E vështirë apo e lehtë, rruga e Zotit e vërtetë
23 qershor 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 2 Mbr 19, 9b-11.14-21.31-35a.36; Ps 48, 2-4.10-11; Mt 7, 6.12-14)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment dhe përpiqem ta marr me mend se Hyji është i pranishëm:
në afërsinë time, në atë çfarë bëj, në njerëzit që i takoj,
në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.
Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?
Liria
Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:
më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.
Ndërgjegjësimi
Si po e përjetoj/ndiej sot veten?
Si po sillem me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.
Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit do të koncentrohem me besim në tekstin e sotshëm.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe se ai mund të të frymëzojë që të zbulosh çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë është duke ndodhur në zemrën tënde.
Mt 7,6.12-14
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet:
6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.”
12 Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”
13 “Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të! 14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak nga ata që e gjejnë!”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Është mënyrë e lehtë të shmangësh përgjegjësinë personale dhe të shkosh me turmën – që të zgjedhësh edhe ti atë që zgjedh masa e njerëzve. Zgjedhja në mes të mirës dhe të keqes shpesh mund të jetë e ngushtë dhe e vetmuar.
- O Zot, të lutemt ë më tregosh shtegun që të çon te ti. Bëj që ta ndjek atë me gëzim – pa marrë para sysh a është kjo e vështirë apo e lehtë.
- Dhuntitë që Hyji ia jep secilit prej nesh nuk guxojnë të treten ose të injorohen, duhet të përdoren në shërbim të të tjerëve.
Bashkëbisedimi
A jam duke i vërejtur reagimet e mia ndërsa jam duke lutur me Fjalën e Hyjit?
A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më vjen gërdi?
Ndërsa e paramendoj Jezusin se si rri ulur apo qëndron pranë meje,
në besim, si mikut më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Stela e antroponimisë ilire nga Kosova Libri “Britmë në shkretëtirë” »