Ku ose cilët janë ‘sytë e zemrës sonë’?

May 21 • Meditimi i ditës

21 maj 2020 – E enjte, NGJITJA E ZOTËRISË NË QIELL – TË SHËLBUEMIT (e kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 1,1-11; Ps 47,2-3.6-9; Ef 1,17-23 (ose: Ef 4,1-13); Mt 28, 16-20)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Kurrë mos qofsha aq i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të rri me ty.

 

Liria 

Përpiqem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi 

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Ef 1,17-23

 

Vëllezër, nuk pushoj së falënderuari për ju e së kujtuari ju në lutjet e mia, 17 që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; 18 t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, 19 dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij,

20 të cilën e tregoi me vepër në Krishtin

duke e ngjallur nga të vdekurit

dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell,

21 mbi çdo Principatë, Pushtet,

Fuqi, Zotërim

dhe mbi çdo emër që mund të përmendet

jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme.

22 Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tij

e Atë e vendosi mbi çdo gjë

‑ për Krye të Kishës,

23 e cila është Trupi i tij,

plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.

 


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot? 

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ku ose cilët janë ‘sytë e zemrës sonë’? Duket një shprehje e çuditshme, por sugjerimi këtu është që ekziston një shikim thellësisht brenda, një kuptim instinktiv ose intuitiv i dhuratës së Zotit brenda nesh. Po të kishte pasur zemra ime sy, çfarë do të shihte? Ndoshta do ta shihte jetën, njerëzit përreth meje, tërë botën ndryshe. Ndoshta bëhet fjalë për një zhvendosje të perspektivës … Si do të dukej realiteti sikur ta shihja me sytë e Zotit?
  • Fjala “fuqi” përsëritet katër herë këtu. A e kam ndier ndonjëherë fuqinë e Zotit në veprim në jetën time? Autori flet për fuqinë e Zotit me vepër në Krishtin, “mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim.” A e besoj këtë?
  • Si e shfaqet ajo fuqi mbi të gjitha fuqitë e tjera? Te festa e sotme e Ngjitjes së Krishtit në qiell Jezusi u thotë dishepujve të tij: “Unë jam me ju gjithmonë”. Ai e thotë këtë për mua, këtu dhe tani. Çka dua t’i them ose ta pyes?
  • Ndërsa e dëgjojmë të përsëritur leximin, cilat fjalë më lënë mbresa? Çka do të dëshiroja t’i them Jezusit për përvojën e fuqisë së Zotit në jetën time?

 

Bashkëbisedimi

Në këto ditë shumë njerëz janë duke u ndjerë të pafuqishëm, të paaftë për të ushtruar kontrollin e tyre normal mbi jetën e tyre.

A e kam një ndjenjë të fuqisë së Zotit, që shkëlqen përmes brishtësisë njerëzore?

Flas me Zotin për këtë tani, si një mik që flet me mikun e vet.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Jezusi iu beson nxënësve detyrën për të shpallur lajmin e mirë se Zoti është në anën e të varfërve, të sëmurëve, të refuzuarve dhe atyre që vuajnë padrejtësi.

Jezus, më ndihmo që të mos përjashtoj askënd. Hape zemrën time  ngushtë t`i pranoj ata që më kanë lënduar ose në mënyra të ndryshme janë më të ndryshëm se unëMos lejo që ta mbështes ndjenjën e superioritetit karshi të tjerëve.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »