Udhëzime të reja baritore të Dioqezës Prizren – Prishtinë në kohën e pandemisë Covid-19

May 16 • Kisha në Kosovë

Prot. Nr.  90 /2020                                                                                     Prishtina, 15/ 05 /2020

 

 

Letër drejtuar meshtarëve,

motrave të nderit

dhe besimtarëve

 

 

Fort të dashur në Krishtin,

                                            Gjatë vizitës sime javët e fundit nëpër famulli, kemi diskutuar bashkërisht disa tema të rëndësishme të jetës së Kishës në Kosovë në rrethanat e pandemisë COVID-19, po gjithashtu edhe për veprimet tona kishtare pas pandemisë.

Temat që kanë mbizotëruar vëmendjen tuaj kanë qenë:

  1. Mundësia për  kremtimin e shërbesave të Kultit Hyjnor dhe celebrimi i sakramenteve, me pjesëmarrje të besimtarëve.
  2. Plani baritor i muajve në vijim, sidomos i ndarjes së Sakramnetit të Krezmimit.
  3. Nevoja për kujdesen ndaj të mirave të përkohshme dhe përshtatja jonë në rrethanat e reja.

Gjatë këtyre konsultimeve, ju kam premtuar që do të shohim të gjitha mundësitë, që t’ju mundësojmë besimtarëve pjesëmarrjen në kremtimet liturgjike të kishës, sidomos në Meshën e Shenjtë. Në këtë drejtim, kemi zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet qendrore shëndetësore dhe qeveritare të vendit tonë, me të cilët kemi qenë shumë afër për të marrë një vendim pozitiv. Mjerisht, rritja e shpejtë e numrit të infektuarve gjatë ditëve të fundit e ka bërë këtë gjë të pa mundur.

Thirrjet e shtuara të IKSHP-së për kujdes, kërkesa e MSH-së që të respektohen rregullat e vendosura në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, insistimi i autoriteteve të Kishës universale, që të respektohen vendimet e autoriteteve civile lidhur me COVID-19, na obligojnë që të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në vendimet tona.

Nisur nga gjithë ajo që u tha më lartë, po ju nisi edhe njëherë disa udhëzime të rëndësishme:

  1. Deri në fillim të qershorit, Mesha e Shenjtë duhet të vazhdoj të kremtohet sipas udhëzimeve të mëparshme, pa pjesëmarrjen masive të besimtarëve. Edhe ata pak bashkëpunëtorë që janë të domosdoshëm për mirëmbajtjen e kishave dhe celebrimin e meshëve, duhet ta respektojnë distancën fizike dhe udhëzimet e tjera të IKSHP-së.
  2. Mbetet edhe më tutje në fuqi vendimi që celebrimi i sakramentevedhe sakramentorëve, mund të bëhet vetëm në raste urgjente dhe pa pjesëmarrjen e atyre që nuk janë të domosdoshëm për mbarëvajtjen e ritit të caktuar.  Gjithnjë duke i respektuar udhëzimet e IKSHP-së.
  3. Celebrimi i sakramentit të Kungimit dhe ndarja e sakramentit të Krezmimit, të parapara në planin baritor dioqezan për muajin maj e qershor, do të shtyhen për vjeshtë. Saktësisht, duke filluar nga festa e Shën Nënë Terezës, me 5 shtator e më tutje.
  4. Lehtësime në përdorimin e të mirave të përkohshme:kërkojmë që të gjithë famullitë të rishqyrtojnë urgjentisht situatën e tyre financiare dhe t’i përshtatin shpenzimet sipas mundësive reale, duke reduktuar ato vetëm në të domosdoshmen.

4.1.             Detyrimet e parapara në Statutin dioqezan për përdorimin e të mirave të përkohshme, që lidhen me obligimin e famullive ndaj Ordinariatit, falen plotësisht për periudhën 6 mujore, mars-shtator.

4.2.            Detyrimet individuale mbeten në fuqi.

4.3.            Kontributi për shërbimin e motrave, gjatë periudhës kohore mars-shtator, do të paguhet vetëm 50%, nga shuma e paraparë në Statutin Dioqezan, për përdorimin e të mirave të përkohshme, ose obligimeve që janë marrë me kontrata të veçanta.

4.4.            Punëtorët laikë, të paguhen sipas kontratave të parapara. Në raste kur të punësuarit nuk mund ta ushtrojnë detyrën, ose të angazhohen plotësisht në ushtrimin e tyre, duhet të paguhen 50% nga kontributi i paraparë, për periudhën e gjashtëmujorit të parë të vitit 2020. Pas kësaj, le të vlerësohet nëse duhet të vazhdohet bashkëpunimi.

4.5.            Famullitarët dhe meshtarët tjerë – nuk do të marrin kontributin personal nga arka e famullisë apo e dioqezës, për periudhën mars – shtator.

4.6.            Besimtarët duhet të jenë më zemërgjerë e të paguajnë kontributin e tyre për kishën. Por, është famullitari ai që realisht vlerëson gjendjen ekonomike familjare të besimtarëve. Ato familje që nuk kanë mundësi financiare, duhet të falen nga ky detyrim, ose t’ju kërkohet bile gjysma e asaj që është paraparë.

Këto udhëzime vlejnë për periudhën që është caktuar në pikat e veçanta, duke mos harruar që në bazë të rrethanave që do të krijohen, me një vendim tjetër mund të ndryshojnë më herët ose të shtyhen më vonë.

Duke Ju falënderuar për respektimin e gjitha vendimeve të mëparshme dhe për bashkëpunimin vëllazëror gjatë kësaj kohe të vështirë për ne të gjithë, ju besoj të gjithëve ndërmjetësisë së Virgjërës Mari, të cilës i lutemi më me devocion gjatë këtij muaji.

 

Ipeshkvi Juaj,

+ Dodë Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »