Libri “Britmë në shkretëtirë”

Jun 23 • Kulturë, Recension

Nga Don Marjan Sh. Uka

 

Pandemia, si shpikje e qartë e neototalitarizmit, që papritmas e pushtoi botën duke ia trasuar përfundimisht rrugën “civilizimit” të ardhshëm, duket se ia imponoi shkrimtarit ambicioz Dr. Don Anton Ukës, emrin e veprës së tij të radhës, e cila po i dhurohet lexuesit shqiptar për shoqërim në këto kohëra tejet të dyshimta dhe të zymta. Që në shikimin e parë, titulli përçon në ne një asociacion përfytyrimesh të klithmave që, përmes profetëve të Besëlidhjes së Vjetër, Shën Gjon Pagëzuesit, Jezu Krishtit, shenjtërve të shumtë të Kishës e deri të Autori i kësaj vepre, gjithmonë alarmojnë për rrezikun që i kanoset njerëzimit.

Historia na mëson se njerëzit e frymëzimeve të mëdha e kanë shoqëruar popullin në të gjitha kohërat, periudhat dhe vorbullat e jetës, duke lënë pas vetes veprat e pavdekshme si model për edukim të brezave ndër shekuj. Një ndër to është edhe vepra “Britmë në natyrë” e piktorit të famshëm norvegjez Edward Munch, e cila me porosinë e saj për shumëçka përkon me kohën, në të cilën u krijua vepra “Britmë në shkretëtirë” dhe me mesazhin që ajo përçon tek lexuesi shqiptar dhe më gjerë.

Piktura me skena morbide, si shprehje krejtësisht e re artistike, u shfaq si e kundërta e impresionizmit, duke theksuar ndjenjat njerëzore të lindura nga instinktet sociale dhe psikologjike. Ajo lindi nga shpirti i një artisti që sëmundjen, çmendurinë dhe vdekjen i njihte për engjëj që e shoqëronin që nga djepi e deri në vdekje, andaj nuk është çudi që paraqet ndjenjat më të larmishme të personit, që në lëkurën e vet përjetoi frikën, zemërimin, tërbimin, depresionin, xhelozinë, si pasojë e një fëmijërie dhe jete të vështirë.

 “Britmë në natyrë” u krijua si një përzierje e përsosur e ekspresionizmit dhe simbolizmit në figurën e tmerruar, disi demonike, që qëndron mbi një urë përballë qiellit të kuq të përgjakur. Vepra tregon siluetën e një njeriu duke bërtitur, që ne mund ta dëgjojmë duke e shikuar, sikur të jemi përpara një personi që ulërin me gjithë forcë dhe simbolizon njeriun e kapluar nga ndjenja e frikës dhe e ankthit ekzistencial, sa që kush e shikon nuk mund të mbetet indiferent ndaj saj. Është e pamohueshme që ndjenjat e këndshme dhe të pakëndshme ekzistojnë në mënyrë të barabartë në secilin prej nesh, duke luftuar njëra-tjetrën për epërsi.

Litografia ka një përshkrim poshtë pikturës ku lexojmë: “Unë po shëtisja rrugës me dy shokë, dielli po perëndonte, papritmas qielli u kthye në gjak të kuq, ndalova, u ndjeva i lodhur dhe u përkula në gardh, kishte gjak dhe gjuhë zjarri sipër fjordit blu/zi dhe qytetit, miqtë e mi ecnin, dhe unë qëndroja atje, duke u dridhur nga ankthi, dhe ndjeva një ulërimë të pafund që kalonte nëpër natyrë….”.

Piktura “Britmë në natyrë” paraqet një portret të dehur të njeriut, të gjinisë dhe moshës së papërcaktuar, të veshur me të zeza, me duar të mbështetura në kokë, pa flokë, pa identitet, me veçori të treguara vetëm në fytyrë, por të mjaftueshme për të treguar një grimasë që nuk harrohet. Disa mendojnë se ideja për këtë i erdhi Munch-it, pasi që ai në vitin 1889 jetoi në Paris, kur u mbajt një ekspozita botërore e artit. Me këtë rast ai mund të kishte parë mumien e një luftëtari të popullit peruan Chachapoya, të gjetur në rajonin peruan të Amazonës, që nga sjellja, ngjyra e lëkurës dhe tiparet e fytyrës ngjason habitshëm me pikturën “Britmë në natyrë”, e cila njihet si një nga veprat më të njohura të artit botëror dhe në një ankand u vlerësuar mbi 120 milion dollar. Ajo paraqet fillimin e stilit të ri të ekspresionizmit dhe konsiderohet “Mona Lisa e epokës së re”.  

Më 27 gusht 1883, një vullkan i quajtur Krakatau në Indonezi shkaktoi një nga shpërthimet më të mëdha të njohura ndonjëherë. Tingulli i shpërthimit (të paktën 172 decibel) ishte aq i fortë, sa mund të dëgjohej, pothuajse, 4.800 km larg. Hiri vullkanik u përhap në atmosferë nëpër mbarë botën, veçanërisht në Evropën veriore. Ai ishte shkaku i perëndimit të diellit të kuq, për të cilin Munch-i mund të ketë dëshmuar. Dikush mund të spekulojë, se një qiell i tillë apokaliptik shkaktoi emocione të forta, që autori i kujtoi dhjetë vjet më vonë, kur e pikturoi veprën.

Këto dy vepra kanë shumë pika të përbashkëta: 1. Të dyja kanë titull të njëjtë: “Britmë në natyrë” dhe “Britmë në shkretëtirë”; 2. Të dyja paraqesin një kohë kapërcimi nga një periudhë në tjetrën: “Britmë në natyrë” është kapërcim nga impresionizmi në ekspresionizëm; ndërsa “Britmë në shkretëtirë” është thirrje për kapërcim nga gjendja depresive shpirtërore, në besimin e patundur në Krishtin; 3. Në rastin e parë artisti dëgjon zërin e natyrës; ndërsa në rastin e dytë shkrimtari, duke i ndjekur këshillat e kardinal Martinit, na mëson si ta dëgjojmë Fjalën e mishëruar; 4. Në rastin e parë piktori motivohet nga një mumie e një luftëtari të popullit peruan Chachapoya, të gjetur në rajonin e Amazonës; ndërsa në rastin e dytë autori sigurisht i ka të freskëta reagimet në lidhje me Pachamamen e ardhur në Vatikan, po ashtu nga Amazona; 5. Në rastin e parë kemi të bëjmë më një hi vullkanik, të përhapur në atmosferë nëpër mbarë botën; ndërsa në rastin e dytë autori përballet me pandeminë e virusit Covid-19, që e paralizoi Kishën dhe njerëzimin mbarë; 6. Në rastin e parë flitet për një pikturë pa identitet, pa gjini, të veshur në të zeza; ndërsa në rastin e dytë autori përmes Fjalës hyjnore orvatet ta ndërtojë dhe shërojë këtë portret të njeriut të rraskapitur, të çoroditur, të plagosur e të sëmurë nga sëmundjet moderne të shekullit. 7. Në rastin e parë të gjitha problemet, qofshin ato materiale, psikike apo shpirtërore, e shoqërojnë dhe e nënshtrojnë autorin, për arsye të mospraktikimit fetar; ndërsa në rastin e dytë autori përballet me problemet e jetës dhe i sfidon ato me lutje, besim dhe fe. 8. Në rastin e parë britma përfaqëson pozicionin modernist dhe bëhet simbol shqetësimi i njeriut modern, moment që e shpërbën shpirti i tij; ndërsa në rastin e dytë britma shndërrohet në simbol shprese për një jetë të bekuar në tokë dhe për lumturinë e amshuar në qiell.

Duke e përfunduar me fjalët e Benediktit XVI se: “Rruga që shpie në njohjen dhe në takimin me Hyjin, është rruga e fesë. Feja nuk është shmangie apo ikje nga realiteti, por rrugë e privilegjuar për ata që jetojnë në indiferencë dhe dyshim” (fq. 200), Ju ftoj sinqerisht ta lexoni këtë vepër, në mënyrë që edhe Ju të mund ta shtoni britmën Tuaj në këtë zinxhir britmash të njerëzve të zgjedhur nga Zoti./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »