Shenjta Terezë e Kalkutës dhe rruga e ekumenizmit

Jun 5 • Opinion

Nga Don Pal Tunaj

 

Kur shikojmë mbrapa në shekullin e kaluar, përveç tragjedive globale me dy luftëra botërore, krize bërthamore, tragjedive të luftërave civile, diktaturave, shfrytëzimit të pakontrollueshëm të resurseve tokësore, varfërisë, terrorizmit etj, i gjejmë edhe figurat më eminente të historisë, të cilat, me shembullin dhe kontributin e tyre ndryshuan botëkuptimin për të ardhmen e njerëzimit. Pa përmendur shumë të tjerë, duam të ndalemi te figura e Nënës Tereze, e cila është edhe mburrja jonë kombëtare dhe e mbarë Kishës. Gjithnjë kemi folur për dashurinë dhe bamirësinë e saj në gjitha anët e botës, krenohemi për origjinën e saj, por ne këtu dëshirojmë të shpalosim figurën e saj në raport me besimet e tjera të krishtera dhe jo të krishtera.

Që nga fillimi i shekullit njëzet, shumë fytyra të shndritshme kanë dhënë kontribut në ekumenizëm dhe në dialog ndërfetar, duke shëruar plagët e hapura të historisë. Koncili II i Vatikanit, në lidhje me këto tema, i dedikon dekretin “Unitatis Redintegrazio (Rimëkëmbja e Njësisë)”, dhe deklaratën “Nostra Aetate (Në kohën tonë)” [1]. Po ashtu dhe enciklika e Gjon Palit II, “Ut Unum Sint”, dhe shumë dokumenteve të tjera të nxjerra nga kongregatat dhe magjisteri i Kishës, të cilat ndihmojnë për të përafruar dialogun e krishterë, vlerat dhe detyrat që religjionet e kanë detyrë dhe mision për të kontribuar dhe promovuar bashkimin, paqen, lirinë në tërë botën. Së pari duhet të kuptojmë domethënien e terminologjisë së fjalës ”ekumenizëm”, që e ka në përdorimin e zakonshëm në Kishë.

Fjala ekumenizëm rrjedh nga greqishtja “οἰκουμένη, oikouménē”, pra, òikos: shtëpi dhe oikéō: banoj, domethënë “shtëpi banimi”[2], nga e cila rrjedh domethënia dhe zgjerimi i kuptimit të kësaj fjale, e cila fillimisht tregon shtëpinë e banuar dhe shtëpinë e përbashkët. Në shekujt përpara krishterimit, e nënkupton tërë tokën e banuar apo gjithë popujt që i përfshinte një mbretëri. Në kohën e Aleksandrit të Madh ishte një terminologji, e cila tregonte territorin që ishte nën juridiksionin e tij, dhe e cila përkufizonte edhe kulturën heleniste. Kjo terminologji është e kundërta e asaj që e paraqet polis, që kishte një përkufizim më të kufizuar hapësinor, ndërsa oikouménē shpreh tërë botën e banuar e formuar nga kultura greke. E njëjta gjë vlen edhe në terminologjinë politike të Perandorisë romake, të cilën e kemi edhe në Shkrimin e Shenjtë “në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës” (Lk 2,1), e cila merr konotacionin e tërësisë. Kjo terminologji përdorej politikisht, dhe e cila merr rrjedhën e kuptimit më të gjerë, e që shprehet në: pjesëmarrje, bashkëndarje, bashkësi, familjaritet, pra të gjitha shprehjet cilësore. Në të njëjtën kohë edhe nënkupton shumëllojshmërinë si universalizëm, gjerësi e hapësire, e cila e definon dimensionin sasior në kohë dhe hapësirë[3]. Sikur fjala oikouménē, po ashtu edhe fjala cathŏlicus[4], e ka domethënien në “universal” i gjithëmbarshëm, gjithëpërfshirëse, prandaj Kisha katolike është e shtrirë dhe e përhapur në gjithë oikomenen dhe cathŏlicus. Edhe Nëna Tereze hyn në këtë universalizëm, në gjithë botën e banuar me shembullin e saj, me përvujtërinë e Ungjillit, e që lejoi që Fjala në Vepër të shfaqet në tërë tokën “më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt” (Mt 28,18-19).

Në terminologjinë oikouménē dhe cathŏlicus është vetë misioni i Kishës, sipas një përkufizimi gjithëpërfshirës të Fjalës së Zotit, në shpalljen e Lajmit të Gëzueshëm për mbarë tokën “më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.” (Mt 28,18); në këto terminologji nënkuptojnë edhe rolin e dialogut, hapjes, pajtimit, përhapjes dhe mbrojtjes së doktrinave, e cila merr përmasa të vet rolit dhe misionit të Kishës[5]. Në këtë mision të Kishës hyn veprimtaria e Nënë Terezës, e cila e ka edhe rëndësinë e saj në dialogun ekumenik dhe dialogun ndërfetar në gjithë botën.

 

Dashuria dhe lutja: vatra e kthimit të zemrës

Vepra e Nënës Tereze në lidhje me ekumenizmin dhe dialogun, përbëhet nëpërmjet veprave të dashurisë, lutjes dhe bamirësisë, të cilat janë shtyllat për të hyrë në dialog, për të arritur paqen e pajtimin. Koncili II i Vatikanit na thërret së “rimëkëmbja e njësisë dhe nxitja e saj mes të gjithë të krishterëve është njëri prej qëllimeve kryesore. Kjo ndarje jo vetëm i kundërvihet haptazi vullnesës së Krishtit, por është edhe shkandull për botën dhe dëmton çështjen më të madhe: predikimin e Ungjillit çdo krijese”[6]. Për sa i përket çështjeve të doktrinave i është rezervuar Kongregatave përkatëse, ndërsa ne kontribuojmë edhe me ekumenizmin e “kthimit të zemrës”, Koncili na mëson se “nuk ekziston një ekumenizëm i vërtetë pa një kthim të brendshëm. Në fakt, dëshira e njësisë lind dhe piqet prej ripërtëritjes së shpirtit, prej mohimit të vetes dhe  prej ushtrimit të plotë të dashurisë”[7].  Nëna Tereze që nga themelimi i kongregatës së saj, me thirrjen në thirrje, mohoi një mënyrë të jetesës dhe mori një jete të re, për ta thënë me fjalët e papa Françeskut, një stil të ri të jetës, të mohimit të vetes dhe ushtrimit të plotë të dashurisë, duke iu shërbyer të varfrit ndër më të varfër. Sigurisht se qëllimi i parë ishte shërbimi ndaj të varfërve vetëm në lagjet e Kalkutës, por misioni i saj u përhap në mbarë oikouménē dhe cathŏlicus (kathólou), e cila si moto të misionit të saj e vendosi fjalën e Krishtit në Kryq “kam etje” (Gjn 19,28), etje besimi, dashurie dhe bashkimi të mbarë Kishës dhe njerëzimit, sepse “feja është dhuratë e Zotit. Pa fe nuk ka jetë. Feja na aftëson për jetë, na bën njerëz të regjur, na ndihmon të bëjmë mirë, na largon nga vetjakësia, nga babëzitë. Feja dhe dashuria shkojnë së bashku, ato e plotësojnë njëra-tjetrën”[8]. T’i bëjmë gjerat e vogla me dashuri të madhe, porosiste Nëna Terezë, sepse pa dashuri s’jemi asgjë (1 Kor 13,2), dhurata e gjithë bamirësisë dhe dashurisë lind nga feja, sepse “njerëzit janë krijuar për sende të mëdha: për të dashur dhe për të qenë të dashur”[9], ashtu siç na porosit Jezu Krishti, “Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin! Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.” (Gjn 13, 34-35).

Kthimi i zemrës, për të cilin na porosit Koncili, u realizua tërësisht në jetën dhe misionin e Nënës Tereze. Më misionin e saj, duke hapur shtëpi bamirësie në gjitha vendet e botës, duke shtegtuar në çdo shtet për të përhapur gëzimin e Ungjillit nëpërmjet kthimit të zemrave. Kjo hapje ndodh kur bota ishte e sunduar nën diktaturën komuniste, diktatura ushtarake, por e cila depërtoi në brendësinë e tyre për të sjelle ngushëllim dhe paqe. Kjo paqe fillon me Jezu Krishtin, e cila kërkon të krijon relacion më njeriun. Ungjilli i Shën Gjonit fillon, “në fillim ishte Fjala.” (Gjn 1,1), Fjala, e cila është ne relacion. Në këtë relacion është i ftuar njeriu. Një relacion dhe dialog njëri me tjetrin, sepse njeriu nuk është i thirrur të bëjë monolog, por të hyn në dialog me tjetrin dhe me të tjerët. Është një thënie që në takimet ekumenike përdoret zakonisht për të treguar rëndësinë  e ekumenizmit se “në fillim ishte relacioni”, e cila dëshmon edhe pse njeriu e ka lirinë e tij të pamohueshme, aftësinë, krijimtarinë, njohurinë dhe shumë atribute të tjera, të gjitha këto i shërbejnë për të hyrë në relacion me tjetrin. Pra, kthimi i zëmrës e prek tërësinë e njerëzimit. Nuk është vetëm aspekti fetar në pyetje, si doktrinë, por ajo fe, e cila shprehet nëpërmjet dashurisë të cilën më së miri e ka dëshmuar Nënë Tereza, e cila kërkon një hulumtim edhe në aspektin ekumenik, të dialogut ndërfetar dhe dialogut me botën. Por ky dialog ekumenik nuk duhet të shikohet që i takon vetëm raportit mes Kishave. Ky dialog ekumenik duhet të realizohet edhe përbrenda Kishës, famullisë, një territori në të cilën gjinden institucionet, shkollat, spitalet, të anashkaluarit, të varfrit, të sëmurit, të rinjtë etj. Pra, duhet filluar nga ekumenizmi i brendshëm, ashtu sikur Nënës Tereze, e cila e dërgojë në periferitë më të harruara të botës ekumenizmin e dashurisë së krishtere, e pushtoi tërë botën më kthimin e zemrës dhe nga kjo atëherë mund të kalojmë në ekumenizmin e jashtëm me kishat dhe bashkësitë e tjera të krishtera. 

Nëna Tereze me misionin e saj, duke i shërbyer të varfërve, të braktisurve, sëmurëve, i preki zemrat e Kishave dhe bashkësive të krishtera, e sfidoi me veprën e saj edhe ritmin e të vepruarit që e kishte Kisha në atë kohë, duke arritur të paarritshmen dhe, “Për këtë arsye duhet të kërkojmë prej Shpirtit Shenjt hirin e një vetëmohimi të sinqert, të përvujtërisë dhe të ëmbëlsisë në shërbim dhe të bujarisë vëllazërore të ndaj të tjerëve. Për të vazhduar misionin e Krishtit, i cili “s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer” (Mt 20,28)”. (UR, nr. 7). Nëna Tereze nuk bëri asnjë planë – program të botuar në ndonjë vepër, por vetëm u vu në shërbim, deri te dëshmia më e madhe që ndonjëherë kam lexuar në jetën e shenjtërve kur një i gërbulur i cili po vdiste i thotë: “Deri sot kam jetuar si një kafshë, ndërsa tani po vdes si një engjëll”. Në gjitha shkrimet dhe lutjet e saja, e shpreh rolin e dashurisë, “njerëzit janë krijuar për dashuri. Bota ka ftohtësi të madhe. Bota kërkon dashuri. Mos të  japim teprica, kur japim teprica nuk e kuptojmë sa duhet i varfëri. Zoti i ka për zemër të gjithë njerëzit. Krishterimi si dhuratë dashurie u jepet të tjerëve. Edhe sot Zoti e do botën. Ai të dërgon Ty dhe mua, që të bëjmë me dije se e do botën dhe se ende ka mëshire për botën. që të mund ta japim krishterimin dhuratë, duhet të kemi fe, sepse feja e përditshme është dashuri, dashuria e përditshme është shërbesë”[10].

Nëna Tereze është lexuese e kujdesshme e shenjave të kohës dhe i përgjigjet kërkesave të saj, duke i hap shumë shtigje me të gjitha mjetet, që të prekë pikërisht kthimin e zemrës dhe këto mjete janë: shërbimi ndaj të varfërve pa dallim feje, sikur Samaritani i mirë (Lk 10,25-37), lutja, përhapja e Lajmit të Gëzueshëm në mbarë botën, thirrja e saj për paqe, për të drejtat e njeriut, i cili kontribut i shpërblehet edhe me mirënjohje dhe më çmimin Nobel.

Në nxitjen, të cilën na bën Koncili për kthimin e zemrës, edhe Gjon Pali II në enciklikën Ut unum sint, ndër të tjera na porosit: “Duke kaluar nga parimet, nga imperativi i ndërgjegjes së krishterë, drejt realizimit të rrugës ekumenike drejt unitetit, Koncili II i Vatikanit thekson mbi të gjitha nevojën për kthimin e zemrës. Shpallja mesianike “koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër” dhe apeli pasues “kthehuni dhe besoni Ungjillit” (Mk 1,15) me të cilin Jezusi përuron misionin e tij, tregojnë elementin thelbësor që duhet për të karakterizuar çdo fillim të ri: nevoja themelore për ungjillëzim në çdo fazë të udhëtimit të shpëtimit të Kishës”[11]. Nëpërmjet këtij ungjillëzimi pothuajse të heshtur, në periferitë më të harruara të asaj kohe shpërthen vepra e katolicitetit të Nënë Terezës, e cila duke e pa nevojën e madhe për bashkimin e Kishës ajo lutet:

“O Zot, të lutem për Kishën.

Janë shumë kisha,

por, ti o Zot e din

së është vetëm një.

 

Na dhuro dashuri dhe mëshirë:

vetëm kështu një ditë të gjitha kishat

mund të jenë Një.

 

Ti ke thëne: sikur

Unë e Ati jemi një,

ashtu, një e vetme, duhet të jetë edhe kisha!

 

Na bashko të gjithëve,

O Zot,

në fuqi, gëzim, dashuri.

na dhuro paqen,

neve dhe kishës”[12].

 

Nga kjo fillojmë të kuptojmë se kontributi i dëshmuar nga Nëna Tereze, është tërësisht e bashkimit, nëpërmjet kthimit të zemrës, dashurisë, lutjes dhe bamirësisë qe e preke tërë ekumenen, sepse “ky kthim i zemrës dhe kjo shenjtëri jete, se bashku me lutjen private dhe publike për njësinë e të krishterëve, duhet të konsiderohet si shpirti i krejt lëvizjes ekumenike dhe me të drejtë mund të quhet ekumenizëm shpirtëror”[13].

Në gjithë veprën e Nënë Terezës mbretëron primati i dashurisë, gjatë gjithë aktivitetit të saj, takimeve me bashkësitë fetare, ajo flet për dashurinë e Krishtit, e cila duhet të na bashkojë në kujdes të ndërsjellët. Ajo është njëra nga figurat më të ndritura të shekullit njëzet, sepse për të dashuria e krishterë nuk njeh kufi. Nëna Tereze i donte të gjithë pa dallim kombi, race, feje, ngjyre, pozite shoqërore, kulture, janë këto që e bëjnë Nënë Terezën, Nënë të mbarë Ekumenes, prandaj sipas ftesës së Gjon Palit II, “të përparojmë në rrugën që çon në kthimin e zemrave në ritmin e dashurisë që i drejtohemi Zotit dhe, në të njëjtën kohë, për vëllezërit: për të gjithë vëllezërit, madje edhe ata që nuk janë në bashkësi të plotë me ne. Nga dashuria lind dëshira për njësinë edhe në ata që gjithmonë e kanë injoruar nevojën e saj. Dashuria është arkitekti i bashkimit midis njerëzve dhe ndërmjet Komuniteteve. Nëse e duam njëri-tjetrin, ne priremi ta thellojmë bashkimin, ta drejtojmë drejt përsosmërisë”[14].

Ne imazhin e veprimtarisë së Nënës Tereze duhet ta lexojmë edhe ekzortën post-sinodale Evangelii gaudium, e cila buron nga Sinodi i jashtëzakonshëm me temën “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”e  mbajtur në Vatikan nga data 7 deri më 28 tetor 2012, e cila kapitullin e katërt ia dedikon ekumenizmit. Nëpër rreshtat e tërë ekzortës mund ta prekim jetën e Nënës Tereze, ku e gjithë kontributi i saj në ekumenizmin shpirtëror ka bazën në Fjalën e Zotit. Që dialogu ekumenik i të krishterëve të zhvillohet mbi bazën e së vërtetës, ballafaqimi ka nevojë për një element të pazëvendësueshëm: dashurinë.

Shumë heshtje shekullore u shndërruan në fjalë dhe gjeste bashkimi. Vëllazërimi ndërmjet gjithë të krishterëve u ri-zbulua dhe u ri-ndërtua, si kusht i dialogut, i bashkëpunimit, i lutjes së përbashkët, i solidaritetit, për të cilën e kemi dëshmi edhe rolin e Nënë Terezës. Mbi të gjitha, duhet promovuar ekumenizmi i kthimit të zemrës dhe i dashurisë, i cili buron drejtpërdrejtë nga urdhërimi i ri që u dha Jezusi nxënësve të vet. Dashuria, e shoqëruar nga gjeste konkrete, krijon besim, hap zemrat dhe sytë, për rolin që i krishteri e ka në botë. Kjo më së miri u realizua edhe në veprimtarinë e Nënë Terezës, duke hapur shumë dyer të mbyllura në shtete të botes, dhe bamirësia e dashuria e saj duke trokitur në zëmrën e shumë bashkësive të krishtera. Dialogu i dashurisë, për vetë natyrën e tij, promovon dhe ndriçon dialogun e së vërtetës: e pikërisht në të vërtetën e plotë do të arrihet takimi përfundimtar drejt të cilit na prin Shpirti Shenjt./drita.info

 

———————————–

[1] Dokumente të Koncilit II të Vatikanit, Shkoder, 2012, Unitatis Redintegratio, fq. 355-381, dhe Nostra Aetate, fq. 677-684.

[2] P. Neuner, Teologia ecumenica, Queriniana, 2011, fq. 7.

[3] Krh. T. Francesca Rossi, Manuale di Ecumenismo, Queriniana, 2012, fq. 18.

[4] N. Zingarelli, a cura di M. Dogliotti e L. Rosiello, Vocabolario della lingua Italiana, 1995, fq. 138.

[5] Krh.P. Neuner, Teologia ecumenica, fq. 8-9.

[6] Unitatis Redintegratio, nr. 1.

[7] Unitatis Redintegratio, nr 7.

[8]  Don Pren Kola, Nëna Tereze, një jetë për të tjerët, Drita, Prizren, 1997, fq. 23.

[9] P. Kola, Nëna Tëreze, një jetë për të tjerët, fq. 25.

[10] P. Kola, Nëna Tereze, një jetë për të tjerët, fq. 25-28.

[11] Gjon Pali II, enciklika, Ut unum sint, nr. 15.

[12] Madre Teresa, Preghiera, Piemme, 1997, fq. 24.

[13] Unitatis Redintegratio, nr 8.

[14] Gjon Pali II, enciklika, Ut unum sint, nr. 21.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »