Krishti, udha, e vërteta dhe jeta

May 10 • Meditimi i ditës

 10 maj 2020 – E diela 5-të e Pashkëve (A) – MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 6, 1-7; Ps 33, 1-2.4-5.18-19; 1Pt 2, 4-9; Gjn 14, 1-12)

 

Prania e Hyjit


O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në qetësi në të cilën

e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 


Liria

 Nuk është shumë e vështirë ta kujtosh dikë që është duke pasur vështirësi në këto momente, ose ndonjë pjesë të botës ku mungon gëzimi.  

Nëse je ti, ose dikush që e di, çfarë fjale dëshiron të dëgjosh, ose t’ua thuash atyre njerëzve? A do të ndihmonin fjalët e ungjillit?

 


Ndërgjegjësimi


E pyes veten, si po e ndiej veten sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`ia dorëzoj Zotit këto brenga që po më shqetësojnë?

 

 

Fjala


Tani e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me mend e zemër
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 


 

Gjn 14, 1-12


1 “Mos t’ju shqetësohet zemra!
Besoni në Hyjin
edhe në mua besoni!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa.
Po të mos kishte, a do t’ju thoja:
‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’?
3 Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin,
do të vij prapë e do t’ju marr tek unë,
që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.”
5 “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?”
6 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.
Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.
7 Nëse më njohët mua,
do ta njihni edhe Atin tim.
Që tani e njihni
dhe e keni parë.”
8 Filipi i tha:
“Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!”
9 “O Filip ‑ i tha Jezusi ‑ kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?
Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.

 


 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

• Ungjilli e paraqet Jezusin si udhërrëfyesin tonë gjatë jetës – Ai është Rruga, e Vërteta dhe Jeta. Në zemër të krishterimit është personi i Jezu Krishtit. Angazhimi ynë për Jezusin dhe dashuria ndaj njerëzve, pavarësisht nga thirrja dhe profesioni ynë i jetës, vjen nga ai burim. Ajo qendër është gjithmonë e fortë dhe e palëkundur, ajo nënkupton një marrëdhënie të thellë personale. Jezusi na drejton, udhëheq – një nga një, jo si një masë apo një grup, por duke na njohur me emër.

• Ne e ndjekim Jezusin si dikë që e njohim dhe jo si një të huaj që nuk e njohim. Dhe ne e njohim Jezusin sepse e studiojmë jetën e tij dhe kohën në të cilën ai jetoi, vendet dhe ngjarjet që lidhen me jetën e tij, duke u bërë gjithnjë e më intimë me ungjijtë dhe duke e njohur atë në zemrat tona gjatë lutjes. Kur ta dëgjoj sërish paragrafin biblik, vë re se si ky ungjill më tregon cila është mënyra se si i mbajmë të forta bindjet tona dhe motivimin tonë të zjarrtë. Dhe ndërsa kjo ndodh, liria jonë rritet dhe e gjen atë gjithkund përreth nesh.

  

 

Bashkëbisedimi


Jezusi sheh se sinxënësit nuk po e kuptonin dhe kërkojnë të kenë besim duke u bërë thirrje të mos lejojnë që t`u trazohet zemra.

Jezusi më shikon edhe mua me të njëjtën mëshirë, e njeh hezitimin tim, dyshimet, pyetjet e mia. Ai më thotë: “Paqe!” duke më kujtuar se tani e kam një vend në zemrën e tij, një vend që është për mua atje përgjithmonë. Bisedo për këtë me Zotin në këtë moment.

 

Përmbyllja

 Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente me ty. Jezusi nuk do vetëm të më ndihmojë, të më japë frymëzim apo këshillë. Ai dëshiron të më tërheq kah vetë burimi i mirësisë – më thërret që të jem me të “në Atin”.

Jezusi na thërret që të shikojmë brenda dhe jashtë: syri i brendshëm i vëren lëvizjet e Shpirtit të Zotit kurse syri i jashtëm vëren ku është Zoti në vepër në të gjitha sendet që më rrethojnë.

Lutja nuk më largon nga bota – ajo e thellon aftësinë time që të jetoj në të me një qëllim dhe në paqe. Fjalët dhe veprat e mia mund të sjellin paqe, drejtësi dhe shpresë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »