Një Kishë e përvuajtur, për njerëzimin e rraskapitur!

May 19 • Opinion

Ky është reflektimi i fundit të një serie, të cilin atë Federico Lombardi ia kushtoi gjendjes së pandemisë dhe së ardhmes, që na pret pas pandemisë: a do të jemi bashkësi e aftë për të prirë vëllazërisht me mëshirë e mirësi?

 

Nga Frederico Lombardi

 

Në përfundim të Jubileut të madh të 2000-it, që e pati jetuar e na pati ftuar edhe ne ta jetojmë si takim të madh të hirit të Krishtit me historinë e njerëzimit, Gjon Pali II i drejtoi Kishës një Letër të bukur, titulluar: “Në fillim të Mijëvjeçarit të tretë”, në të cilën tingëllonin fuqimisht fjalët e Jezusit drejtuar Pjetrit: “Duc in altum…”. Dil në det të hapur e hidhi rrjetat për peshkim!” (Lk 5,4). Papa ftonte “të kujtohej e kaluara, të jetohej me pasion e tashmja e të shikohej plot besim e ardhmja”, sepse “Jezu Krishti është i njëjtë dje, sot e në shekuj të shekujve!”. Siç e dimë, Papa Françesku e përsëriti këtë temë, duke folur, që në fillim  të papnisë së tij  për “Kishën në dalje”, një Kishë ungjillëzuese, e frymëzuar nga Shpirti i dhuruar prej Krishtit të ngjallur!

Mbrëmjen e 12 tetorit 2012 Benedikti XVI mbajti një fjalim të shkurtër nga e njëjta dritare, prej nga 50 vjet më parë Gjoni XXIII pati përshëndetur, nën  dritën e ëmbël të hënës, turmën që kishte rendur në Sheshin e Shën Pjetrit ditën e hapjes së Koncilit. Benedikti, me sytë drejtuar lart, mbajti një reflektim mjaft prekës, sepse nuk ngjallte entuziazëm të lehtë, por – gjithnjë plot besim – frymëzonte një përvujtëri të madhe, karakteristike për fundin e papnisë së tij. Kujtonte sesi, në 50-vjetët e fundit, Kisha kishte kaluar nëpër përvojën e mëkatit, të egjrës së ngatërruar me grurin në arë, të stuhisë e të erës së kundërt. Por edhe të zjarrit të Shpirtit Shenjt, zjarrit të Krishtit. Zjarr jo shkrumues! I ëmbël e i heshtur, flakë e lehtë, e cila zgjon karizmat e mirësisë e të dashurisë së krishterë, që shndrisin botën dhe dëshmojë praninë e Krishtit ndërmjet nesh.

Ndërsa afrohen Rrëshajët, i rikujtoj fjalët e tre Papëve tanë të Mijëvjeçarit të Tretë. Në të vërtetë, në këtë Mijëvjeçar të ri, në të cilin tashmë po ecim që prej njëzet vjetësh, nuk pamë, në përgjithësi, ndonjë epokë progresi të ndrìtshëm për njerëzimin. U hap më 11 shtator 2011, me luftën e Gjirit. Më pas ia behu kriza ekonomike dhe lufta botërore “pjesë-pjesë”, rrënimi i Sirisë e i Libisë, rëndimi i krizës ambientale e shumë e shumë probleme të tjera. E tani, edhe pandemia globale, me pasojat e saj, përvojë e paprovuar ndonjëherë, që po vijon gjatë kësaj papnie. Natyrisht, nuk mungojnë as sukseset shkencore e progreset në shëndetësi, në arsim, në komunikim, prandaj nuk do të ishte e drejtë të bëheshin bilance të ngutura negative. Por sigurisht nuk mund të flasim për një udhë të drejtë e të sigurt të njerëzimit drejt kohëve më të mira. Përvoja e pandemisë, edhe pse do të kapërcehet,  është pa dyshim përvojë e përbashkët e ngarkuar me paqartësi, pasiguri, vështirësi qeverisjeje në udhën gjithnjë më të ndërlikuar të shoqërisë bashkëkohore. Nuk e dimë nëse, në të ardhmen, do ta shikojmë si rast për thellimim e solidarietit, apo për tensione të reja ndërkombëtare e të brendshme si dhe për mungesën e ekuilibrit shoqëror. Ndoshta këto dy përmasa do të ngatërrohen me njëra-tjetrën: si gruri e egjra!

Kisha, në këtë fillim mijëvjeçari, në këndvështrimin njerëzor, nuk është e fortë. Feja e saj u vu në provë nga shkretëtirat shpirtërore të kohëve tona, e besueshmëria e saj, nga hija e shkandujve. Historia vijon e Kisha vijon  të mësojë se e vetmja forcë e vërtetë është besimi në Jezusin, në Krishtin e ngjallur e në dhantinë e Shpirtit të Tij. Një enë e brishtë balte, në të cilën ruhet thesari i fuqisë së një jete, që shkon përtej vdekjes. A do të jemi një Kishë e përvuajtur, e aftë për ta shoqëruar vëllazërisht njerëzimin e rraskapitur me dashuri e mirësi? Me një dashuri, që të pushton aq, sa të frymëzojë mendjet forcave shoqërore për të kërkuar e për të gjetur rrugët e së mirës së përbashkët e të një jete më të mirë? Një Kishë e “larjes së këmbëve” të kohës sonë, siç shprehet Papa Françesku? Në det të hapur, ende të panjohur për të gjithë ne, por kurrë të panjohur për dashurinë e Zotit?

Në  Sekuencën mahnitëse të Rrëshajëve lutemi për dhuratën e Shpirtit, si Atë i të varfërve e dritë e zemrave, si ngushëllues e inkurajues, si forcë që faj fajet, që zbut zemrat, që shëron plagët, që shkrin akullin, drejton shtrembërimet. T’i ofrojmë Shpirtit të Zotit një hapësirë të gatshme për pritje e dëshirë, hapësirë konkrete mendjesh e zemrash, shpirtrash e korpesh njerëzore, që të mund të veprojë e të duket në indin e thellë të natyrës sonë  njerëzore – në atë të luftërave e të pandemisë – si fuqi që të shpëton nga brishtësia, nga vetmia, nga shterpësia, nga pështjellimi, nga mashtrimet, nga ëndrrat e nga dëshpërimi, si forcë e shpresës për jetën e pasosur! Kjo mund t’i bëjë mirë një Kishe të përvuajtur, motër, shoqe, në shërbim të njerëzimit të lodhur e të këputur. E është gjëja më e rëndësishme! (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »