Mos kini frikë!

May 10 • Opinion

Në një artikull të ri, atë Federico Lombardi fton për të shikuar përtej pandemisë: bota ka edhe plot lajme të mira. Duhet t’i njohim, e t’i bëjmë të njohura, sepse janë këto që na prijnë më larg e na e drejtojnë shikimin më lart.

 

Nga Federico Lombardi

 

“Mos ki frikë! Sepse unë jam me ty!”. Janë fjalë, që rikujtohen shumë herë  në të gjithë Shkrimin e Shenjtë. Fjalë, që i drejtohen nga vetë Zoti, ose në emër të Tij, njeriut, që e thërret për një mision të vështirë e të papritur, përmes rrugëve ende të panjohura, ashtu si Moisiun para kaçubës së ndezur flakë; ose Marinë, para Engjëllit. “Mos kini frikë!”. Janë fjalët  drejtuar prej profetëve popullit të shtypur nën barrën e rëndë të ankthit, si atëherë kur qe ngujuar pa rrugëdalje ndërmjet Detit të Kuq e karrove egjiptiane të luftës. E përdor shumë herë edhe Jezusi, duke iu drejtuar dishepujve të Tij, “grigjës së vogël”, që e ndjek, ose atyre, që persekutohen për shkak të emrit të Tij. Prandaj Jezusi këmbëngul që të mos tremben nga asnjë forcë njerëzore, sepse kjo mund t’ua marrë jetën e trupit, po jo atë të shpirtit e edhe pse, në kohën e provës, Zoti nuk do t’i braktisë.

Fjalën e madhe “Mos kini frikë!”, siç e kujtojmë fare mirë, e përsëriti me ngulm, në kohë më të afërta, Shën Gjon Pali II, që nga fillimi i papnisë së tij, duke ia drejtuar mbarë njerëzimit: “Mos kini frikë! Hapjani portat Krishtit!”. Sepse, në fund të fundit, besimi në Krishtin Shëlbues është pikërisht – për të gjithë – çlirimi i madh e përfundimtar nga frika!

Sidoqoftë pandemia, edhe kur të kalohet, falë një vaksine efikase, do të na lërë trashëgim pasigurinë, madje edhe frikën e fshehtë, gati për të rilulëzuar. Tani e dimë se, pavarësisht nga çdo përpjekje e çdo angazhim i drejtë për reduktimin e rreziqeve, mund të duken e t’i shpëtojnë kontrollit viruse të tjera ose forca të tjera, të afta për të na zënë në befasi e për t’i vënë në provë qetësitë tona e siguritë tona. Sepse mbi këtë tokë nuk mund të ketë kurrë siguri absolute. E nuk do të ketë as në të ardhmen!

Natyrisht duhet ta presim nga shkenca, nga organizmat shoqërore, nga politika e, në përgjithësi, nga arsyetimi njerëzor, ndihmën kryesore që ta rifitojmë qetësinë e nevojshme për një jetë të qetë e normale, personale e shoqërore. Por mbetet nevoja për diçka më të thellë, për të cilën këto përgjigje nuk mjaftojnë.

A do të mund të jetojmë të lirë nga frika më radikale për vetveten, për të dashurit tonë, për ardhmërinë tonë? Ku është çelësi, që mund të na e hapë portën për të jetuar në paqe e, prej këndej, në një jetë me të vërtetë të mirë edhe mbi këtë tokë, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë e përditshme, prej të cilave nuk mund të shpëtojmë kurrë? E dimë mirë se secili nesh ka personalitetin e vet, historinë e vet, gjëra që ndikojnë fuqimisht mbi sjelljet e tij. Dikush pushtohet më shpejt nga ankthi, është më i brishtë, e ky nuk është faji i tij; dikush tjetër është më i qetë më optimist, e kjo është dhuratë. Po Fjala e Zoti u drejtohet të gjithëve e është ftesë për të gjithë, që t’i besojnë një dashurie, e cila na prin, na ruan e na shoqëron.

Shpesh herë sot ngurrojmë të flasim për “provaninë e Zotit”. Na duket fjalë, që vë në rrezik angazhimin tonë të krishterë në botë, që na bën pasivë a më pak të përgjegjshëm. Po ky është thjesht kurth. Ta harrosh provaninë  e Zotit do të thotë të mos kuptosh se dashuria e Zotit na shoqëron e na ndihmon, edhe pse shpesh sytë tanë janë ende të paaftë për ta parë. Në Predikimin mbi mal Jezusi na fton t’i hapim mirë sytë: “Shihini zogjtë e qiellit… shikojeni lulet e fushës…” –  e të mos lejojmë që të na pushtojnë  shqetësimet e ngutshme për mirëqenien e çastit. Përveç zogjve e luleve, syri që hapet mund të shikojë çdo ditë edhe shumë shenja dashurie e shprese, mbjellur në rrugën tonë, në rrethanat e në njerëzit që i takojmë, në fjalët e tyre, në veprimet e tyre. Secili nga ne e vlerëson si hir takimin me njerëz, që dinë të shikojnë e na mësojnë të shikojmë me sy depërtues e shikim të qetë. Bota e madhe është përplot jo vetëm me lajme të këqija, por edhe të mira. E kemi për detyrë t’i njohim, sepse janë pikërisht këto, që të prijnë më larg e ta drejtojnë syrin kah lartësitë, kah burimi i dashurisë e caku i shpresës.

Jezusi i përfundon, më pas, fjalët e Tij mbi provaninë me një këshillë shumë të urtë: “Secilit i mjafton shqetësimi i vet”. Nuk duhet të lejojmë që  në shpirtin tonë të grumbullohen njëherësh shqetësimet e sotme, të nesërme e të gjithë kohës së ardhshme. Duhet të mendojmë se çdo ditë ka hallet e veta, por edhe hirin e vet. Duhet të besojmë se çdo ditë do të na dhurohet hiri i nevojshëm për ta mbartur barrën e re. Hiri i nevojshëm për të kërkuar mbretërinë e Zotit dhe drejtësinë në këtë jetë dhe në jetën e pasosur. Shën Tereza e Avilës na kujton një fjalë, që e zgjeron zemrën tonë dhe e hapë horizontin tonë përtej çdo pengese: “Asgjë nuk duhet të të trazojë, asgjë të të trembë. Gjithçka kalon, vetëm Zoti nuk ndryshon. Me durim, fitohet gjithçka. Kush ka Zotin, ka gjithçka. Vetëm Zoti mjafton!”. A do  të dijë feja jonë të na frymëzojë në udhën e gjatë, të cilën e kemi përpara, që të jetë udhë mençurie e urtie, vërtet e lirë nga këshillat e këqija e frika e madhe, e lirë, me shpresë në Zotin, nga frika e vdekjes. (radio vatikani)

Fotografia në ballinë: Mural i shpresës. Një vajzë e vogël “bën të fluturojë” virusi covid-19.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »