Mrekullitë e Shën Padre Pios

May 29 • Opinion

Nga vëlla Lawrence Mary, M.I.C.M., Tert.

 

Një grua me një valixhe në dorë u rreshtua me zonjat e tjera që prisnin të rrëfeheshin te Padre Pio. Ai tanimë ishte i famshëm për mrekullitë e shumta të ndërmjetësuara nga lutjet e tij. Kur i erdhi radha kësaj gruas, ajo hapi valixhen para këtij prifti të famshëm dhe shpërtheu në lot. Në valixhe, së bashku me veshjet, ishte trupi i djalit të saj rreth gjashtë muajsh. Ajo kishte udhëtuar për në San Giovanni Rotondo, shtëpinë e Padre Pios, me qëllim që t’i kërkonte t`ia shëronte djalin e saj të sëmurë. Rrugës, djali kishte ndërruar jetë.

Megjithatë, me besim të jashtëzakonshëm, gruaja e pikëlluar e futi foshnjën në valixhe dhe vazhdoi rrugëtimin e saj.

Ndërsa nëna ulërinte në dëshpërim, Padre Pio mori djalin e vogël në krahë dhe u lut për disa momente. Atëherë ai iu kthye plot autoritet nënës: “Po, pse po bërtitni kaq shumë? A nuk e shihni se fëmija juaj po fle?” Gruaja ndaloi së bërtituri kur zbuloi se djali i saj i vogël po merrte frymë normalisht – ishte në gjumë të qetë. Fëmija u ngjallë së vdekurit – çfarë mrekullie.

 

Mrekullitë dhe qëllimi i tyre

Njëri nga miqtë e afërt të Padre Pios kishte dëshmuar se mbi njëmijë mrekulli kishin ndodhur ndër vite, sa kohë ai ishte afër shenjtit. Së paku edhe njëmijë tjera i përshkruhen ndërmjetësimit të Padre Pios pas vdekjes së tij. Me gjithë atë, para se të flasim për Padre Pion si mrekullibërës, ne kemi nevojë t`i dimë tre gjëra. E para çka është mrekullia e mbinatyrshme? E dyta, cili është dallimi me të ashtuquajturat “mrekulli” të mjekësisë, shkencës, teknologjisë, etj.? E treta, cili është qellimi i mrekullive?

Shën Tomë Akuini e definon mrekullinë si efekt të veprimit të Hyjit në realitetin tokësor, jasht rendit apo rregullit të ligjeve natyrore me të cilat jeta zhvillohet. Sipas The Catholic Encyclopedia (edicioni 1911) mrekullitë ndodhin si “dëshmi që vërtetojnë dhe konfirmojnë të vërtetën e misionit hyjnor apo doktrinës së fesë dhe e moralit…” Prandaj, mrekullia mbinatyrore është ngjarje që ndodh jashtë rrjedhës normale të ligjeve të natyrës, shpesh duke shkelur ose suspenduar ligjet natyrore. Mrekullitë mund t`i japin vulën hyjnore misionit të njeriut të zgjedhur nga Hyji si dhe të shërbejnë si dëshmi për qëndrueshmërinë e doktrinës së Fesë Katolike. Apo, siç thoshte një herë Kardinali Pie (mbrojtës i përkushtuar i fesë në shekullin e nëntëmbëdhjetë) , “Tani, për kthimin e njerëzve mrekullibërësi është më i fuqishëm se mësuesi; dhe, për pasojë, në mbamendjen e njerëzve, mësuesi është i  eklipsuar (i mbetur në hije) nga mrekullibërësi.”

Zoti ynë ka premtuar se mrekullitë do jenë dëshmia e vërtetësisë së Ungjillit të Tij (Mk 16, 17-18). Pas këtij premtimi, na është thënë: “Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin” (Mk 16,20). Shën Pali përdorë mrekullitë si argument kur flet për veprat e Apostujve: “po edhe Hyji njëkohësisht e dëshmoi me shenja, me vepra bindëse, me mrekulli të larmishme dhe me dhurata të Shpirtit Shenjt, të ndara sipas vullnetit të tij” (Heb 2,4). Mbi mrekullitë flasin edhe shkrimet e Etërve; shembuj të mirë janë kapitujt 8 deri 10 të Librit XXII, Qyteti i Hyjit të Shën Augustinit.

Hyji e shmang ligjin e Tij të veprimit me qellim të dëshmimit se Kisha e Tij ka prejardhje mbinatyrore. Prandaj, të gjitha mrekullitë e Shën Padre Pios nga Prietrelcina janë dëshmi të kësaj prejardhje hyjnore që Kisha Katolike ka.

 

Mrekullitë e Shërimit të Padre Pios

Mbi njëmijë mrekulli shëruese kanë ndodhur me ndërmjetësinë e Padre Pios, prej të cilave mund të përmendim disa. Gemma di Giorgio ishte një vajzë e vogël e lindur e verbër, pa papilla në sytë e sajë. Pas vizitës që kishte pasur te Padre Pio, në mënyrë të mrekullueshme e kishte fituar të pamunit. Për mos ta lënë me kaq këtë mrekulli, ajo sheh pa papilla në sytë e saj.

Rast tjetër ishte Zonja Massari, e shurdhër për rreth njëzet vite. Pasi ishte lutur për shërim përmes ndërmjetësisë së Padre Pios, ajo përnjëherë kishte filluar të dëgjoj të kënduarit e priftit gjatë Meshës. Pasi kishte dal nga Kisha po ashtu i kishte dëgjuar këmbanat për herë të para pas njëzet vitesh. E mrekulluar, i kishte treguar shoqes që ishte me të se çfarë i kishte ndodhur. Prej atij momenti në Meshë e deri sa kishte vdekur zonja Massari kishte pasur dëgjim të shkëlqyeshëm.

Në vitin 1919, një prift kishte sjell mikun e tij hebre, Lello Penga për vizitë te Padre Pio. Penga ishte krejtësisht i verbër. Prifti e kishte sjell në San Giovanni Rotondo me shpresën se do të shërohej nga verbërimi. Edhe pse Padre Pio kishte qenë i këndshëm me Pengan, ai prerazi e kishte paralajmëruar, “Hyji nuk do të bekoj me hirin shërues të trupit deri sa të pranosh hirin shërues për shpirtin tënd. Pasi të jesh pagëzuar, Hyji do të shëroj.” Disa muaj më vonë Penga tashmë i pagëzuar ishte kthyer për vizitë të Padre Pio. Ai kishte dëshmuar se edhe përkundër vullnetit të familjes së tij ai ishte pagëzuar në Fenë Katolike. Pas kësaj, gradualisht për disa muaj, shikimi i tij ishte kthyer tërësisht. Raporti i tij me bashkësinë kishte mbetur shumë i mirë dhe aty dëshmojnë se edhe pas tridhjetë viteve të pamurit e Pengas kishte qenë perfekt.

Shumë me dramatike kishin qenë ngjarjet që e kishin përcjell  Giovanni Savino. Ai dhe gruaja e tij, Rosa, ishin bijë shpirtëror të Padre Pios. Në Shkurtin e 1949 Giovanni po punonte në Kuvendin e Padre Pios disa punë ndërtimi. Një ditë pas Meshe, Padre Pio e kishte bekuar Govannin si zakonisht, por fjalët që ia kishte thënë papritmas e kishin shqetësuar: “Mbaju Giovanni, jam duke iu lutur Hyjit që të mos vritesh.” Padre Pio e kishte përsëritur këtë paralajmërim të paqartë edhe në dy ditët tjera në vazhdim. Ditën e tretë Giovanni së bashku me një punëtor tjetër kishin vendosur lëndë plasëse nën shkëmbinj. Pasi dinamiti nuk po arrinte të shpërthente, Giovanni ishte afruar të shihte si ishte puna. Në atë moment dinamiti kishte shpërthyer dhe kishte lënduar rëndë fytyrën e tij. Syri majtë ishte mbushur plot me trupa të huaj kurse i djathti ishte plot gjak. Mjekët për syrin e majtë edhe i kishin dhënë pak shpresa, por për të djathtin çdo gjë kishte marr fund, sipas tyre.

Padre Pio kishte kërkuar nga të gjithë që të luteshin për Giovannin. Ai për tre ditë rresht ishte lutur para të Shenjtnueshmit Sakrament. Shoku i punës së Giovannit kishte ofruar syrin e tij për mikun e vet vetëm që atij t`i kthehej të pamurit “pasi ai ishte mbajtësi i familjes.” Mëngjesin e 25 shkurtit, Giovanni kishte ndjerë një aromë të këndshme (përcjellëse e shpeshtë e veprimeve mrekullibërëse të ndërmjetësuara nga Padre Pio). Përnjëherë mbi ballë kishte ndje shuplakën e një njeriu dhe e kuptoj se afër tij ishte Padre Pio. Pak më vonë oftalmologu kishte ardhur për t`ia ekzaminuar syrin e majtë. Papritmas Giovanni po ia dëshmonte mjekut se i kishte ardhur të pamurit. Mjeku i kërkoj të kthente kokën në mënyrë që Giovanni ta shihte atë me syrin e majtë. Ky i fundit dëshmonte se mund të shihte me syrin e tij të djathë. Mjeku insistonte se syri i djathtë ishte krejtësisht i dëmtuar dhe se me të ishte e pa mundur të shihte. Për fatin e mirë Giovanni nuk po gabonte. Ai kishte rifituar tërësisht të pamurit në syrin e tij të djathtë dhe krejt ajo kishte mbetur vetëm një kujtim për njëzetepesë vitet në vazhdim, deri sa kishte ndërruar jetë në moshën gjashtëdhjetë vjeçare. Syri i tij i majtë nuk ishte rikuperuar kurr. Por Giovanni, thënë fjalë për fjalë, po shihte pa sy. Oftalmologu, një ateist, pas kësaj ngjarje ishte kthyer në Fenë Katolike “sepse,” thoshte ai, “e gjithë kjo kishte ndodhur para syve të mi.”

E veçanta e shumë mrekullive shëruese të ndërmjetësuara nga Padre Pio ishte se organi i dëmtuar vazhdonte të mbetej i tillë, por pas lutjes së tij, ai fitonte në mënyrë të mrekullueshme funksionin e tij. Në njëfarë forme këto shërime të mrekullueshme u bënë dëshmi e vazhdueshme për Fenë tonë Katolike, Proviniencën e Hyjit dhe vërtetësinë e mesazhit të lutjes së Padre Pios për shpëtimin e shpirtrave.

 

Varrët e Padre Pios dhe kthimet e mrekullueshme

Mrekullia më e madhe që lidhet me Padre Pion padyshim janë varrët e tij; ai kishte plagët e Krishtit në duart, këmbët dhe kraharorin e tij. Përjashto Shën Palin (Gal 6,17), Padre Pio ishte prifti i parë në histori që i ishin dhuruar varrët. Ato ishin në trupin e tij për pesëdhjetë vjet – nga 1918 e deri në vdekjen e tij më 1968. Varrët kishin filluar të largoheshin pak muaj para se të vdiste. Kishin mbetur krejt të dukshme vetëm varrët e duarve. Mjeku që kishte konstatuar vdekjen, dr. Sala kishte urdhëruar që dhjetë minuta pas vdekjes të fotografoheshin duart, këmbët dhe kraharori i Padre Pios. S’kishte mbetur asnjë shenjë nga varrët që kishin qenë më herët.

Padre Pion e kishin ekzaminuar disa herë dhe në asnjë rast nuk ishte gjetur arsye të mjaftueshme mjekësore për të shpjeguar natyrën e varreve. Varret nuk kishin natyrë të ngjashme me plagët apo dëmtimet: ato nuk shëroheshin asnjëherë. Dhe ky mosshërim nuk ishte për ndonjë shkak që vinte nga shëndeti i tij, pasi kishte kaluar dy operacione (një herë për të riparuar herrninë inguinale dhe herën tjetër për të larguar një cistë nga qafa) dhe plagët i ishin shëruar normalisht. Me 1950 Padre Pios i ishte marr gjak për arsye tjera shëndetësore dhe nga analizat kishte dal se gjaku i tij ishte krejtësisht normal. Gjëja e vetme jo e zakonshme që vinte nga gjaku i tij ishte aroma intenzive që i shoqëronte krejt kohën varret e tij.

Varret e tij nuk paraqitnin thjeshtë varrët e Krishtit. Padre Pio vuante dhembje të pandalshme nga ato varrë – me raste kalonte dhe në gjendje agonie. Ai nuk mund t`i mbyllte në tërësi duart e tij. Po ashtu, çalonte dhe ecte me vështirësi. Vitet e fundit të jetës, pjesën më të madhe të kohës e kishte kaluar në karrocë. Dhembjet nuk ishin të njëjta krejt kohës, ato veçanërisht fitonin në intensitet të Enjten dhe të Premten si dhe gjatë Javës së Madhe. Kur e kishin pyetur me një rast se a ndjente dhembje nga varrët, ai u ishte përgjigjur: “Ju mendoni se Hyji m’i ka dhënë ato për dekor?” Kurse kur dikush i thoshte se varrët i kishin ardhur sepse ai ishte i koncentruar shume të Mundimet e Krishtit, ai përgjigjej, “Shko në ndonjë livadh dhe shikoje nga afër buallin. Koncentrohu në të me krejt qenien dhe shiko mos do të fillojnë të rritën brirët.” Padre Pio i mbante me shumë gëzim varrët e Krishtit, duke i konsideruar ato si një privilegj i madh në pjesëmarrjen e tij në vuajtjet e Krishtit, për shpëtimin e shpirtrave.

Përgjatë viteve, mijëra njerëz e kanë vizituar Padre Pion. Po ashtu, ai kishte marr emër për shumë mrekulli shëruese që kishin ndodhur me ndërmjetësinë e tij, shërime të cilat jo rrallë ishin të pamundshme. Por një gjë ishte e dukshme për të gjithë ata që e vizitonin: Padre Pio i kishte krejt kohën varrët e Krishtit. Të gjithë ata që vinin – katolikë të devotshëm, spektatorë kureshtar, agnostikë, madje edhe masonë, çifutë por edhe kundërshtarë të Fesë – e kuptonin se Padre Pio ishte ikonë e gjallë e Mundimeve të Krishtit, pra një mrekulli e gjallë.

Shumë prej jo-katolikëve të cilët vinin ta vizitonin të shtyrë nga skepticizmi i tyre, janë kthyer në mënyrë të mrekullueshme. Një prej tyre ishte Frderico Abresch, një skeptik i thekur. Ai ishte i lindur në një familje luteriane, por i martuar me një katolike. Pas martesës, për ta bërë me të thjeshtë raportin familjar ai ishte kthyer në katolik. Pas disa kohe ai bije në fe dhe bëhet një anti-katolik teosofist. Kur kishte dëgjuar për një prift i cili barte varret e Krishtit, i nxitur prej skepticizmit të tij, kishte vendosur ta takonte Padre Pion. Sipas fjalëve tij, kjo është ajo që kishte ndodhur:

“Nuk isha unë ai që kisha folur por ishte Padre Pio. Ai m`i kishte përmendur disa nga mëkatet e mija të rënda që kisha rrëfyer në rrëfimin tim të fundit dhe më pyeti se a i kisha rrëfyer me fe të plotë. I thash se `psikologjikisht` ai rrëfim më kishte bërë mirë por nuk është se kisha besuar në hyjninë e atij Sakramenti. Pas kësaj përballje me Padre Pion, i ndjerë thellë i prekur se ai kishte lexuar të kaluarën time, thekshëm bërtita: “Tani, megjithatë, unë besoj!”

“Çdo gjë aty ka qenë herezi,” tha ai, në një gjendje të rëndë dhembje shpirtërore. “Çdo kungim i yti ka qenë sakrilegj. Duhet të bësh një rrëfim rrënjësor. Bëje një rrëmim të ndërgjegjes dhe përpiqu të kujtosh kur je rrëfyer për herë të fundit në mënyrë të sinqertë. Jezusi ka qenë shumë herë më i mëshirshëm me ty se sa me judeasit.” Më liroj me fjalët: “Qofshin të lëvduar Jezusi e Maria.” Isha tejet i tronditur. Më silleshin me qindra herë ato fjalë në kokë: “Kujtohu kur je rrëfyer për herë të fundit në mënyrë të sinqertë.”

Abresch kishte kaluar një kohë të gjatë duke rrëmuar ndërgjegjen e tij. Kur ishte kthyer në rrëfyestore për rrëfim, Padre Pio e kishte pyetur, “Kur je rrëfyer si duhet së fundit herë?”

“At, deri sa po…”

Padre Pio i kishte ndërhyrë, “Po, ti ke bërë një rrëfim të duhur kur po ktheheshe nga muaji i mjaltit: t`i lëmë të gjitha dhe të fillojmë nga aty.”

“Mbeta i stepur dhe pa gojë prej kësaj përballje me mbinatyroren. Ai numëroj me përpikëri të gjitha mëkatet e mija vdekatare përmes pyetjeve që m`i bënte, duke shpërfaqur njohuritë  e tij mbi krejt të kaluarën time. Përmes peshës së fjalëve të tij më bëri të kuptoj seriozitetin e mëkateve që kisha bërë, fjalë të cilat kishin një ton të paharrueshëm për mua:

“Ti i ke thurur himne të Keqit derisa Jezusi në dashurinë e tij të pamatshme e ka dhuruar Vetën për ty. Pas kësaj ai më dha faljen dhe zgjidhjen prej mëkateve. Por për ta ritheksuar më tej atë gjë madhështore që më ndodhi … dhe që, natyrisht, vetëm unë mund ta tregoja … po e përsëris se ishte e pamundur që Padre Pio ta dinte se unë e kisha bërë muajin e mjaltit, dhe se rrëfimi që kisha bërë gjatë kthimit tim ishte vërtet i mirë. Kishte ndodhur realisht ashtu siç ai e kishte thënë. Ditën pasi ishim kthyer me nusen nga muaji i mjaltit, ajo kishte insistuar se duhej të kungoheshim. Nuk i kisha kundërshtuar. Isha rrëfyer te i njëjti meshtar te i cili isha përgatitur për t’u bërë katolik, para dasmës. Duke i ditur se isha fillestar në këtë gjë, ai me kishte ndihmuar në rrëfim përmes shumë pyetjeve…prandaj edhe kisha arritur të kem një rrëfim të mirë…

“Për ta kompletuar historinë e rrëfimit tim te Padre Pio: Që nga ajo ditë e deri sot kam marr pjesë çdo ditë në Meshë dhe Kungim. Bashkë me gruan jemi bërë pjesë e rregullit të tretë françeskan. Unë jo vetëm besoj në Dogmën e Kishës Katolike por edhe në çdo mësim që ajo shpall. Dhe nuk do ta humbas këtë fe pa e humbur jetën time.”

Prej atyre të shumtëve që në mënyrë të mrekullueshme janë kthyer ka qenë edhe Emmanuele Brunatto, një fepak i cili kishte harxhuar parat e veta pas qejfeve të botës. Kthimi i kishte ndodhur pasi kishte parë në ëndërr babanë e tij të vdekur. Kështu kishte vendosur t`i bëjë vizitë priftit që barte varret e Jezusit. Pjesën e fundit të rrugës ai e kishte bërë në këmbë – rreth dhjetë orë ecje – pasi nuk kishte para të mjaftueshme të paguante autobusin për në San Giovanni Rotondo. Pas arritjes ai ishte rrëfyer të Padre Pio dhe kishte fituar hirin e mrekullueshëm të ndërrimit të vazhdueshëm të zemrës.

Një “hir të mrekullueshëm” kishte fituar edhe princi rus në ekzil Karl Klugkist, i cili ishte thellë i zhytur në misticizëm dhe okultizëm lindor. Ai kishte udhëtuar për në San Giovanni Rotondo në kërkim të një guruje të ri, por i kishte ndodhur e papritura, një kthim rrënjësor në katolicizëm.

Cesare Festa ishte pjesëtar i masonerisë së lirë. Ai kishte ardhur në San Giovanni Rotondo te kushëriri i tij Dr. George Festa. Gjatë qëndrimit ai kishte pasur një diskutim me Padre Pion mbi masonerinë e lirë. Në një moment Padre Pio me shumë dashuri e kishte tërhequr në një kënd dhe i kishte shpjeguar mirësinë e Hyjit duke përdorur parabolën e Birit të humbur. I prekur nga hiri i mbinatyrshëm, Festa kishte rënë në gjunjë dhe i kishte rënë mohit masonerisë së lirë dhe kishte rrëfyer mëkatet e veta.

 

Mësimi më i rëndësishëm i që Padre Pio na mëson

Për fund, Kisha na mëson se mrekullitë janë “dëshmi që vërtetojnë dhe konfirmojnë të vërtetën e një misioni hyjnor, të doktrinës së fesë apo moralit…” Prandaj, duhet të pyesim, cila ka qenë porosia doktrinare e Padre Pios? Nga shkrimet e tij dhe numrit të madh të letrave të shkëmbyera kuptohet lehtë se jeta e tij ka qenë jetë vuajtje dhe lutje për shpëtimin e shpirtrave. Ai e ofronte vetën për shpëtimin e tjerëve. Maksimën e tij se shpirtrat blihen gjithmonë “me monedhën e njëjtë” – monedhën e vuajtjes, e përsëriste shpesh. Ai i mësonte bijtë e tij shpirtëror (ata të cilët e kishin zgjedhur atë për udhëheqës shpirtëror) se është nder dhe jo barrë të lejohesh të marrësh pjesë në vuajtjet e Krishtit.

Është edhe një porosi tjetër të cilin Padre Pio e kishte jetuar dhe predikuar. Porosi të cilën ai dëshironte ashtu siç e predikonte edhe ta jetonte. Ishte e mirëditur se Padre Pio luste 15 e mbi dhjetëshe të Rruzares në ditë*. Në fakt, ai e kishte marr për detyrim që të mos luste dhjetëshe të Rruzarës me pak se ai numër. Në një rast, i pyetur nga Udhëheqësi nën kushtin e dëgjesës që të tregonte se sa 15 dhjetëshe të Rruzares kishte arritur të luste brenda një dite, ai ishte përgjigjur, “Ok, më duhet t`ia them të vërtetën udhëheqësit tim, unë kam arritur t`i lusë tridhjetekatër 15-dhjetëshe.” Ai luste Rruzaren para dhe pas ushqimit. E luste shumë herë edhe gjatë kohës së pushimit, por edhe gjatë momenteve të ndryshme përgjatë ditës. Nëse gjatë natës e zinte gjumi duke e thënë Rruzaren, ai e kishte trajnuar vetën që të mbante të lakuar gishtin ku ishte ndërprerë Rruzarja dhe ta vazhdonte atë pasi të jetë zgjuar. Sipas një dëshmitari të kohës: “Afër përmbylljes së jetës së tij tokësore, Padre Pio nuk fliste shumë. Ne ia dëshmonim atij mendimet tona, i kërkonim ndihmë por e gjitha që ai bënte ishte të na e tregonte Rruzaren, gjithmonë.

Me 20 Shtator 1968, një ditë para se të vdiste, disa i kishin kërkuar t`u thoshte ndonjë gjë – fjalë të cilat do t`u mbeteshin atyre si testament. Ai ua kishte kthyer, “Duajeni Nënën tonë të Bekuar. Thuajeni gjithmonë Rruzaren.” Është mirë t`i kemi gjithmonë në mëndje fjalët e tij, ” Duajeni Zojën dhe luteni Rruzaren, për të Rruzarja sot është arma kundër të këqijave të botës.”

Shën Pio i Pietrelcinës, lutu për ne, që me vullnet të lirë t`i përqafojmë vuajtjet për shpëtimin e shpirtrave dhe t`i qëndrojmë besnik çdo ditë Rruzares së Shenjtë!/drita.info

 

* Shën Pio kishte hirin që i jepte mundësi të lutej edhe deri sa ishte i angazhuar në aktivitete tjera intelektuale. Ashtu si edhe shumë karizma tjera, ky hir i është dhuruar shumë pak shpirtrave.

Përktheu nga anglishtja: v.b.

Shpërndaje

Comments are closed.

«