Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

May 2 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela IV e Pashkëve (A)

 

 

Leximi i parë   Vap 2, 14.36-41

Pjetri, duke u nisur nga Shkrimet e Shenjta që të gjithë dëgjuesit i njihnin, shpjegon se si këto fjalë biblike janë realizuar në jetën, vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit, i cili është Mesia i vërtetë i shumëpritur prej shekujsh.  Në fund ai fton të pranishmit që të marrin një vendim të ri për jetën e tyre, duke pranuar pagëzimin në emër të Jezusit. 

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Ditën e Rrëshajëve Pjetri bashkë me të njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjoni fjalët e mia! “Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.” Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve tjerë: “Çka duhet të bëjmë ne, o vëllezër?” Pjetri u dha përgjegj: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë – Shpirtin Shenjt. Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.” Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë: “Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!” Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë u kthyen rreth tri mijë vetë. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  23

Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

——————————————

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta,

shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

——————————————

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

——————————————

Ti ma shtron tryezën përpara

Ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

——————————————

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

——————————————

 

Leximi i dytë    1 Pjt 2, 20-25

Kush lufton me të vërtetë për drejtësinë dhe për të vërtetën nuk duhet të presë komplimente. Mëkati i botës është pikërisht ky: të refuzojë atë që bën të mirën.  Nëse dikush zbulon një të keqe që mbahet e fshehtë, në mënyrë të pashmangshme e keqja, e goditur që në rrënjë, hakmerret dhe vret. Ky qe fati i Krishtit i parathënë nga profeti Isaia.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, çfarë lumturie veç se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbarni të vështirat: kjo është hir para Hyjit. Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim, Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyrje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi. Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me vërragët e të cilit jeni shëruar. Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet te Bariu e Rojësi i shpirtrave tuaj. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.

Aleluja

 

Ungjilli   Gjn 10, 1-10

Populli i Izraelit priste një Mesi – Bari, i cili do të kishte kuruar delen e plagosur.  Jezusi është bariu i vërtetë, që hyn nga dera dhe delet e njohin.  Jezusi është dera: për të gjetur shpëtim është e nevojshme të kalohet nëpërmjet tij, të dëgjohet, të besohet në fjalën e tij, të ndiqet.

 

Leximi i Ungjillit së shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi tha: “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë mbas, sepse e njohin zërin e tij. Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”  Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të. Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e dhenve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë. Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Njerëzimi është si një grigjë; e shumë do të donin ta kullotnin, por duhet të jemi të kujdesshëm kujt ia besojmë jetën tonë, burimet tona njerëzore: në duart e një bariu të vërtetë apo një mercenari.

“Ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, … ai është vjedhës dhe cub”. Bariu i ligjshëm i deleve (besimtarëve), ai që hyn nga dera, është Jezusi, Bariu i Ri i Izraelit.

“Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta”. Bariu i thërret në emër, sepse i njeh, i njeh sepse i do.“U prin dhe delet i shkojnë mbas, sepse e njohin zërin e tij”. Ekziston një marrëdhënie njohjeje mes bariut dhe deleve të tij. Ai i udhëheq dhe ato jetojnë me të, bashkëndajnë planin e tij, zbatojnë vullnetin e tij.

“Unë jam dera e dhenve”. Ata që dalin njëherë nga rrethimi i judaizmit duhet të kalojnë nëpërmjet derës që është Jezusi për të hyrë në shpëtimin dhe në jetën. Imazhi i “derës” i referohet Jezusit e domethënë që duhet të kalojmë nëpërmjet Tij për t’u shpëtuar, por tregon edhe që këto të mira të jetës e të shpëtimit delet i gjejnë në Jezusin. Ai është dera e hyrjes, por edhe rrethimi i ri, Tempulli i ri në të cilin mund të takohet Ati.

Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi”. Është jeta hyjnore që nga Ati derdhet në Birin e që Biri, duke u bërë njeri, ua dhuron atyre që i përkasin nëpërmjet besimit. Jezusi Bariu ” i bukur”, do të tregojë se dhurata e jetës për të vetët rrjedh nga dhurata që Ai bën me jetën e tij, duke pranuar vdekjen për dashuri.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, t’ia drejtojmë me besim lutjen tonë Krishtit, bari dhe udhëheqës i popullit të tij, që njeh të gjitha delet e veta.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Krisht, bariu ynë, na dëgjo.

L. Udhëhiqi, o Zot, Atin e Shenjtë, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët që të jenë shenjë e vërtetë e dashurisë së Hyjit. Të lutemi.

L. Mbështeti, o Zot, ata që janë vetëm dhe kanë vështirësi t’i gjejnë një kuptim jetës së tyre: ji Ti udhëheqësi, rruga dhe qëllimi. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që ata që kanë dëgjuar apo do të dëgjojnë zërin tënd që i thërret të të ndjekin për ndërtimin e Mbretërisë sate, t’i përgjigjen butësisht dhuratës së Shpirtit tënd. Të lutemi.

L. Dërgo, o Zot, burra dhe gra të shënuar nga dashuria jote që demostrojnë në botën mbarë se të ndjekësh Krishtin është një përvojë që dhuron gëzim. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që të vegjlit dhe adoleshentët të jenë të hapur në miqësinë me Jezusin Eukartisti, me atë dashuri për të cilën kanë nevojë për të jetuar moshën e tyre. Të lutemi.

M. O Atë i mëshirshëm, pranoje lutjen e përvuajtur të bijve të tu dhe bëj që të pastruar nga Shpirti, të hyjnë brenda pasurive të Krishtit, porta mistike e bashkimit me ty. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »