Roli i atit në zhvillimin psikik të fëmijës

Jun 16 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Kohën e fundit gjithnjë e më shumë shkruhet për rolin e atit në zhvillimin psikologjik dhe shpirtëror të fëmijës. Do të ishte e tepërt të argumentojmë se si figura e atit ka hyrë në një periudhë të krizës së madhe. Mbi rolin e atit për zhvillimin e balancuar të fëmijës bëhen diskutime të ashpra mes ekspertëve të fushave të ndryshme në të gjithë botën. Disa shkruajnë mbi shoqërinë pa atë, disa mbi muzgun e zotit atë, e disa të tjerë mbi rilindjen e atit, secili sipas pikëvështrimeve të tyre.[1] Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me fjalë apo me fakte por shpesh edhe me ideologji, lëvizje, madje edhe me manipulime.

Roli i atit në zhvillimin dhe edukimin e fëmijës mund të vështrohet në disa pikëpamje: ajo realizohet në nivele të ndryshme. Para së gjithash, ati ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e aftësive për lidhje ndërnjerëzore. Edhe pse i ati nuk i kushton aq kohë fëmijës sa nëna, megjithatë është i pranishëm në jetën e tij, kështu që domosdoshmërisht ndërmjet tyre zhvillohet një lidhje ndijore. Kjo lidhje është e natyrës tjetër nga lidhja me nënën, që mund ta ilustrojmë me lojën: loja e atit me fëmijën zhvillohet në mënyrë ciklike, kurse kulmi i saj është mahnitja, pas së cilës pason një periudhë e rënies të madhe. Nënat japin përparësi lojërave klasike, e lidhja e tyre bartë vulën e një ndërsjellshmërie të gjatë.

Ashtu si rritet fëmija, rritet edhe rëndësia e rolit të atit në kuptimin e modelimit. Do të thotë shumë, nëse i ati është i aftë të bashkëndajë sukseset e fëmijës së tij. Kjo e nxit atë për kreativitet të mëtutjeshëm. Mund të hetohet një vazhdimësi e caktuar ndërmjet pranishmërisë së hershme të atit në jetën e fëmijës dhe lidhjes së më vonshme ndërmjet tyre. Një atë që nuk është marr shumë me fëmijën derisa ai ishte i vogël, më vonë do ta ketë më vështirë të krijojë një lidhje të afërt me të. Pasoja e gjithë kësaj mund të jetë tjetërsimi apo largimi njeri prej tjetrit.

Përveç ndikimit të drejtpërdrejt, është i rëndësishëm edhe ndikimi indirekt, që do të thotë lidhja e atit me gjithë familjen. Rasti i parë që do të jetë i rëndësishme më vonë është lidhja e atit ndaj nënës gjatë kohës së shtatëzanisë. Ekziston një fenomen i pazakontë në psikologji: prindërit në njëfarë mënyrë përherë ia bëjnë me dije fëmijës nëse ata e kanë dashur apo thjeshtë “ka ndodhur”, përkatësisht ai ka hyrë në jetën e tyre papritur duke e prishur idilën e tyre martesore.[2] Ka të ngjarë që ky është një zë i shtypur i ndjenjës së fajit, që fëmija e regjistron dhe më vonë në mënyrë të shkallëshkallshme e ndërton në vete figurën mbi prindërit.

Ati i papranishëm jo vetëm që nuk bën shumë gjëra për fëmijën e tij, por mund të jetë edhe ndalesë për zhvillimin e tij në mënyrë indirekte, që do me thënë e vështirëson rolin e nënës në plotësimin e nevojave materiale, kontakteve fizike dhe zhvillimit emocional. Përveç kësaj, i ati bëhet jo ekzistent, një qenie artificiale në fantazinë e fëmijës, i cili në një moment e nxit hidhërimin për shkak të dëshpërimit, kurse në një moment tjetër dëshirën për një atë të idealizuar. Fëmija në këtë rast jeton përherë në një ankth të pasigurisë për sa i përket identitetit të atit: kush është në fakt i ati i tij? Një figurë e mrekullueshme për të cilin mund të ketë një ndjenjë mahnitje dhe të cilin, me siguri, do të mund ta donte po të mos ishte sjell keq nëna me të, apo e kundërta, i ati i tij është njeri i keq, i cili i ka braktisur dhe më mirë është ta humbasim përgjithmonë se sa ta kërkojmë.

Problemi themelor i ndarjes për fëmijën është se ai vuan nga ekuilibri i luhatshëm në sistemin familjar dhe për shkak të ankthit të përhershëm mes dy prindërve. Rreth kësaj ngelet vetëm një hap për të mbërri deri te përfundimi se ai është fajtor për mosmarrëveshjen e prindërve të tij. Te kjo pikë është e rëndësishme të përmendim një paragjykim shumë të shpeshtë të nënave vetushqyese: prej tyre jo rrallë dëgjohet, që tani ajo do të jetë nëna dhe i ati i fëmijës. Për fat të keq, asnjë nënë nuk mund ta zëvendësojë të atin. Ajo mund ta intensifikojë kujdesin e saj amnor, por nuk mund ta zëvendësojë botën e atit. Sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një person, por për një botë të tërë, për botën e mashkullit/burrit, i cili ka vlera të tjera dhe marrëdhënie tjetër ndaj fëmijës, se sa bota e gruas. Me ndarjen e prindërve, në njëfarë mënyre në jetën e fëmijës iket një botë. Nëna le të mbetet vetëm nënë, dhe më mirë është të lejoi që fëmija së paku në imagjinatë të dialogon me të atin e tij të mirë, sepse fëmija ka nevojë dhe ka të drejtë për të atin e tij.[3]/drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————

[1] P.sh. E. Badinter, Die Identität des Mannes, München, 1997.

[2] Khs. T. Fengler, “Indesiderato”, në: Psicologia Contemporanea 17 (1990) 44-48.

[3] Khs. C. Benard – E. Schlaffer, “L’alibi di papà!, në: Psicologia Contemporanea 21 (1994) 50-57.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »