Shën Jeronimi dhe Bibla

May 26 • Opinion

Nga Don Lush Gjergji

 

“Mosnjohja e Shkrimeve do me thënë mosnjohja e Krishtit.” (Shën Jeronimi)

“Mos ia mbushni mendjen vetes se jeni të urtë.” (Rom 12, 16)

“Nuk lashë pa ju kumtuar asnjë send lidhur me vullnetin e Hyjit.” (Vap 20, 27)

 

Më 30 shtator çdo vit festohet Dita Botërore e Përkthyesve, pasi që është dita e pajtorit dhe përkthyesit kryesor të Biblës, Shën Jeronimit ilir. Ai është pajtori i universiteteve, dhe arkeologëve dhe bibliotekave në botën e krishterë.

Emri Jeronim rrjedh prej greqishtes klasike, përbëhet prej dy fjalëve: hieros dhe onoma, që domethënë “emër shenjt”. Në fillim ky emër përdorohej vetëm për Zotin, Emri i Shenjtë, më vonë edhe për njerëz, si një lloj eufemizmi (eufemizëm –  nga greqishtja e vjetër: eu – mirë dhe pheme –  gjëra të thëna mirë, fjalë apo shprehje me të cilën zëvendësojmë me një formë tjetër apo ndryshe).

Ka shumë arsye që viti 2020 të jetë kushtuar Shën Jeronimit dhe Biblës. Ja vetëm disa arsye, ato më të rëndësishmet:

  • Përkthyesi i tërë Biblës, me “Vulgata” të famshme, që trajtohet si përkthimi më i mirë gjatë shekujve i Shkrimi të Shenjtë nga hebraishtja dhe greqishtja në gjuhën latinishte;
  • Studiuesi dhe përpiluesi i ontologjisë së njohur “De viris illustribus”;
  • Autori i shumë veprave biblike, teologjike, shpirtërore, sidomos 150 Letrave, që janë traktate shumë të pasura, për shumëçka edhe sot aktuale;
  • Për shumë studime, udhëtime, përvoja në Lindje dhe në Perëndim, njeri në kërkim të Zotit, Kishës, njeriut;
  • Për shenjtërinë e tij të madhe dhe tërheqëse gjatë shumë shekujve, deri në ditët tona. Shumë Kisha në botë i kushtohen këtij Shenjti. Po ashtu ka edhe shumë kuvende rregulltare që bartin emrin dhe frymëzimin e tij. Ai është në artin figurativ një ndër figurat më të njohura dhe më tërheqëse për shumë piktorë, skulptorë, pasi me jetën, veprën, domethënien dhe kuptimin që ia ka dhënë dhe lënë historisë dhe aktualitetit, është gjithnjë i gjallë dhe frymëzues në botë.
  • Johann Gutenbergu, në vendlindjen e tij, Mainz (Gjermani), shpikësi i shtypshkronjës së parë në botë, më 30 shtator 1455, ditën e vdekjes së Shën Jeronimit, kishte shtypur Biblën – Vulgaten e famshme. Ky është libri i parë i shtypur, i botuar në botë, në 40 kopje në pergamenë. Kopja e para, kuptohet, ruhet në Mainz, ndërsa kopjet tjera në biblioteka të ndryshme evropiane dhe botërore. Në vitin 2001 UNESCO e ka shpallur këtë botim si thesar të çmueshëm për mbarë njerëzimin.

Historia e jetës dhe veprimtarisë, krijimtarisë së tij të madhe letrare, por edhe e kthimit dhe shenjtërimit, ndërlidhet ngushtë me Biblën.

Rinia e tij e shfrenuar, sidomos në Romë, si dhe shumë moshatarë të tij, ndërpritet pjesërisht qysh në vitin 366, kur e mori sakramentin e pagëzimit, me plot vetëdije dhe shumë përgjegjësi. Ai këtë sakrament e kishte marrë pas një përgatitjeje të gjatë, të mirë, dhe pas përcaktimit të tij jetësor: dua të jam i krishterë me besim dhe me veprim, ishte dëshira, kërkesa dhe bindja e tij. “Njeriu nuk lind i krishterë, por bëhet i krishterë, me jetë dhe me dëshmi”, shkruante ai.

Përpos studimeve dhe leximeve të letërsisë klasike greke dhe romake, ndërrimi vendimtar ndodhi me leximin dhe shoqërimin e teksteve biblike.

Në vitin 275 Shën Jeronimi kishte filluar leximin e Biblës me një interesim të posaçëm, që nëpërmjet leximit, studimit, meditimit, interpretimit të teksteve biblike, si dhe të gjuhëve në të cilat ishin shkruar këto tekste, pra, hebraishtes dhe greqishtes, pjesërisht edhe aramaishtes, me dëshirë dhe kërkesë që të familjarizohej me këto tekste dhe porosi, të njihej për së afërmi me to.

Për ta mësuar sa më mirë gjuhën greqishte dhe hebraishte, ai shkoi në Antioki.

Në vitin 379 Jeronimi shugurohet meshtar, duke hetuar dhe zbuluar që pasuria e vetme e përjetshme është vetëm Jezu Krishti, vepra e tij e shëlbimit për mbarë njerëzimin.

Ndikimi i Shën Jeronimit vazhdon në Kishën dhe në botën e sotme, sidomos në përpilimin e Kushtetutës Dogmatike të Koncilit II të Vatikanit mbi Zbulimin Hyjnor “Dei Verbum” – Fjala e Zotit, në reformën e madhe liturgjike dhe katekistike.

Nga përvoja e tij jetësore, meshtarake, hulumtuese, përshpirtërie, ai në Zotin, në Shkrimin e Shenjtë, gjente gjithnjë frymëzim dhe ngushëllim për jetë dhe veprimtari. Ja vetëm disa thesare:

“Ta duash dijen e Shkrimit domethënë mos t’i duash veset e trupit”.

“Vërtet, Fjala e Zotit është Fjala e jetës së amshuar, ka në vete amshimin, ajo që vlen përgjithmonë. Duke bartur në vete Fjalën e Zotit, edhe ne jemi të amshuar”.

“Më mirë është  mos të kemi bukë për ushqim, se ta humbim fenë…”.

“Bibla është dialogu i vazhdueshëm i Zotit me njeriun”.

E Vërteta është vetë Jezusi. Ne duhet t’ia mundësojmë Shpirtit Shenjt që të na udhëheq kah kjo e Vërtetë”.

“E vërteta është e hidhët, ndërsa mangësia trajtohet si ëmbëlsirë. Jam bërë armiku i juaj duke ua thënë të vërtetën”.

“Kush nuk e kërkon shpëtimin në arkën e Noheut, do ta gjejë fundosjen në përmbytjen e përgjithshme…”

“Krenaria është mëkati më i madh, sepse ajo kundërshton fenë, shpresën dhe dashurinë. Krenari mashtrohet se i ka këto tri virtyte. Plotësia e ligjit është dashuria”.

“Plagët e të tjerëve duhet të na bëjnë edhe neve të kujdesshëm”.

Shën Jeronimi na dhuron këtë porosi dhe përmbledhje të bukur dhe shumë të dobishme  në leximin, meditimin, komentimin, shpjegimin dhe jetësimin e Fjalës së Zotit, Biblës:

“Dialogu mes lexuesit dhe faqeve biblike, konkretizohet pastaj në dialog me Krishtin, sepse i tërë Shkrimi Shenjt flet për Të”. (Prologo a Isaia).

Shën Jeronimi në kërkim dhe studim të Biblës, kërkonte, zbulonte dhe gjente Autorin e parë të saj, Zotin, fjalën, praninë dhe dashurinë e tij. Mu për këtë shumë studiues të jetës dhe veprës së tij, sidomos në lëmin biblik, thonë që ai ishte i dashuruar në Bibël, domethënë në Zotin. Sipas tij frymëzimi hyjnor i Shkrimit Shenjt ka dy qëllime: mbrojtjen  burimore të autoritetit hyjnor të teksteve biblike dhe interpretimin sa më të saktë, pastaj pranimin dhe jetësimin e porosisë së Zotit në jetën e krishterë

Shën Tomë Akuini thotë se Autori kryesor i Biblës është Shpirti Shenjt, ndërsa njeriu është autor vegël, instrument, gjithnjë në shërbim të Zotit dhe të njeriut.

Një dëshmi bindëse të jetës së kushtuar Zotit, njeriut, “të varfrit ndër më të varfër”, është Shën Nëna jonë Tereze. Edhe ajo në Bibël ka gjetur jo vetëm porosinë e Zotit, por vetë Zotin, dhe së bashku me Zotin – Dashuri, pra, ka gjetur, dashur dhe shërbyer edhe Vëllain apo Motrën – Njeri.

Prandaj, fryti i Biblës, edhe më mirë, i hirit, Shpirtit Shenjt, është Shenjtëresha e Dashurisë – Shën Nëna jonë Tereze.

“Ungjilli për mua është Fjala e Zotit, është Jezusi, i cili  na flet dhe na mëson sot në Kishë, nëpërmjet Kishës…

Sot Kisha dhe bota kanë nevojë për dëshmitarë burimorë të Krishtit dhe të Ungjillit” (Shën Nëna Tereze)./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »