Përqendrimi në mangësitë tona na pengon për ta dëgjuar zërin e Zotit
19 maj 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 16,22-34; Ps 137; Gjn 16,5-11)
Prania e Hyjit
E pranishme për mua është ajo që ndikon në ekzistencën time.
E sodis praninë e Hyjit, i cili gjithmonë është pranë meje me dashuri,
në mesin e shumë gjërave që gjithashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikoj në të jetuarit tim, në jetën time, në këtë moment.
Liria
Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoj?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lus për hirin e çlirimit nga brengosjet personale
dhe çiltërinë ndaj asaj çka Hyji dëshiron të më komunikojë
Ndërgjegjësimi
Si po e përjetoj/ndjej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerëve?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal
Fjala
Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.
Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Gjn 16, 5-11
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet:
5 Tani po shkoj tek Ai, që më dërgoi,
dhe askush prej jush s’po më pyet: ‘Kah po shkon?’
6 por, pse ju thashë këto,
zemrat tuaja u mbushën me trishtim.
7 Por, unë po ju them të vërtetën:
është më mirë për ju të shkoj,
sepse, po s’shkova,
Mbrojtësi nuk do të vijë te ju,
kurse, po shkova,
do ta dërgoj te ju.
8 E kur të vijë Ai,
do ta vërtetojë se bota e ka gabim
në lidhje me mëkatin, me drejtësinë dhe me dënimin.
9 Në lidhje me mëkatin
‑ pse nuk besojnë në mua,
10 në lidhje me drejtësinë,
‑ pse po shkoj tek Ati
dhe nuk do të më shihni më.
11 Në lidhje me dënimin
pse princi i kësaj bote u dënua.
——–
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Nxënësit ishin të preokupuar me situatën e vet, me veten e tyre dhe kur e dëgjuan Jezusin që thoshte se do të largohej prej tyre u pikëlluan dhe morën një pamje të zymtë. Nuk ishin në gjendje t`ia vinin mendjen se çfarë u fliste Jezusi, sesi i siguronte se do t`ua dërgojë Shpirtin e tij.
• Kështu ndodhë edhe me ne! Shpesh përqendrohemi në atë që na mungon, në atë që s`e kemi dhe kështu s`arrijmë tadëgjojmë vërtet zërin e Zotit.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
O Zot i mëshirshëm, ma kujto që kurrë nuk jam vetëm.
Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave të tua. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Një Kishë e përvuajtur, për njerëzimin e rraskapitur! Thuani Nënës, mikës sime, se drita që ka ndezë në jetën time vazhdon të ndriçojë! »