Bota e të rinjve: pikëpamje psikologjike të përdorimit të drogës  

Apr 29 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Nuk është e lehtë të përgjigjemi në pyetjen se cili është shkaku i vërtetë i fenomenit gjithnjë e më të përhapur të përdorimit të drogës nga gjeneratat e reja. Sigurisht ka të bëjë me një sërë faktorësh të ndryshëm: sociologjik, familjar, psikologjik. Kur një psikolog flet mbi fenomenin e drogës, atë më së shumti i interesojnë shenjat personale të narkomanit, d.m.th. faktorët e brendshëm, ndërpsikik. Sot ka edhe rrethana krejtësisht të jashtme që e bëjnë më të lehtë narkomaninë, si p.sh. lehtësia me të cilën mund të arrihet te substancat dhe drogat e ndryshme. Kurse një i ri gjithmonë dëshiron të eksperimentojë. Prandaj, një përqindje e caktuar e narkomanëve në fakt bëhet fli e kureshtjes vetjake.

 

Çfarë i shtynë të rinjtë të përdorin drogën?

Ndër faktorët psikologjik, pra të brendshëm, në vend të parë do ta përmendja konstelacionin familjar të narkomanëve potencial. Ky konstelacion natyrisht se ndikon në formimin e personalitetit të adoleshentit. Të dhënat flasin se narkomanët shpesh vijnë prej familjeve ku i ati është i papranishëm – fizikisht ose psikikisht, d.m.th. është i painteresuar për fëmijët – kurse nëna është mbrojtëse e ekzagjeruar.[1] Gjithashtu është e shpeshtë figura familjare në të cilën prindërit merren tepër me vetveten dhe brengosen për karrierën e tyre, suksesin në jetë. Është fakt se në mesin e fëmijëve të njerëzve të famshëm – artistë dhe artiste, shkrimtarë dhe politikanë – ka relativisht shumë narkomanë. Ndoshta është mirë në këtë kontekst të tërheqim vëmendjen në një nevojë psikologjike të adoleshentit: një i ri gjithmonë dëshiron të arrijë në jetë diçka më shumë se sa që kanë arritur prindërit e tyre, dëshiron në njëfarë mënyre t’i tejkalojë ata, së paku në një dimension të jetës së tyre: ekonomik, shkencor, politik. Nëse prindërit janë shumë të suksesshëm, përkatësisht nëse fëmija i percepton ashtu, te ta lind më lehtë ankthi ose qëndrimi negativ ndaj botës dhe vlerave të të rriturve, që logjikisht shpie atëherë te sendërtim i një bote më ndryshme se ajo e të rriturve. Faktikisht këtu e gjejmë rrënjën e të a.q. subkultura e të rinjve. Përdorimi i drogës në këtë situatë është shprehje e protestës dhe revoltës.

Por, ta shqyrtojmë me më vëmendje personalitetin e këtyre të rinjve narkomanë. Studimi i këtyre adoleshentëve ka treguar se në përgjithësi kemi të bëjmë me personat në depresion të fshehur dhe me shumë ankthe. Faktikisht këta janë persona pasiv, të varur, të papërgjegjshëm, pa përqendrim dhe me një synim të dukshëm drejtë plotësimit të menjëhershëm të dëshirave. Shkurt, nuk kanë perspektivë të të ardhmes.[2] Disa psikologë këtë ngecje në zhvillimin normal të adoleshentit e quajnë papjekuri motivacionale, kurse kjo më së qarti mbase tregohet në frikën nga mossuksesi.[3]

Nëse duam ta rekonstruojmë psikodinamizmin e narkomanit të ri, figura do të ishte në këtë mënyrë: e ka dëbuar të kaluarën si një përvojë të pakënaqshme shkaku i situatës familjare. Nuk ka ardhmëri, përkatësisht ia ka frikën ardhmërisë së pasigurt. Prandaj, mbetet e vetmja pikë e fortë e tashmja, çasti i tashëm. Çdo aksion, çdo përvojë që mund ta forcojë (rrisë) përjetimin e të tashmes dhe t’i jep kuptimin e ekzistencës momentale pranohet si ndihmë e mirëseardhur. Përdorimi i drogës në këtë situatë është shprehje e kërkimit për identitet dhe kuptim.[4]

 

Përgjegjësia e prindërve dhe edukatorëve

Është interesante dhe mësimdhënëse të ndalemi në shqyrtimin edhe të një karakteristike psikologjike të adoleshentit. Adoleshenca është periudhë e orientuar në aksion kështu që krejt komunikimin e rëndësishëm me botën e të rriturve nuk e bën me fjalë, por me veprim. Shumë sjellje deviante të të rinjve në fakt janë porosi që ju drejtohen të rriturve, që rëndom është kërkim për ndihmë e për kujdes. Pa marrë parasysh sa paradoksale tingëllon kjo dhe në kundërshtim me sjelljen e manifestuar të të rinjve, ata kanë nevojë për kujdesin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e të rriturve. Kjo mbikëqyrje nuk është tjetër pos një mjet që ndihmon për ta zhvilluar dhe për ta përsosur pavarësinë e tyre, e cila u shërben si pikë orientimi. Këtë ndihmë dhe kujdes rrallëherë do ta kërkojnë me fjalë – sepse kjo do t’u dukej si kërcënim ndaj autonomisë dhe pavarësisë së tyre. Përdorimi i drogës është porosi e drejtuar prindërve, është lutje për vëmendje dhe udhëheqje.

Ky mendim na shpie te çështja e parandalimit. I kemi përmendur vetëm disa prej shkaqeve të mundshme të përdorimit të drogës. Por të gjitha këto raste kanë për bazë një konflikt dhe mosmarrëveshje të caktuar ndërmjet të rinjve dhe botës së të rriturve. Parandalimi në këtë kontekst na çon te problemin i edukimit. Këtu nuk mendojmë vetëm në funksionin edukativ të familjes por edhe të shkollës dhe bashkësisë më të gjerë shoqërore. Të gjithë këta faktorë edukativ do të duhej të kushtonin më shumë kujdes personal adoleshentëve dhe nevojave të tyre. Ta marrim këtë si kornizë të qasjes pedagogjike. E sa i përket përmbajtjes, do të thoja kështu: Në psikologji njohim dy orientime sa i përket zhvillimit të personalitetit: orientimi në detyra dhe i a.q. ego-orientimi. Sot ekzistojnë një seri e tërë e teorive psikologjike dhe edukative të cilat si qëllim kryesor të edukimit e vejnë autorealizimin, pra, qëndrojnë në pozitën e ego-orientimit. Parashikimi themelor i këtyre teorive është bindja se njeriu mund ta realizojë veten nga vetvetja, d.m.th. ta gjejë qëllimin dhe kuptimin e njerëzisë dhe ekzistimit në vetvete. E megjithatë, jeta vazhdimisht na tërheq vërejtjen se jemi të pamjaftueshëm për vetveten. Prandaj, theks më të fortë do të duhej të venim në orientimin tjetër, në orientimin në detyra: të jetohet për qëllime dhe ideale, të cilët në njëfarë mënyre qëndrojnë jashtë dhe mbi ne. Këtë mendim e ka përpunuar mirë themeluesi i logoterapisë Viktor Frankl duke pohuar se qëllimi i parë i njeriut nuk është vetërealizimi por vetëtejkalimi (autotranshendenca). Njeriu duhet të jetojë për kuptimin që është jashtë dhe mbi të. Vetërealizimi dhe ndjenja e plotësimit janë pasoja të jetës për ideale.[5] Është një pyetje dhe provokim për të rriturit: çfarë idealesh u ofrojmë të rinjve?/drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————————

[1] Khs. N. Cameron, Personality Development and Psychopathology, Boston, 1963, f. 677.

[2] Khs. L. Kolb, Modern Clinical Psychiatry, Philadelphia, 1973, f. 512.

[3] P.sh. D. P. Ausubel, “A Psychosocial Theory of Narcotic Addiction”, në: W. S. Sahakian (ed.), Psychopathology Today, Itasca, 1970, f. 493.

[4] A. M. Freedman – H. I. Kaplan – B. J. Sadock, Modern Synopsis of Comprehensive Textbook of Psychiatry, Baltimore, 1976, f. 656.

[5] V. Frankl, The Will to Meaning, New York, 1969, f. 38.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »