Ndriçimi i shpresës së fshehur brenda nesh

Jun 9 • Meditimi i ditës

9 qershor 2020 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 17,7-16; Ps 4; Mt 5,13-16)

 

Prania e Hyjit

O Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa ke hyr në lutje sot, merr pak kohë tani që të bëhesh i/e vetëdijshëm/e për punën e mirë që Zoti mund të jetë duke bërë në ty në këtë moment …

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 5, 13-16

13 “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Pasuria, pushteti dhe kontrolli vlerësohen lartë në botën tonë. Por, Jezusi na bën me dije gjërat e vogla për të na mësuar vlera më të thella. Kripa ruan ushqimin – në duart e një kuzhinieri të shkathët i jep shije ushqimit. Efekti i kripës mbetet i fshehur për ne. Si kripa e tokës mund të jemi efektivë, duke sjellë një shije të jetës për të tjerët.
  • Drita nuk e ndryshon dhomën: ajo na ndihmon të shohim gjërat në të. Na ndihmon të vlerësojmë se çfarë është e mirë dhe e bukur, sikurse na ndihmon për të shmangur pengesa dhe gropa në të cilat mund të biem. Jemi fëmijë drite: Jezusi, Drita e botës, ndriçon jetën tonë (Gjn 8,12). Kjo dritë na ndihmon të shohim shpresën e fshehur të lavdisë që është brenda nesh, kështu që mund të gëzohemi edhe në errësirën e botës.
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, mendo se çka do të thotë për ty ‘kripa e tokës’.

 

Bashkëbisedimi

Jezusi nuk donte që ndjekësit e tij të ishin pa shije – të vakët. Në vend të kësaj ai kërkon njerëz të sigurt që nuk kanë frikë të ngrihen në këmbë dhe të mund të llogaritet në ta. Shikoje në retrospektivë javën e kaluar apo më shumë. A ka ndonjë njeri që ti e ke takuar që të ka bërë përshtypje me çiltërsinë apo ndershmërinë e tij?

A mund t`i kërkosh Zotit tani hirin dhe forcën për të qenë “kripë për tokën” dhe “dritë për botën”?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Jezusi duket lehtë i bindur se kemi aftësi. Ai na quan kripë dhe dritë të botës pa dëshminë e së cilës bota nuk do të ishte e njëjtë. Dhe ne shpesh hedhim poshtë faktin që veprimet tona mund të kenë ndikim tek të tjerët. Sidoqoftë, jeta e lumnive i jep një shije jetës tonë, dhe të jesh një ndjekës i Krishtit nuk është një zgjedhje individuale, por një zgjedhje që përfshin të tjerët.

Lutem për hir që jeta ime të hedhë dritë në rrugën që ecin të tjerët, në mënyrë që edhe ata t`i japin lavdi Atit.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »