Imzot Dodë Gjergji i dërgon letër urim Kryemyftiut Tërnava për festën e Fitër Bajramit

May 23 • Kisha në Kosovë

 

Prot. Nr. 94/2020                                                           Prishtinë, 23 maj 2020

 

Bashkësisë Islame në Kosovë

Shumë të nderuarit Kryemyfti

Zotni NaimTërnava

Rr. Bajram Kelmendi nr. 84
10000 Prishtinë

 

Fort i nderuar Kryemyfti,

                                  rrethanat e jashtëzakonshme në situatën e pandemisë Covid-19, na kanë detyruar që edhe ne bashkësitë fetare të bartim pjesën tonë të përgjegjësisë. Kështu që besimtaret e besimtarët tanë kanë qenë të privuar nga lutjet e rregullta nëpër Xhami dhe ushtrimin e Kultit Hyjnor nëpër Kishat tona. Ky realitet po më detyron edhe mua që kësaj radhe të mos mund të vijë tek Ju, por me anë të kësaj letre të ju uroj festën e Fitër Bajramit.

Askush më mirë se ne nuk mund të kuptojë dhimbjen Tuaj dhe trishtimin e besimtarëve që duhet të mos faleni në xhami as në këtë natë të madhe të Ramazanit. Të njëjtën dhimbje dhe trishtim e kam përjetuar edhe unë me besimtaret dhe besimtarët e krishterë, kur muajin e kaluar kremtuam Pashkët, Ringjalljen e Krishtit! Por, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton që ne kemi heq dorë nga kremtimi i festave. Ndoshta këtë vit besimtarët e te dyja besimeve tona kanë festuar ose do të festojnë më devotshmërisht se sa herëve tjera.

Uroj, që festimi i Bajramit të ju begatoj Ju dhe gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë e kudo tjetër. Krijuesi me mëshirën e Tij iu pranoftë sakrificën e agjërimit dhe Ju resittë me dhuntitë e bekimet e veta, në mënyrë që paqja, dashuria, falja dhe pajtimi të jenë të bollshme në familjet tuaja dhe në vendin tonë.

Gjatë kohës së mbajtjes kreshmore – katërdhjetë ditë para Pashkëve, – po edhe në kremtimin e festës së Pashkëve, ne kemi lutur për të sëmurit, për shpirtrat e të vdekurave, për nevojat e besimtarëve dhe për dëgjesën e tyre ndaj nesh, që të kuptojnë se vendimet tona të dhimbshme nuk burojnë nga autoriteti ynë, por nga dashuria për ta dhe kujdesi ynë për shëndetin e tyre.

Jemi lutur për mjeket e mjekët, infermieret e infermierët, farmacistët, personelin shëndetësor në përgjithësi dhe gjithë të tjerët që në çfarëdo mënyre kanë bartur barrën më të rëndë të kësaj pandemie.

Po ashtu, jemi lutur për ata që kanë përgjegjësi publike për shtetin ose ushtrojnë detyra shtetërore, që të kenë më shumë dashuri për vendin, më shumë përgjegjësi për popullin dhe më shumë zell për të mirën. E, sidomos të jenë më të urtë në marrjen e vendimeve, më të durueshëm në përballje me vështirësitë dhe më zemërgjerë ndaj nevojave të njerëzve.

Myfti i nderuar z. Tërnava, i dashur Naim, i rreshtova disa nga njetet e lutjeve tona, pasi jam i bindur që edhe ju i keni përfshirë të njëjtat në lutjet tuaja drejtuar Hyji Krijues gjatë muajit të Ramazanit. Ashtu që besimtarë tanë të mos harrojnë që lutjet tona, edhe pse shprehen në forma të ndryshme, ato i bashkon njeti i përbashkët dhe e mira e të gjithëve.

Duke shpresuar që Hyji do t’i dëgjoj lutjet tona dhe se besimtarët do të gëzojnë me dashuri, Ju uroj festën e Fitër Bajrami.

+ Dodë GJERGJI,

Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »