Në zemrën e Jezusit gjen pushim shpirti i njeriut

Apr 29 • Meditimi i ditës

29 prill 2020, E mërkurë, Shën Katarina e Sienës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 1, 5 – 2, 2; Ps 103, 1-4.8-9.13-14.17-18a; Mt 11, 25-30)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe pa rënë në sy.

Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

O Zot, dëshiroj që kësaj radhe të përgatitem mirë.

Dëshiroj të jem plotësisht i/e gatshëm/e, i/e ndjeshëm/e dhe i/e vërë në dispozicion për ty.

Të lutem, më ndihmo që t`i sqaroj dhe t`i pastroj qëllimet e mia.

Në mua ekzistojnë aq shumë dëshira kontradiktore.

I lejoj vetes që të ngarkohem me sendet që s`janë të vlefshme dhe që prishen.

E di që nëse ta dorëzoj zemrën time, çkado që të bëj, do ta ndjek zemrën time të re.

Dhe gjithçka që kam bërë sot, gjithçka që do të bëj sot,

të gjitha takimet, përsiatjet – madje edhe frustrimet dhe ndjenjat e mia,

veçanërisht në këtë kohë të lutjes, në tërë jetën time, mund t`i dorëzoj në duart e tua.

O Zot, jam i yti/e jotja. Bëj me mua çfarë të duash.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 11, 25-30

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha:

“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët,

e ua zbulove të vegjëlve.

26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!

27 Ati më dorëzoi mua gjithçka

dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,

dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit

e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.

28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kur e pyesim veten se çfarë vetëdije dhe njohje ka pasur Jezusi për vetveten, ky pasazh i ungjillit është shumë i rëndësishëm. Jezusi e thërret Atin e vet me një emër nga më intimët “Abba-babë“. Për veten pohon se është e vetmja rrugë e dashurisë dhe njohjes së Hyjit.
    • Teologët në diskutime përdorin shumë fjalë dhe shprehje për të përshkruar unitetin e natyrës hyjnore dhe njerëzore në Jezu Krishtin. Jezusi pohon, duke këmbëngulur se qasja ndaj Atit nuk i është siguruar aq “të dijshmëve dhe të urtëve” (që mbahen si të tillë), sa atyre që vijnë para tij me besim fëmije.

  

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo është ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja 

Faleminderit, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »