty.

Thashethemet dëmtojnë ata që merren me to, sepse ju grabisin paqen shpirtërore. E për të ruajtur paqen shpirtërore dhe mendjen e shëndoshё, mos u merrni me to. Pra, personat të cilët dinë të ruhen nga ky fenomen tregojnë se kanë një formim të shëndoshё, pjekuri, urtësi, dhe janë tё përgjegjshёm për çdo gjë.

Mirëpo, para se të marrësh guximin të thuash diçka për tjetrin ndalo dhe mendo, se çfarë dobie kam unë nga kjo? Çfarë të mirë marr nga kjo? A ka diçka të vërtetё nga kjo çfarë unë them? Nëse do ndaleni dhe të kaloni nëpër mendje këto pyetje, sigurisht që nuk do të gjeni forcë dhe guxim të merreni me jetën e tjetrit. E që ta kuptojmë sa më mirë këtë të vërtetё, na ndihmon një mësim dhe urti  e  Sokratit. 

Një mësim nga Sokrati

Në Greqinë e lashtë, Sokrati ishte shumë i njohur për urtësinë e tij. Një ditë, filozofi i madh takoi një të njohur, i cili rendi drejt tij i ngazëllyer dhe i tha:“Sokrat, a e di se çfarë dëgjova për ty?” “Prit pak”, u përgjigj Sokrati.“Përpara se të ma thuash, dua të të bëj një test të vogël. Quhet Testi Tresh”.“Testi Tresh?”“E saktë”, vazhdoi Sokrati.“Përpara se të më flasësh e të testojmë për një moment, se çfarë do të më thuash.

Testi i parë është e Vërteta. “A je absolutisht i sigurt se ajo që do të më thuash është e vërtetë?” “Jo”, u përgjigj i njohuri, “në fakt sapo e dëgjova”.“Dakord”, tha Sokrati. “Pra ti nuk e di nëse është e vërtetë apo jo. Tani provojmë pyetjen e dytë, testin e Mirësisë. A është diçka e mirë ajo që do të më thuash? “Jo, përkundrazi…”“Atëherë”, vazhdoi Sokrati, “ti do të më thuash diçka të keqe edhe pse nuk je i sigurt që është e vërtetë?”I njohuri ngriti supet, pakëz i zënë në siklet. Sokrati vazhdoi: “Ke ende një shans për të kaluar sepse ka një test të tretë testi i  Dobisë. A do të jetë e dobishme ajo që do të më thuash?”

“Jo, në fakt jo…” “Atëherë”, e mbylli Sokrati, “nëse ajo që do të më thuash nuk është as e vërtetë, as e mirë, as e dobishme, atëherë përse duhet të ma thuash?” I njohuri i turpëruar nuk foli më!/drita.info

Comments are closed.

« »