Të jesh shkaktar “shqetësimi”
16 maj 2020 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 16,1-10; Ps 100,1b-3.5; Gjn 15,18-21)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment
dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit
në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,
në tërë jetën time.
Liria
O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur
ta përjetoj dashurinë.
Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
se si kam ndërvepruar, se si e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.
Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë nëdisa pjesë të tij.
Gjn 15, 18-21
18 “Nëse bota ju urren,
ta dini se para jush më urreu mua.
19 Po të ishit të botës,
bota do t’i donte të vetët,
e pasi nuk jeni të botës,
‑ pse unë ju zgjodha prej botës ‑
për këtë arsye bota ju urren.
20 T’ju bjerë ndër mend fjala që ju thashë:
nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij.
Nëse mua më salvuan
edhe ju do t’ju salvojnë;
nëse fjalën time e mbajtën,
edhe tuajën do ta mbajnë.
21 E të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush
për shkak të emrit tim,
sepse nuk e njohin Atë, që më dërgoi.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- “Urrejtja” këtu duket si një fjalë shumë e fortë, lë përshtypjen sikur paksa është ekzagjeruar. Nëse në botën time të gjithë janë dakord me mua, a thua mos është dobësuar drita ime dhe kripa ime mos është bërë me një shije të çuditshme?
- Lus që të mund të dalloj kur jam shkaktar i parehatisë (shqetësimit) te të tjerët, për shkak se jam dishepull/nxënës i Jezusit, e kur jam shkaktar unë vetë te vetja ime.
Bashkëbisedimi
O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.
Faleminderit që më do.
Përmbyllja
Të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen
« Perëndia unike ilire e mjekësisë nga Kosova Besimi dhe përgjegjësia në edukimin e të rinjve »