Dashuria e Zotit ndaj nesh nuk dobësohet kurrë
27 maj 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 20, 28-38; Ps 68, 29-30.33-36c; Gjn 17, 11b-19)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,
se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…
Liria
Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.
Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,
që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.
Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.
Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.
Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Gjn 17, 11-19
11 Unë nuk rri më në botë
e ata janë në botë,
e unë po vij te ti.
O Atë i shenjtë!
Ruaji në Emër tënd
ata që ti m’i dhe
që të jenë një sikurse ne!
12 Derisa unë isha me ta
i ruajta në Emër tënd ata që m’i dhe,
dhe vërtet i ruajta ‑ asnjë nuk u bor
përveç birit të bjerrjes ‑
në mënyrë që të plotësohej Shkrimi i shenjtë.
13 Tani po vij tek Ti
e këto po i them ndërsa ende jam në botë,
që ata ta kenë në vetvete gëzimin tim të plotë.
14 Unë ua dorëzova fjalën tënde
dhe bota i urreu,
pse nuk janë të kësaj bote
sikurse as unë nuk i përkas kësaj bote.
15 Nuk po të lutem t’i marrësh prej botës,
por t’i ruash nga i Keqi.
16 Ata nuk i përkasin botës,
sikurse as unë nuk i përkas botës.
17 Shenjtëroji në të vërtetën:
fjala jote është e vërteta.
18 Sikurse ti më dërgove në botë,
po ashtu edhe unë i dërgova në botë.
19 Për ta [unë] e kushtoj vetveten,
që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën.
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
· Dashuria e Jezusit ndaj dishepujve të vet nuk dobësohet.Ajo zgjat përgjithmonë. Jezusi i lutet Atit për t’i mbrojtur dhe udhëhequr ata vazhdimisht. Ai ne, miqtë e shoqëruesit e vet, ia beson dashurisë dhe përkujdesjes së Atit të vet.
· Prindërit dhe kujdestarët vitet e tyre më të mira i kalojnë duke i udhëzuar fëmijët në jetë dhe besim. Pastaj, gradualisht ndërsa zhvillohen dhe bëhen të rritur, i lëshojnë. Edhe ne, si Jezusi, duhet të lutemi për të gjithë ata që ndodhen jashtë përkujdesjes sonë aktive – për të gjithë ata për të cilët nuk mund të kujdesemi. Duart e Atitjanë vendi më i sigurt për ta.
Bashkëbisedimi
Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban gjithçka dua të them.
Përmbyllje
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.
« Shën Jeronimi dhe Bibla Sa ja i/e lidhur me fjalën e Zotit? »