Paqja e Jezusit, guxim për t’u marrë qetë me probleme

May 1 • Meditimi i ditës

1 maj 2020 – E martë, Shën Jozefi Punëtor, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Feria: Vap 14,19-28; Ps 144; Gjn 14,27-31.

Ose: Shën Jozefi: Zan 1, 26-2, 3 ose Kol 3, 14-15.17.23-24; Ps 89; Mt 13, 54-58)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i largoj këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Nëse je në dhomë, mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 


Gjn  14, 27-31

 

Në atë kohë, Jezusi tha:

27 Po ju lë paqen,

po ju jap paqen time!

Nuk po jua jap siç e jep bota.

Mos t’ju shqetësohet zemra

as të mos ju trembet.

28 Ju dëgjuat se ju thashë:

‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’.

Po të më donit, do të galdonit

se po shkoj tek Ati,

sepse Ati është më i madh se unë.

29 Ju thashë tani

‑ para se të ndodhë,

që të besoni kur të ndodhë.

30 S’do të flas më shumë me ju,

pse po afrohet princi i botës.

Ai kundër meje s’mundet asgjë.

31 Por, që ta dijë bota se e dua Atin

dhe se bëj ashtu si më urdhëroi Ai.

Çohuni! Të shkojmë prej këndej!”

 


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Paqja që Jezusi premton nuk është arratisje nga problemet – siç nuk është as paqe që e jep bota – por më tepër guxim për t’u marrë me to në mënyrë të qetë. Gjatë kohës që ai po i thoshte këto fjalë për paqen Jezusi ishte duke ecur në drejtim të Gjetsemanit dhe pësimit të tij.
  • Zot, kam nevojë për dhuratën tënde të paqes! Unë jam shpesh i pasigurt, i shqetësuar, me ankth, i zemëruar. Më trego se si je ballafaquar ti kur gjërat ishin jashtë kontrollit në jetën tënde? Çfarë të ka inkurajuar të vazhdosh? Duket se ke pasur një ndjenjë të thellë se Ati është me ty dhe se ai ka kërkuar prej teje që t`ia dëftosh botës dashurinë e pakufishme hyjnore.
  • O Zot, kjo është paqja që unë jam duke kërkuar: të jem në gjendje për t`u përballuar me hidhërimin, pikëllimin dhe dhimbjen pa ndonjë frikë të madhe se mos po humb gjithçka.
  • Më ndihmo, o Zot, që lutja të më rifreskojë dhe i ripërtërirë me besim në ty të ballafaqohem me ngjarjet, rrethanat, njerëzit që më presin. Bëj që të veproj gjithmonë nga dashuria.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.
Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »