I/e lumtur përkundër vuajtjeve?!

Jun 8 • Meditimi i ditës

8 qershor 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 17,1-6; Ps 120; Mt 5,1-12a)

 

Prania e Hyjit

Në këto momente, Hyji është këtu.

Rreth meje, në përjetimet, mendimet e mia dhe thellë në mua.

Ndalem një moment dhe e marr me mend

praninë gjallëruese të Hyjit.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë për të zgjedhur.

Më ndihmo që të zgjedh që të mund të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

Ata në burg, ata që nuk janë të lirë publikisht ta shprehin fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnesën tënde, në të gjitha gjërat që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso sesi të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Që ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e fletës së lules…

Gjithmonë nevojitet të jem i vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhur veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 5, 1-12

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

3 “Lum skamnorët në shpirt

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

4 Lum ata që qajnë

sepse do të ngushëllohen!

5 Lum ata që janë të butë

sepse do ta trashëgojnë tokën!

6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi

sepse do të ngihen!

7 Lum të mëshirshmit

sepse do të gjejnë mëshirë!

8 Lum ata që janë të pastër në zemër

sepse do ta shohin Hyjin.

9 Lum pajtuesit

sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Leximi i sotëm është i njohur si “Lumnitë”, dhe konsiderohet nga shumë njerëz si një model ose një plan për jetën e krishterë. Thjesht kaloje një moment duke menduar se sa njerëz që Jezusi i quajti ‘të lumë’ do të konsideroheshin të lumë në botën tonë sot. A do të mendonim për të varfrit, zemërbutët, mëshiruesit, paqedashësit dhe ata që përndiqen padrejtësisht si të lumë?
  • Tani paramendoje një botë të populluar nga njerëz që me të vërtetë përpiqen për paqen; njerëz që janë të apasionuar pas drejtësisë dhe të drejtës, njerëz që janë të pastër, të butë dhe të mëshirshëm. Mund ta imagjinosh se si do të ishte një botë e tillë?
  • Dëgjoje përsëri leximin dhe vëreje një ose dy nga frazat që ka kuptim më së shumti për ty.

 

Bashkëbisedimi

Jezusi, si Moisiu i dytë, ngjitet në mal për të shpallur ligjin e tij. Është një ligj i zemrës që nuk bazohet në frikë ose ndalime, por në një zemër të hapur të gatshëm të pranojë të kundërtat e jetës dhe të jetojë në plotësi. Ai bazohet në një thirrje për gëzim dhe lumturi.

Katër herë na është thënë se ata që duket se janë më të pafatët në këtë botë, në fakt Hyji ka për t`i bekuar – kanë për të qenë të lumë. Hyji ka për ta ndrequr atë për shkak së cilës gjë ata kanë vuajtur dhe ka për t`iu sjellë drejtësinë. Kjo i kthen me kokë poshtë të gjitha vlerat e botës. A e kam përjetuar tashmë kthimin përmbys të vlerave të mia të kësaj bote?

Sido që të ishin virtytet, cilësitë ose tiparet që do të kishin kuptim më së shumti për ty, fol tani me Zotin. Me fjalët e tua, kërkoja Zotit këto cilësi për veten tënde.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Ata që janë të varfër dhe vuajnë ndoshta kanë hequr dorë nga Hyji, sepse duket që Hyji kurrë nuk po iu përgjigjet lutjeve të tyre. Por Jezusi na siguron se Hyji kurrë s`ka hequr dorë prej tyre dhe se atyre u përket mbretëria e Hyjit. Kur unë vuaj duke u përpjekur për të vepruar drejt, mund t`i lejoj qetë Lajmit të Mirë të Lumnive të më ngushëllojnë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »