Misteri i Trinisë së Shenjtë – vështrim historik i zhvillimit teologjik të saj

Jun 11 • Opinion

Nga Veneranda Qerimi

 

Diskutimet mbi misterin e Trinisë nuk janë karakteristikë e bisedimeve ekumenike të kohës moderne, por diskutimet e ndryshme mbi këtë mister kanë qenë të pranishme mbi të gjitha në shekujt e parë të historisë së Kishës. Në ditët e sotme ky mister ka një rëndësi të madhe në dialogun ndërfetar, por edhe në bisedat e thjeshta mes njerëzve, të cilët vazhdimisht i “akuzojnë” të krishterët që besojnë në tre zota, apo që besojnë në Jezusin si birin e Zotit dhe jo si të dërguarin e tij, sikurse do të thoshte një besimtar i besimit Islam.

Në fakt, pyetjet mbi misterin e Trinisë nuk vijnë vetëm nga besimtarët e besimeve të tjera, por edhe vetë besimtarët e krishterë, jo rrallë ballafaqohen dhe bëjnë pyetje lidhur me këtë mister. Madje pyetjet mbi Trininë, kuptimin, zhvillimin, shpjegimin janë ndër pyetjet më të shpeshta që të rinjtë drejtojnë, dhe jo vetëm ata.

Mësimi i Kishës mbi misterin e Trinisë është zhvilluar kryesisht në shekujt e parë të historisë së saj. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të zhvillimeve historike dhe përplasjeve të të krishterëve të parë me botëkuptimet dhe filozofinë e asaj kohe dhe mbi të gjitha me dëshirën për të mbrojtur fenë nga herezitë e ndryshme.


Trinia e Shenjtë në Shkrimin e Shenjtë – Bibël

Shumë nga ne presin që pyetjeve lidhur mbi këtë mister, të mund t’ju japim përgjigje me anë të Shkrimit të Shenjtë – Biblës. Megjithatë, kjo gjë është pjesërisht e mundur, sepse Bibla nuk na ofron një mësim të strukturuar teologjik, përkufizim ose dogmë lidhur me Trininë e Shenjtë. Por shumë teologë janë të mendimit se në Bibël gjejmë vetëm formula “triadike” dhe interpretime të ndryshme[1] mbi Trininë, dhe nuk gjejmë asnjë përkufizim lidhur me të. Megjithatë, le të hedhim një shikim në Shkrimin e Shenjtë për të parë se si na zbulohet misteri i Trinisë në të, dhe si mund t’i interpretojmë pjesë të ndryshme të tij, si zbulime të misterit trinitar.

Nëse mendojmë se ky mister është i pranishëm dhe i gjindshëm vetëm në shkrimet e Besëlidhjes së Re (BR), gabohemi, sepse edhe Besëlidhja e Vjetër (BV) na sjell tregime të cilat interpretohen në mënyrë trinitare. Para se të gjithash, duhet theksuar se Besëlidhja e Vjetër na flet për NJË Hyj të vetëm, për Hyjin e etërve të popullit të Izraelit, dhe ky përcaktim luan një rol shumë të rëndësishëm në të gjitha shkrimet e saj.[2] Por përsëri mund të gjejmë pjesë biblike që autorë të ndryshëm i interpretojnë ato si prani ose dëshmi e Trinisë së Shenjtë.

Një ndër pjesët e tilla biblike mund të merret tregimi i Zan 18, 1-15, në të cilën Zoti i dëftohet  Abrahamit te Qarret e Mambres. Autorë të ndryshëm e interpretojnë këtë pjesë në mënyra të ndryshme, megjithatë Sara dhe Abrahami vizitohen nga tre engjëj, prania e të cilëve interpretohet si prani/vizitë e Trinisë së Shenjtë. Edhe mendimet mes teologëve të ndryshëm lidhur me këtë pjesë nuk përputhen me njëri-tjetrin. Në BV gjenden edhe pjesë të tjera të cilat mund të interpretohen në mënyrë trinitare, por që lidhen ngushtë mbi të gjitha me mënyrën e interpretimit të tyre.

Përveç pjesëve të ndryshme biblike që mund të ketë, BV na jep edhe atribute dhe emërtime të cilat dëshmojnë praninë e Hyjit në popullin e tij. Tre janë këto elemente të rëndësishme të cilat na e tregojnë këtë gjë: Fjala, Urtia dhe Shpirti i Zotit. Këto janë edhe mjetet me anë të të cilëve Zoti bëhet i pranishëm në mesin e popullit të vet. Fjala është vepruese dhe bën që të realizohet ajo që Zoti dëshiron për njerëzit. Urtia pranohet si gjëja e parë e krijuar nga Zoti dhe ajo i mëson, i drejton njerëzit në rrugën e shenjtërisë. Ndërsa Shpirti i Zotit, i cili shpesh emërohet edhe si fryma e Zotit, dhuron jetën dhe flet me anë të Profetëve. Është Shpirti i Zotit, i cili do t’i drejtojë njerëzit në hirin e Zotit, sepse në fund të kohërave do të banojë në mesin e tyre.[3]

Këto janë disa nga pjesët e zgjedhura lidhur me elementët trinitare që mund të gjejmë në BV.

Tani le t’i drejtohemi pak edhe BR dhe të shikojmë se si janë të gërshetuara elementet Trinitare në të. Si fillim duhet theksuar se jeta dhe vepra shëlbimprurëse e Jezusit në BR luan një rol të madh, për këtë jeta e tij është kulmi, plotësimi i zbulimit hyjnor. Duhet theksuar se BR na e zbulon Trininë, por nuk zhvillon një teori dhe mësim të mirëfilltë lidhur me të.[4] Prandaj edhe në BR nuk do të kërkojmë formula apo përkufizime teologjike mbi misterin e Trinisë, por do të kërkojmë tregime biblike që përmbajnë një kuptim trinitar. Në BR takojmë kryesisht tri qasje trinitare të cilat janë:

  • Hyjnia e Jezusit si Biri i Zotit.
  • Qasja Pneumatike.
  • Qasja Trinitare.

Lidhja e ngushtë e Jezusit me Atin është një element qendror i shkrimeve ungjillore. Prandaj, sikurse në BV, ku Zoti njihej si Ati i popullit të Izraelit, do të vazhdojë të jetë Atë edhe në BR, si Ati i Jezusit të cilin ai na e zbulon ne. Ungjilltarët sinoptikë[5] e paraqesin Jezusin si të shuguruarin e Hyjit, d.m.th. si atë i cili është i mbushur me Shpirtin e Hyjit. Shpirti i Hyjit është në jetën e tij që prej fillimit. Kjo gjë bëhet e qartë në shumë pjesë biblike si ajo e Lk, 1 35, kur Engjëlli Gabriel i thotë Marisë se “Shpirti i Hyjit do të zbresë mbi ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet.” Jezusi, i cili na dëftohet si ai i cili e mbart në vetvete shpirtin e Hyjit dhe e ka zanafillën e tij te po ai Shpirt. Pjesë të ngjashme biblike janë edhe Mk 1, 9-11 ose Mt 1, 20, të cilat kanë të bëjnë me fillimet e jetës tokësore të Jezusit. Prandaj edhe veprimet e Jezusit mbi tokë janë veprime të frymëzuara prej Shpirtit Shenjt, të cilin ai e ka në vetvete dhe bën të ndihet edhe në sipërfaqen e tokës.[6] Tek sinoptikët Jezusi vepron nën gjithëpushtetësinë e Zotit. “Është gjithmonë Zoti-Hyj ai që e drejton këtë mbretëri, të cilën e përfaqëson Jezusi. Njëkohësisht nëpër të, me të dhe në të Zoti në mënyrë të padiskutueshme bëhet realitet i prekshëm.”[7]

Figura e Atit është e spikatur në mënyrë të veçantë mbi të gjitha tek Ungjilli sipas Mateut, sepse ai jo vetëm që na flet, dhe na e paraqet Atin, por ai na mëson që t’i lutemi atij si Atit tonë (khs. Mt 6, 9-13). Rëndësi të veçantë në Ungjillin sipas Mateut ka formula trevetore/trinitare e pagëzimit tek Mt 28, 19 “Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” Kjo porosi e Jezusit në fjalimin e tij përshëndetës të këtij Ungjilli përbën njëkohësisht edhe frazën biblike më të rëndësishme lidhur me misterin dhe mësimin mbi Trininë e Shenjtë. Kjo gjë tregon njëkohësisht edhe traditën e zhvilluar të Kishës në kohën kur është shkruar vetë ky Ungjill. Megjithatë duhet të kihet parasysh se kjo traditë nuk duhet të merret në mënyrë të mirëqenë, si një e vërtetë që tregon të gjithë realitetin e Kishës dhe se, tek të gjitha bashkësitë të ketë qenë kështu, sepse në këtë kohë nuk kanë ekzistuar akoma formulat e përbashkëta dhe të njëtrajtshme të pagëzimit apo të vetë formulës së tij. Kjo formulë duhej të ndihmonte të krishterët e parë, të cilët i përkisnin botës së paganizmit, se pagëzimi në emrin e Zotit d.m.th. të Atit i tregon atij se në cilin Zot duhet të besojë dhe në Jezu Krishtin si Zotërinë e tij dhe në Shpirtin Shenjt të dërguarin i tij. Ky moment duhej të ishte edhe një moment që e drejton të krishterin se cilën jetë ai duhej të ndiqte.[8] Një tjetër element i rëndësishëm është shpallja e mbretërisë së Hyjit të cilin Jezusi e bën në emër të Zotit dhe e dëshmon atë. Kjo tregon gjithëpushtetësinë që Zoti shfaq në Jezusin. Në Ungjillin e Shën Markut, në pjesë të ndryshme paraqitet jo vetëm ngjashmëria e Jezusit me Atin por edhe të qenët e tij ndryshe nga ai. Kështu Mk 10, 18 “Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm!”. Nga ky citat Jezusi le të kuptohet se ai duhet të mos ndahet nga Ati, por njëkohësisht duhet të mbetet dallueshmëria mes Atit dhe Birit.[9] Edhe në Ungjillin e Shën Gjonit Jezusi na flet për Atin e tij, madje ai shkon deri në atë pikë sa të thotë se Unë dhe Ati jemi një (khs. Gjn 17, 21). Jezusi në këtë Ungjill na zbulohet në një afërsi shumë të madhe me Atin, sepse ai e njeh Atin, sepse ai vjen prej Atit, sepse ai është në Atin. Në këtë mënyrë arrihet që edhe njeriu të përjetojë përvojën e të vërtetës së Zotit në njësinë e Birit me Atin dhe jo vetëm. Njeriu duhet që nëpërmjet kësaj përvoje të hyjë vetë në misterin e kësaj dashurie që bashkon Atin me Birin. Kjo e vërtetë e Zotit mundësohet për apostujt nëpërmjet premtimit të mbrojtësit, i cili duhet dhe do të vijë mbi to për t’i forcuar (khs. Gjn 14, 16). Në këtë mënyrë, sikurse është i lidhur Biri me Atin, po ashtu jemi të lidhur edhe ne me Birin me anë të Shpirtit Shenjt dhe njëkohësisht edhe me Atin.

Ka edhe shkrime të tjera të BR që përcjellin elemente të cilat lidhen ngushtë me konceptin dhe kuptimin e Trinisë. Shën Pali në letrat e tij flet, në vende të ndryshme, mbi të gjitha për Shpirtin e Hyjit i cili vepron në ne. Ky shpirt që vepron në ne është në të njëjtën kohë shpirti i Krishtit. Nëpërmjet këtij Shpirti ne bëhemi të bijtë dhe bijat e Zotit (khs. Gal 3, 26). Në letrën e drejtuar Romakëve 5, 1-5, Shën Pali na flet se si Ati dhe Biri janë të bashkuar në dashuri prej Shpirtit Shenjt dhe është Shpirti i cili na shëron e na bashkon edhe neve. Në letrat e Shën Palit lidhur me misterin e Trinisë ka rëndësi formula trinitare tek letra e dytë drejtuar Korintianëve 13, 13: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë”. Me këtë formulë të bekimit Shën Pali e përmbyll këtë letër të drejtuar bashkësisë së Korintit. Megjithatë për Shën Palin është me rëndësi të dëshmojë forcën shëruese të veprimtarisë së Zotit në jetën e njerëzve. Por kjo formulë trepalëshe/tinitare shfaqet edhe në letra të tjera të Shën Palit, megjithëse në letrat e tij, mbi të gjitha tek përshëndetja, Shën Pali na paraqet mbi të gjitha Atin dhe Birin. Duhet thënë se këto përshëndetje nuk hedhin dritë mbi marrëdhënien që kanë Ati e Biri me njëri-tjetrin, element i rëndësishëm për shpjegimin apo kuptimin e Trinisë.[10]

Gjatë asaj që sapo shikuam është me rëndësi të themi, se lidhja e Jezusit me Atin dhe njëjtësia/njëqenësia e tij me të, përbëjnë dy elemente të rëndësishme të BR lidhur me teologjinë e Trinisë. “Prandaj kur në BR flitet për Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt, nuk bëhet fjalë për formula trinitare, por bëhet fjalë për shprehje triadike. Nëpërmjet kësaj dëshirohet të qartësohet, se kemi një Trini të hyjnores por që akoma nuk është bërë hapi i një teologjie të mirëfilltë sistematike dogmatike e Trinisë.”[11]

 

Zhvillimi historik i teologjisë së misterit të Trinisë

Në fillimet e saj Kisha e ka jetuar besimin e saj nga praktikat fetare, në kremtimet Eukaristike dhe në liturgjitë e kremtimit të sakramentit të pagëzimit. Kështu liturgjia përbënte vendin e reflektimit mbi besimin dhe fenë. Lidhur me teologjinë e Trinisë, rëndësi të madhe luan mbi të gjitha liturgjia e ritit pagëzimor. Në bazë të shkrimeve të hershme të krishtera si “Didaké” “Mësimi i 12 Apostujve” apo edhe “Traditio Apostolica” “Tradita apostolike”, kjo liturgji hedh dritë mbi përdorimin e formulës trepalëshe[12] të Pagëzimit. Të dy këto shkrime na paraqesin në pjesë të ndryshme formulën trepalëshe të Pagëzimit të cilat i përmendin Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt sipas radhës.

Duhet theksuar se zhvillimi teologjik i mësimit të Kishës mbi misterin e Trinisë është arritur edhe nëpërmjet ballafaqimeve të ndryshme të botëkuptimit filozofik të asaj kohe. Kështu etërit e Kishës duhej të ballafaqoheshin me mendimin e botës dualiste të asaj kohe e cila e ndante botën në të mirë dhe në të keqe, që të mund të mbronin dhe shpjegonin besimin e tyre. Kjo gjë ka ndikuar edhe në botëkuptimin e misterit Trinitar dhe të kuptimit të Zotit.[13]

 

Mbi Zotin-Hyj dhe Trininë tek disa etër të Kishës

 

  1. Shën Ireneu nga Lioni

Mendimi se Zoti në historinë e Shëlbimit bëhet i pranishëm në njëjtësinë e Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt, por edhe në të qenët e tyre ndryshe është për Ireneun vendimtar. Biri dhe Shpirti Shenjt e përmbushin veprën e Shëlbimit. Biri është kryet e këtij veprimi shëlbimprures, ndërsa lidhja e tyre me njëri-tjetrin mbetet për njeriun e paarritshme. Kulmin e saj kjo vepër e shëlbimit e ka arritur në mishërimin e Fjalës, prandaj edhe Kisha gjendet në rrugën e saj të shëlbimit.

 

2. Tertuliani

Tertuliani në shkrimin e tij “Kundër Praksianit” hedh argumentet e veta lidhur me Trininë. Mbi të gjitha ai kundërshton me argumentet e tija mendimin modalist lidhur me të, i cili thoshte se Ati që vepron në histori, merr fytyrën e Birit ose të Shpirtit Shenjt duke u shfaqur kështu në mënyra të ndryshme. Tertuliani thekson se Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt janë persona të ndryshëm, por jo nuk bëhet fjalë për shumë persona. Ata duhet të shikohen si një person i vetëm. Ati është zanafilla/prejardhja prej nga vijnë Biri dhe Shpirti Shenjt, sikurse rrezet e dritës të cilat zbresin prej diellit. Për Tertulianin, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt janë të pavarur, por origjina e tyre mbetet tek Ati. Ai është i pari autor i cili sjell në teologjinë trinitare termin “person”. Me anë të këtij termi mundohet që Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt t’i përmbledhë në të njëjtën natyrë. Me anë të këtij termi duhet të ruhet origjina e tyre e përbashkët dhe në të njëjtën kohë edhe ndryshueshmëria/dallueshmëria e tyre me njëri-tjetrin.[14]

 

3. Origjeni

Njëlloj sikurse Tertulliani edhe Origjeni i ka hedhur mendimet e tij duke kundërshtuar dualizmin dhe modalizmin. Për të, Ati është krijuesi i gjithësisë dhe zanafilla e Hyjnisë. Sipas tij Hyji nuk mund të vuaj, sepse ai i është dëshmuar si dashuri, por vetëm Biri mund të vuajë sepse ai është Fjale e mishëruar. Ai mund të vuajë, sepse në natyrën e tij hyjnore mbart edhe natyrën njerëzore, dhe pikërisht për këtë gjë mund të shenjtërojë botën. Shenjtërimi ndodh nëpërmjet Shpirtit Shenjt. Prandaj edhe në këtë gjë Ati është origjina ndërsa Biri dhe Shpirti Shenjt janë rruga ose veprimi nëpërmjet të cilëve ndodh e gjitha. Ai argumenton se të tre vijnë prej të njëjtës natyrë.[15]

 

Koncilet ekumenike për Trininë e Shenjtë

Megjithatë teologjia e trinisë nuk është përcaktuar vetëm nga shkrimet e etërve të Kishës, por një rol të veçantë dhe vendimtar për të kanë luajtur koncilët e mbajtura në shekujt e parë. Zhvillimi i teologjisë trinitare nuk ka qenë qëllimi parësor i mbajtjes së koncilëve. Në fakt, pikënisja e tyre ka qenë çështja kristologjike d.m.th. bisedimet mbi rolin dhe mbi natyrat të cilat ka Jezusi në vetvete. Këto diskutime kanë qenë edhe pikënisja e zhvillimit të mësimit teologjik mbi misterin e Trinisë. Lidhur me Trininë, Koncili i Nicesë i mbajtur në vitin 325 dhe koncili i Kostantinopolit i mbajtur në vitin 381 kanë rëndësi të madhe. Të dy këto koncile kanë trajtuar marrëdhënien që ka Jezusi me Atin, por edhe me rolin që ka Shpirti Shenjt brenda Trinisë. Prandaj, këto dy koncile kanë rëndësi të madhe për mënjanimin e konflikteve me botën e atëhershme dhe me mënjanimin e grindjeve brendakishtare.

 

  1. Koncili i Nicesë

Në këtë Koncil u vendos se “Jezusi është Hyji i vërtetë prej Hyjit të vërtetë, i lindur dhe jo i krijuar, i njëgjëjtë/njëqenshëm me Atin.”[16] Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të arrihet shëlbimi i të gjithë njerëzve nëpërmjet tij. Në koncil u theksua njëjtësia e Atit me Birin por nuk u diskutua lidhur me ndryshimet që ata mbartin në vetvete. Me rëndësi të madhe në koncil pati pranimi se Jezusi është i një natyre apo njëqenshmëria e tij me Atin. Kështu edhe Ati përbën dhe njihet si burimi i natyrës së tij hyjnore dhe e njëjta gjë vlen edhe për Shpirtin Shenjt. Megjithatë ndryshimet mes njëjtësisë së natyrës dhe ndryshimeve që vetat kanë me njëri-tjetrin janë arritur të bëhen më vonë nga etërit e Kapadokisë (Gregori i Nisës, Gregor Naziaceni dhe Basili), të cilët theksonin njëjtësinë e tre personave hyjnor por njëkohësisht edhe pavarësinë e tyre ndaj të tjerëve. Për to ata përmbajnë një substancë/natyrë të vetme në tre veta të ndryshëm.[17]

 

2. Koncili i Konstantinopolit

Në këtë koncil janë precizuar më tutje vendimet e Koncili të Nicesë. Ajo që duhet theksuar prej këtij koncili është se Shpirti Shenjt vendoset në të njëjtin nivel me Atin dhe me Birin. Njëkohësisht bëhet më e qartë se ka një ndryshim mes substancës apo natyrës dhe personave të Trinisë. “Për të përshkruar Zotin, në koncil, është folur për një natyrë hyjnore  (gr. ousia) e cila realizohet në tre fytyra të ndryshme (lat. persona) ose – sikurse e themi ne sot – një Zot i vetëm në tre vetje hyjnore. Me këtë është përcaktuar mësimi mbi Trininë e Shenjtë (Dogma mbi Trininë).”[18] Me koncilin e Konstantinopolit i që dhënë fund diskutimeve dhe debateve që kishin të bënin me mësimet e gabuara me të cilat duhej të konfrontoheshin të krishterët e asaj kohe. Megjithatë, në këtë mënyrë qe arritur të ruhej besimi në një Zot të vetëm në tri veta hyjnor, të cilën të krishterët mund ta dëshmonin edhe me anë të besojmës.[19]

 

Shën Augustini dhe Shën Tomë Akuini për Zotin Trini

Duhet thënë se zhvillimi teologjik mbi Shenjtën Trini ka vazhduar edhe në shekujt e mëvonshëm nëpërmjet autorëve të ndryshëm, të cilët kanë bërë më të qartë raportet mes Personave dhe kuptimin lidhur me vetë këtë mister. Dy teologë të rëndësishme në konsolidimin teologjik të misterit të Trinisë janë Shën Augustini dhe Shën Tomë Akuini.

Sipas Shën Agustinit, Zoti është Trini dhe në vetë Trininë gjendet njinia. Prej Atit lind biri dhe prej të dyve rrjedh Shpirti Shenjt. Për Shën Augustinin marrëdhënia që kanë personat me njëri-tjetrin është vendimtare dhe luan një rol të rëndësishëm për të kuptuar sadopak këtë mister. Emërimi Atë dhe Bir nuk përfaqëson personat por vetë substancën/natyrën e cila është për të dy e njëjta. Marrëdhënia mes tyre është e pandryshueshme.[20] Prandaj edhe marrëdhënia që vetat ndërtojnë mes tyre nuk gjendet tek emërtimi i tyre por tek substanca, tek natyra që ata kanë. Marrëdhënia gjendet në vetë ekzistencën e vetes hyjnore. Secila Vetje është në këtë marrëdhënie i vetmi Zot. Marrëdhënia që i bashkon Vetjet hyjnore realizohet në dashuri. Prandaj edhe Trinia e Shenjtë është për Shën Augustinin një bashkësi dashurie. Kjo marrëdhënie që ata kanë me njëri-tjetrin nuk dëshiron të theksojë individualitetin e vetjeve por faktin se gjithsecila vetje është një Zot i vetëm.[21] Prandaj Shpirti Shenjt është dashuria që lidh Atin me Birin dhe dhurata që Ati ja bën Birit dhe Biri Atit.[22] E vetmja qenie e Zotit realizohet në marrëdhënie mes vetave hyjnore. Në këtë marrëdhënie të cilën e kanë me njëri-tjetrin vetat dallojnë nga njëra-tjetra, por në të gjitha gjërat e tjera dhe në gjithçka ata bëjnë mbeten një. Në këtë të qenurit një të Zotit, brenda kësaj marrëdhënieje mbeten të pranishme edhe ndryshueshmëritë mes tyre. “Ati është pra, krejt një me Birin – me përjashtim të të qenit Atë, pra në marrëdhënien e tij ndaj Birit.”[23] Sipas Shën Augustinit të tre vetat janë të pranishëm tek të gjitha veprimet dhe veprojnë në mënyrë të përbashkët. Mënyra se si ata veprojnë mbetet për të e pandashme. Madje edhe tek mishërimi i Jezusit, janë për Shën Augustinin të tre vetat e pranishme. Me këtë mësim të Shën Augustinit bëhet më e vështirë ndarja e vetave por njinia e tyre bëhet edhe më e fortë. Prandaj, në çdo veprim nuk mund të arrihet më të ndahet se cila prej vetave vepron, por ato mendohen gjithmonë të tria së bashku.

Edhe Shën Thoma Akuini ka dhënë ndihmesën e tij në mësimin e Kishës mbi Shenjtën Trini. Që në fillim duhet të theksojmë se për Shën Tomë Akuinin arsyeja njerëzore luan një rol shumë të rëndësishëm, sepse nëpërmjet arsyes bëhet zbulimi i Zotit dhe njohja e tij. Edhe për të sikurse tek Shën Augustini mbetet Trinia e përqendruar në njininë e natyrës. Prandaj rrjedhin prej Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt jo sepse Ati ndjen nevojën e rrjedhjes së tyre, por prej dashurisë. Ati mbetet “burimi dhe zanafilla”[24] e Trinisë.

Biri nuk është i krijuar, por është i lindur dhe si i tillë mban të njëjtën natyrë me Zotin. Shpirti Shenjt rrjedh prej Atit, prandaj është edhe ai pjesë e Trinisë. Rrjedhja e Shpirtit Shenjt ndodh prej Atit nëpërmjet Birit me anë të dashurisë. Frymëzimi i Shpirtit Shenjt është shprehje e vullnetit të Atit. Ati lind Birin dhe fryn Shpirtin Shenjt për shkak të dashurisë që ka për të dhe jo si një akt nevojtar, d.m.th. si nevojë e Atit për frymëzimin e tij. Në këto veprime realizohet Hyjnia e Atit. Duke qenë se Biri është i lindur dhe jo i krijuar, mbetet si shëmbëlltyra më e ngjashme e Atit. E njëjta gjë ndodh edhe me Shpirtin Shenjt. Ai është një akt dashurie i Atit që lidh Atin me Birin por që bën të realizohet hyjnia e Atit, njëlloj si me Birin.

Për Shën Tomë Akuinin, mënyra se si ndërtohen marrëdhëniet janë me rëndësi të madhe, sepse me anë të marrëdhënieve jetësohet natyra e përbashkët e vetjeve hyjnore. Në lindjen e Birit, në të lindurin dhe në frymëzimin e Shpirtit Shenjt janë veprimet kryesore të qenies së Zoti-Hyjt. Në këtë marrëdhënie mësojmë më shumë mbi vetat hyjnore dhe jo për vetë vetat sepse ato mbeten mister dhe të pashpjegueshme nga ana jonë. “Vetat hyjnore janë për vetveten e tyre asgjë, por ata ekzistojnë prej njëra-tjetrës dhe janë të drejtuara drejt njëra-tjetres.”[25] Pra vetat hyjnore realizohen nga ekzistenca dhe marrëdhënia që ato kanë me vetat e tjera. Pikërisht në këtë marrëdhënie që është një marrëdhënie dashurie realizohet Hyjnia e tyre, tre të ndryshme dhe një e vetme në natyrën Hyjnore./drita.info

 

——————————————————

[1] Khs.  Klaus von Stosch: Trinität, Grundwissen Theologie. In: Utb, Ferdinand Schöning Verlag, Paderborn-Deutschland, 2017, f, 11.

[2] Khs. Walter Kasper: Der Gott Jesu Christi. In: Mathias-Grünewald-Verlag, Mainz 1982, f. 177-179.

[3] Khs. Jürgen Werbick: Handbuch der Dogmatik, Gnadenlehre, Ekklesiologie, Mariologie, Sakramentenlehre, Eschatologie, Trinitätslehre. In: Theodor Schneider (Hg.),  Band 2, Patmos Verlag, Düsseldorf 1992, f. 485-486.

[4] Khs. Leonardo Boff: Kleine Trinitätslehre. In: Patmos Verlag, Düsseldorf  1990, f. 43.

[5] Shënim: Quhen sinoptikë, për shkak të ngjashmërisë që ata kanë me njëri-tjetrin. Por edhe sepse në fushën e  ekzegjezës dhe atë historike të BR këto ungjij janë shumë të ngjashëm dhe të përafërt me njëri-tjetrin. Ungjijtë sinoptikë janë: Ungjilli sipas Markut, Mateut dhe Lukës.

[6] Khs. Joseph Barbel: Der Gott Jesu im Glauben der Kirche, Die Trinitätslehre bis zum 5. Jahrhundert. Der Christ in der Welt, Eine Enzyklopädie. In: Albert Fries (Hg.) Christiana Verlag, Stein am Rhein, 1976, f. 16.

[7]  Khs.  Klaus von Stosch: Trinität, Grundwissen Theologie, f. 13.

[8] Khs. Joseph Barbel: Der Gott Jesu im Glauben der Kirche, f. 17.

[9] Khs.  Klaus von Stosch: Trinität, Grundwissen Theologie, f. 18.

[10] Po aty, f. 21.

[11] Po aty, f. 30.

[12] Shënim: Flas për formulë trepalëshe të pagëzimit, sepse në atë kohë akoma nuk ka qenë zhvilluar teologjia e vetjeve trinitare, prandaj edhe evitoj të flas për veta Trinitare të cilat do të zhvillohen në kohën e Tertullianit të cilën do e shikojmë më poshtë.

[13] Khs. Joseph Barbel:  Der Gott Jesu im Glauben der Kirche, f. 27.

[14] Krhs. Gerhard Kardinal Müller: Katholische Dogmatik, f. 432-433.

[15]Jürgen Werbick: Handbuch der Dogmatik, f. 495.

[16]Klaus von Stosch: Trinität, f. 35.

[17] Po aty, f. 499-499.

[18] Khs. Walter Kasper: Der Gott Jesu Christi. In: Mathias-Grünewald-Verlag, Mainz 1982, f. 316.

[19]Khs.  Manfred Eder: Kirchen Geschichten, 2000 Jahre im Überblick, f. 55.

[20]Khs. Joseph Barbel:  Der Gott Jesu im Glauben der Kirche, f. 76-85.

[21]Khs. Gerhard Kardinal Müller: Katholische Dogmatik, f. 439-441.

[22]Khs.  Klaus von Stosch: Trinität, Grundwissen Theologie, f. 47.

[23] Po aty, f. 46.

[24]Gerhard Kardinal Müller: Katholische Dogmatik, f. 446.

[25]Klaus von Stosch: Trinität, f. 51.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »