Shën Ndou i Padovës, meshtar dhe mësues i kishës

Jun 12 • Këndvështrime

Me rastin e ditëfestës së tij liturgjike, më 13 qershor

 

Një shenjtë universal

Devocioni ndaj këtij shenjti të madh është i përhapur jo vetëm në Kishën Katolike por edhe më gjerë. Shën Ndou ka zgjuar interesim edhe ndër ortodoksë, budistë e myslimanë. Me plotë të drejtë quhet shenjti universal – shenjti i botës. Ishte njeri i palodhshëm në vreshtin e Zotit. Jeta e tij ishte shërbim ndaj vëllait dhe motrës njeri pa dallim, prandaj ishte i pranuar dhe i dashur nga të gjithë.

 

Jeta e tij

Shën Ndou ka lindur në Lisabon të Portugalisë në vitin 1195. Prindërit e pagëzojnë me emrin Fernando Martins. Deri sa i mbushi pesëmbëdhjetë vjet ndoqi shkollën e katedrales. Dallohej si nxënës i talentuar, dhe deri sa mësonte mbi të vërtetat e fesë, Fernando do të përfitojë edhe në lëmi tjera si në gramatikë, retorikë, muzikë dhe aritmetikë. Si pesëmbëdhjetë vjeçar hyn në kuvendin e Shën Vinçencit (murgjë të rregullt të Shën Augustinit) pak kilometra larg Lisabonit. Ishte kjo mundësia e vetme të thellohej në studime, por edhe rast i mirë për ta zbuluar bukurinë e jetës religjioze sipas rregullit augustinian, që përmblidhje kështu: “jeta në bashkësi sipas shembullit të bashkësisë së parë të krishterë, ku murgjit duan të jenë një zemër dhe shpirt i vetëm, e pastaj me këtë shpirt dalin jashtë kuvendit për të ndërtuar Kishën e Krishtit”.

Fernando kishte mësues të shkëlqyeshëm. Pasi gjatë studimeve të afërmit e tij shkonin shpesh për ta vizituar, kjo gjë fillon ta pengoj atë, sepse shqetësohej në studime, dhe mu për këtë kërkon të transferohet në kuvendin Santa Croce në Coimbra, 175 kilometra larg Lisabonit. Përndryshe, ky kuvend augustinian ishte i dalluar dhe shumë i njohur, si për shenjtëri ashtu edhe për shkencë. Këtu Fernando u kushtohet krejtësisht studimeve dhe lutjes. Mirëpo, për fat të keq, kishte kohë që kjo bashkësi në këtë kuvend ishte ndarë në dy pjesë; njëra pjesë e cila ishte besnike ndaj papëve, ndërsa pjesa tjetër mbështetej prej mbretit të Portugalisë. Pas përfundimit të studimeve shugurohet meshtar.

Në këto rrethana të dhimbshme Fernando do të njihet me fretërit e Shën Françeskut të cilët banonin në kuvendin e Shën Antonit të Ullinjve afër kuvendit të tij. Gjëja e parë që i bie në sy murgut augustinian (Fernandos) tek vëllezërit françeskan është veshja e tyre e thjeshtë, por edhe mënyra e predikimit të fjalës së Zotit. Edhe më tepër do t’i bëj përshtypje kur dëgjon për kthimin në Coimbra të pesë trupave të pajetë të françeskanëve të martirizuar prej myslimanëve në Maroko.

Pas disa këshillimeve me eprorët e vet, Fernando e merr lejen dhe kërkon të bëhet françeskan. Kalimi te françeskanët dhe veshja e zhgunit do të bëhet në verën e vitit 1220.
Tashmë, frati i ri, kishte përqafuar karizmën e Shën Françeskut. Kushtet e tyre: Varfëria, pastërtia dhe dëgjesa, por edhe jeta në bashkësi ishin një dritë e re për të që ta çojë në vend edhe ëndrrën ungjillore të Shën Augustinit: “Të jenë vërtet një shpirt i vetëm”.

Në këtë periudhë dëshira e Shën Françeskut ishte të ungjillëzonte tokat ku jetonin myslimanët, e kështu Atë Ndou i ri përgatitet të niset për Maroko. Aty nuk do të qëndroj gjatë sepse sëmurët rëndë dhe detyrohet të kthehet në vendlindjen e tij.

Anija, e cila në pamundësi të lundroj drejt Portugalisë prej stuhive të mëdha, do të hasë në brigjet e Sicilisë. Shën Ndou shkon në Asizi, vendi ku Shën Françesku ishte në përgatitjet e mbajtjes së Kapitullit duke i bashkuar rreth vetes fretërit. Këtu do të jetë takimi i parë i tyre. Ky do të jetë rasti i mirë që të takohen dy fytyrat e mëdha të Rregullit Françeskan: Shën Ndout dhe themeluesit të françeskanëve – Shën Franceskut të Asizit.

Jeta e Shën Ndout kalonte në heshtje deri sa në një rast qe lutur të mbajë një fjalim para bashkësisë françeskane dhe dominikane të bashkuar në një kuvend në Forlì. Këtu zbulohet talenti i tij prej oratori. Më pas jetën ia kushton predikimit të fjalës së Zotit, dhe në të njëjtën kohë emërohet profesor i teologjisë. Më vonë, në një letër të Shën Françeskut dërguar Shën Ndout e shkruan: “Atë Ndou, ipeshkvit tim, Atë Françesku, përshëndetje. Dëshiroj që t’iu mësosh teologjinë shenjte fretërve…” Fra Ndou ua mësonte vëllezërve teologjinë që kishte mësuar vet. Ishte ajo teologjia biblike, e cila privilegjonte meditimin e Fjalës së Zotit duke e pasuruar me komentet e etërve të Kishës.

Sipas mësimit të Atë Ndout, jo vetëm jeta e fratit, por edhe jeta e secilit të krishterë duhej të kishte për model ligjin trinitar të dashurisë edhe atë në dy drejtime: Ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit. Ai ishte mbrojtës i të varfërve dhe shërbestar i tyre sipas shembullit të Krishtit. Përndryshe, ishte i lartë, kishte një zë të mrekullueshëm, saqë predikimet e tij bënin që kishat të jenë të vogla për të gjithë të interesuarit që vinin ta dëgjonin. Edhe mëkatarët vinin tek ai, dhe në gjunjë e dëshmonin se ky njeri i madh e meriton shenjtërinë.

Në një rast, Papa Gregori IX e dërgon në Kapitullin gjeneral të vitit 1226 që të jep përgjigje në disa ndryshime të mundshme të Rregullit, dhe e quan “Arka e Besëlidhjes” për shkak të njohjes së mirë të Shkrimit të Shenjtë. Më vonë e shohim si predikatar në Francë, ku themelon një kuvend në Brive-la-Gaillarde. Aty është një shpellë për të cilën thuhet se ka banuar Shën Ndou. Më pas vendoset në Padovë.

Më 1231 ndihet paksa i lodhur dhe për pak kohë tërhiqet në Camposampiero, në një vend malor për ushtrime shpirtërore për t’u kthyer përsëri në Padovë. Vdes në Padovë, më 13 qershor 1231, në moshën 36 vjeçare.

Papa Gregori IX e shpall shenjtë një vit pas vdekjes së tij. Në vitin 1263 Shën Bonaventura, pas një verifikimi në trupin e tij të vdekur, e gjen gjuhën e shenjtit të paprishur. Më 1946 Piu i XII e shpall mësues i Kishës – Doctor evangelicus.

Trupin e tij, padovasit e mbajnë si një thesar të çmueshëm para të cilit vijnë dhe përkulen njerëz të të gjithë popujve. Që nga shekulli XV, e jo më parë, paraqitet truporja e tij me Krishtin Fëmijë në dorë. Sipas një legjende, një mysafir i tij, fshehurazi nëpërmjet dritares e kishte parë shenjtin në atë pozitë (me Krishtin ne dorë). Monumentet e para ikonografike e paraqesin me libër në dorë ose me një zambak, për të shënuar se sa mirë e njihte Shkrimin e Shenjtë – Biblën. Shumë herë e prezantojnë edhe me një mushk, në kujtim të një legjende tjetër sipas së cilës për t’i bindur disa heretik mbi praninë reale të Krishtit në të Shenjtërueshmin Sakrament, edhe mushku mrekullisht përkulet para Hostes së Shenjtë.

Shën Ndou është pajtor i të varfërve. Në mbarë botën mblidhen lëmoshë – e ashtuquajtura “Buka e Shën Ndout”. Përndryshe askush nuk e ka shpjeguar ndërmjetësinë e këtij shenjti për gjësendet e humbura. Në Cronica XXIV Generalium, nr. 21 bëhet një referim se si një seminarist ia merr librin e lutjeve shenjtit. Pas lutjes së këtij shenjti që t’i kthehet ky libër kthehet seminaristi duke ia sjellë librin aq të dashur.

Edhe në popullin tonë Shën Ndou gëzon nderim të madh. Mirëpo, më e rëndësishme është që të merret si shembull jeta e tij dhe ta imitojmë. Të jemi të përkushtuar ndaj Fjalës së Zotit e cila është burim dhe ushqim shpirtëror, e pastaj, të shtimë në veprim mësimin e tij mbi ligjin trinitar që është dashuria. Dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit. Mbi të gjitha kujdesi për të varfrit dhe përkrahja e të gjithëve që janë në kujdes ndaj tyre.

(Khs. E. Pepe, “Martiri e Santi” del Calendario Romano, Città Nuova, 2002, f. 283-291; M. Sgarbossa-L. Giovannini, “Il Santo del giorno”, San Paolo, f. 283-284)./drita.info

 

Përgatiti: Don Agim Qerkini

Shpërndaje

Comments are closed.

« »