Poezi e nobelistit polak Czesław Miłosz kushtuar Papës Gjon Palit II

May 20 • Kulturë, Letërsi

Ode në ditëlindjen e tetëdhjetë të Papës Gjon Palit II

 

Nga CZESŁAW MIŁOSZ, poet e nobelist polak 

 

Vijmë te ti, si njerëz fe brishtë,
Që të mund të na forcosh me shembullin e jetës tënde
Dhe të na çlirosh nga ankthi
Për të nesërmen dhe vitin që vjen. Shekulli yt i njëzetë
U bë i famshëm nga emrat e tiranëve të fuqishëm
Dhe nga asgjësimi i shteteve të tyre grabitqare.
E dije që duhej të ndodhte. Ti predikove paqen:
Se vetëm Krishti është Zoti dhe Mësuesi i historisë.

Të huajt nuk kuptonin dot se nga vinte fuqia e fshehur
E një rishtari nga Wadowica. Lutjet dhe profecitë
E poetëve, të cilëve paratë dhe përparimi ua neveriti,
Ndonëse ishin të barabartë me mbretër, pritën ty
Që ti, dhe jo ata, të mund shpallësh urbi et orbi,
Se shekujt nuk janë absurd por një rend i gjerë.

Bari që na u dha kur zotat ikën!
Në mjegullën mbi qytete, Viçi i Artë shkëlqen,
Turmat e  pambrojtura garojnë për të ofruar sakrificën
E fëmijëve të tyre në ekranet e përgjakshme të Molokut.
Në ajër, frikë, vajtim pa fjalë:
Sepse dëshira për të besuar nuk është e njëjtë si besimi.

Pastaj, papritmas, si tingulli i kthjellët i këmbanave për mëngjesoren,
Shenja jote e kundërshtimit, e cila është si mrekulli.
Njerëzit pyesin, pa e kuptuar, si është e mundur
Që të rinjtë e shteteve të pafe
Mblidhen në sheshe, krah për krah,
Në pritje të lajmit dy mijëvjeçar
Dhe hedhin veten te këmbët e Vikarit
I cili përqafon me dashurinë e tij gjithë gjininë njerëzore.

Ti je me ne dhe do jesh që tani e tutje.
Kur fuqitë e kaosit të ngrenë zërin
Dhe pronarët e së vërtetës të ngujohen nëpër kisha

Dhe vetëm dyshuesit do qëndrojnë besnik.
Portreti yt në shtëpitë tona çdo ditë na kujton
Se sa shumë një njeriu mund të arrijë dhe se si vepron shenjtëria./drita.info

 

Shqipëroi nga anglishtja: Albert Bikaj, maj 2020.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »