Letra dhe lutjet e Papa Françeskut për përshpirtërinë e muajit maj

Apr 30 • Këndvështrime, Kisha në botë

Letra e Atit të Shenjtë Françeskut

drejtuar të gjithë besimtarët për përshpirtërinë e muajit maj 2020

 

 

 

Vëllezër e motra të dashur!

Tashmë është afër muaji maj, në të cilin populli i Hyjit e shpreh në mënyrë të theksume dashurinë dhe përshpirtërinë e vet ndaj Zojës së Bekume, Virgjëres Mari. Është traditë, që në këtë muaj të lutet Rruzarja e shenjtë në shtëpi, me familje. Një dimension ky shtëpiak, që kufizimet e pandemisë na kanë “detyruar” ta vlerësojmë edhe nga këndvështrimi shpirtëror.

Kështu mendova t’u propozoja të gjithëve që të rizbulojmë bukurinë e lutjes së Rruzares në shtëpi gjatë muajit maj. Mund ta lusim së bashku ose personalisht; zgjidhni ju sipas situatës, duke vlerësuar këto dy mundësi. Por, për dyja rastet ka një sekret për ta bërë: thjeshtësia. I gjeni lehtë edhe në internet modele të mira lutjesh për të ndjekur.

Gjithashtu, ju ofroj tekstet e dy lutjeve drejtuar Zojës Bekume, të cilat mund t’i recitoni në fund të Rruzares, e që edhe vetë do t’i recitoj në muajin maj, i bashkuar shpirtërisht me ju. Po ja bashkëngjis këto lutje kësaj letre në mënyrë që të jenë në dispozicion për të gjithë.

Vëllezër dhe motra të dashur, soditja e fytyrës e Krishtit me zemrën e Marisë, Nënës sonë, do të na bëjë edhe më të bashkuar si familje shpirtërore dhe do të na ndihmojnë të kalojmë këtë sprovë. Unë do të lutem për ju, veçanërisht për më të vuajturit, dhe ju lutuni për mua. Ju falënderoj dhe ju bekoj nga zemra.

 

Romë, Shën Gjoni në Lateran,  5 prill 2020

Festa e Shën Markut ungjilltar      

 

Papa Françesku

 

———————- 

 

 

1. LUTJE MARISË

 

Oj Zojë,

në rrugëtimin tonë Ti shkëlqen përherë

si një shenjë shpëtimi dhe shprese.

Ne mbështetemi në Ty, Shëndeti i të sëmurëve,

që pranë kryqit je bashkuar në dhimbjen e Jezusit,

duke qëndruar e palëkundur në fenë tënde.

Ti, Shpëtimi i popullit romak, e di nevojat tona

dhe jemi të sigurt se do të kujdesesh, ashtu si në Kanë të Galilesë,

që të kthehet gëzimi dhe festa pas këtij momenti të sprovës.

Ndihmona, o Nëna e Dashurisë Hyjnore,

të jemi në pajtim me vullnetin e Atit

dhe të bëjmë atë që do të na thotë Jezusi,

i cili i mori mbi vete vuajtjet tona

e barti dhimbjet tona,

për të na çuar, nëpërmjet kryqit,

në gëzimin e ringjalljes.

Amen.

 

Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Tenzot,

mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona.

Na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh,

o Virgjër e lavdishme edhe e bekuar.

 

———————- 

 

2. LUTJE MARISË

 

“Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Tenzot”.

 

Në situatën aktuale dramatike, plot vuajtje dhe ankthe që kanë kapluar gjithë botën,

po ngasim te Ti, o Nana e Tenzot dhe Nana jonë, dhe kërkojmë strehim nën mbrojtjen tuaj.

 

O Virgjëra Mari, silli sytë e tu të mëshirshëm drejt nesh në këtë pandemi të koronavirusit,

dhe ngushëlloi ata që janë të humbur dhe qajnë për të vdekurit e tyre të dashur,

të varrosur nganjëherë në mënyrën që e lëndon shpirtin.

Mbështeti ata që janë të pikëlluar për të sëmurët, të cilëve s’mund t’u qëndrojnë pranë, për të parandaluar infektimin.

Forcoi ata që janë në ankth për të ardhmen e pasigurt dhe për pasojat për ekonominë dhe punën.

 

Nëna e Tenzot  dhe Nëna jonë, kërko për ne prej Hyjit, Atit të mëshirës,

që të mbarojë kjo sprovë e vështirë e të kthehet një horizont shprese dhe paqe.

Ashtu si në Kanë, ndërhyjë tek Biri yt Hyjnor,

e i kërkoja që t’i ngushëllojë familjet e të sëmurëve dhe viktimave

dhe të hapë zemrat e tyre për të shpresuar.

 

Mbroji mjekët, infermierët, punonjësit shëndetësorë, vullnetarët që janë në ballë të kësaj urgjence

dhe rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve.

Shoqëroji në përpjekjen e tyre heroike dhe jepu forcë, mirësi dhe shëndet.

 

Ji afër atyre që natë e ditë ndihmojnë të sëmurët

dhe priftërinjve të cilët, me shqetësimin baritor dhe angazhimin ungjillor,

përpiqen të ndihmojnë dhe mbështesin të gjithë.

 

Virgjëra e Shenjtë, ndriçoji mendjet e burrave dhe grave të shkencës,

që të gjejnë zgjidhjet e duhura për të mundur këtë virus.

 

Ndihmoji Përgjegjësit e Kombeve, që të punojnë me mençuri, kujdes dhe zemërgjerësi,

për t’iu ndihmuar atyre që janë në mungesë të gjërave të nevojshme për jetë,

duke planifikuar zgjidhje sociale dhe ekonomike me largpamësi dhe me një shpirt solidariteti.

 

O Mari tejet e shenjtë, preki ndërgjegjet, që shumat e mëdha të parave të përdorura

për rritjen dhe përsosjen e armatimeve, të shkojnë për promovimin e studimeve adekuate

në parandalimin e katastrofave të ngjashme në të ardhmen.

 

O Nënë  shumë e dashur, bëj që të rritet në botë kuptimi i përkatësisë së një familje të vetme të madhe, vetëdijesimi për lidhjen që na bashkon të gjithëve, sepse me një shpirt vëllazëror

dhe solidar  u vijmë në ndihmë shumë situatave të varfërisë dhe mjerimit.

Nxit qëndresën në fe, këmbënguljen në shërbim, qëndrueshmërinë në lutje.

 

O Mari, Ngushëlluesja e të pikëlluarve, përqafoji të gjithë fëmijët e tu të trazuar

dhe bën që Zoti të ndërhyjë me dorën e tij të plotfuqishme

për të na çliruar nga kjo epidemi e tmerrshme, në mënyrë që jeta të mund të rifillojë

në qetësi rrjedhën e saj normale.

 

Ta besojmë Ty, që të shndritësh në ecjen tonë si shenjë shpëtimi dhe shprese,

o e dhimbshmja, o e buta, o e ambla Virgjëra Mari. Amen./drita.info

 

 

Përgatiti për Dritën: Don Nikson Shabani

 

Burimi: http://www.vatican.va/content/francesco/it/letters/2020/documents/papa-francesco_20200425_lettera-mesedimaggio.html

Shpërndaje

Comments are closed.

« »