Shqipëria dhe Nënë Tereza

Jun 15 • Opinion

Nga Dr. Mojkom ZEQO

 

Shqipëria dhe Nënë Tereza përbëjnë një paradigmë të disa nyjeve konceptuale të drejtpërdrejta, substanciale apo të tërthorta, të veçanta dhe universale. Nuk dua të subjektivizoj atë që është objektive, as të mitizoj një histori virtuale të Nënë Terezës. “E dua Platonin, por dua më tepër të vërtetën” – kjo maksimë aristotelike vlen dhe për personalitetin historik të jashtëzakonshëm të Nënë Terezës. Bën dhe dallimin midis të vërtetës retorike dhe të vërtetës dokumentare.

Parimi biografik nuk e shmang origjinën etnike. S’ka lindje njerëzore abstrakte, madje as klonimi nuk është i tillë. Nuk ka kromozome prej ari të një etnie apo një individi, apo kromozome prej bakri, apo prej hekuri të një etnie, apo individi tjetër. Nuk mund të flasim për politikë gjenetike, as për eugjenizëm. Në histori përtej të vërtetës gjenetike është harlisur me arabeska të habitshme edhe mëtimi i origjinave etnike të personaliteteve të mëdha pavarësisht se këto origjina janë të rastësishëm edhe jo “sipas një regjistri hyjnor”. Për origjinën e Homerit u grindën 7 qytete. Shekspirin e kanë bërë edhe italian, madje edhe arab. P.sh. emrin Shekspir e kanë shpjeguar si ngjizje e fjalëve arabe apo perse Sheik apo Pir. Skënderbeun e kanë bërë serb, grek, maqedon, madje edhe italian. Migjenin e kanë bërë serbe tj. Nuk po zgjatem me këtë dukuri të politizuar, kaq të gjëmshme dhe të kotë, që dikush mund ta quajë “tranvesti elitash”.

E për paradoks me rastin e Gonxhe Bojaxhiut. Origjinën e saj të padyshimtë shqiptare e konsideron të dyfishtë alarmante: nacionaliste, me grabitje të gjoja origjinës vllahe a rumune.

Meqenëse Nënë Tereza-Gonxhe Bojaxhiu përherë ka deklaruar: “jam shqiptare”, atëhere del se vetë Ajo duhet instrumentalizuar si shkaktare e kësaj “tranvesti elitash”, pra, vetë ajo ka falsifikuar origjinën e saj shqiptare. Kjo marrëzi fantazmagorike e poshtëron Nënë Terezën si gënjeshtare të vetvetes me shumë heteronime ose origjina. Në një koncept juridik të patjetërsueshëm deklarata nga fillimi deri në fund të jetës se “jam shqiptare” është e vërteta e vetëdijes së origjinës. Duke besuar te e vërteta e Zotit, si mund të mos besonte te e vërteta e vetvetes? Tjetër është origjina, tjetër janë kushtet, që e bënë kaq të madh personalitetin e Nënë Terezës. Origjinat nuk janë aprioristike.

Nuk është kënaqësi, por i detyruar jam të ballafaqoj shkencërisht disa teza, që gjallojnë dukshëm madje edhe në Shqipëri për gjoja origjinën vllahe, arumune të Gonxhe Bojaxhiut. Rebelizmi i tyre bëhet si shkak i nacionalizmit shqiptar, për faktin se shqiptarët e quajnë Terezën me origjinë shqiptare, sikur gjoja, kurrë, asnjëherë, vetë Ajo nuk e ka pohuar botërisht “urbi et orbi” këtë gjë. Tërë biografët e huaj në botë nuk e venë në dyshim këtë origjinë shqiptare, por biografia në Maqedoni Jasmina Mironski jep një origjinë mikse, d.m.th. nënë e Gonxhes qe shqiptare, i jati – vllah, arumun. Dëshmia e Dimo Dimcevit se Kolë Bojaxhiu është vllah, përfaqësues i komunitetit arumun në Shkup, ngrihet në artikulim shkencor “përfundimtar” nga akademiku Tome Serafimovski.

Montenji i madh që në shek. XVI ka thënë “në fillim fare linda njeri, pastaj rastësisht francez”. Kjo maksimë është homocentrizmi ekzistencial. Edhe unë, që po shkruaj këto rrjeshta mund të kisha lindur arumun dhe jo vetëm s’do ta mohoja kurrë këtë gjë, por do të isha krenar. S’do ta mohoja edhe nëse do të lindja eskimez, tibetian, rom, apo zezak. Të gjithë racat, popujt, kulturat, gjuhët, qytetërimet kanë të njëjtën matricë antropologjike.

Unë kam shkruar vetë për arumunët e Shqipërisë dhe të Ballkanit me një nderim të madh, disa prej tyre, kanë luajtur role të veçanta në historinë e kulturën kombëtare shqiptare pa kompleksin e një “tranvestie elitash”. Arumunët, vllahët janë të barabartë me tërë popujt ballkanikë dhe të botës, ata meritojnë studime të rrafshit shkencor dhe të ridimensionohen edhe në Shqipëri. Po të konsiderosh se Voskopoja, qoftë dhe metaforikisht qe “Jeruzalemi i arumunëve” është një sforcim i njëanshëm, sepse dihet se Voskopoja qe një qendër tipologjike në Shqipëri, ku shqiptarët, arumunët, por edhe kultura shkrimore greke krijuan një sinkretizëm, një “Cita aperta” si multietnizmi, apo multikulturalizmi në epokën e sotme globale, (duke e modernizuar paksa këtë ide sepse situatat historike janë të ndryshme.) Edhe mendimi i eruditit Karl Markus Gauss, se arumunët dhe arumanishtja janë modele ose situata-simbole për zgjidhjen në të ardhmen të problemeve të Evropës është tepër interesant, por këtë rol mund ta luajnë edhe popuj të tjerë jo vetëm të vegjël por edhe të mëdhenj, gjë që ka të bëjë me vetë historinë.

Argumenti se ka arumunë me mbiemrin Bojaxhiu duhet marrë patjetër në konsideratë dhe nuk duhet përbuzur. Por dihet tashmë përfundimisht konvencionaliteti i emrave dhe i mbiemrave të njerëzve dhe relativiteti i tyre historik. Mbiemri Bojaxhiu është konvencional. Mbiemrat nuk përfaqësojnë as etnitë, as personalitetin e atyre që rastësisht e kanë. Po jap një shembull: mbiemri im Zeqo është i shumë familjeve në Shqipëri, në Kosovë e deri në Bosnje etj., por nuk lidhen fare me familje time. Mbiemra të tillë si Prifti, Hoxha, Bojaxhiu, Kasapi, Verdha, Kuqi etj. etj., janë të shumë familjeve, që s’lidhen me njeri-tjetrin në linjën e gjakut. Një punonjëse në Muzeun Historik Kombëtar e ka mbiemrin Bojaxhiu, por asaj nuk i ka shkuar ndër mend të afishohet si mbesa, ose e afërme e Nënë Terezës. Nëse ka dokumente disa brezash në të njëjtën familje me të njëjtin mbiemër kemi gjenealogji, jo rastësi mbiemërore. Thuhet se përfaqësuesi më në zë i arumunëve qe Mihal Bojaxhiu, themelues i teorisë së latinitetit të arumunëve, lindur sipas Maks Peyfuss në Buda më 1770 dhe sipas Candro Venaut në Voskopojë më 1700. Me sa di unë, bëhet fjalë për Mihal Bojaxhiun, pedagog në Vjenë, që më 1813 ka botuar një gramatikë maqedone-rumune, ku me guxim dhe me të drejtë i këshillon bashkatdhetarët e tij të mësojnë gjuhën e tyre amtare. Patriarkati me anën e një enciklike ndaloi shitjet e librit të tij.

Por le t’u drejtohemi dokumenteve. Në Arkivin e Shtetit në Tiranë, por dhe në familjen Suma, Shkodër ka dokumente – një numër i madh që vërtetojnë, se familja shqiptare Bojaxhi, e njohur edhe si Bianki në raportet tregtare me Venedikun dhe Evropën njihej shumë më përpara. Familja shqiptare Bojaxhiu në Shkodër ka nxjerrë një femër të jashtëzakonshme, të quajtur Tereza Bojaxhiu (Bianki), lindur më 1830 dhe vdekur më 1916. Në familjen e doktoreshë Terezina Sumës, sot 79 vjeç, ruhet një portret në pikturë i Tereza Bojaxhiut, bërë nga një piktor venedikas në shek. XIX si dhe disa punime artistike të vetë Nënë Terezës, si një portret i Terezës së Avilias, një i Shën Stefanit dhe një i Shën Augustinit. Bejtexhinjtë shqiptarë të Shkodrës kishin traditë katolike të pashlyer. Tereza, që po flasim, jetonte me 5 murgesha dhe i qe përkushtuar fesë dhe bamirësisë. Referencat arkivore në AQSH të viteve 1894 – 1896 dhe 1897 flasin se me kujdesin e saj u krye ndërtimi i disa shkollave, i disa rrugëve lidhëse të Shkodrës me krahinën si ajo Shkodër-Shëngjin, ndërtimi i disa kishave, të një spitali, si dhe dhurimi i një këmbane kishës së Obotit. Në një dokument të vitit 1905, Tereza organizoi edhe një pritje të Mjedës në Shkodër. Kjo Terezë shkodrane është kështu në një farë mënyre paralajmëruese ose paraardhëse tipologjike si shëmbëlltyrë edhe për Gonxhe Bojaxhiun. Kërkimet hulumtuese dhe për jetën e të nderuarit Dom Llush Gjergji, intervistimet e Lazër Bojaxhiut me vetë Nënë Terezën, shpjegojnë qartë kalimin në Prizren të një dege të familjes Bojaxhiu të Shkodrës dhe më pas në Shkup (shih botimin e Lush Gjergjit “Nëna e Dashurisë” Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë 2000, fq. 36-37). Titullari i Kishës katolike në Shkup, më 1939 qe Lazër Mjeda, i cili ka patur lidhje me familjen e Bojaxhinjve dhe vetë Gonxhe Bojaxhiun. Kolë Bojaxhiu ndërtoi teatrin e parë në Shkup, qe veprimtar i lëvizjes atdhetare shqiptare, krijues i orkestrës “Zani i maleve”. Vdiq i helmuar nga shovinistët serbë. Kostumi kombëtar shqiptar i Prizrenit, që mban të veshur në një fotografi në moshën 16 vjeçare Gonxhe Bojaxhiu, së bashku me motrën e saj Agen, sipas prof. dr. Afërdita Onuzi është tipik kostum i Prizrenit dhe një i tillë ndodhet edhe në fondin e Institutit të Kulturës Popullore.

Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte. Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve, sepse edhe vetë mbyllja në një fe të caktuar do ta zvogëlonte. Këtu s’duhet harruar se duke qenë shqiptare mund të bëhesh universale, se humanizmi i krishterë i dha mundësi të pakufishme Asaj për një humanizëm planetar. Mos harrojmë, se ka patur edhe mëtime për një “tranvesti fesh”. Etnikja e çoi Gonxhen te multietnikja, katolicizmi te ekumenizmi. Ajo i kapërceu përmasat e Urdhrit të Saj katolik, aq më tepër po të dihet se katolikët në Kalkutë kanë një përqindje të vogël në raport me hindusët, apo myslimanët. Gonxhja u emërua me emrin e shenjtores Tereza Martini e Elisios në Francë e shek. XIX dhe jo me atë të Terezës së Avilias në Spanjë të shek. XVI. Më vjen keq që këtë gabim e kam ndeshur edhe në shkrimet e disa priftërinjve të nderuar kur kanë shkruar për të. Shën Bonaventura i shek. XIII ka shkruar për Shën Françeskun e Asizit të shek. XII. Nëse Toma Akuini qe Aristoteli me Tosurë, Bonaventura qe një Shën Augustin i dytë. Bonaventura formuloi “Apologia pauperum” (“Mbrojtja e të varfërve”). Evokoi shëmbëlltyrën e Shën Françeskut të Asizit, këtë dritë të madhe në kishën e errësuar të mesjetës. Kjo qe një rikthim në krishterimin apostolik të hershëm, rikthimi i një statusi jetik të zgjedhur me dëshirë të plotë të personave edhe të pasur, për të ndihmuar të varfërit. Kështu veproi Françesku i Asizit. Kjo qe dhe rruga e Nënë Terezës në Kalkutë, shembulli një ungjillëzimi të ri. Varfëria është e vjetër sa bota. Me ndryshimin e varfërisë merren ekonomistët, politikanët, filozofët, teknologjistët, teoritë e të drejtave të njeriut që flasin për barazi juridike dhe barazi natyrore, pavarësisht nga diversitetet e qënies njerëzore. Nënë Tereza nuk qe reformatore sistemesh, nuk u muarr me teoritë për varfërinë, as nuk kishte veskun e revolucionarëve të mëdhenj, që aspirojnë ndryshime. Ajo u muarr me praktikën e varfërisë. Të varfërit ekzistojnë, madje dhe po shtohen në kontrast me shtimin marramendës të pasurisë. A duhet bërë diçka për ta? Të varfërit e harruar e të përbuzur, të uriturit dhe të sëmurit për vdekje i ndihmoi, i përkrahu, duke u vënë vetë në pozitën e të varfërës. Në këtë mënyrë të pashembullt Ajo u bë emblema e njerëzimit, kuptohet në këtë rrafsh, në këtë shëmbëlltyrë.

Paradigma “Shqipëria dhe Nënë Tereza” është e disa përballjeve të mëdha, e historisë 2000 vjeçare të krishterimit në Shqipëri dhe në botë, e injorimit të Saj nga ateizmi etatist komunist, njohja e saj më pas dhe tani një ridimensionim i shqiptarëve, por edhe i popujve të tjerë në pasvdekjen e saj. Ajo na ka lënë disa dokumente të pakta në gjuhën amtare shqipe. Letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip popullit shqiptar pas fitimit të Nobelit në Oslo më 1979, lutja në shqip, transmetuar nga “Zëri i Amerikës” në Bronx në N.Y., 17 qershor 1978. Dikur Martin Camaj shkroi: “O Shën Jeronim, si nuk le të shkruar një fjali në ilirisht?”. Unë do të thoja diçka të njëjtë për Marin Barletin. Edhe filozofi Humbolt i shkroi traktatet e tij në latinisht dhe jo në gjermanisht. Arsye e gjuhëve universale është komunizmi i përbotshëm. Ekumenizmi fetar i Nënë Terezës ka pika lidhëse me krishtërimin, fenë hinduse dhe myslimanizmin. Por edhe me qytetërimin. Ky ekumenizëm të çon në integrim. Tereza na çon në këtë integrim ne shqiptarëve. Por pa u zhdukur etnikisht dhe gjuhësisht, (gjë që varet nga vetë ne dhe jo më nga Ajo). Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Klinton ka thënë botërisht në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Ja pra, si mundet që shëmbëlltyra e Nënë Terezës duke qenë apolitike dhe mbarënjerëzore të ketë një ndikim historik edhe në politikë. Pa qenë politikane Ajo ka kuptuar filozofinë e historisë, ka kuptuar misterin e saj dhe ligjësinë e pandashme, se pa humanizëm nuk ka jetë qytetërimesh në planet, se vetëm, kur Njeriu do të realizohet si Njeri, do të harrohet varfëria, ose do të kujtohet ashtu si fosilet e dinozaurëve të dikurshëm. Amen!/drita.info

 

(Këtë shkrim, të botuar për herë të parë më 3 korrik 2013, po e ripublikojmë me rastin e ditëvdekjes së autorit, më 15 qershor 2020. Pushoftë në paqe !)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »