Pasuria e vejushës së varfër

Jun 6 • Meditimi i ditës

6 qershor 2020 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Tim 4, 1-8; Ps 71 (70), 8-9.14-15b.16-17.22 (Ref. 15a); Mk 12, 38-44)

 

Prania e Hyjit

Në këtë moment, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.
Qëndroj në heshtje një çast,
dhe bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë e Hyjit.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lutem për hirin e shenjtë që të lejoj të lirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke bërë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 12, 38-44

 

38 Pastaj në mësimin e vet u thoshte:

“Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin të tjerët në sheshe, 39 të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. 40Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e bëjnë gjasme thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!”

41 Pastaj u ul përballë arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. 42 Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, d. m. th. një të katërtën e asit. 43 Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha:

“Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që hodhën para në arkë. 44 Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Nderet dhe titujt në Ungjill pësojnë goditje të rënda. T`i kërkosh ato do të thotë të jesh në kundërshtim me rrugën e Jezusit. Kërkimi i vëmendjes për unin vetjak nuk është mënyra se si ai vepron. Në mundime ai bëhet një “askush”, shërbëtori i të gjithëve, person në fund të shkallës njerëzore.
  • Vejusha e varfër që si duket është e refuzuar për shkak të gjendjes së saj, është në fakt një shembull se si duhet të jetë një dishepull. Ajo çka e veja kishte dhënë për nga vëllimi mund të duket e parëndësishme. Kur ta dëgjosh sërish pjesën e ungjillit, vë re se si ajo është lavdëruar për zemërgjerësinë e plotë në dhënien e gjithçka që ajo kishte pasur, jo për shkak të tepricës.

 

Bashkëbisedimi

Kurrë askush nuk do ta dinte se vejusha i ka hedhur dy lepta në arkë. Parat ishin të vogla dhe nuk kanë bërë shumë zhurmë – shuma më të mëdha janë dëgjuar mirë! Jezusi e pranoi kushtimin, dhuratën dhe flinë e saj. Ndoshta vejusha edhe e ka ndjerë veten keq kur Jezusi e mori për shembull. Puna jonë për Zotin mund të jetë e thjeshtë dhe e pavërejtur, por e madhe. E njeh Zoti dhe në sytë e Hyjit është shpërblim i mjaftueshëm. Kujtoje lutjen e Shën Injacit: “Merre, o Zot, dhe pranoje gjithë lirinë time, mendjen time, intelektin tim dhe gjithë vullnetin tim, gjithçka kam dhe posedoj. Ti m`i ke dhënë ato. Ty, o Zot, krejt po t`i kthej; gjithçka është e jotja, dispono me të gjithat sipas vullnetit tënd. Ma jep vetëm dashurinë dhe hirin tënd, kjo më mjafton.”

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.
Kudo që një person ka fuqi, ai tundohet të abuzojë me të. Kjo nuk vlen vetëm për fuqinë e kësaj bote. Por nëse një përparësi e bazuar fetarisht përdoret për interesa vetjake, është e neveritshme para Zotit dhe njerëzve. Që në Besëlidhjen e Vjetër profetët u bënë “antiklerikal”, dhe Jezusi bashkohet me ta. – Tregimi shembullor i lëmoshës së vejushës (r. 41-44) ka vetëm fjalën “vejushë” të përbashkët me pjesën e parë të ungjillit. Me dy leptat e saja, vejusha dha më shumë sesa dhuruesit e pasur. Dhënia nga bollëku nuk është asgjë e veçantë. Por vetëm ata që e kanë dhënë/lëshuar veten në duart e Zotit, mund t’i japin gjërat thelbësore të jetës. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »