Shpirti Shenjt në Bibël, në Kishë dhe në jetën e krishterë

May 30 • Këndvështrime

Nga Don Lush Gjergji

 

Shpirti Shenjt, vetja e tretë Hyjnore, një Hyj i vetëm, Njëni dhe Trini, me Atin dhe me Birin, është pjesëmarrës dhe bashkëveprues i plotë në veprën e krijimit dhe të shëlbimit, së bashku me Atin dhe me Birin. Ai në veçanti ka një veprim në mishërimin e vetes së Dytë Hyjnore, Jezu Krishtit, nëpërmjet ngjizjes dhe lindjes së Tij, prej Virgjërës Mari, gjithmonë më fuqinë e Shpirtit Shenjt.

Jezu Krishti, dërgimin e Atit, veprën e shëlbimit të mbarë njerëzimit nëpërmjet mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së lavdishme, ia ka besuar Kishës, prapë me praninë dhe fuqinë e Shpirtit Shenjt, deri në të sosur të botës.  

Shën Jeronimi duke shqyrtuar misterin e Trinisë në veprën e shëlbimit, shkruante dhe dëshmonte kështu: “Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt janë i vetmi emër hyjnor… Unë e di vetëm këtë: jam i krishterë, sepse pranoj një Zot të vetëm në Trini” (Kom. Ps. 91).

Prandaj roli i Shpirtit Shenjt në jetën e Jezu Krishtit, të Virgjërës Mari, Kishës dhe çdo të krishteri, është shumë i rëndësishëm dhe vendimtar në historinë e shëlbimit. Kjo është vetëdija e jetës së krishterë, që pranon dhe jeton nga “Shpirti i së Vërtetës”, i cili vazhdon udhëheqjen e Kishës dhe jetën e çdo të krishteri.

Shën Jeronimi thotë se kryevepra e Shpirtit Shenjt është Shkrimi i Shenjtë – Bibla, Kisha, si dhe jeta e çdo të krishteri të vërtetë.

Ja dëshmia konkrete e apostujve, Kishës së parë, gjithmonë nën ndikimin dhe frymëzimin e Shpirtit Shenjt: “Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen” (Vap 5, 32), që vërtetonte predikimin e apostujve, me dhurata dhe praninë e Tij vepruese në Kishë.

Efektet dhe frytet e pranisë së Shpirtit Shenjt në Kishë dhe të predikimit të apostujve, zgjon te dëgjuesit fenë. Ishin fakte dhe përjetime, ndodhi konkrete, vepër e Krishtit të ngjallur, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, që i trimëronte dhe përkrahte apostujt në jetën, predikimin dhe dëshminë e tyre. “Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh.” (Vap 4, 33).

Dëshmia e parë ishte ndërrimi rrënjësor i jetës së tyre, që si pasojë kishte guximin, trimërinë dhe besueshmërinë e predikimit, që edhe më tepër e rritnin dhe përcillnin shenjat apo mrekullitë e ndryshme.

Predikimi apostolik përcillej me shumë mrekulli dhe kthime: “Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave dhe grave që besonin në Zotërinë…. (Vap 5, 12. 14)

Dëshmia apostolike e Kishës së parë se Jezusi e ka mundur vdekjen, mëkatin, Djallin, domethënë se Krishti është i gjallë, ndër ne dhe për ne, duke ndërruar kështu në tërësi jetën tonë dhe fatin e njeriut dhe mbarë njerëzimit, ishte dhe mbetet dhurata më e madhe dhe siguria më e qartë e veprës së shëlbimit. Ajo është gurthemeli i fesë dhe bashkësisë së krishterë, e cila këtë të Vërtetë, Jetë, Risë shëlbuese e jetëson dhe dëshmon me fuqinë e Shpirtit Shenjt, me lindjen e Kishës, rritjen dhe përhapjen e saj në mbarë botën.

Shën Pali shkruan: “Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do të rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë – Krishti, pastaj, Ditën e Gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj – mbarimi kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi.” (1 Kor 15, 22-23)

Jezusi nuk është në mesin tonë vetëm nëpërmes mësimit, porosisë, por edhe më tepër me praninë reale, jetën dhe dashurinë e tij në Kishë, në sakramente, duke na dhënë mundësinë për ndërrim të njeriut, familjes dhe shoqërisë. Të besosh pas ngjalljes së Krishtit domethënë: të pranosh se Jezu Krishti është Zot i vërtetë dhe Njeri i vërtetë, që ka vdekur dhe është ngjallur për ne dhe për shëlbimin tonë, që është i pranishëm, i gjallë dhe veprues, sidomos në bashkësinë e krishterë, në Kishë. Kjo domethënë se edhe ne kemi mundësi ta takojmë, të jetojmë me Të, ta duam, ta dëshmojmë, dhe kështu ta arrijmë shëlbimin e amshuar.

Jezusi thotë: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë.” (Gjn 11, 26)

Ta shqyrtojmë shkurtimisht mësimin dhe shkrimet e Shën Jeronimit mbi Shpirtin Shenjt, si jetëdhënës, frytdhënës dhe frymëzuesi.

Porosi e parë e Shën Jeronimit është rreth frymëzimit hyjnor të Biblës, që na dhuron të vërtetën e fesë dhe të jetës, kuptohet, me Autorin kryesor, Zotin, dhe bashkautorin, njeriun, shkrimtarin e shenjtë.

Shkrimtari i shenjtë, pohon Shën Jeronimi, me “urdhër hyjnor” e ka pranuar këtë bashkëpunim dhe bashkautorësi, kuptohet, me vullnet të plotë dhe të lirë, me vetëdije dhe përkushtim (khs. EP 28).

Mu për këtë askush nuk ka të drejtë ta vë në dyshim atë çka është shkruar dhe thënë në Bibël, sepse ajo është me çdo cilësi, siguri dhe përmbajtje Fjala e Zotit (khs. Ep 77, 1)

Fjala e Zotit nuk është asgjë tjetër përpos vetë Fjala e Zotit, e jo fjalë e atyre që e kanë shkruar apo që ka folur me anë të gojës së tyre. Zoti dëshiron të shërbehet me ta si me ndonjë vegël” (Trac. De Ps. 88).

Ai ndër të tjera i shkruante virgjërës Dimetria-s kështu: “Duaje Shkrimin e Shenjtë dhe urtia do të do ty; ruaje me ngrohtësi dhe ajo do të ruajë ty, nderoje dhe do t’i marrësh frytet e saja…”  (Ep 130, 20)

Shën Paolinit i shkruante kështu: “Bashkoje me gojëtarinë tënde shijen e kuptimit të Shkrimit të Shenjtë dhe së shpejti do të shohë në rendin e parë të shkrimtarëve tonë” (Ep 58, 9, 2, XI, 2).

Shën Jeronimi ishte njohës dhe dijetar i madh i klasikëve greko-romak, me lexime dhe studime, shijime të teksteve klasike. Mirëpo pas një kohe, ai vendosmërisht i braktisi të gjitha, dhe me mend dhe me zemër, me afsh iu kthye Biblës.

Ja vlerësimi i tij rreh këtij kthimi dhe ndryshimi. “Çmenduria ime më çonte aq larg sa që agjëroja për ta lexuar Ciceronin… Pasi kisha kaluar shumë net pa gjumë, pasi kisha derdhur shumë lot, që mi shkaktonin kujtimet  e mëkateve të mia të kaluara, merrja në dorë Plautin. Dhe pasi iu ktheva vetvetes, stili i tyre barbar më tmerronte, dhe kur sytë e mi të varfër ishin të mbyllur para dritës, unë nuk i fajësoja sytë e mi, por dritën” (Ep 12, 30, 2).

Shkrimi i Shenjtë është fryt i Shpirtit Shenjt, dhe si i tillë mund të lexohet, pranohet, jetësohet vetëm me praninë dhe me ndihmën e Tij.

“Në interpretimin e Shkrimit të Shenjtë ne kemi nevojë gjithmonë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Mich, 1, 10, 15),  sepse “kuptimi që Shpirti Shenjt kishte dashur të na jepte atëherë kur ishte shkruar” (Gal 5, 19), është po ashtu i njëjti, pra, porosi jete dhe ftesë dashurie, që na dhurohet edhe neve sot dhe gjithnjë, për ta besuar dhe jetësuar, dëshmuar.

Ja dëshmia bindëse e Nënës Tereze rreth dëshmisë së krishterë: “Të gjitha fjalët tona do të jenë të padobishme, nëse nuk rrjedhin nga thellësia e zemrës, nëse nuk do të jenë të vërtetuara nga dëshmia e jetës… Prandaj qenësore nuk është ajo çka themi ne, apo si e themi, por si besojmë, jetojmë, duam dhe dëshmojmë Jezusin të tjerëve… Silleni Jezusin kudo që shkoni, u them gjithmonë motrave të mia, të them edhe ty, u them të gjithëve, kështu që të tjerët të mund ta shohin Jezusin në ne. Atëherë jeta jonë do të jetë tërësisht në shërbim të Zotit, Kishës, njeriut.”

Shën Jeronimi ishte shumë i vendosur dhe kategorik në luftë kundër relativizmit sipas kohës dhe hapësirave, që mundohet edhe Zotin, pra, personin dhe porosinë e Tij ta “relativizon”, kinse kjo nuk është më e vlefshme më për ne, për kohën dhe rrethanat tona.

Qëndrimet e tilla, që ishin edhe në kohën e Shën Jeronimit, rrezikojnë fenë dhe jetën e krishterë edhe në kohën tonë, sepse mbështeteshin vetëm në elemente natyrore dhe njerëzore, por pa prani, përkrahje dhe frymëzim të Shpirtit Shenjt.

Nëse nuk e kemi këtë qëndrim feje dhe dashuria, atëherë porosia e Zotit, së pari nuk kuptohet, edhe më pak pranohet, shijohet, thuaja aspak nuk jetohet. Pse?

Ja përgjigja e Shën Jeronimit, i cili burimin e Fjalës së Zotit e jep në interpretimin e  saktë dhe të ndritshëm të Kishës, e cila e ka trashëguar atë për ne dhe për shëlbimin tonë, si “depositum fidei” – trashëgimi feje.  “Gjithë atë që nuk e dimë as prej  vetvetes, as nga shkolla e mësimit të gabimit, që është krenaria, por nga dijetarët e ndritshëm të Kishës” (Ep 108, 26, 2).

Shpirti Shenjt është protagonisti i vërtetë i kësaj historie, kaq të bukur dhe të mrekullueshme dhe dëshmon bashkëpunimin e frytshëm të njeriut me Zotin. Jezusi, pasi që ishte dëftuar në forma dhe trajta të ndryshme së është ngjallur, u tha apostujve: “u urdhëroi të mos lëshojnë Jerusalemin, por ta presim Premtimin e Atit.” (Vap 1, 4)

Jezusi kishte thënë qysh më herët kështu: “Dola prej Atit dhe erdha në botë, prapë po e lë botën e po kthehem tek Ati.” (Gjn 16, 28)

Misioni parësor i apostujve, sipas dërgimit të Jezusit, ishte përgatitja për ardhjen e Shpirtit Shenjt, pagëzimi i ri, pastaj vepra e dëshmimit mbi jetën dhe veprën e Krishtit.

Fryti i Shpirtit Shenjt ishte dashuria ngrohëse ndaj Zotit dhe të afërmit, sepse në bashkësi “ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë… Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin prona dhe pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush që kishte nevojë. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë shtonte bashkësisë sish që shëlbohen.” (Vap 2, 43. 44-47) 

Vetëm kështu Bibla, Fjala e Zotit, e jetësuar dhe dëshmuar nga bashkësia e krishterë, është dhe mbetet mjet shpalljeje, ungjillizimi, shëlbimi dhe shenjtërimi.

Në mënyrë krahasuese mund të themi kështu: një shkresë, letër, porosi, testament, që nuk e di se kush e ka shkruar, është anonime, pa ndonjë shenjë të prejardhjes, vendit, nënshkrimit, lexohet disi pa shpirt dhe zemër, mos të them me dyshim apo me rezervë.

Nëse e dimë kush e ka shkruar, aq më tepër, e dimë dhe besojmë që ai që ka shkruar është personi që na do, atëherë kemi një lexim, qëndrim dhe vlerësim ndryshe.

Nëse e dimë që letra, porosia, testamenti, janë dëshmi jete dhe amshimi, dashurie dhe shëlbimi, atëherë çështja ndryshon krejtësisht apo rrënjësisht, si për këtë jetë, po ashtu edhe për jetën e pasosur.

Shën Jeronimi vazhdon shpjegimin rreth Biblës kështu: “Ta lirojmë trupin tonë prej mëkatit dhe shpirtit tonë do t’i hapet urtia, ta kultivojmë inteligjencën tonë me leximin e Librave të Shenjta, dhe shpirti ynë çdo ditë do ta gjejë ushqimin e vet” (Tit. 3, 9).

Këto porosi dhe këshilla vlejnë për çdo të krishterë, sidomos për predikues dhe meshtarë: “Ta kesh gjithmonë Biblën në dorë dhe para syve, mëso fjalë për fjalë psalterin, në mënyrë që urata jote të jetë e pandërprerë dhe e vazhdueshme, mbrojtje nga mendimet e kota” (Ep 125, 7, 3, X, 1).

Nga leximi, studimi, meditimi, shoqërimi me Fjalën e Zotit, do ta fitojmë dijen për jetën e krishterë. “Shenjtëria pa dije nuk ndihmon asgjë, dhe kur ajo ndërton Kishën e Krishtit, nëpërmjet jetës rrejshme, është e dëmshme nëse nuk i dëbon sulmet e armiqve  (Ep 53, 3, 6).

Shën Jeronimi mendonte për sulmet e djallit, mëkatit, por edhe të heretikëve të ndryshëm, të cilët mohonin disa të vërteta të zbuluara të fesë, kështu që të krishterët e mirëfilltë, sidomos ata që e kanë detyrën e mësimit dhe predikimit, duhet t’i  dinë  mirë të vërtetat e fesë, atë t’i dëbojnë dhe luftojnë, së pari me fe të vërtetë, kuptohet, vetëm me hirin e Zotit dhe dijen e jetës së krishterë.

Në anën tjetër, Shën Jeronimi thekson mirë që Shkrimi i Shenjtë nuk është libër me të vërteta historike apo shkencore, natyrore, por me cilësi dhe veçori  shpirtërore.

Pa e mohuar kuptimin historik, ne e parapëlqejmë atë shpirtëror” (Marc 9, 17).

Kush nuk beson dhe jeton me Jezu Krishtin, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, frymëzimin biblik, rrezikon, siç thotë Shën Jeronimi, që “Ungjillin e Krishtit të bëjë Ungjill të njeriut”, gjë që fatkeqësisht sot ndodh nëpërmjet materializmit, konsumizmit, hedonizmit, relativizimit dhe ateizmit praktik, apo një lloj filantropie, dashuri të njeriut për njeriun, pa kurrfarë baze dhe perspektive.

Ai tërë jetën e tij e ka mbështetur në fe dhe në dashuri, nëpërmjet meditimit, leximit, uratës, pendesës, jetës së krishterë, në mënyrë që të “mund të mbahet drejtpeshimi i shpirtit” (Epf. Pred.), kundër tendencave që mbivlerësonin trupin dhe jetën tokësore, duke nënçmuar shpirtin dhe amshimin.

Në shpjegim të humbjes së drejtpeshimit, apo ndikimit të së keqes dhe mëkatit në jetën e njeriut, ai shkruante kështu: “Më mirë është  mos të kemi bukë për ushqim, se ta humbim fenë…” (84).

Çfarë vetëdije e madhe dhe largpamëse, çfarë urtie ungjillore dhe domethënëse për jetën e krishterë!

Feja, jeta me Trininë e Shenjtë, ndikimi i gjallë dhe veprues i Shpirtit Shenjt, për Shën Jeronimin është si një lloj “Lumi” që dhuron freski, lagështi dhe jetë.

“Një lum buron nga Froni i Hyjit, është lumi i Shpirtit Shenjt dhe lumi i Shpirtit Shenjt ruhet në Shkrimin e Shenjtë. Ky lum rrjedh mes dy brigjeve që janë Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, dhe në çdo anë rritet një dru, që është vetë Jezusi” (Tract de Ps, I).

Nëse është ashtu, që së pari duhet të jetojmë si të krishterë, pastaj edhe të flasim, t’i mësojmë edhe të tjerët, atëherë shtrohet pyetja: kush prej nesh ka të drejtë shpirtërore, kishtare dhe morale që të flasë dhe t’i mësojë të tjerët?

Me këtë pyetje është ballafaquar shpesh edhe Shën Jeronimi në shumë letra dhe shkrime. Ai në një rast shkruan kështu: “Më e denjë është heshtja se fjalët tona të varfra… Kush nuk e kërkon shpëtimin në arkën e Noehut, do ta gjejë fundosjen në përmbytjen e përgjithshme…” (Ep 15, 11, 1).

Thjeshtësia, modestia, përvuajtëria e Shën Jeronimit ishte shumë e njohur, mjaft e dukshme, gjithnjë dalluese dhe vepruese.

Ja një shembull karakteristik: një mik i tij i njohur, vite të tëra i kërkonte që ta mësonte dhe udhëhiqte në përvojën e fesë dhe në kërkimin e përsosmërisë, të shenjtërisë.

Shën Jeronimi, pas shumë insistimeve, iu përgjigj kështu mikut të tij: “Nëse refuzoj që të jam mësuesi yt, megjithatë të garantoj që mund të më kesh gjithmonë bashkudhëtar.” (Ep 2, 53).

Pa praninë dhe ndihmën e Shpirtit Shenjt ne jemi të dobët, mëkatarë, të robëruar nga veset dhe mëkatet. Me këtë bindje, përvojë, dëshmi nga jeta e tij, Shën Jeronimi thotë: “Në interpretimin e Shkrimit të Shenjtë ne gjithmonë kemi nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Mik. 1, 1, 10, 15) dhe vazhdon kështu: “Të duash dijen e Shkrimit domethënë mos t’i duash veset e trupit” (Ep 125, 11).

Prandaj, Shpirtin Shenjt së bashku me Shkrimin e Shenjtë, ishin për Shën Jeronimin, por janë edhe për të gjithë ne, armë e fuqishme në luftë kundër mëkatit, si dhe mjete të sigurta për pranimin dhe zbatimin e veprës së shëlbimit, shenjtërimit.

Duke sintetizuar mendimet, shkrimet, porositë, jetën dhe dëshminë bindëse të Shën Jeronimit mbi Fjalën e Zotit, Biblën, mund të themi kështu: Nuk mjafton ta kesh Biblën, duhet ta lexosh atë për çdo ditë. Nuk mjafton ta lexosh atë për çdo ditë, duhet ta meditosh dhe pranosh. Nuk mjafton ta meditosh dhe pranosh, duhet ta jetosh. Nuk mjafton ta jetosh, duhet ta dëshmosh me jetë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«