Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit

Apr 30 • Meditimi i ditës

30 prill 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 8, 26-40; Ps 66, 8-9.16-17.20; Gjn 6, 44-51)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençur.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 6, 44-51

 

44 Askush s’mund të vijë tek unë,

po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq.

Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit.

45 Profetët shkruan:

‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’

Kushdo, pra e dëgjon Atin

dhe e përvetëson mësimin e tij,

vjen tek unë.

46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin,

përveç Atij që është te Hyji;

vetëm Ai e pa Atin!

47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

ai që beson, ka jetën e pasosur.

48 Unë jam buka e jetës.

49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën.

50 Kjo është buka që zbret nga qielli:

që, kush ta hajë atë,

të mos vdesë askurrë.

51 Unë jam buka e gjallë

që zbriti prej qiellit:

nëse ndokush ha këtë bukë,

do të jetojë për amshim.

E buka që unë do ta jap

është trupi im

‑ për jetën e botës.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kur flet për “ujin e gjallë” dhe  tani për “bukën e gjallë”, Jezusi na jep zemër që të mendojmë për burimet e përhershme të jetës dhe këndelljes. Mbaj mend pyetjet e Isaisë profet (55, 2), që na kujton që mos të shpenzojmë para apo forcë në vlera kalimtare.
  • Më ndihmo, o Zot, që ndershëm të shikoj se si jam duke i shpenzuar mjetet dhe forcat e mia.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Comments are closed.

« »