Të dëgjosh me kënaqësi

Jun 5 • Meditimi i ditës

5 qershor 2020 – E premte, Shën Bonifaci, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Tim 3, 10-17; Ps 119, 157.160-161.165-166.168; Mk 12, 35-37)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe e marr me mend praninë e fshehur të Zotit në sende:

në elemente duke dhënë që ato të ekzistojnë;

në bimë duke u dhënë atyre jetën; në kafshë duke u dhënë atyre që të ndiejnë;

dhe në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto por edhe më shumë,

më bënë tempull, banesë të Shpirtit Shenjt.

 

Liria

Nuk ka situatë prej të cilës nuk do të mund të dilja edhe më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia shpesh herë janë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet të jenë patjetër të plotësuara.

I lutem Zotit që nëpërmjet lirisë sime

t`i bëjë muzikë dëshirat e mia në një melodie gjallëruese dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Momentalisht ku në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer me mendime disa muaj prapa,

a jam i/e aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të begatshëm?

Nëse kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që në të ardhmen do t`iu siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën që të përgjigjem në porosinë e ungjillit:

që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mk 12, 35-37

 

35 Kurse Jezusi, duke mësuar në Tempull, bëri këtë pyetje:

“Si mund të thonë skribët se Mesia është biri i Davidit, 36 kur vetë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, tha:

‘I tha Zoti Zotit tim:

rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu

shtrojë të këmbëve të tua?’

37 Vetë Davidi e quan atë Zot! Si është atëherë i biri?” Masat e popullit e dëgjonin me kënaqësi.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Imagjinoje skenën në këtë Ungjill. Jezusi po mëson një turmë të madhe njerëzish. Shih veten atje, duke e dëgjuar Jezusin. Turma po kënaqet me të dhe fjalët e tij. Si është të jesh atje me ta? Si ndihet njeriu?
  • Çka vë re në lidhje me Jezusin ndërsa ai mëson? Si të duket ai?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri këtë skenë, qëndron me imazhet në imagjinatën tënde dhe vë re se si reagon, si ndihesh përballë Jezusit.

 

Bashkëbisedimi 

Kjo mënyrë e argumentit i gëzon dëgjuesit e Jezusit, edhe pse kjo duket e çuditshme pak. Kur skribët mësojnë se Mesia është biri i Davidit duket se thonë se ai është më i vogël se Davidi. Jezusi thotë se Psalmi 110 (i përdorur gjatë kurorëzimit të mbretit) tregon të kundërtën. Në rreshtin hyrës Davidi (i cili konsiderohet se është autori i tij) shkruan se “Zoti” (Hyji) i thotë “zotit tim” (mbretit). Për këtë arsye “zoti im” ose Mesia është superior ndaj Davidit. Ka madje një aluzion të pozitës hyjnore, ose të paktën një marrëdhënie hyjnore në atë që vijon: “Ulu në të djathtën time.”

A e thellon ky reflektim kuptimin tënd se kush është Jezusi? 

Imagjinoje tani që Jezusi i ka mbaruar mësimet. Turma ka shkuar. Ti je vetëm atje me Jezusin. Merr pak kohë për të folur me të. Çka dëshiron t’i thuash atij se si ndihesh me të, ose me jetën tënde?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Jezus, ti i ke provokuar njerëzit të mendojnë se kush ishe ti me të vërtetë. Ti vetë nuk kishe ndonjë krizë identiteti! Zoti që në mënyra të mistershme ishte zbuluar në të kaluarën tani është duke u bërë i njohur me anë të Fjalës së Mishëruar. Jezus, ti na zbulon se kush me të vërtetë është Zoti.

Po e pyes veten: Kush është Jezusi për mua? Si do t`ia prezantoja atë dikujt tjetër? Të gjithë titujt janë të papërshtatshëm për të. Mbi të gjitha, ti është Biri i Hyjit. Të kalosh kohën me ty, kjo do të thotë të të njoh gjithnjë e më shumë. Është një ftesë e përhershme për të krijuar një marrëdhënie më të thellë me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »