Ku e ndien frymën e jetës dhe forcës?

May 17 • Meditimi i ditës

17 maj 2020 – E diela 6-të e Pashkëve (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 8,5-8.14-17; Ps 66,1-3a.4-7a.16.20; 1 Pt 3,15-18; Gjn 14,15-21)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.
Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.
Sot dëshiroj vetëm që të rri me ty.
Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar vështirësi të ndryshme.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë që e kam
dhe lutem për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mund ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Në Shkrimin e Shenjtë të kësaj të diele, apostulli Pjetër i këshillon të krishterët e parë se si të sillen në botën pagane të shekullit të parë. Unë jetoj në një kontekst të ndryshëm, por edhe në botën time ka shumë që nuk e njohin ende Krishtin dhe Kishën e tij. Kërkoj hirin për t`i brendësuar qëndrimet apostolike që këshillon Shën Pjetri.


1 Pjt 3, 15-18)

 

Fort të dashur, 15 adhuroni në shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot!

Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjegje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, 16 por me butësi dhe me nderimin e duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, pikërisht në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. 17 Përnjëmend është më mirë të hiqni keq  nëse është vullneti i Hyjit  duke bërë mirë se duke bërë keq.

18 E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate tona, i Drejti për të padrejtët që t’iu shpiente te Hyji  njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit.


Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndoshta një anëtar i familjes, një koleg apo një mik i im më ka pyetur në ndonjë moment në lidhje me besimin, fenë time të krishterë. Cila ishte përgjigja ime në atë kohë? A isha i/e lumtur për t`i përgjigjur? Apo isha i/e hutuar o në siklet? Si do të doja të isha përgjigjur?
  • ” … bëje me butësi dhe nderimin e duhur.” Fushat ku besimi e prek jetën tonë janë gjithmonë të ndjeshme. Dhe nganjëherë kemi shenjat e plagëve apo plagë nga e kaluara. Në bisedat e mia me të tjerët, a e respektoj natyrën e shenjtë të këtij kontakti? A di të prek me butësi?
  • “… të heqësh keq duke bërë mirë”. Shën Pjetri flet për një realitet që mbase do të doja ta shmangja. Edhe nëse sjellja ime është e mirë, mund të keqkuptohem, madje edhe të përndiqem. A jam i gatshëm ta pranoj këtë si një imitim të Krishtit, i cili «vuajti për mëkate»? A jam i gatshëm ta lë efektivitetin e dëshmisë sime në duart e tij, t’i besoj atij rezultatin e përpjekjeve të mia?
  • I dëgjoj përsëri këshillat e Pjetrit, si dikush që i dëgjon këshillat e një Ati shpirtëror.

 

Bashkëbisedimi

Lejoj që Shpirti i Zotit t`i prek kujtimet e mia, duke më treguar se ku mund të rritem në marrëdhëniet e mia me të tjerët. Lejoj që Shpirti i Zotit ta prek vullnetin tim, duke më frymëzuar për të marrë vendime për të ardhmen. E falënderoj Zotin për atë që ai ka bërë dhe do të bëjë përmes meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua.

Shkrimet e shenjta flasin për Shpirtin e Zotit që do të na shoqërojë.

Është Fryma e tij miqësore që na jep jetë dhe na forcon.

Çdo ditë, o Zot kam nevojë për Shpirtin tënd.

Bëj që të lutem më shpesh për dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë?

Bëj që ta ndiej praninë e tij? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »