Trinia, dashuri krijuese, shpëtuese dhe shenjtëruese

Jun 7 • Meditimi i ditës

7 qershor 2020 – E diel, Trinia e Shenjtë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 34, 4b-6.8-9; Ps: Dan 3, 52-56; 2Kor 13, 11-13; Gjn 3, 16-18)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
Dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
Ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Sot e festojmë të kremten e Trinisë së Shenjtë. Është një festë e dashurisë së pakushtëzuar që Zoti ka për njerëzimin, të cilën Zoti e shfaq si dashurinë krijuese (që është Ati Zot), dashurinë shpëtuese (që është Biri Zot) dhe dashurinë shenjtëruese (që është Shpirti Shenjt Zot). Prandaj Zoti është dashuri, dhe kushdo që jeton në Zotin jeton në dashuri dhe vazhdon të shfaq dashurinë e Zotit ndaj njerëzve të tjerë. Triniteti është një shembull i përsosur për ne se si dashuria na mundëson të hapim zemrat tona ndaj të tjerëve, në mënyrë që t’i afrojmë ata pranë Hyjit dhe që ata të mund ta kenë jetën e re në Zotin. Është kjo dashuria për të cilën dëgjojmë në leximin e sotëm nga Ungjilli sipas Gjonit.

Ta dëgjojmë me mend e zemër:

 

Gjn 3, 16-18

 

Në atë kohë, Jezusi i tha Nikodemit:

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën

sa që dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të,

të mos birret,

por të ketë jetën e pasosur.

17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin

që ta dënojë botën,

por që bota të shpëtojë nëpër të.

18 Kush beson në të,

nuk dënohet,

ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani,

pse nuk besoi

në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Zoti na do në mënyrë që ta kemi jetën e pasosur, të përjetshme. Por kjo dashuri nuk është e detyruar për ne; jepet lirshëm – falas.
  • Imagjinoje këtë dashuri të Zotit që është duke t`u dhuruar ty tani. A ka ndonjë gjë në jetën time që po më ndalon ta marr këtë dashuri pa kushte të Zotit?
  • Ndërsa e dëgjon këtë lexim përsëri vë re se këto janë fjalët e Jezusit. Ai është këtu jo për të të dënuar ty, por për të të ftuar ta pranosh dashurinë e Zotit në mënyrë që ta kesh jetën e amshuar.

 

Bashkëbisedimi

Flas me Zotin tani për këtë ftesë. Kërkoj hirin që kam nevojë në mënyrë që të jem në gjendje ta njoh dhe pranoj këtë Zot që është dashuri krijuese, dashuri shpëtuese dhe dashuri shenjtëruese. I kërkoj edhe që të mund të lirohem nga të gjitha gjërat që më bllokojnë të jetoj në këtë dashuri të manifestuar sot në Trinitet.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që i kalova këto pak momente me ty. Në natyrën e Hyjit është që të jetë dhurues dhe bujar, zemërgjerë. Jezusi na tregon se si duhet të sillemi me Atin – me përvujtëri, gëzim dhe bujari/zemërgjerësi.

Ndjekja apo imitimi i Jezusit është një thirrje në jetë, që ta pranoj identitetin dhe dinjitetin tim të vërtetë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »