Si do ta shikojmë njëri-tjetrin kur të takohemi?

May 3 • Opinion

Atë Frederico Lombardi nis një cikël të ri artikujsh në Radio Vatikani, të cilët shikojnë përtej, drejt së ardhmes, që na pret: na kujtojnë se Jezusi nuk ishte dukje virtuale e Zotit, por mishërim i Tij, pikërisht që të mundnim ta takonim. E na thotë se ai është i pranishëm e na pret në tjetrin.

 

Nga Federico Lombardi

 

Lexoja këto ditë pohimin e një mendimtari rus: “Lidhja e zakonshme ndërmjet njerëzve është gjëja më e rëndësishme në botë”. Më bëri të kujtoj një këngë të bukur, gazmore, që këndohej dhjetë vjet më parë nga një lëvizje simpatike të rinjsh e që frymëzonte miqësinë dhe vëllazërinë ndërmjet popujve: “Rrofshin njerëzit”, titullohej. Ndokush ndoshta e kujton akoma, sigurisht… Fliste për njerëzit e shumtë, që i takojmë çdo mëngjes, duke shkuar në punë; thoshte, ndërmjet tjerash: “Nëse më shumë njerëz do t’i shikonin,/ gjithë njerëzit me dashamirësi/, do të kishim më pak njerëz të ngrysur/ më shumë përplot me dashuri….”. Këngë kjo, që frymëzonte shumë ndjenja të urta e pozitive. E pata rimenduar shumë herë vitet e fundit, duke shkuar rrugës, duke takuar njerëz, që ecnin ngutshëm, si të mbyllur në vetvete, e shumë të tjerë me kufje në vesh, tërësisht të thithur nga ekrani i celularit, ose që bisedonin, në ajër, me zë të lartë, me kush e di se kë, pa iu bërë fare vonë për ata, që ishin në autobus, pak centimetra larg tyre. Më dukej se shija për t’i shikuar të tjerët me dashamirësi e vëmendje po bëhej gjithnjë e më e rrallë e hyrja, gjithnjë më ngulmuese e formave të reja të komunikimit në jetën e përditshme, po na bënte fare të huaj me njëri-tjetrin.

Pas shumë javësh mbylljeje në shtëpi, nis të ndjehet një dëshirë e madhe për të takuar përsëri në rrugë një mori fytyrash. Shpresoj se kjo, herët a vonë, do të ndodhë. E do të shikojmë përsëri fytyra pa maska. E edhe do të shkëmbejmë me ta ndonjë fjalë të përzemërt a një buzagaz të sinqertë. Shumë prej nesh provuan të papriturën pozitive të mundësisë, që na krijoi komunikimi dixhital e shpresojmë se do të na vlejë edhe për të ardhmen, por me izolimet e zgjatura, kuptuam sakaq edhe se nuk mjafton.

Si do të ritakohemi pasnesër udhës a në metro? A do të mund t’i ripopullojmë qetësisht hapësirat e përbashkëta të qyteteve tona? Do të kushtëzohemi nga frika e dyshimi apo, me ndihmën e urtisë së shkencëtarëve dhe të qeveritarëve, do të dimë ta drejtpeshojmë maturinë, me dëshirën për të rigjetur e për të riendur cilësitë e bashkëjetesës së përditshme e cila – siç e kujtuam në fillim – “është gjëja më e rëndësishme e në botë”, filli, që lidh njeriun me njeriun? A do të kujtohemi (më pak apo më shumë se më parë) se jemi familje njerëzore për udhë në shtëpinë e përbashkët, që është planeti ynë i vetëm, Toka?

Tani që pandemia na bëri të provojmë një aspekt problematik të globalizimit, të cilin të gjithë duhet ta kemi mirë parasysh në të ardhmen, a do të dimë vallë ta rigjejmë frymën e vëllazërimit ndërmjet popujve, përtej e përmbi kufijtë, mikpritjen dashamire e kureshtare të larmisë, shpresën për të jetuar së bashku, në një botë me paqe?

Si do ta jetojmë trupin e tonë e si do ta shikojmë atë të të tjerëve? Si rrugë për infektim të mundshëm, si rrezik nga i cili duhet të ruhemi, apo si shprehje e shpirtit të një motre a të një vëllai? Sepse ky, në fund të fundit, është trupi njerëzor; shprehje konkrete e shpirtit – krijesë e vetme, e  denjë, e çmuar e Zotit, shëmbëllim i Hyjit… Ç’mrekulli është timbri i zërit, ritmi i hapave e posaçërisht, buzëqeshja e njerëzve të dashur!…

Por ka edhe më! Thua do të vlejë kjo për të gjithë njerëzit, që do t’i takojmë? Atëherë çlirimi nga koronavirusi do të na ndihmojë të çlirohemi edhe nga viruset e tjera të korpit e të shpirtit, që na pengojnë ta shikojmë e ta takojmë thesarin, që është në shpirtin e tjetrit? Apo do të jemi bërë edhe më shumë dashuronjës të vetvetes?

Teknologjia dixhitale mund të ndërmjetësojë e të shoqërojë këndshëm marrëdhëniet tona, por prania fizike e anasjelltë e njerëzve, e trupave të tyre, nëpërmjet të cilëve shikojmë shpirtrat, afërsia dhe takimi me ta, mbeten pikënisja dhe pikëreferimi i parë i përvojës sonë e i udhës sonë! Jezusi nuk ishte dukje virtuale e Zotit, por mishërim i Tij, pikërisht që të mund ta takonim. E Jezusi na tha se Ai është i pranishëm e na pret në tjetrin, në të varfërin (e kush nuk është i varfër në ndonjë farë mënyre, e diti apo s’e diti?) e se në fytyrën e tjetrit mund e duhet të dimë të shikojmë të Tijën.

Me ç’sy, me ç’zemër, me ç’buzëqeshje do të rikthehemi rrugëve e do të takohemi me një mori njerëzish, edhe pse në dukje të panjohur, që na munguan këto muaj e, ashtu si ne, e ndjenë fort dëshirën që të na takonin përsëri udhëve të përditshme të jetës së tyre, në botën tonë të përbashkët? (radio vatikani).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »