Traditat e izolimit e të karantinës

May 2 • Opinion

Nga Prend Buzhala

 

Në Fjalorin e përditshëm na hynë edhe dy fjalë: izolim dhe karantinë. Izolimi dhe karantina janë përdorur si metoda kundër përhapjes së sëmundjeve nëpër mijëvjeçarë.

1.
Ndërsa fjala karantinë që po hyn në Fjalorin e këtij viti, është fjalë italiane “quaranta” që shënonte numrin 40, në fakt një periudhë prej dyzet ditësh mbyllje totale të njeriut a të të prekurve nga sëmundje ngjitëse në kohën e Mesjetës, për të parandaluar shpërthimin e sëmundjeve (aso kohe, diku më 1347, në Evropë vdiqën 25 milionë banorë ose një e treta e tërë popullsisë). Kjo metodë është përdorur nëpër mijëvjeçarë. Kësisoj, izolimi për shkak të një sëmundjeje ngjitëse, është i njohur që nga Bibla (shih Libri i Levitikut – kapitulli 13), ku të sëmurin “prifti do ta izolojë për shtatë ditë atë që ka plagën. Ditën e shtatë, prifti do ta ekzaminojë përsëri; dhe në qoftë se plaga duket se është ndalur dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, prifti do ta izolojë edhe shtatë ditë të tjera” (Levitiku 13, 5, 6). Këso ndalesash, izolimesh etj, përshkruhen në shumë pjesë të Biblës. Ka edhe pjesë ku gabimisht vlerësohet se sëmundja “e papastër” është “ndëshkim i Zotit.” Prandaj Besëlidhja e re (Jezusi) shëron të goditurit nga sëmundjet e tilla, ose Nëna Tereze e tregoi këtë me shembullin e saj në Indi. Izoloheshin edhe të sëmurët mentalë, tek të cilët konsiderohej se në trupin e tij “ka hyrë djalli”.
Përgjatë shekujve, izolimi total kundër një individi a grupi njerëzish përdorej edhe si masë e ndëshkimit politik (mëkati politik, “papastërtia” politike). E të mos flasim se a larg kanë shkuar traditat negative të ngujimit për shkak të gjakmarrjes.

2.
Në Kosovë fjala izolim u përdor shpesh gjatë viteve ’80, kur zunë të përdoren masat më të ashpra të përndjekjes politike sidomos kundër intelektualeve, një izolim total nëpër burgje, për ta shkëputur çdo kontakt me publikun. Izolimi shoqërohej me seanca policore, me përdorimin e dhunës fizike, si dhe me metoda të tjera të psiko-terrorit. Ngjashëm me zindanet otomane.
Ishte “masë e përkohshme (prej dy muajsh, gjashtë muajsh e më shumë), pa pasur asnjë fakt relevant për “veprimtari armiqësore”. Izolimin e ka përjetuar secili ish i burgosur politik shqiptar i Kosovës (nja 35 mijë gjatë viteve ‘80, për Kosovën Republikë), për aq kohë, deri sa të vërtetohej “veprimtaria armiqësore” për t’u dërguar në paraburgim e te gjykatësi për t’u dënuar “për veprimtari armiqësore” kundër Kosovës Republikë. Regjimi, me njerëzit e librezave (udbashët, apo krerët politikë të lartë, me libreza komuniste) përdornin të gjitha metodat e izolimit publik kundër “armiqve” për të mos “e helmuar rininë” me ide të Republikës së Kosovës.

3.
Veprimet e tilla, sikundër shihet historikisht, kanë dy anë të medaljes: veprimin e drejtë të kësaj mase dhe veprimin e padrejtë. Veprimi i drejtë është metoda për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, kurse veprim i padrejtë është ai veprim besëtytnie, veprim paragjykues politik a veprim i drejtpërdrejtë i dhunës politike.
Nga ana tjetër, yti tip vetmie e vetizolimi i shkencëtarëve, shkrimtarëve dhe profileve të ngjashme, sakrifikojnë një jetë të tërë për t’iu dhuruar njerëzimit veprat e tyre të gjeniut njerëzor.

4.
Citate:
Haruki Murakami: “Pse njerëzit duhet të jenë ashtu të vetmuar? Cili është qëllimi i gjithë kësaj? Miliona njerëz në këtë botë, që të gjithë shfaqin dëshirë duke kërkuar nga të tjerët për t’ua plotësuar kënaqësitë, e mandej e izolojnë vetveten. Pse? A u qenka dhënë toka këtu vetëm për ta ushqyer vetminë njerëzore? “
John Donne: “Asnjë njeri nuk është një ishull, i tërësishëm në vetvete e vetëmjaftueshëm; çdo njeri është një pjesë e kontinentit, pjesë e kryesores. Nëse nuk arrin t’ju pastrojë deti, aq më pak këtë mund ta bëjë Evropa, qofshin ata edhe promotorë, qofshin ata edhe një thesar i mikut tuaj ose në qoftë edhe i juaj: vdekja e secilit njeri më zvogëlon, sepse unë jam i përfshirë në njerëzim, dhe për këtë arsye kurrë mos kërkoni të dini se për kë bien këmbanat; ato bien për ty.”
Criss Jami: “Kur je në pikëpamje sociale i zorshëm, i izoluar më shumë se zakonisht, dhe kur je i izoluar më shumë se rëndom, krijimtaria jote është më pak e cenuar nga ato që janë thënë dhe janë bërë tashmë. E gjithë shpresa juaj në jetë fillon të varet nga zanati juaj, prandaj përpiquni ta përsosni atë. Unë qëndroj i izoluar më shumë se personi i një shkalle mesatare, për arsye që më duhet ta mbaj krijimtarinë time sa më të fuqizuar aq sa është e mundshme. Të jesh i çuditshmi mund t’i kesh dëmet e pengesat e tua përkohshme, por më e rëndësishmja, i ke epërsitë dhe avantazhet tua të përhershme.”/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »