Shën Ndou – Shenjti i botës (1195 – 1231)

Jun 13 • Këndvështrime, Kisha në Kosovë

Nga Don Lush Gjergji

 

Edhe pas shumë vitesh dhe shekujsh, Shna Ndou i Padovës është gjallë, shumë aktual, i dashur dhe i nderuar nga të gjithë,  të krishterë, besimtarë dhe jo besimtarë, si Shenjt ndërkombëtar, edhe më shumë: Shenjt i botës.

Këtë e dëshmon përshpirtëria popullore, do të thoja plebiscitare, ju, prania dhe nderimi, dashuria në shumë kisha, shenjtërore, trupore, figura, altarë. Ndër ne në Kosovë në katër kisha: në Prishtinë, Gjakovë, Binçë dhe në Gllogjan.

E nëse i mbarë botës, atëherë edhe i yni, i popullit tonë Shqiptar, sidomos me shenjtëroren e tij të njohur në Shqipëri, ndër Shqiptarë, në Laç.

Fernando Bulioni, ashtu quhej Shën Ndou, lindi në Lisbonë të Portugalisëmë 15.VIII.1195, në festën e të Ngriturit të Zojës në Qiell, datë shënjuese dhe paralajmëruese se do të jetë Shenjt me përshpirtëri mariane.

Prindërit e tij ishin Martin dhe Maria Bulioni, ndërsa Ferdinandi ishte fëmija i tyre i parë. Emri i tij Fernand në gjuhën vizigote d.m.th luftëtar i paqes. Fernando u rrit praktikisht në katedrale, në prehrin e dy nënave: nënës Mari dhe Virgjërës Mari.

Urata dhe shembulli i mirë familjar, ndihmuan Fernandon të rritej në paqe dhe qetësi, në mirësi dhe dashuri. Babai i tij ishte kalorës i njohur, luftëtar I dalluar. Dëshira e tij ishte që edhe Fernando të bëhej kalorës.

Mirëpo Fernandon e tërhiqte urata, më tepër se arma, jeta luksoze, lojërat dhe ahengjet e ndryshme të kohës. Prindërit e tij ishin të shqetësuar përse dhe si Fernando i tyre nuk tregonte interesim për punët familjare dhe dëshirat e tyre.

 

Ferdinando – njeri në kërkim

  • dëshirën e prindërve dhe të rrethit ishte kjo: që ai të vazhdonte traditën familjare: jetën e kënaqësive, zbavitjeve, begative materiale, të traditës, lavdisë dhe sukseseve familjare, ushtarake…
  • dëshirën e tij ishte që të mësonte te etërit Augustinian, ku ishte shkolluar (1201-1210), të lutej, të jetonte një jetë të tërhequr dhe të përkushtuar.
  • Cila ishte dëshira e Zotit? Ishte në kërkim dhe në pritje. Së pari iu  bashkëngjit etërve Augustinian, dhe për tetë vite qëndroi Koimbra, kryeqyteti i atëhershëm portugez, ku edhe ishte shuguruar meshtar, pas përgatitjes solide filozofike dhe teologjike, në vitin 1220.

 

Ferdinando meshtar

Mendonte kështu:  tashmë vullneti i Zotit është plotësuar, jam meshtar dhe rregulltar augustinian, merrem me shkrime dhe lexime, me uratë dhe meditime. Mirëpo kjo kënaqësi zgjati shumë pak kohë.

Tash i lindi një dëshirë tjetër, më e madhe, me e vështirë, më e rrezikshme: martirizimi, të vdiste për Krishtin! Thoshte: Ai ka vdekur për mua, për ne, e unë çka bëj për Të, për shëlbimin tim, të mbarë njerëzimit?

Shoqëria, edhe meshtarët i thonin: lëri këtë “ëndërrime”, ti ke flijuar për Krishtin dhe për Kishën jetën, çdo gjë, çka të nevojitet tashmë edhe martirizimi? A nuk martirizohesh çdo ditë nga pak?
Kjo dëshirë i lindi kur, nga Maroku, i sollën pesë françeskanë të cilëve myslimanët iu kishin prerë kokën, për t’i varrosur në Portugali, dhe pas varrimit madhështorë në të cilin mori pjesë edhe Don Fernando (Shna Ndou).

Ata martirë, si t’i thoshin personalisht atij: ne e kryem misionin tonë, e vulosëm fenë dhe dashurinë për Krishtin dhe Kishën e Tij me gjakun tonë, e ti çka je i gatshëm për të bërë në këtë drejtim?

Prapë një vendim i çuditshëm, nga ana njerëzore edhe absurd, por me frymëzim hyjnor: Dua t’i zëvendësoj ata për të zbutur urrejtjen ndërfetare dhe për ta dëshmuar dashurinë e dyfishtë, ndaj Jezu Krishtit dhe ndaj vrastarëve.

Për realizimin e kësaj dëshire kishte nevojë të jetë tërësisht i varfër, pa asgjë, si françeskanët, për të qenë vërtet ilirë, i “pasur” vetëm me Krishtin.

 

Fra Ndou – martir i dështuar

Mu për këtë ishte larguar nga rregulli Augustinian, ku kishte fituar dijen dhe përshpirtërinë, dhe iu  kishte bashkuar Shën Françeskut të Asizit dhe rregullit të tij të varfër.

Së fundi, i dukej se e kishte qëlluar udhën e Zotit. Ishte i lirë, i lumtur.

Mbetej dëshira për martirizim në Maroko, ku ishin vrarë pesë françeskanët. Arriti t’i bindte eproret për këtë hap, por jo edhe Zotin. Gjatë një viti në Maroko (1220-1221) ishte i sëmurë, prandaj edhe martir i dështuar.

Më vonë shkruante kështu: Maroko, predikimi dhe martirizimi atje, nuk ishte plani i Zotit, por dëshira ime. Mu për këtë dështova.

Jeta – sfidë në vazhdimësi: Të kthehej  prej Marokos në Portugali, por valët e detin e bartin në Itali, ku pati një veprimtari  të bujshme si predikatar i palodhshëm (1222-1231), epror françeskan (1227-1230), rrëfyes, edukator, mrekullibërës deri në vdekje (1231).

Shna Ndou qëndroi në Padovë, si  një lloj selie për atë, aq sa quhet Shna Ndou i Padovës.Aty derdhi fuqitë e fundit të jetës së vet në dobi të Kishës çdo njeriu, me synimin kryesor: SHËLBIMI I AMASHUAR.

Pas predikimeve të përditshme të kreshmëve, pendesës së rëndë, punës baritore, rrëfime, shkrim lexim, Fra Ndou ishte i lodhur, shpesh i molisur. Gjendja e tij shëndetësore keqësohej çdo ditë e më tepër. Për të pushuar pak tërhiqet tek një bujar meemrin Tiso, jo larg Padovës. Edhe pse i kishte kushtet optimale për të pushuar dhe shëruar, kjo nuk ndodhi.

Dëshira e tij e fundit tokësore: ishte e premte, më 13 qershor 1231. I tha dy vëllezërve françeskanë që ishin gjithnjë me të: Sa bukur do të ishte të vdesë sot! Dhe duke folur mbi Zojën e Bekuar, kryeveprën e dashurisë së Zotit, diku në mesditë, humbi vetëdijen. Kur u këndell pak, i shpreh dy dëshira:

Të kthehet tek Ati në qiell, por para se të shkonte atje, dëshiron të kthehet në Padovë. Kështu, edhe pse në gjendje kritike,nisen për Padovë me dy vëllezër françeskanë. Pasi që ishte i lodhur, e nuk mund as të fliste mirë,u ndalen në Arcella, në një kuvend françeskan. Pasi mori sakramentet, vdiq në këtë kuvend më 13.VI.1231 rreth orës 16,në moshën 36 vjeçare.

Varrimi i të ndjerit u bë në Padovë të martën më 17.VI.1231 në kishën e Shën Marisë, i udhëhequr nga ipeshkvi i vendit. Pas hulumtimeve të parapara për shenjtërim, jetës së tij,
mrekullive të shumta, 34 të aprovuara nga autoriteti kishtar, u shpall shenjt nga Papa Gregori IX (30.V.1232).

Sot varrin e Shenjtit dhe Bazilikën e tij në Padovë e vizitojnë rreth 4 milion shtegtarë në vit.

Populli i krishterë ia ka dhënë Shna Ndout katër emërtime:postieri i Zotit, ndihma e shpejtë apo e parë,  specialisti për gjëra të humbura dhe “ekonomi” i Kishës dhe i të varfërve.

 

Porosia për ne

Po ta pyesim sot Shna Ndoun, si arriti të gjitha këto virtyte, shkallë të larta shenjtërie, vetëm pas 36 viteve të jetës tokësore? Përtgjigja e tij do të ishte shumë e thjeshtë dhe bindëse:

Nëpërmjet uratës, pendesës dhe bamirësisë! Përcjellësja e jetës së tij ishte Virgjëra Mari, ndërsa shtylla, ushqimi, siguria, ishte Eukaristia.

Thoshte shpesh kështu: qysh tash jam tejet i lumtur, me tri katedra:

Për mësim: nëpërmjet Biblës – Kishën, për gjetjen e porosisë dhe vullnetit të Zotit;

Për predikim: nëpërmjet jetës së virtytshme dhe dëshmisë së krishterë;

Për shijim: të mëshirës, dashurisë dhe faljes – nëpërmjet rrëfimit apo pajtimit.

Shna Ndou na mëson dhe udhëzon kështu: “Feja pa dashuri s’ka dobi. Dashuria është shpirti i fesë, sepse asaj ja jep jetën. Feja dhe shpresa janë dy krihet e zogut për të fluturuar”.

Shna Ndou ishte i dashuruar në Krishtin, Kishën, çdo njeri, dhe donte Atë t’ia dëshmonte, tregonte dhe dhuronte gjithë botës. Si? Nëpërmjet fesë, shpresës dhe dashurisë, që dëshmohen me përsosmëri dhe shenjtëri.

Jeta vazhdon. Mrekullia vazhdon. Shëlbimi vazhdon!

Shna Ndou i Padovës – lutu për ne!/drita.info

 

(Homelia e plotë e Don Lush Gjergjit në meshën solemne për festën e Shën Ndout të Padovës në Famullinë e Prishtinës, më 13 qershor 2020).

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »