Besimi dhe përgjegjësia në edukimin e të rinjve

May 16 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Prindërit, edukatorët, mësimdhënësit e fesë, katekistët jo rrallë ankohen në fëmijën vështirë të edukueshëm. Ose ngjan që të çuditur dhe të brengosur ndodhen para ndryshimit të pashpjegueshëm të sjelljes së fëmijës. Nuk mund ta kuptojnë, për shembull, se si një fëmijë deri më tani i mirë, i dëgjueshëm, e dashur përnjëherë shndërrohet në një dragua të vogël, ose në të kundërtën, një fëmijë deri më tani aktiv, i shkathët, i disponuar bëhet dukshëm i mbyllur, i heshtur, i pavullnetshëm.

Përgjigja në këto pyetje sigurisht nuk mund të jetë e thjeshtëzuar. Mbetet një e vërtetë e përhershme se fëmija s’mund të edukohet prej librave dhe nuk ekzistojnë receta për një edukim të suksesshëm, sepse çdo fëmijë është qenie e veçantë. Megjithatë, psikika e njeriut ka ligjshmëritë e veta çka na jep të drejtë në formulimin e disa udhëzimeve themelore edukative. Një udhëzim i tillë themelor është ky:

 

Fëmijën duhet ta kuptojmë!

Që të mund ta kuptojmë fëmijën, është e nevojshme t’i kemi para sysh disa të vërteta themelore psikologjike.

Para së gjithash, e vërteta themelore është se çdo sjellje ka një motiv. Motivi themelor është forcimi i ndjenjës së vlerës personale. Çdo fëmijë, sikur edhe të rriturit, dëshiron të tregohet i vlefshëm në sytë e të tjerëve. Elementet e një aspirimi të tillë janë përvoja e suksesit dhe miratimi i pranuar prej të tjerëve. Për atë arsye, vlen rregulli i përgjithshëm se fëmija i egër gati se rregullisht është një fëmijë i shkurajuar, i cili në atë mënyrë, d.m.th. me tërë sjelljen e papërshtatshme lufton për miratim dhe, tërthorazi, për ruajtjen e vetëbesimit.[1]

Fëmijët e sotëm, përndryshe, shpesh rriten në një atmosferë të atillë sa që thuajse në mënyrë të pashmangshme vijnë te bindja se, jo vetëm se nuk kontribuojnë në begatinë e familjes, por janë për të gjithë një barrë, d.m.th. të padobishëm. Puna vërtetë e dobishme dhe e miratuar është privilegj i të rriturve. Prandaj fëmija nuk e gjen vendin e vet në familje dhe në shoqëri. Që mos ta humb krejtësisht vetëbesimin, fillon të bëhet “i egër”: në atë mënyrë dëshiron t’ia bëjë me dije rrethit ku jeton se edhe ai është këtu dhe se është i vlefshëm. Ndjenjën e pavlefshmërisë së fëmijës nganjëherë e rrisin prindërit edhe me padëshirë kur e qortojnë me fjalë të tilla ose të ngjashme si këto: “Unë për ty mundohem, kurse ti je i pa falënderueshëm!”

Pra, në qoftë se një fëmijë bëhet i egër ose në sjelljen e vet tregon ndryshime radikale, atëherë është shumë e sigurt se ai dëshiron diçka të arrijë, duke e përforcuar figurën pozitive për veten. Duket se në shumicën e rasteve sjellja e keqe ose ndryshimet radikale në sjellje mund t’i përbashkojmë në njërin prej këtyre tri qëllimeve: të fitojë vëmendje, detyrimi, hakmarrja, ikje nga pritshmëritë. Në prapavijë të sjelljes mund të rekonstruojmë një logjikë të caktuar. Nëse qëllimi i fëmijës është të tërheq vëmendjen e prindërve, sepse ndjehet i lënë pas dore, atëherë logjika e tij është përafërsisht kjo: “E di se nuk më çmoni, por së paku s’do të më shmangeni, sepse jam edhe vet i aftë të arrijë të marr më shumë vëmendje, mund të ju detyroj në këtë”.

Në rastin e dytë fëmija bënë presion tek prindërit e tij me një logjikë të këtillë: “Ndoshta nuk ju vlej shumë, mirëpo së paku do t’ju tregoj se s’mund të silleni me mua si të doni.” Ka gjasa që fëmija të hakmerret për ndonjë gjë: “Nuk po kujdeseni sa duhet për mua, por unë jam i aftë për të marrë dëmshpërblimin duke ju shkaktuar dhimbje”. Së fundmi, fëmija ndoshta dëshiron të ikën nga ndjenja e vlerës së ulët, kështu që tërhiqet në vete, bëhet pasiv, kurse porosia tingëllon përafërsisht kështu: “Nuk jam i aftë t’u përgjigjem pritjeve tuaja, mirëpo, nëse asgjë nuk bëj, atëherë së paku më lëni të qetë.”

Si ta njohim çfarë është qëllimi i sjelljes së fëmijës? Ato qëllime shfaqen në forma të ndryshme të sjelljes. Fëmija që kërkon vëmendjen bërtet, është i shqetësuar, kërkues. Fëmija që bënë presion sulmon, inatoset, rrenë, dhe qanë nëse nuk i plotësohen dëshirat. Fëmija hakmarrës është i pamëshirshëm, i dhunshëm, keqtrajton fëmijët e tjerë dhe të rriturit. Më në fund, ai që vuan nga ndjenja e vlerës së ultë nuk bënë asgjë, dorëzohet para gjithçkaje, tërhiqet, është i pavullnetshëm.

Qëllimet mund t’i hetojmë edhe sipas asaj se si fëmijët reagojnë kur marrin vërejtje. Fëmija që kërkon vëmendje, pasi që t’ia bëjmë vërejtjen, ai qetësohet, por vetëm për pak kohë, pastaj vazhdon të jetë i parehatshëm. Fëmija i dhunshëm në vërejtje reagon me një inat më të madh; ai hakmarrësi bëhet edhe më i vrazhdë, kurse ai me ndjenjën e vlerës së ultë nuk reagon fare.

Së fundi, prindërit dhe edukatorët mund t’i hetojnë qëllimet e fëmijëve në atë mënyrë që t’i shqyrtojnë reagimin e tyre ndaj sjelljes së fëmijës. Fëmija që me këmbëngulje kërkon vëmendje nxitë në ne nervozë, sepse e përjetojmë si të mërzitshëm dhe imponues. Para fëmijës që është i dhunshëm ndjehemi të frustruar, të hidhëruar dhe të përbuzur. Fëmija hakmarrës nxit në ne dhimbje, e përjetojmë si të paturpshëm dhe të pasjellshëm. Dhe së fundmi, para fëmijës që tërhiqet ndjehemi të pazotë dhe më me dëshirë do ta linim të vetëm.

Secili prind dhe edukator e di nga përvoja se në të gjitha rastet e tilla moralizimi dhe ndëshkimi jo vetëm se nuk japin frytin e dëshiruar por, përkundrazi, e rrisin keqësimin e raportit ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Cila është, pra, metoda e drejtë edukative? Duhet ta dimë se fëmija do të ndryshojë vetëm atëherë kur i sheh arsyet e sjelljes së vet dhe kur ta kuptojë se me atë krijon vështirësi. Duhet t’i ndihmojmë, pra, fëmijës që të bëhet i vetëdijshëm për atë që në ato momente po e bën me pavetëdije: të kuptoj se pse sillet në atë mënyrë. Ka disa mundësi që t’ia bëjmë këtë me dije. Mund ta qortojmë drejtpërdrejt për qëllimin që dëshiron ta arrijë me sjelljen e vet, ose edhe t’i afrohemi problemit tërthorazi duke e lëvduar (shpërblyer) atë sjellje që është e pranueshme, kurse atë që nxitë (shkakton) shqetësim në familje nuk e përmendim fare.

Kësaj radhe do të dëshiroja të ndalem pak më shumë në detaje tek mundësia e parë: si t’ia bëjmë me dije fëmijës cili është qëllimi i vërtetë i sjelljes së tij? Ja disa përpjekje. Nëse fëmija e ka qëllimin të marr vëmendje, atëherë është e udhës të fillohet biseda me të pak a shumë në këtë mënyrë: “Ndoshta ndjen sikur se nuk po të kushtojmë vëmendje të mjaftueshme?” Ajo çfarë posaçërisht propozohet është që biseda të fillojë me pyetje. Në qoftë se fëmija nuk reagon në atë pyetje, mund të vazhdohet kërkimi në drejtim tjetër. Nëse kemi fëmijën e dhunshëm, atëherë pyesim kështu: “A nuk të duket se me sjelljen tënde sikur dëshiron të tregosh se mundesh gjithçka dhe për këtë askush nuk merr guxim të të qortojë?” Nëse e hetojmë se është hakmarrje, pyetja mund të bëhet kështu: “A është e mundur që ti dëshiron të më shkaktosh dhimbje?” Më në fund, nëse e hetojmë se është ndjenja e vlerës së ulët, atëherë pyetja ka këtë formë: “Ndoshta ndjehesh më pak i shkathët apo më pak i mirë se sa do të dëshiroje, e për këtë arsye nuk po ndërmerr asgjë?”

Nëse e kemi qëlluar shkakun e sjelljes së fëmijës, me siguri ajo do të tregohet në reagimin e fëmijës ose në fytyrën e tij: një buzëqeshje e papritur, shkëmbim shikimesh, një përgjigje spontane e pakontrolluar, janë informacione kthyese të mjaftueshëm për të kuptuar se jemi në rrugë të drejtë. Pyetjet e mëtutjeshme janë të panevojshme. Me rëndësi është se e kemi kapur kontaktin me fëmijën: atëherë krijohet besimi ndaj prindërve që e kuptojnë. Në qoftë se fëmija nuk reagon, atëherë së paku do ta dimë se nuk është aty problemi.

Në fund disa këshilla praktike si ta zbatojmë këtë metodë. E kemi përmendur tashmë se fëmijës duhet t’i afrohemi me pyetje. Është mirë t’i largohemi pohimeve të drejtpërdrejta, si p.sh. “Ti sillesh në këtë mënyrë sepse dëshiron të na shkaktosh dhimbje”. Një diagnozë e këtillë nga lart tingëllon si kërcënim dhe e përforcon ndjenjën e fajit. Nëse fëmija e ka kuptuar arsyen e sjelljes së vet, duhet të bisedohet me të për mundësitë e shkaqeve. Bisedime të tilla assesi nuk guxojnë të kenë theksime moralizuese, por duhet të jetë kështu: “Ne do ta mbërrijmë atë çfarë dëshirojmë me forca tona të përbashkëta!”

Natyrisht, këto parime nuk e mbulojnë tërë fushën edukative. Ndoshta na duken madje pak të skematizuara. Porse, ajo çfarë është më rëndësi këtu ka të bëjë me kuptimin e qëndrimit bazë: që prindërit dhe edukatorët duhet vazhdimisht ta shqyrtojnë vetën dhe të pyesin mbi korrektësinë e proceseve dhe metodave të tyre edukative. Me fjalë të tjera, duhet të jenë të hapur gjatë procesit të afrimit me fëmijën. Kjo do të thotë se procesin edukativ e përcaktojnë qëndrimet e fëmijës dhe sjellja e tij, e të mos mbështetemi në disa të vërteta të përjetshme dhe parime të ngurta edukative që do të mund të zbatoheshin në çdo situatë dhe për çdo fëmijë. Thënë më thjesht: fshehtësia e edukimit të suksesshëm është kuptimi i sjelljes së fëmijës. Domethënë, fëmija shpesh nuk mund ta shpreh me fjalë atë çka e mundon, por e bënë simbolikisht me sjelljen e tij.

           

Edukimi për një person të rritur

“Të rinjtë, që janë në pubertet, nuk është e mundur të edukohen!” – mendojnë ose ndoshta edhe thonë shumë prindër, edukatorë, katekistë. Edhe kur përpiqen t’i edukojnë rëndom e bëjnë duke shkuar në skajshmëri: të birit apo të bijës së vet ose do t’i lejojnë të gjitha, do të mundohen në gjithçka t’ia plotësojnë dëshirat e tyre me dro se mos po e humbin simpatinë dhe besimin e tyre, ose do të përpiqen edhe njëherë, me angazhim të shtuar, të mbajnë qëndrim të rreptë dhe autoritativ, përafërsisht me këtë porosi: “Ose do të sillesh ashtu si dua unë, ose mund të shkosh, nuk je më anëtar i familjes.” Këto janë skajshmëri dhe nuk sjellin asgjë të mirë.

Nuk është e nevojshme të sjellim ndonjë argumentim të posaçëm për të vërtetuar se edhe të rinjtë kanë nevojë për edukim, vetëm se në shkallë tjetër se sa kur ishin fëmijë. E ndoshta pikërisht është kjo që vështirë e kuptojnë shumë prindër, d.m.th. se i biri ose e bija e tyre nuk janë më fëmijë. Për këtë arsye vjen deri te ndërprerja e komunikimit ndërmjet tyre. Këtu dëshiroj të tërheq vëmendje në disa udhëzime që do të ishin baza për një komunikim të mirë ndërmjet të rinjve dhe prindërve.

Para së gjithash do të duhej të kuptonim dhe të pranonim atë që nga jeta praktike e dimë shumë mirë se liria e pakontrolluar ashtu sikurse edhe rreptësia e tepruar nuk çojnë në qëllimin e dëshiruar. Është e dobishme t’i kujtojmë disa nga dështimet më të shpeshta edukative që i bëjnë prindërit ndaj adoleshentëve, veçanërisht ata prindër që me të gjitha forcat luftojnë për autoritetin e tyre. Prindërit e tillë shpesh i kritikojnë ashpër dhe me zemërim adoleshentët, i kërcënojnë, i ndëshkojnë, nganjëherë i keqtrajtojnë edhe fizikisht; nuk kanë besim në të rinjtë, e kritikojnë mënyrën e tyre të veshjes, stilin e jetës, shokët e tyre, mënyrën e argëtimit, ua kontrollojnë letrat, nuk durojnë kurrfarë kundërshtimi në fushën e ideve.

Një shembull nga jeta ndoshta më së miri do të tregojë për çfarë bëhet fjalë. I biri shtatëmbëdhjetëvjeçar, fëmijë i vetëm, nëna mjaft e njëanshme që në diskutimet familjare në përgjithësi mban anën e të birit, i ati i rreptë, që autoritetin e vet, jo vetëm se e ruan me xhelozi por edhe e zbaton. Të birit i është lejuar të dalë në disko vetëm njëherë në javë, i ati vazhdimisht ia tërheq vërejtjen se duhet të mësojë, nuk i jep para të gatshme rregullisht, por vazhdimisht përsërit se si i biri duhet të kërkojë prej tij para nëse ka nevojë. I ati dhe i biri janë në gjendje të përhershme lufte, kurse i biri për një kohë e heq qafe thjesht duke e braktisur shtëpinë dhe shkon te një shok i vet. Atëherë prindërit kërkuan ndihmë. Kemi diskutuar për rastin dhe kemi përfunduar se sjellja edukative e të atit ka qenë tepër autoritative. Reagimi i tij ishte karakteristik: “Nëse është ashtu, atëherë duhet ta lëmë të lirë në vullnetin të tij, mirëpo në këtë rast më mirë do të ishte të mos të kesh fëmijë.” Kur u qetësua pak, jemi munduar ta peshojmë situatën me gjakftohtësi për ta gjetur mënyrën alternative të edukimit, të ndryshëm nga ajo e deritanishme për të cilin vet e pranojë se nuk e ka arritur qëllimin. Duhet ta përmendim menjëherë se në situata të ngjashme ky është parimi themelor: nëse një mënyrë edukative nuk sjell rezultate, atëherë duhet ta ndryshojmë. Ramë dakord se duhet ta fillojë dialogun me të birin, t’i jep rregullisht pare të gatshme, të mos përzihet në mësimin e tij, shkurt, le të presupozon se i biri i tij shtatëmbëdhjetëvjeçar tashmë është mjaft i pjekur që me përgjegjësi e bën jetën e vet. Rezultatet u shfaqen pas një kohe të shkurtër: i biri u kthye dhe përsëri ia filloi të mësojë.

Një prej parakushteve themelore të edukimit të të rinjve është që të pushojë gjendja e luftës ndërmjet prindërve dhe fëmijëve! Kurse këtë paqe duhet ta ofrojnë prindërit. Kjo nuk është heqje dore apo shenjë e ligështisë, por është argument i një tolerance më të madhe në situata frustrimi, shenjë e një urtie më të madhe dhe fleksibiliteti më të madh në afrim të sendeve dhe dukurive, shkurt, është shenjë e një pjekurie më të madhe, një gjë që edhe pritet prej prindërve. Prindërit duhet të pushojnë që drejtpërdrejt ta drejtojnë jetën e fëmijëve të tyre të rritur. Sepse të rinjtë do t’i bëjnë të gjitha në mënyrë që t’ua vërtetojnë prindërve se nuk do të lejojnë që ata të përzihen në jetën e tyre. Nëse krijojnë përshtypjen se sjellja ndaj tyre është sikur me një fëmijë, ose do të kalojnë në konflikt të drejtpërdrejt, luftim i përhershëm me prindër, ose gradualisht do ta bëjnë një jetë të dyfishtë: do të kenë gjithnjë e më shumë hapësira në të cilat prindërit nuk do të kenë qasje – ku shkojnë, me kë shoqërohen. Pas kësaj lidhja në mes prindërve dhe fëmijëve, raporti shndërrohet në konkurrim për të treguar se kush është më i fortë.

Hapi i parë në rindërtimin e marrëdhënieve të reja të besimit duhet ta bëj prindi. Meqë bëhet fjalë për një problem edukativ, atëherë është e qartë se ai duhet t’i shqyrtojë metodat e veta. Në një mënyrë duhet ta çoi deri te përfundimi se ajo çfarë po bën tani, përkatësisht mënyrën që e ka përdorur deri më tani, nuk sjell rezultate, pra, nuk është një metodë e  përshtatshme. Atëherë të birit ose të bijës, mund t’i ofrohet paqëtimi, ndoshta me fjalë të këtilla ose të ngjashme: “E di, kam menduar mbi marrëdhënien tonë dhe më duket se nuk kam treguar përherë mirëkuptim ndaj teje dhe për sjelljet e tua. Të provojmë të bisedojmë si njerëz të rritur.” Sado të tingëllojë kjo e jo e zakonshme, e për shumë prindër e tmerrshme, me frikën se tani do ta humb autoritetin para fëmijëve, ekspertët e edukimit pohojnë se ndodh pikërisht e kundërta: një hap i këtillë në raste të shumta ndikon pozitivisht tek të rinjtë dhe në marrëdhëniet e tyre ndaj prindërve.[2] Pas këtij hapi të prindërve, të rinjtë vështirë do të mund të gjejnë shkak për inate dhe të bëjnë presion tek prindërit. Gjithsesi, ky ndryshim i qasjes së prindërve do të nxisë të riun që ta pyes veten, mos ka pritur ndoshta një besim të tepruar prej prindërve? Megjithatë, paqja mes tyre nuk do të zgjasë për shumë kohë, në qoftë se prindërit nuk do t’i përvetësojnë edhe rregullat e tjera të edukimit në besim, e ato janë si më poshtë:

  1. Të rinjve duhet t’ju jepet liria për të zgjedhur. Prindërit bëjnë mirë nëse fëmijët e tyre edhe në situata të përditshme lënë gjithnjë e më shumë hapësirë për zgjedhje të lirë. Madje edhe atëherë kur e dinë se njëra mundësi është më e mirë se tjetra. Në atë rast mund të thuhet diçka sikur kjo: “Nuk e di si do të vendosesh në këtë send; unë në vend tëndin më mirë do të zgjidhja këtë.” Në përgjithësi ka një efekt pozitiv në qoftë se prindërit ia bëjnë me dije qartë fëmijës se mendimi i tyre nuk përshtatet me të tijin, mirëpo nuk do ta detyrojë për asgjë. Kjo mënyrë do të arrijë ta prek adoleshentin që më lehtë ta marrë në konsideratë edhe mendimin e tyre.
  2. Duhet tërhequr vërejtjen në pasojat e sjelljes. Për më tepër, nganjëherë është shpëtimprurëse që adoleshenti t’i ndjejë ato pasoja. Të rriturit nganjëherë mendojnë se të rinjtë s’mund të mësojnë asgjë pa ndihmën e tyre. Vazhdimisht ua tërheqin vërejtjen për rrugën e drejtë. Natyrisht, edhe kjo është e nevojshme, mirëpo nganjëherë do të jetë më me dobi që adoleshenti diçka të mësojë edhe me metodën e lëkurës së vet. P.sh. në qoftë se vazhdimisht e shtynë mësimin për natën vonë, atëherë në mëngjes do të zgjohet i lodhur e do të jetë i përgjumshur në shkollë. Vërejtja do të jetë më e suksesshme nëse këtë eksperiencë e përjeton vet për një kohë.
  3. Të rinjtë kanë nevojë për inkurajim. Adoleshentët i kanë për qejfi shenjat e imëta të pranimit prej të cilave mund ta ndjejnë se nuk i kuptojmë më si fëmijë, por si njerëz të rritur. Inkurajimi i heshtur i prindërve njëkohësisht dhuron edukim dhe forcon besimin. Për fat të keq, shumë prindër bëjnë pikërisht të kundërtën; gati iu zënë frymën fëmijëve të vet me këshilla të mira dhe vërejtje shpëtimtare.

Me qenë se inkurajimi është nevoja themelore e adoleshentëve dhe njëkohësisht një mënyrë shumë efikase edukative në këtë periudhë, secili prindër do të dëgjonte me dëshirë edhe disa këshilla praktike. Walton dhe Powers janë kujdesur edhe për këtë.[3] Ja disa, që secili mund t’i përshtat sipas situatës së vet.

  • Besojani të birit ose të bijës detyra të tilla që deri më tani i kanë bërë vetëm anëtarët e rritur të familjes, p.sh. të thirret mjeshtri për disa ndreqje në shtëpi, furnizime, blerje të dhuratave kur shkojmë te dikush në vizitë etj.
  • Pyetni për mendim rreth çështjeve që i përkasin gjithë familjes, p.sh. punimet e reja në shtëpi, pranimi i gjyshes ose gjyshit në shtëpi ose vendosja e tyre në shtëpinë e pleqve.
  • Mos ia caktoni më orarin kur do të shkojë në gjumë. Reagoni objektivisht kur e bën ndonjë gabim: “Kjo mund t’i ndodh çdonjërit prej nesh.” Dhuroi komplimente për atë që e ndjen vetën të fortë: “Ti vërtet je njeri i vendosur.”
  • Gëzohuni për shokët e së bijës ose të birit tuaj, thirreni në shtëpi.
  • Gjithnjë e më shpesh kyçe në shoqërinë e të rriturve, njoftojeni me të rriturit.

Këto janë vetëm disa prej këshillave të mira. Nëse prindi e kupton thelbësoren e detyrës së vet në edukimin e të rinjve, atëherë vet do të gjejë metodën e drejtë. Por, cili është qëllimi i edukimit në adoleshencë? Që edukatori vetveten ta bëjë të tepërt! Shpesh prindërit janë sjelle me një18-vjeçar sikur me një fëmijë të vogël, thua se ata gjithmonë e dinë çfarë është më e mira për të birin ose të bijën. Qëllimi i edukimit është që të rinjtë t’i bëjmë të pavarur, persona të përgjegjshëm të rritur, që janë të aftë të marrin vendime për jetën e vet.

Askush s’mund t’u thotë prindërve çka duhet të bëjnë që t’i edukojnë mirë fëmijët e tyre.  Ndoshta deri diku do të ishte e mundur të numëroheshin ato çfarë nuk duhet të bëjnë, mirëpo është e papërgjegjshme të ndahen këshilla negative. Megjithatë, ekzistojnë disa prime themelore të zhvillimit njerëzor, e nëse ato i respektojnë, edukimi do të ketë drejtim të duhur. Një prej primeve të tilla është nevoja e komunikimit. “Ta duash fëmijën domethënë të komunikosh me të” – shkruan psikologu F. Dolto.[4]  Qenia njerëzore nga fillimi i jetës së tij individuale ka nevojë për komunikim. Pa marrë para sysh se sa është fëmija i vogël, në qoftë se prindërit i flasin për vuajtjet dhe brengat e tija të vogla, ai do ta kuptojë se mund të ketë besim në ta, e ky është çelësi i edukimit të mirë./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————————–

[1] F. X. Walton – R. L. Powers, Vertrauen und Verantwortung zwischen Kindern und Erwachsenen, München, 1984.

[2] F. X. Walton – R. L. Powers, Vertrauen und Verantwortung zwischen Kindern und Erwachsenen, 90 dhe ff në vazhdim.

[3] Khs. F. X. Walton – R. L. Powers, Vertrauen und Verantwortung…, 98.

[4] Khs. F. Dolto, “Utazás önmagunkban”, 157.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »