Nuk jam vetëm

May 25 • Meditimi i ditës

25 maj 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 19,1-8; Ps 68, 2-7b; Gjn 16,29-33)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

Ti na do, Zot, burim jete.

Ia kujtoj vetes që jam në prani të Zotit tani.

Zoti po më shikon tani me dashuri.

 

Ndërgjegjësimi 

Në praninë e Hyjit që më do

i vështroj të gjitha ato gjëra që më ka ndodhur ditën e kaluar,

prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.

I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë shpreh ndjenja falënderimi.

I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çka po më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala 

Koha midis Ngjitjes së Zotërisë në Qiell dhe ardhjes së Shpirtit Shenjt për Rrëshajë është një lloj kohe e ndërmjetme. Dishepujt e Jezusit presin diku midis humbjes dhe shpresës. Ngjitja në Qiell shënon kthimin e Jezusit te Ati. Ata gëzohen për praninë e tij, por duhet të pranojnë mungesën e tij – ai nuk do të jetë më me ta në të njëjtën mënyrë si më parë. Tani ata presin dhe jetojnë me shpresë për Shpirtin e Premtuar. A e ndjen se momentalisht je duke jetuar në një lloj kohe të ndërmjetme? Jeta nuk është ashtu siç ishte, megjithatë presim dhe lutemi për një të ardhme të panjohur. Leximet tona për ditët në vijim vijnë nga fjalimet përfundimtare të Jezusit drejtuar dishepujve të tij në Darkën e Fundit.

 


 

Gjn 16, 29-33

 

29 Nxënësit thanë Jezusit:

“Tani po flet haptazi e nuk po përdor kurrfarë shëmbëlltyre.

30 Tani e dimë se di gjithçka e nuk është nevoja të pyesë ndokush. Prandaj besojmë se dole prej Hyjit.”

31 Jezusi u përgjigj:

“Tani besoni?

32 Ja, po vjen koha – madje arriti

kur ju të shpërndaheni secili në punë të vet

e mua të më lini vetëm.

Por, unë nuk jam vetëm,

sepse me mua është Ati.

33 Jua thashë këto që ta keni paqen në mua.

Në botë keni vuajtje,

por mos u trembni

unë e munda botën!”

 


 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit  të Shenjtë:

 

•          Ja, po vjen koha – madje arriti kur ju të shpërndaheni secili në punë të vet…” Ndoshta këto fjalë e reflektojnë atë se si ke jetuar kohët e fundit. Një ndjenjë e të qenurit i/e shpërndarë, secili nga ne në shtëpinë tonë, të ndarë nga miqtë dhe të dashurit, të cilët shumë dëshirojmë t`i shohim dhe të jemi bashkë përsëri. Ndërsa mund të jemi në gjendje të jemi në mënyrë digjitale të lidhur me njëri-tjetrin, lehtë mund të ndodh që njerëzit të ndjehen të vetmuar. Jezusi e dinte se si ishte ndarja nga të dashurit e tij, megjithatë ai thotë: “Unë nuk jam vetëm”.

  • Jezusin nuk e lëshoi zemra përballë perspektivës për të qenë vetëm. Ai e dinte që Ati  ishte me të. Jezusi e dinte se ishte i lidhur me Atin dhe nxirrte forcë prej kësaj. Ai na thërret të kemi të njëjtën marrëdhënie me Të. A jam i/e vetëdijshëm/e për praninë e Zotit në jetën time? E Zotit që banon brenda meje? A mund të ndaj me Zotin ndonjë ankth që mund të kem në këtë moment?
  • Dëgjoje përsëri leximin dhe fjalët që Jezusi t`i thotë.

 

Bashkëbisedimi

Paqja dhe guximi janë dy dhurata që Jezusi dëshiron të na lë. Paqja vjen nga dija se ai do të jetë gjithmonë me ne. A mund ta vendos jetën time sot në duart e Zotit? A mund ta dëgjoj Zotin duke më thënë: “Mos u tremb; Unë e munda botën!”? I/e sigurt se Ai nuk do të na lërë vetëm, fol me Zotin në paqe dhe me guxim, ndaj me të gjithçka që je duke ndier në zemër në këtë moment.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Zot, le të më ngushëllojë durimi i yt me dishepujt. Në të kaluarën i ke parë dobësitë e tyre si dhe gjithë atë që do të mund të bëheshin. Ti e kishe në mend dëshminë e tyre të patundur, pasi ata përballeshin me tortura dhe vdekje. Ma jep hirin e një fillimi të përhershëm. Bëj që të mos kufizohem nga pengesat dhe dobësitë e së kaluarës, por gjithmonë të jem i/e hapur ndaj rritjes dhe ndryshimit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim,

ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »