Binomi “Fe & Arsye” – paradigmë e shpirtit europian

Jun 6 • Opinion

Nga  Don Fatmir Koliqi

 

 “Credo ut intelligam”

Shën Anselmi

I.

Nuk besoj të ketë ndonjë njeri në hapësirën tonë shqiptare, që të mos e ketë dëgjuar të famshmin pohim të përçudshëm se “feja e përjashton arsyen apo arsyeja e përjashton fenë”, një prodhim ky i tkurrur i mendjes komuniste me ngjyra të ideologjisë marksiste-leniniste, që e ka helmuar shpirtin shqiptar për disa dekada të tëra. Por jo vetëm këta. Ka edhe ideologji të tjera finoke (p.sh. shkencizmi) që mendojnë ngjashëm. Feja, sipas këtyre, është e kundërta e arsyes, irracionale, utopike e gjepura të tilla. Me fjalë të tjera, feja është një fushë jo shkencore, kurse fetarët do të ishin, sipas këtij pohimi, dështakët e mendjes e të shkencës që ngarendin të pavetëdijshëm në botën e paarsyeshme e, si të tillë, s’ia vlen të humbësh kohë kot për t’u marrë me ta.

Këtë pohim e rikujtova teksa po lexoja për shenjtin e ditës në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike, më 21 prill, datë e cila shënon përkujtimin e Shën Anselmit, ipeshkëv dhe mësues i Kishës; i njohur si pionier i diskutimeve filozofike dhe teologjike rreth binomit të famshëm të krishterimit, fe – arsye.

Me thënë të drejtën, pohimi i lartpërmendur, mua gjithmonë më është dukur i huaj, në mos qyqar, dhe krejt i paarsyeshëm, sepse jeta e ka provuar të kundërtën – ndonëse nga dy taborët mund të gjenden përjashtime. Ndaj, kurrë nuk më ka shkuar në mendje të bëjë një ndarje të këtillë arbitrare e as që ka ndikuar ndopak në botëkuptimin tim. Përkundrazi, ka nxitur shumë rahati në kërkimin dhe përthellimin e kësaj harmonie të bukur të natyrës së njeriut. Kështu pra, nuk më ka ndodhur që të besoj pa arsye, apo të mendoj se feja ime është “e pamend”.

Këtë e kam provuar edhe shkencërisht në takimin tim të parë me filozofinë, dhe me sistemin e mendimit të skolastikës, gjatë studimeve të mia të filozofisë në Zagreb për dy vjet rresht, në vitet e ‘90, përkatësisht gjatë formimit tim për prift. Ishte një takim/zbulim fatlum e magjepsës, e njëkohësish shkaktar kokëdhimbjesh për një kohë, derisa arrita të kap atë strukturë rigoroze filozofike dhe teologjike, që as sot s’mendoj se e zotëroj tërësisht. Por, kjo më ka bërë mirë, sepse e pati thyer botëkuptimin e deriatëhershëm naiv e të brishtë djaloshare, të marrë nga e sipërfaqshmja e padurueshme dhe ideologjike e “skolastikës” së stërvarfëruar në vendin tonë ndër ato vite, që është prodhim i kasnecëve të pohimit të mësipërm.

Në këtë kohë të studimeve jam takuar për herë të parë me emrin e Shën Anselmit, si njëri ndër filozofët dhe teologët e parë (para) skolastik të shek. XI. Ndryshe, kjo kohë konsiderohet si koha e ndryshimeve të mëdha, përkatësisht e lulëzimeve të mëdha të studimit, formimit dhe edukimit universitar në Europë. Në ditët e vetëzolimit të pandemisë Covid-19, kam rilexuar me mall këtë autor dhe studime rreth tij. Më kanë dhuruar freskim për mendjen dhe zemrën, dhe si të tilla po i paraqes shkurtimisht në këtë shkrim.

 

II. 

 “Anselmi shfaqet në shek. XI si një meteor i mendimit” – thotë J. R. Pouchet. E kishte pasuar të njëjtën linjë të mendimit nga G. S. Eriugeni, mendimtar në zë i shek. X., që së bashku konsiderohen pionierët e skolastikës – ky sistem gjigant i mendimit – që ka formësuar mendjen dhe zemrën e mesjetës për të qenë themeli i sistemit të mendimit europian perëndimor i të ardhmes.

Anselmi, i lindur në vitin 1033, njihet si Shën Anselmi nga Aosta apo Shën Anslemi i Canterburyit. Emërtimi i parë vjen nga vendi i lindjes së tij Aosta, në Piemonte të Italisë, kurse i dyti nga shërbimi i tij si argjipeshkëv i Canterbury-it në Angli.

Studioi në shkollën e bashkatdhetarit të tij Lanfranco di Pavia në manastirin benediktin Le Bec – Hellouin (Normandi-Francë), ku në të njëjtin vend më vonë u bë murg benediktin (viti 1060). Do ta zëvendësojë mësuesin Lanfranco-n në tri detyra të rëndësishme: në shkollën e manastirit, në detyrën e prorit e pastaj edhe si abat (viti 1078). Kurse, në vitin 1093 ftohet nga mbreti i Anglisë Guglielmo II për ta marrë selinë e argjipeshkvisë së Canterbery-t, që ishte vakante për shkak të vdekjes së Lanfranco-s (1089). Kalon në amshim në Canterbery në vitin 1109.[1]

Thuhet se në formimin intelektual dhe human është e rëndësishme se kënd e ke/zgjedhur mësues, udhërrëfyes dhe çfarë metode përdor gjatë këtij formimi – thënë figurativisht cilën “dritare” përzgjedh për ta nxjerrë kokën në botë. Anselmin e ri e pati magjepsur fama e Lanfranco-s, mësues dhe abat i manastirit Le Bec – Hellouin, një autoritet i kohës si për nga jeta rregulltare po ashtu edhe për nga gjerësia dhe thellësia në dije. Kjo magjepsje e dërgoi në manastir për të dëgjuar, e për t’u formuar nën udhëheqjen e këtij njeriu më me famë për nga intelekti dhe feja, një personalitet i preferuar, jo pa arsye, prej shumë klerikëve si maestro i tyre (Eadmer).

Formimi i Anselmit nën drejtimin e maestro-s Lanfranco di Pavia bëri që ai të shkonte gjurmëve të mësuesit, në rregulltari dhe studime, madje-madje e tejkaloi në shumëçka atë, posaçërisht në studimet filozofike, në finesat e mendimit spekulativ, saqë kapi majat e racionalitetit dhe u bë njëri ndër nismëtarët e skolastikës dhe një bir i denjë i Shën Benediktit, si në përshpirtëri, ashtu edhe në brumosjen e  mendimit dhe kulturës së kontinentit. Rezultati i kësaj ecje krijoi te ai një figurë komplete, në të cilën mishërohej mjeshtërisht dhe mprehtësisht filozofi dhe teologu, me një logjikë rigoroze dhe të përsosur me finesat e saja spekulative, besimtari kërkues i kuptimit të fesë dhe bariu i shpirtrave me një edukim e shoqërim miqësor.

Gjatë shekujve, e deri në ditët tona, kjo figurë nuk ka pushuar asnjëherë të tërheqë vëmendje tek mendjet filozofike, teologjike, e tek ata persona që e kanë në shpirt një finesë logjike të shqyrtimit të gjërave në fushën e shkencave humane, si dhe te dashamirët e mendimit dhe përshpirtërisë së krishterë. Ai do të mbesë një emër reference dhe figurë kyçe e mendimit filozofik dhe teologjik perëndimor. Edhe pse “në mbarim të jetës së tij – thotë Richard William Southern – “ishte jashtë modës, por mendimi i tij nuk njeh modë dhe mund të rimerret në çdo kohë; është i freskët si përherë.” Freskia që e theksoi Southern është sinonim i qëndrueshmërisë, i konsistencës mbi çështjet e tejkohshme me të cilat është marrë Shën Anselmi në lëmin e filozofisë, teologjisë, logjikës, gramatikës, pastoralit, edukimit, të cilat i ka paraqitur në veprat e tij më të njohura si: “Monlogion”; “Proslegion”; “De veritate”; “De grammatico”; “De libertate arbitri”; “Cur Deo homo”.

 

III.

Koha kur jetoi Shën Anselmi karakterizohet me shkëndijat e para të krijimit të një sistemi shkollor, të mendimit sistematik dhe raporteve të teologjisë me filozofinë. Është koha para krijimeve të Universiteteve (universitas) në Europë, kur u krijuan shkollat (scholae) pranë kuvendeve (kryesisht benediktine), katedraleve dhe pallateve mbretërore, të cilat ishin fole të kulturës, me bibliotekat e tyre të pasura, të cilat ruajtën veprat klasike dhe formuan mendjet e vazhdimit të studimeve të njohura si shtatë artet liberale të mësuara në dy forma si trivium (gramatikë, retorikë dhe dialektikë) dhe quadrivium (aritmetikë, gjeometri, astronomi dhe muzikë).

Në këtë atmosferë të kulturës edukative dhe shkollore u formua mendja dhe zemra e Shën Anselmit, i cili e avancoi dukshëm vizionin e pararendësve të tij. Krejt jeta e tij prej studiuesi mund të përmblidhet në binomin “feja dhe arsyeja”. Sipas tij, nuk është e mjaftueshme vetëm të besosh, por duhet ta kuptosh (intellectus/ratio) fenë (fides) tënde, atë çfarë beson. E kjo mund të bëhet, pos zbulimit (revelatio), Shkrimit të shenjtë (Sacra scrittura apo auctoritas), traditës apostolike (traditio apostolica), edhe përmes kërkimit (quaerere) sistematik racional autonom. Është një ushtrim i arsyes në fushën e fesë, që përmes parimeve racionale shpërfaqet e vërteta e fesë së krishterë duke e provuar harmoninë e saj me mendjen, arsyen, intelektin apo të kuptuarit që mund ta arrijë njeriu; ky proces nxjerr në sipërfaqe fisnikërimin e mendjes, arsyes dhe intelektit të njeriut. 

Janë tri koncepte që e kanë shoqëruar jetën e Anselmit: arsyeja/kuptimi – kërkimi/studimi – feja/jeta. Këto tri koncepte kanë formuar fjalinë e famshme të tij: “Fides quaerens intellectum” – feja që kërkon të të kuptuarit intelektual, që ishte menduar të ishte edhe si titull i librit të tij më të famshëm “Proslogion”.

Këto tre fjalë/koncepte u bënë mandej edhe baza mbi të cilin u krijua vizioni skolastik i Mesjetës së vonë, apo lajtmotivi/programi themelor i kërkimit të skolastikës – që synohej të bëhej një depërtim në thellësitë e zbulimit të krishterë, përmes arsyes për ta krijuar sistemin racional të doktrinës – për të vërtetat e krishtera. Kulmin e saj skolastika do të mbërrijë në shek. XIII dhe XIV me figurën e përbotshme filozofike dhe teologjike dhe simbolin e skolastikës, me Shën Tomë Akuinin, doktorin engjëllor, pa të cilin nuk mund të mendohet historia e mendimit perëndimore. 

 

IV.

Ta mendosh më të lartën Qenie, është lutja soditëse spekulative e Shën Anselmit. Ai meditonte gjatë mbi konceptet. I pëlqente rigoroziteti dhe dendësia e mendimit mbi konceptet spekulative dhe ato atëherë i shprehte me një gjuhë të qartë, në një konstruksion rigoroz logjike. Kjo metodë e tij kishte për synim prodhimin e një vizioni të gjerë: një mendim solid, të ngjeshur e të stërngjeshur për të mbetur gjallë gjatë stuhive të shekujve – për një të ardhme të largët.

Meditimi i tij kishte një pikëvështrim, një paradigmë për t’i parë gjërat e për t’i medituar ato, të cilën mund ta quajmë paradigmë anselmiane: ai i afrohej një koncepti me shumë respekt e admirim, e meditonte atë gjatë e thellë, e shqyrtonte në horizonte të përtejkëtushme, e përthithte të tërën në qenien e vet dhe pastaj e krijonte, e formonte mendimin duke u nisur nga amshimi – sub specie aeternitatis. Kjo paradigmë e tij dhe ky amshim prej kah nisej procesi i tij i të menduarit (zbulimi hyjnor), jetonin në përbrendësinë e tij të qetë të jetës në kuvend, që merrte forma konkrete në lutjen kontemplative. 

Anselmi kishte nxjerrë “tempermanetin” e tij intelektual dhe shpirtëror në Manastirin e Le Bec, përmes soditjes, në kuptimin e gjerë të fjalës, si dashuri për çështjet spekulative, që kanë për qëllim për ta gjetur të vërtetën, një vizion kërkimi ku “intellectus”, përkatësisht “ratio”, nuk do të ishte si një antitezë e “fides”, as fides si një alternativë e njeriut mendimtar, e as e një teologu kundrejt filozofit apo anasjelltas, por si një komplementaritet e motërzim integral i njëmendësisë së mendimit njerëzor dhe si një simbiozë, përbashkim i natyrshëm në shtegtim për të banuar të vërtetën, përkatësisht në të vërtetën, që është aspirim i përhershëm i njeriut; besimtarit të pjekur. Kjo bashkëshkrirje  anselmiane synonte të arrijë unitetin në personin e tij model prej mendimtari, filozofi, teologu, murgu, abati, argjipeshkvi e besimtari, e që u bë dialektika e jetës së tij, logjika e mendimit të tij dhe frymëmarrja e besimit të tij.

Mendimi spekulativ në teologji – krishterim – kurrë nuk është një mund i kotë, ndonëse ka edhe prej atyre që e konsiderojnë si të tillë, jo vetëm njerëz jashtë bashkësisë së krishterë, por edhe brenda e saj. Sot, në përgjithësi e vërejmë njëlloj shmangieje apo bezdie nga mendimi rigoroz dhe logjik. Krejt kjo ka ardhur për shkak të përqafimit të një mondaniteti likuid, prirjeve/metodave moderne të brishta dhe konsumit bashkëkohor që shprehet me sloganin “përdor dhe hidh”, që e kanë varfëruar mendimin (e krishterë) duke e kërrusur përdhé, i shfaqur si një menaxhim i modës për tejkalimin e kohës së lirë dhe për zbavitje e dëfrime të rastit, pa një përmbajte solide për edukimin e shpirtit njerëzor të qëndrueshëm integral, pa themel dhe pa elemente udhërrëfyese. Mendimi spekulativ teologjik dhe filozofik në krishterim janë si muskuj të stërvitur që e mbajnë të qëndrueshëm (e në këmbë) jetën e saj dhe e mbrojnë prej stërkeqjeve e tendencave mitizuese moderne.

Prandaj, mendimi apo meditimi spekulativ – racional në teologji, përgjithësisht në kulturën e krishterë, është jetik, është një gjakim për kapjen e lartësive, shndritjen e mendjes me “mendjen” e Hyjit – është një paraprijëse, respektivisht motërizim i meditimit soditës. Nuk duhet të merret si humbje kohe a “çarje dërrasash” – siç thuhet nga të pazotët e botës spekulative – e pa një qëllim të saktë. Pa këtë gjakim dhe pa këtë mund logjik, spekulativ dhe filozofik, nuk mund të krijohet një sistem i mendimit të qëndrueshëm teologjik, një qartësi për fenë dhe për besimin që e bartim, e as veprimtarinë që e bëjmë.

Anselmi – në këtë drejtim – paraqet një vijimësi besnike të traditës së krishterë, që e gjejmë në zanafillën e saj, përkatësisht te Logosi i Shën Gjonit ungjilltar. Gjoni, veç tjerash, e koncepton Zotin si Arsye dhe Kuptim i qenësisë, ekzistencës, i cili vjen dhe bëhet pjesë e mendjes së njeriut, apo thënë me fjalë të tjera, Logosi e hyjnizon ratio-n e njeriut, t’u e bâ Tendën e tij ndër të vetët (khs. Gjn 1). Logosi është logjika – mendja, arsyeja, kuptimi (e/i Atit), i dhuruar njeriut nëpërmjet mishërimit në personin e Jezusit, që i ofrohet botës si modeli (i mendimit) dhe figura e njeriut të përsosur.

Edhe Shën Pali, në fjalimin e tij në Areopagun e Athinës (khs. Vap 17, 22-31), e vazhdoi këtë mendësi ungjillore dhe ekleziale, që me të drejtë do të merret si një ndër diskurset më me ndikim në qytetërimin perëndimor, dhe si nisja e dialogut të fesë dhe arsyes. Pali apostull prej Jerusalemit e fillon dialogun me filozofët e Athinës në Areopag – këtë tryezë diskutimesh/diskursesh – dhe  bëri të nisë konkretisht takimi i dy paradigmave perëndimore. Dy qytete simbole të botëkuptimeve, paradigmave rreth çështjeve ekzistenciale, apo mund të përdorim figurativisht si dy qendra, të arsyes dhe të fesë. Në këtë mënyrë, Jerusalemi (Izraeli) dhe Athina (Greqia) bëhen bashkë për të përplotësuar njëra – tjetrën (me qëllim) për të depërtuar në thellësitë dhe lartësitë e qenësisë dhe të qenit në këtë botë, raportin me shkakun e gjithçkaje dhe realitetin empirik. Pali – “filozofi i Jezusit” – u takua me “hyjninë e panjohur” në panteonin helenik dhe e hetoi te këta damarin (filozofik) për të përtejshmen që mendja greke e kishte piketuar, por pa një përmbushje të kuptimit dhe pa një qartësi për ta definuar. Prej këndej edhe “i panjohur”. Pali vjen me diskursin e tij dhe i jep kuptim “të panjohurës” së mendimit grek  dhe e afron humnerën e krijuar nga ratio-ja greke, që nuk depërtonte më tej, si për nga frika e afërsisë me të panjohurën ashtu edhe për shkak të kufizimit konceptual për të matanshmen. Pali i ofron dy botët – njeriun e mendjes me njeriun e fesë. Ai përafroi dualizmat dhe fragmentizmat në një tërësi të natyrshme.

Kjo traditë e gjeo-mendjes sonë do të ecë krah për krah gjatë shekujve e do të krijojë një botëkuptim që historia do ta tregojë si ndër më kompaktët deri sot në zbërthimin e ndërligjshmërive të qenësisë. Kësaj tradite filozofike-teologjike europiane i përket edhe Anselmi, i cili i kishte vënë qëllim intelektit të njeriut kërkimin e të vërtetës, si një mision antropologjik dhe teologjik njëkohësisht. Ky mision – tek ai – e kishte një proces të gjatë, thuaj se të vazhdueshëm, i cili fillonte në studime të gjata e të thella e kryhej gjithnjë në lutje soditëse, adhurim!

Shën Anselmi ia kushtoi jetën e vetë soditjes së Zotit përmes studimeve teologjike dhe filozofike për të arritur kulmin e spekulimit hyjnor (divinea speculationis culmen), që me ndritje të Hyjit të mbërrinte të kuptonte çështjet skajshmërisht të vështira mbi natyrën e Zotit dhe të fesë, duke i paraqitur pastaj të shkruara qartësisht me argumente racionale në përputhje me mësimin dhe doktrinën katolike. Mendjen dhe meditimin e tij e ushqente me Shkrimin e Shenjtë (shoqërohej përditë me të dhe e njihte shumë mirë). Pra, këtu e gjejmë shkakun dhe qëllimin e veprimtarisë së tij librore, shkrimeve të tij të njohura, që u përdorën si doracakë në shkolla e universitete.

Zotin, nuk mund ta mendojmë jo ekzistent – mendonte ai – dhe niste meditimi racional dhe zanafilla e shkrimeve Monologion dhe Proslogion, – një soliloquio dhe colloquio me Qenien Supreme (Summa Essentia).

Po kush është ky Zot, për të cilin Shën Anselmi mendon se nuk mund ta mendojmë jo ekzistent?

Ky është “Qenia që asgjë më e madhe nuk mund të mendohet” – “Deus est ens quo nihil maius cogitari potest” (Proslogion). Edhe ai që e mohon, sikur ai i marri i psalmit 53 kur pohon në zemrën e vet se “Zoti nuk ekziston” (rr. 1), edhe ai duhet ta konceptojë Zotin, që të mund të arrijë te përfundimi e të thotë se ai nuk ekziston. Pra – sipas Anselmit – ky i marri duhet t’i jap një kuptim konceptit Zot, që mohimi i tij të ketë një logjikë dhe një kuptim.

Edhe pse Anselmi njihet më shumë për Proslogion-in, nisjen e programit të tij studimor racional e gjejmë te libri i përparmë, te Monologion. Eadmer, sekretari dhe jetëshkruesi i tij, na thotë se Monologion, që është një soliloquio – vetëbisedë, monolog, një meditim racional mbi fenë – autori e ka shkruar, i nxitur nga bashkëvëllezërit e tij në kuvend, me qëllim që vetëm duke e ndjekur rrugën e arsyes, pa referenca te autoritetit të Shkrimit të Shenjtë, të kërkojë të zbulojë dhe të argumentojë se ka Zot dhe me prova racionale të padiskutueshme të tregon se kur feja e pohon Zotin, e pohon të vërtetën dhe nuk mund të jetë ndryshe.

Bashkëvëllezërit e tij në Manastir, kishin bërë një kërkesë për një “doracak”, traktat të këtillë pas një përvoje të përparshme të konferencave të priorit të tyre – që vetëkuptohet se Anselmi i kishte edukuar në këtë mënyrë të arsyetonin e të shqyrtonin fenë e tyre. Pra, pasi kishin dëgjuar diskurset e tij filozofiko-teologjike, meditimet e tij të thella e të ngjeshura me koncepte që rrallë kuptoheshin e arrinin të përthitheshin prej të gjithëve, atëherë pse mos të bëjë një doracak për bashkësinë, që disputatio questionis dhe meditationis e tyre të përditshme – diskutimet për çështje të larta filozofike dhe teologjike dhe meditimet mbi Zotin të mos e merrnin një strukturë të qëndrueshme për t’u bërë një ndihmë, një instrument për të gjithë, që ta ndjekin të njëjtën rrugë meditimi dhe soditjeje.

Kështu, pra, lindi Monologion-i i Anselmit. Ai donte të demonstronte ekzistencën e Zotit duke u nisur vetëm nga shqyrtimet që gjithkush mund t’i bëjë mbi gjërat që vetë jeta i ofron, edhe pse ky “gjithkush” s’ka dëgjuar asnjëherë mësimin e krishterë e as që do ta propozojë fenë (Mon. I). Ky “gjithkush” me venerimin empirik të realitetit, gjësendeve që na rrethojnë, arrin të shosh dhe të përfundojë se ekzistenca e qenieve të përkohshme (ontologjia) dhe të papërsosura (estetika) vjen nga participimi në një Qenie dhe në një e Mirë unike dhe të vetme, nga ai “Lëvizësi i Palëvizur” i Aristotelit, ndonëse Anselmi nuk kishte pasur asnjëherë kontakt me filozofinë e tij.

Kurse në veprën Proslogion – vazhdon të na tregojë Eadmer – që është një colloquio – bashkëbisedim, i titulluar edhe si “Fides quaerens intellectum” (feja në kërkim të të kuptuarit intelektual), që konsiderohet vazhdim i veprës së parë – Monologion – atij i vjen më mendje të kërkojë nga një perspektivë tjetër, përkatësisht nëse do të jetë e mundur të demonstrojë me një argument të vetëm (unum argumentum) atë që e besojmë dhe predikojmë në lidhje me Zotin.

Proslogion bëhet lutja e tij. Pas një aventure të bukur në pjesën e parë të rrugëtimit racional për te Qenia më e lartë (Monologion); dhe pasi e kupton se Ajo e tejkalon, ky e bën hapin e mëtejshëm, të dytë, krejt natyror për të komunikuar me atë Qenie e për t’u lëshuar nën udhëheqjen e saj. Si përfundim i kësaj vetëdijeje logjike, Anselmi nxjerr uratën racionale dhe soditëse: 

«O Zot, ti nuk je vetëm ajo (gjë) për të cilin s’mund të mendohet asgjë më e madhe, por je më i madh se gjithçka që mund të mendohet. Sepse, në fakt, është legjitime të mendohet se ekziston diçka e ngjashme. Po të mos ishe ti i tillë, do të duhej të mendohej diçka më i/e madh/e se ti; por kjo është e pamundshme.» (Proslogion)  

Prandaj, për ta arritur kuptimin e këtij raporti të përtejshëm, Anselmi e vazhdon uratën e tij arsyeshëmrisht të përvuajtur, që kërkimi i tij të shndërrohet në (vetë)besim për të kuptuar:

«Nuk synoj, o Zot, të përshkoj thellësitë e tua, sepse nuk mund të vihem përballë saj në arsyen time as edhe nga larg; por dëshiroj të kap, së paku deri në njëfarë mase të vërtetën tënde, që zemra ime e beson dhe e do. Nuk kërkoj, në fakt, të kuptoj për të besuar, por besoj për të kuptuar (Non quaero intelligere ut credam, sed credo ut intelligam)»  (Proslogion)

Monologio-n Anselmi niset nga poshtë, nga realja, ajo që shohim dhe prekim, nga reflektimi natyror i përbrendshëm që e ndjejmë në vetën tonë kur pyesim mbi shkaqet, arsyen, kuptimin e ekzistencës, dhe atë që është synimi kulmor, definitiv i jetës që na dërgon te Zoti. Dëshirat tona të përbrendshme që i ndjejmë, i peshojmë, i shoshitim me arsye dhe i pranojmë me zemër.

Kurse në Proslogion, ai pikënisjen e ka nga lart, nga Qenia, që presupozohet nga besimi, feja. Ajo që na është zbuluar, dëftuar, na grish për të bërë kërkimin e kuptimit të ekzistencës sonë nën dritën e Tij.

Në këtë mënyrë kuptohet se meditimi spekulativ, përsiatja mendore e të vërtetave të Zotit e regj shpirtin e njeriut besimtar, nëpërmjet të cilit merr shtat feja dhe bëhet e aftë për veprim konkret. Ky veprim bëhet themel, substrat, pa të cilin feja dhe jeta është një lëkundje e përhershme mes dyshimit në mendime dhe kalamendjes në veprime!

Pa meditim spekulativ soditës dhe përsiatje mendore, që e kullon dhe e qartëson mendjen e njeriut, feja, besimi mund të shndërrohen në një kalamendje dhe një dehje të rrezikshme, e cila i prek ndjenjat më të thella të njeriut, duke bërë që me ato të merret psikologjia dhe psikopatologjia, e në rastin më të keq edhe organet e rendit dhe departamentet speciale të kundërterrorizmit.  

 

V.

Shën Anselmi ka qenë njëri ndër personazhet kyçe në ndërtimin e qytetërimit europian. Është një bir i dalluar i Aosta-s, dhe në cilësinë e argjipeshkvit të Canterbury-it, pa dyshje edhe një anglez i dalluar; në jetën e tij sigurisht se mund të njohim një mësim aktual.” – thoshte Kardinal Cormac Murphy O’Connor, argjipeshkëv i Cunterbury-t, pasardhës i tij në katedrën  argjipeshkvore. E kur ja shtojmë këtu edhe jetën e tij në manastirin Le Bec, në Francë, atëherë te ky njeri është realizuar një europian i vërtetë: italian i lindur, francez i formuar dhe anglez në shërbim.

Anselmi është një pikë reference e mendjes europiane, sepse është një model që ka qëndruar fuqishëm në historinë e mendimit filozofik dhe teologjik kundër kritikës historike deri në kohën bashkëkohore. Një model, pra me vlera universale dhe një reference e rrënjëve tona që e përfaqësojnë procesin e stabilitetit të mendjes perëndimore në përmasa të gjëra dhe spekulative.

Anselmi paraqet figurën dhe modelin e njeriut që krijon njohje autonome në vetvete, një mendim i aftë të rigjenerojë koncepte që rrisin dhe zhvillojnë arsyen dhe shpirtin e njeriut. Në këtë mënyrë edhe të prodhojë shkencë, etikë/moral – pra një kulturë në masën e njeriut dhe sipas njeriut. Si e tillë, kjo prodhon ndërgjegjen kolektive njerëzore, vlerat udhërrëfyese pa të cilët lloji ynë – homo sapiens e homo religiosus – shndërrohet në një vagabond të vetmuar e të pakrye në shtegtimet e mëdha e të trishtueshme të jetës.

Mendja e njeriut nuk mund të kapet as të kuptohet pa përmasën e saj shpirtërore; shekullarizimi arbitrar i mendjes është varfëri e padurueshme, apo në njëfarë mënyrë shkëputje e dhunshme e përbërëses së saj të natyrshme, pa të cilën mendja shndërrohet në një makinë boshe e të rrezikshme. Në këtë kuptim, feja është pjesë e aktivitetit mendor dhe fisnikëria e arsyes!

 

VI.

Anselmi nuk e kishte njohur filozofinë e Aristotelit, por ai me plot kuptimin e fjalës e ka jetësuar thënien e Filozofit se “të gjithë njerëzit sipas natyrës synojnë njohjen” (Met. I, 1). Njohja që e ka shtyrë të nxjerr në sipërfaqe aftësitë e mendjes natyrore të njeriut për të kërkuar shkakun e fesë së tij.

Pyetjet “pse besoj?” dhe “çka besoj?”, nuk ishin të zakonshme në kohën e tij, ato erdhën shumë më vonë, por ai në Mesjetë ishte një “modernist” në këtë kuptim, një “i shqetësuar” augustian për të kuptuar besimin e tij në mënyrë racionale, ndaj edhe e donte (sofia) dijen filozofike për ta bërë të arsyeshme fenë e tij.

Pyetja  “në çka besojnë ata që nuk besojnë?”, po ashtu ishte “një tundim” anselmian për ta gjetur arsyen e (mos)besimit të jobesimtarëve, apo atyre që pohojnë se nuk besojnë. Krejt këto çështje filozofike e teologjike rreth fesë dhe ndjenjës së besimit u kthjelltësuan dhe morën formën, apo si të thuash, u strukturuan më vonë me Shën Tomë Akuinin, porse Anselmi ishte pothuajse i pari që i shtroi në nivelin e njohjes dhe të kuptimit racional të besimit. Ai ishte nismëtar i denjë i një historie mendimi filozofik-teologjik, të binomit fe dhe arsye, që nuk pushojnë të shtrohen edhe sot e kësaj dite në të gjitha ndërveprimet tona.

Shën Anselmi qëndron në historinë e mendimit europian si një hallkë e shtegtimit dymijëvjeçar në truallit e stërgjyshërve, për t’u bërë një dëshmi e fuqishme e të bukurës dhe të fismes së krishterimit.

Prandaj, Anselmin me të drejtë e quajnë ati i skolastikës, – një mendje e shkollës, d.m.th. e sistemit të mendimit dhe e një strukture të edukimit të mendjes dhe të zemrës së njeriut europian. Është Anselmi dhe lloji i tij në Kishën Katolike që e kuptojnë se njeriu ka nevojë për një edukim, formim integral, dhe se arsyeja në këtë ecje formative luan një rol të rëndësishëm, madje-madje të pazëvendësueshëm. Sepse, “të mos reagosh sipas arsyes, është e kundërta e natyrës së Zotit.” (Josef Ratzinger)./drita.info

 

—————————————

[1] Për jetën dhe veprën e Shën Anselmit, ekzistojnë dy vepra të dorës së parë: “Historia Nuovorum in Anglia” dhe “Vita Sancti Anselmi” të redaktuara nga sekretari i shenjtit Eadmer, që konsiderohen ndër më të besueshmet jetëshkrime të bazuara në dokumente dhe dëshmi të drejtpërdrejta nga koha e jetës së tij. Kurse personalitetin e tij si teolog dhe filozof konsiderohet ta këtë paraqitur më së miri Richard William Southern, në librin e tij “Saint Anselm. A portrait in a landscape”, i botuar në Cambrige në vitin 1990. Përveç këtyre, për ata që kanë interesim të thellojnë studimet mbi këtë personalitet, ka me mijëra faqe studimore për jetën dhe veprën e tij në gjuhë të botës. Për fat të keq, ne në gjuhën shqipe nuk kemi thuajse asgjë, përveç pak rreshta në Liturgjinë e orëve ose në ndonjë përshkrim shenjtërish të përmendur shkarazi. As ky shkrim nuk synon të paraqes shterrshëm kontributin të tij në mendimin filozofik dhe teologjik, edukativ dhe të përshpirtërisë, por vetëm të nxjerr atë si një figurë të shquar europiane dhe nismëtarin e kushtuar për të bërë të harmonishme binomin fe-arsye, si një paradigmë e botëkuptimit tonë, e që mund të jetë shembull edhe për ne sot që të ecim në këtë drejtim, përkatësisht të na shërbejë për ta ripërtërirë kulturën e të jetuarit në Kontinentin tonë, pa pasur frikë dhe tundim për shkëputje të traditës apo edhe të refuzimit.  

Shpërndaje

Comments are closed.

« »