14 maj 2020: Ditë Botërore e Lutjes për njerëzimin në kohën e COVID-19

May 13 • Kisha në botë, Kisha në Kosovë

E planifikuar si një ditë lutje, agjërimi dhe bamirësie, më 14 maj 2020, të gjithë religjionet, fetë e botës do të bashkohen shpirtërisht për të kërkuar Zotit Krijues ndihmën për mbarë njerëzimin e prekur nga pandemia e rëndë e COVID-19, i cili ka marr mijëra e mijëra jetë e po vazhdon të kërcënon miliona njerëz anë e kënd botës. Kjo nismë, që Papa Françesku e ka mbështetur, u iniciua nga Komiteti i Lartë për Vëllazërinë Njerëzore dhe Këshilli Papnor për Dialog Ndërfetarë i Selisë së Shenjtë.

 

Letra e Imzot Dodë Gjergjit dërguar liderëve të bashkësive fetare dhe kishave në Kosovë:

 

Liderëve të Bashkësive Fetare dhe Kishave në Kosovë

 

Fort të nderuar,

Po vi tek Ju për të bashkëndarë nismën e radhës të Kishës Katolike Universale, përkatësisht të Selisë së Shenjtë që ka përmasën e bashkëpunimit ndërfetarë në nivel botëror.

Pasi Këshilli Papnor për Dialog Ndërfetarë i Selisë së Shenjtë ka ftuar besimtarët e të gjitha religjioneve dhe njerëzit vullnetmirë për një ditë lutje, Ju ftoj që edhe ne të bashkohemi shpirtërisht më 14 maj për një Ditë lutje, agjërimi dhe bamirësie, me qëllim që t’i kërkojmë Zotit Krijues të na vijë në ndihmë që të mund ta kalojmë pandeminë e rëndë të shkaktuar nga koronavirusi COVID-19.

Kësaj ftese po ia bashkëngjis komunikatën për opinion publik.

Shfrytëzoj rastin që Bashkësisë Islame dhe të gjithë myslimanëve të ju urojmë agjërim të lehtë, dhe gjithë juve shëndet e punë të frytshme në dobi të komuniteteve tuaja dhe gjithë shoqërisë në Kosovë.

 

+ Dodë Gjergji

Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë

 

*********

 

Komunikatë për opinion publik

 

Të dashur besimtarë/e,

vëllezër e motra të të gjithë njerëzimit!

E gjithë bota po përballet me një rrezik të madh që ka marr jetët e mijëra njerëzve dhe vazhdon të kërcënoj jetët e miliona njerëzve të tjerë për shkak të përhapjes së pandemisë coronavirus (COVID-19).

Duke e çmuar rolin e medicinës dhe kërkimeve shkencore që bëhen për ta mundur këtë pandemi, ne s’duhet të harrojmë që përballë kësaj krize të rëndë të kërkojnë mbështetje në Zotin. Për këtë arsye duam t’i ftojmë të gjithë njerëzit e botës që të luten secili sipas bindjeve të tyre fetare, të agjërojnë dhe të bëjnë vepra bamirësie, me njetin që të ndalet pandemia. Secili prej nesh, kudo që ndodhet dhe sipas mësimeve të traditave përkatëse të feve dhe filozofive, le të kërkoj prej Zotit që të na vijë në ndihmë të gjithëve në këtë katastrofë; t’i frymëzojë shkencëtarët për ta gjetur sa më shpejt një kurë për virusin dhe ta shpëtojnë botën nga pasojat e kësaj pandemie të rëndë në fushën e shëndetit, ekonomisë dhe humanitetit.

Në aktualizimin e objektivave të Dokumentit mbi Vëllazërinë Njerëzore, Komiteti i Lartë për Vëllazërinë Njerëzore propozon që të kremtohet ditën e enjte, më 14 maj 2020 një Ditë Botërore e lutjes, agjërimit dhe veprave të bamirësisë. P

Që t’u përgjigjemi bashkërisht kësaj ftese, ta thirrur Zotin e gjithëpushtetshëm që ta shpëtojë botën, të na ndihmojë ta kalojmë pandeminë, ta rikthejmë sigurinë, stabilitetin, shëndetin dhe mirëqenien, në mënyrë që pasi të përfundojë kjo pandemi, Toka e jonë të mund të jetë më e mirë se përpara një vend i ngrohtë për njerëzimin dhe vëllazërinë njerëzore./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »