Shën Gjon Pagëzuesi – Pararendësi i Krishtit

Jun 23 • Këndvështrime

Nga Don Agim Qerkini

 

“Përpara se të ngjizej, ti e shënove me një emër profetik: përpara se të lindte, ishte i mbushur me Shpirtin Shenjt. Kur akoma ndodhej në kraharor, pati hirin të dëgjonte zërin e Nënës së Zotit që në habi të madhe e plot gëzim përshëndeti fillimin e shëlbimit njerëzor. Ai u bë pararendësi i Krishtit, i cili e shpalli atë si njeriun më të madh i lindur prej gruaje.”
Ky tekst liturgjik është përmbledhja më e plotë e figurës së Gjon Pagëzuesit. Kisha Katolike feston dy festa në nder të tij: më 24 qershor – lindjen e tij dhe më 29 gusht – martirizimin e tij.[1]

 

Hyrje

Që në fillim të kësaj paraqitjeje për shenjtin e madh, “Lajmëtar-Pararendës të Krishtit”, Shën Gjon Pagëzuesit, më duhet të pranoj se përherë më ka mahnitur kjo figurë biblike dhe jeta e tij. E si të mos jetë ashtu kur për të edhe vetë Krishti deklarohet duke thënë: “s’ka djalë nëne që është më i madh se Gjoni!” (Lk 7, 28), e në anën tjetër, ai për veten e tij thotë: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë” (Gjn 1, 23). Asnjëherë nuk e bën veten të madh, por jeton në mënyrë të thjeshtë duke predikuar se Mbretëria e Hyjit – Krishti, Shëlbimi i botës është afër.

Duke medituar mbi jetën e tij dhe duke e lutur ndërmjetësinë e tij, ndjej se mund të përthellohemi në meditim, duke shkruar për jetën dhe misionin e tij të shenjtë, me dëshirën dhe urimin që ky shkrim modest të jetë një ndihmë për ta njohur edhe më mirë figurën e tij. Shkrimi dëshiron që në mënyrë kronologjike të sjell fakte që lidhen me lindjen, jetën,  veprimtarinë dhe martirizimi i tij.

Ky është i vetmi shenjt, të cilit, përveç Virgjërës Mari, i festohet edhe dita e lindjes në këtë botë, por edhe ajo e vdekjes-lindjes për qiell. Thirrja e tij profetike që nga kraharori i nënës përshkohet me ngjarje të jashtëzakonshme, plot gëzim mesianik, të cilat përgatisin lindjen e Jezusit. Gjoni është Pararendësi i Krishtit me fjalë dhe jetë. Pagëzimi i kthimit, të cilin e predikon ai, që shoqërohet me shpalljen e mbarimit të kohës, është në të njëjtën kohë imazh dhe paralajmërim i pagëzimit me Shpirtin Shenjt.

Pra, para se të ngjizej në kraharorin e së ëmës, ishte i paracaktuar për një mision të shenjtë, të cilin do ta përmbushë në tërësi. Duke e lajmëruar ardhjen e Mesisë, për më tepër, duke e parë me sytë e vet e duke bërë me gisht nga ai: “Ja qengji i Hyjit”, është më i madhi nga profetët, por edhe i fundit i Besëlidhjes së Vjetër. Profet është ai që shpall, paralajmëron, zbulon. Të krishterët, popull i Zotit, janë edhe popull profetësh. Edhe ne të bashkuar rreth Krishtit, duke e shikuar atë, shpallim vdekjen dhe ngjalljen e Tij, si dhe praninë e tij të mistershme deri sa të vijë.[2] Pas tij, me Krishtin fillon një epoke e re, realizimi i plotë i premtimeve të Hyjit, i plotësimit të përtëritjes së besëlidhjes së Hyjit me njerëzit, e shtrirjes së Mbretërisë qiellore në botë.

Dita e lindjes së tij, tre muaj pas lajmërimit të Zotit, gjashtë muaj para Krishtlindjes,[3] përkon me Shënimet e Shën Lukës Ungjilltar, i cili na flet në mënyrë më të detajuar për lindjen e tij dhe të Mesisë. Prandaj, duke e marr për bazë sidomos këtë tekst ungjillor, do të themi disa fjalë edhe për prindërit e tij, të cilëve, në pleqëri, Zoti ua shpërblen përvojën flijuese që kishin kaluar gjatë jetës, duke i qëndruar përherë besnik.

 

Prindërit e Gjon Pagëzuesit

Ndodhemi në Ain Karem,[4] në Jude, një fshat i këndshëm mes malesh që ndodhet në anën perëndimore të Jerusalemit, rreth 7 km larg tij. Ky vend i vogël është i njohur që nga kohët e Jeremisë profet (shek. VII para Krishtit), i cili, pasi ishin të kërcënuar, u kërkoi bijve të Beniaminit: “Ikni jashtë Jerusalemit! Bini borisë në Tekua, në Betkarem ngritni flamurin” (Jer 6, 1). Ain Karem është vendtakim i Besëlidhjes së Vjetër me Besëlidhjen e Re, i Gjonit dhe Jezusit.[5] Për ne, ky vend ka rëndësi të veçantë, sepse aty banonin Zakaria dhe Elizabeta, prindërit e Shën Gjonit.

Burimi më i rëndësishëm që na jep informacione për prindërit e tij është Shën Luka Ungjilltar, i cili, në kapitullin e parë, përveç se shkruan për ngjarjen më të rëndësishme të historisë së njerëzimit, atë të Mishërimit të Fjalës së Hyjit në mesin e njerëzve, na flet edhe mbi paralajmërimin dhe lindjen e Shën Gjonit. Luka na tregon se prindërit e tij janë pasardhës të familjeve priftërore.[6] I ati i Shën Gjonit, Zakaria, i përkiste klasës së tetë priftërore, asaj të Abisë, një nga njëzet e katër të formuara nga Davidi, për të rregulluar ndërrimet e shërbimit javor në shenjtërore. Këtë shërbesë në tempull ai e kryente në Ain Karem. Ishte i martuar me një nga të bijat e Aronit, Elizabetën, kushërirën e Virgjrës Mari. Emri i tij, nga arameishtja ka kuptimin e “kujtimit të Hyjit.” Edhe për nga simbolika është shumë domethënës emri i tij: Zoti nuk i harron e as nuk i braktis ata që i shërbejnë me besnikëri!

Përveç në këto ngjarje që e sjell Shën Luka, ai më nuk përmendet në Besëlidhjen e Re, por vetëm në traditën apokrife, ku e identifikojnë ose me Zakarinë, të birin e Barakisë, i vrarë në mes tempullit e altarit (khs. Mt 23, 35), apo është vrarë nga Judenjtë, sepse e kishte lejuar Virgjërën Mari të banojë me virgjërat në sallën e tempullit, ose ndoshta është vrarë nga vrasësit e Herodit në masakrën e Fëmijëve të Pafajshëm.

Përndryshe, Zakaria vlerësohet lart nga Shën Luka si njeri i drejtë, i cili u përmbahet pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit, gjëra të cilat Ungjilltari i thotë edhe për gruan e tij Elizabetën.

Mirëpo, sikur për Zakarinë, ashtu për Elizabetën[7], Shkrimi i Shenjtë nuk na jep shumë të dhëna. Te Shën Luka mësojmë se ishte një prej të bijave të Aronit dhe emri i saj në hebraisht ka kuptimin: “Hyji është betimi im.”

Jetuan në kohën e Herodit të madh, famëkeq, i cili ishte mbreti i Judesë. Te dy, siç shkruan Shën Luka, ishin të drejtë para Hyjit, por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë[8] dhe ishin të shtyrë në moshë. Mungesa e pasardhësit ishte në atë kohë një barrë e rëndë për ata që duhej ta pranonin një fat të tillë. Kështu edhe Elizabeta, në rendin e shumë grave biblike, të cilat i njohim nga Besëlidhja e Vjetër, si Sara apo Rakela[9], ishte e tillë. Ungjilltari nuk na jep asnjë të dhënë lidhur me gjendjen se si e përjeton dhe si e pranon Elizabeta fatin e saj. Megjithatë, duke u nisur nga përgjigja e Zotit, i cili ju dhuron atyre Shën Gjonin, na shtyn të mendojmë që feja dhe besimi se e gjitha ishte një dhuratë e Zotit, e ka mbajtur të fortë edhe Elizabetën në përjetimin ndaj mungesës së fëmijës. Prandaj Elizabeta e shikon veten si pjesë të një plani të madh të Zotit, i cili akoma mbetej i pazbuluar.

Ajo brohoret me gëzim kur Maria i shkon në takim (khs. Lk 1, 42-45) dhe i pohon asaj bekimin e madh që ka marrë prej Zotit. “Je më e bekuar se të gjitha gratë…” duke iu gëzuar pamasë ngjizjes së mrekullueshme në kraharorin e Marisë, si pjesë e këtij plani madhor që Zoti kishte për të.

Sipas traditës, nëna e Elizabetës Soba dhe nëna e Marisë Ana ishin motra. Dhe kur Maria e merr vesh se kushërira e saj është shtatzënë, menjëherë niset për “krahinën malore”, në Ain Karim.

Pastaj, gjatë masakrës së Fëmijëve të Pafajshëm, ajo strehohet në një shpellë duke e shpëtuar fëmijën e vet, dhe pasi që Zakarinë e vrasin, mbase edhe për shkak se nuk ka treguar vendndodhjen e foshnjës, Gjoni mbetet herët pa të atin dhe supozohet se Maria e Jozefi janë kujdesur për ta, deri kur Gjoni tërhiqet në shkretëtirë e më pas fillon me daljen publike si predikatar para popullit të Izraelit.

Ishte i denjë të jetë i ati i atij që është më i madhi i lindur prej gruaje, Pararendësit të Mesisë.

Për sa i përket ditës së festës së tij, Martirologjia Romake e përkujton Zakarinë më 5 nëntor, ndërsa Beda e vendos atë me 6 shtator. Grekët e përkujtojnë me 5 shtator, kur paraqesin reliket e tij të cilat thuhet t’i kenë sjellë nga Konstantinopoja në vitin 415, megjithëse nuk dihet prej nga i kanë marrë. Më 28 tetor përkujtohet kushtimi i bazilikës së Shën Zakarisë në Konstantinopojë. Ndërsa në Romë do të nderohet më 6 nëntor, veçanërisht në bazilikën e Lateranit, ku ruhet një relikt i kokës së tij. Përndryshe, emrat e Shën Zakarisë dhe të Shën Elizabetës nuk figurojnë në Kalendarin e Kishës, por, sipas traditës së gjatë të saj, ata përkujtohen me 23 shtator si prindërit e Gjon Pagëzuesit.

 

Kënga e Zakarisë

Kënga-lutje e Zakarisë, të cilën e gjejmë te Shën Luka është kënga apo himni i tij[10], me të cilin ai e lëvdon dhe falënderon Hyjin, që me besnikërinë e tij e ka shpëtuar popullin e vet. Këtë këngë-lutje, Kisha e lutë çdo ditë në lutjen e mëngjesores. Ky himn në origjinal është i shkruar greqisht, sikur i gjithë Ungjilli i Shën Lukës. Emri i tij buron nga fjala e parë e përkthyer nga latinishtja: “Benedictus Dominus, Deus Israel”.

Sa i përket përmbajtjes së këngës së Zakarisë, në mënyrë më të thellë e më të qartë, po sjellim një pjesë nga komenti i Atit të Shenjtë, Papës Shën Gjon Pali II, i cili, në një nga audiencat e përgjithshme, më 1 tetor 2003 na flet për të. Ai, ndër të tjera shkruan: “Ky është një himn që e ka kënduar i ati i Gjon Pagëzuesit, Zakaria, sepse lindja e kësaj foshnje e ka ndryshuar jetën e tij, duke e fshirë dyshimin për të cilin pati mbetur memec, e që ishte një ndëshkim domethënës për mungesën e besimit dhe të falënderimit.

Shën Luka e përshkruan si himn profetik, i frymëzuar prej Shpirtit Shenjt (1, 67). Ndodhemi para bekimit që shpall veprat e shëlbimit dhe çlirimit që Zoti i ka dhënë popullit të vet. Pra, fjala është për leximin “profetik” të historisë, domethënë zbulimin e kuptimit të brendshëm dhe të thellë të të gjitha ngjarjeve njerëzore, të udhëhequra nga dora e fshehtë por vepruese e Hyjit, e cila mban dorën e dobët dhe të pasigurt të njeriut.

Teksti është solemn, dhe në origjinalin grek përbëhet prej dy pjesëve, fjalive (khs. 68-75; 76-79). Pas hyrjes, në shenjë bekimi falënderues, në tekstin e himnit përmbahen një numër temash që na flasin për historinë e shëlbimit: besëlidhja me Davidin, (68-71), besëlidhja me Abrahamin (72-75), Pagëzuesi që udhëzon në besëlidhjen e re në Krishtin (76-79). Por, “shigjeta e tërhequr” e krejt lutjes, është e drejtuar tek qëllimi që Davidi dhe Abrahami e shënojnë me praninë e tyre.

Kulmi është pothuajse në shprehjen e fundit: “që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin” (78), që ka një vlerë mesianike në traditën biblike. Isaia na përkujton kur flet për Emanuelin, se “Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita.” (9, 1).

Me Krishtin, pra, shfaqet drita që ndriçon çdo krijesë (khs. Gjn 1, 9) dhe lind jetë, siç do të thotë Gjoni Ungjilltar, duke i bashkuar në një pikërisht këto dy realitete: “e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve” ( 1, 4).”

Lidhur me këtë himn, Ati i Shenjtë citon një nga mësuesit e Kishës, Bedën e Nderueshëm, (shek. VII-VIII), i cili në homelinë e tij mbi Shën Gjon Pagëzuesin, e komenton kështu këngën e Zakarisë: “Zoti… na vizitoi si një mjek që viziton të sëmurët, që ta shërojë sëmundjen e rrënjosur të krenarisë sonë, Ai na e ka dhënë shembullin e përvujtërisë së tij; e shpagoi popullin e tij, sepse me çmimin e gjakut të vet na çliroi, ne që ishim bërë shërbëtor të mëkatit dhe skllevër të armikut të vjetër … Krishti na gjeti të shtrirë “në errësirën dhe hijen e vdekjes”!, domethënë të shtypur nga verbëria e gjatë e mëkatit dhe mosdijes … Ai na solli dritën e vërtetë të njohurisë së tij, dhe, pasi u hoqën errësirat e mëkatit, na e tregoi rrugën e sigurt drejt atdheut qiellor. Ai i drejtoi hapat e veprave tona, që të ecim rrugës së të vërtetës, të cilën na e tregoi, për të na bërë që të hyjmë në shtëpinë e paqes së amshuar, të cilën na e premtoi.”

Në fund, duke nxjerrë nga tekstet tjera biblike, Beda i Nderueshëm, e përmbyll kështu tekstin e tij, duke falënderuar për dhuratat që kishte marrë: “Pasiqë i kemi marrë dhuratat e mirësisë së amshuar, vëllezër fort të dashur, ta bekojmë edhe ne Hyjin në çdo kohë (khs. Ps. 33, 2), sepse Ai e vizitoi dhe shpagoi popullin e vet. Le të jetë gjithmonë në buzët tona falënderimi i tij, le ta ruajmë kujtimin  për të për dhe ta shpallim fuqinë e atij që na thirri nga errësia në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pj 2, 9). Ta kërkojmë pandërprerë ndihmën e tij, që ta ruajë në ne dritën e njohurisë që na e solli, dhe të na udhëheqë deri në ditët e përsosmërisë ” (Homilitë mbi ungjillin, Romë 1990, f. 464-465).[11]

 

Paralajmërimi i lindjes së Shën Gjonit

Zakarisë, i cili ishte një ndër priftërinjtë që shërbenin në tempull, i kishte ardhur rendi të paraqiste flinë e shkrumbimit. Në atë kohë në tempull kishte shumë priftërinj të cilët e kryenin këtë shërbesë, prandaj nuk ishte e thënë që atyre mund t’ju vinte radha e një shërbese të tillë. Kjo shërbesë bëhej në pjesën e tempullit e cila quhej “pjesa e Shenjtërores së Zotit”.[12] Kjo ishte një pjesë në të cilën mund të hynin vetëm priftërinjtë në kohën e paraqitjes së flisë së tyre. Zakaria, sipas asaj që mësojmë nga Shën Luka (1, 8-25), po kryente këtë shërbesë e cila mund të ketë qenë e para në jetën e tij. Ai do të ketë patur në zemrën e tij edhe brengen e mungesës së pasardhësit, që bashkë me Elizabetën duhej ta mbartnin gjatë gjithë jetës. Populli lutej jashtë shenjtërores. Në këto momente të paraqitjes së lutjes së tij, i shfaqet engjëlli i Zotit. Zakaria trembet. Kjo gjë është një element tipik, i cili gjendet në të gjitha shfaqjet apo lajmërimet e Zotit në jetën e profetëve dhe njerëzve të tij. Engjëlli i flet duke i thënë: “Mos u tremb Zakari! Urata jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon.[13] Engjëlli vazhdon më tutje duke i treguar edhe për cilësitë të cilat ky fëmijë i dhuruar, do të mbartë para njerëzve dhe para Zotit, njerëzit do ta duan dhe ai do të jetë “i madh para Zotit[14]. Natyrisht pas këtyre fjalëve, lind në Zakarinë dyshimi njerëzor, si mund të ndodhë kjo gjë, ndërsa unë jam i vjetër e gruaja ime e shtyrë në moshë. Është një dyshim, i cili shfaqet tek çdo njeri për shumë gjëra që janë njerëzisht të paarritshme. Më pas Engjëlli i tregon se prej nga vjen dhe pasi ai dyshoi në fjalën e tij do të mbetej i pagojë deri në momentin e lindjes së djalit. Mbetja e pagojë e Zakarisë mund të interpretohet në shumë mënyra. Kush është në gjendje të flasë për mrekullitë e përjetuara prej Zotit? E pra, në këtë rast të mbeturit e pagojë të Zakarisë, nuk duhet ta interpretojmë vetëm si pasojë e mosbesimit, por edhe si shtangie para lajmit të jashtëzakonshëm të cilin ai e kishte marrë, si mahnitje të këtij takimi me Zotin nëpërmjet engjëllit të tij. Edhe populli, i cili e priste Zakarinë të dilte, dyshoi se diçka e jashtëzakonshme duhet të kishte ndodhur, sepse Zakaria u vonua të dilte nga shenjtërorja. Madje kur doli, ai nuk mundi të fliste më. Shën Luka e përmbyll këtë tregim duke, theksuar se Elizabeta pas kthimit të Zakarisë në shtëpi ngjizi, duke i hequr “turpin që kishte para njerëzve[15].

Kështu na e tregon Shën Luka paralajmërimin e lindjes së Shën Gjonit, nëpërmjet një “anglofanie”, e cila për të nuk është e pazakontë, sepse edhe lindjen e Jezusit e tregon ai nëpërmjet lajmërimit të engjëllit Gabriel.

 

Vizita e Marisë tek Elizabeta

Më pas për Shën Gjonin do të dëgjojmë kur Maria shkon në vizitë te Shën Elizabeta. Maria pasi e merr lajmin prej Engjëllit Gabriel se do të ngjizë Jezusin, si dhe për shtatzëninë e Shën Elizabetës, menjëherë niset për të takuar Elizabetën, kushërirën e saj.

Afërsia e Zojës me Elizabetën nuk është saktësisht e ditur, megjithatë Luka na tregon se kanë qenë kushërira. Siç thamë më lart, supozohet se nëna e Marisë, Shën Ana me nënën e Shën Elizabetën të kenë qenë motra. Megjithatë të dyja kanë qenë bija të fisit të Aronit. Takimi i këtyre dy bijave kushërira, të cilat edhe pse kishin ndryshim të madh në moshë, nuk mbetet rastësor dhe pa rëndësi. Jo vetëm nga dashuria dhe respekti që ato kishin për njëra-tjetrën, por për shkak të atyre që mbartnin në kraharorin e vet. Të dy të mëdhenj dhe të rëndësishëm para Zotit, njëri pararendësi dhe tjetri Mesia. Dy foshnje të paralajmëruara nga Engjëlli Gabriel, të dy në mënyra të çuditshme për mendjen dhe syrin njerëzor. Njëri prej një gruaje të shtyrë në moshë, beronjë dhe e konsideruar që nuk mund të lindte më dhe tjetri prej një vajze të re e cila akoma “nuk kishte njohur burrë”. E pra të dy akoma pa lindur i gëzohen takimit me njëri-tjetrin. Prandaj, në këtë takim Elizabeta nuk le pa profetizuar lidhur me atë që Maria ishte, Nëna e Zotit. “je më e bekuar se të gjitha gratë, dhe i bekuar fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?!” (Lk 1, 42-43). Kjo gjë ndodhi pasi Elizabeta e dëgjon përshëndetjen e Marisë dhe foshnja e saj, pra Shën Gjoni, kërcen në kraharorin e Elizabetës.[16] Elizabeta e mbyll përshëndetjen e saj ndaj Marisë duke i thënë:“E lumja ti që besove…”[17] Kush më mirë se ajo mund t’ia thoshte Marisë këto fjalë, përveçse ajo që “në pleqërinë e saj pret t’i lindë djali[18]. Është ky gëzim që e përshkon këtë takim të parë mes Shën Gjonit dhe Jezusit, një takim i cili nuk perceptohet me mendje njerëzore por nëpërmjet dëshmisë dhe brohoritjeve të atyre që i mbartin ato. Prandaj edhe përshkrimi i këtij takimi përmbyllet nga Shën Luka me himnin e bukur të Marisë: “Shpirti im e madhëron Zotin”, i njohur si “Magnificat”.[19] Ky gëzim mes bijave të zgjedhura të popullit të Izraelit, sipas përshkrimit biblik, zgjati “rreth tre muaj”, ku më pas Maria u kthye në shtëpinë e vet.

 

Lindja e Shën Gjonit

Duke qenë se ky shkrim është edhe një meditim për festën e lindjes së Shën Gjonit, po ndalemi edhe tek tregimi biblik i lindjes së tij, i paraqitur po tek ungjilli sipas Lukës.[20] Tregimi i lindjes është mbresëlënës dhe nxjerr në pah edhe aspektin social të ngjarjes së jashtëzakonshme, që sjell në jetën e Zakarisë dhe Elizabetës. Kur Elizabeta e lindi djalin e saj, i gjithë farefisi u gëzuan, thotë Shën Luka. Pra, jeta e tyre, e Zakarisë dhe Elizabetës, nuk mbetet pa u vërejtur edhe nga të tjerët përreth. Dy të drejtë para Zotit, të cilët prej shumë vitesh nuk kishin mundur të kishin pasardhës, më në fund po i gëzoheshin bujarisë së Zotit. Gëzimi i farefisit mund të merret edhe si shenjë e një lehtësimi apo habie ndaj mentalitetit të asaj kohe, që thuhej se ata të cilët nuk kishin fëmijë, ishin të dënuar nga Zoti. Ndodhia në jetën e të dyve, bëri të ndryshohej edhe mendimi i njerëzve përreth tyre. Madje, Shën Luka shkon më tutje në tregimin e tij, me anë të të cilit i thyen akoma më shumë traditat e asaj kohe që ishin të zakonshme për popullin e Izraelit. Sipas zakonit të Besëlidhjes së Vjetër, djemtë rrethpriteshin në të tetën ditë pas lindjes. Kështu edhe Zakaria me Elizabetën si besimtarë besnikë të ligjeve të Zotit, bënë rrethprerjen e djalit të tyre dhe i vunë emrin. Përsëri tregon Luka ndikimin e rrethit shoqëror “donin ta quanin me emrin e t’et Zakari.[21] Marrja e emrit të atit është një traditë, e cila nuk karakterizon vetëm popullin e Izraelit të asaj kohe, por edhe sot akoma në shumë vende është traditë t’i vendoset njërit prej pasardhësve meshkuj emri i atit. Këtu ndërhyn Elizabeta për të përmbushur vullnetin e Zotit. Është ajo që e thotë se do të quhet Gjon. Nëna që vendos për emrin e djalit dhe mbi të gjitha, vendos mos t’i japë emrin e atit, por dëshiron të përmbushet profecia që engjëlli Gabriel i kishte bërë bashkëshortit të saj. Përsëri është farefisi që dëshiron ta kundërshtojë këtë gjë: “Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.”[22] Megjithatë edhe Zakaria, me anë të komunikimit me shkrim pohon duke thënë: “Gjon është emri i tij!”. Tani nuk kishte më vend për diskutime. Ishte Zoti që ua dhuronte këtë djalosh dhe Ai e kishte zgjedhur edhe emrin për të. Zakaria dhe Elizabeta e pohuan edhe një herë vullnetin e tij në jetën e tyre, pavarësisht çudisë që ngjallte kjo gjë në rrethin e tyre shoqëror. Me vendosjen e emrit edhe Zakarisë i erdhi goja, gjë e cila e bën ngjarjen edhe më të bujshme mes njerëzve, të cilët flisnin se cila do të ishte e ardhmja e këtij fëmije. Dhe me këto të dhëna Shën Luka e mbyll tregimin e lindjes së Shën Gjonit, të cilin pastaj e hasim në shkretëtirë si predikatar e profet, i cili i thërret njerëzit të pagëzohen me pagëzimin e kthimit dhe të përgatitën për ardhjen e Mesisë, të cilin do ta pagëzojë në lumin Jordan.

 

Gjoni dhe bashkësia e Esenëve

Kush ishin Esenët? Ata ishin një bashkësi brenda Judenjve, të cilët kishin një botëkuptim shumë të veçantë. Për t’i njohur më mirë, duhet të kthehemi te burimet kryesore që lidhen me zbulimet e vitit 1947, kur në shpellat që ndodhen afër Kumranit, në Detin e Vdekur, gjinden Rrotulla të tëra dokumentesh dhe fragmentesh që u referohen atyre. Zbulimi i këtyre shkrimeve ka mundësuar njohuri të reja mbi jetën e kësaj bashkësie, pastaj kanë filluar hulumtime të shumta të bëhen rreth tyre, natyrisht edhe arkeologjike.[23] Tashmë një pjesë, pasi është hulumtuar mirë është publikuar, ndërsa disa pjesë kanë mbetur akoma pa publikuara.

Bashkësia e Esenëve ishte e njohur edhe shekuj më parë, përmes shkrimeve të autorëve antikë, përfshirë Flavio Jozefin dhe Filonin e Aleksandrisë, filozof i famshëm hebre. Për Esenët shkruan edhe Plini Plak, i cili jetoi në shek. I pas Krishtit. Esenët ishin të angazhuar në studimin e Biblës dhe kërkonin ta gjenin rolin e tyre në historinë e botës. Të nxitur nga kjo shkruajnë edhe shumë vepra të ekzegjezës biblike.

Sipas Plinit, Esenët[24] ishin një bashkësi e cila i kishte braktisur kotësitë e botës, e formuar mirë shpirtërisht dhe me njohuri të thella mistike. Pronën e mbanin të përbashkët, nuk martoheshin dhe jetonin një jetë të shenjtë. Deklarohen pacifist, por, në të njëjtën kohë përgatiteshin për luftën me përmasa të shkatërrimit total, një revolucioni botëror ku ata do të ishin elita e Izraelit.

Nga jeta e përditshme dallohen kryesisht si fermerë dhe kultivues të frutave, krenoheshin për njohuri rreth tokës dhe klimës, dhe kjo ua mundësonte kultivimin e frutave dhe perimeve edhe në tokën e thatë në shkretëtirë, siç është sidomos ajo përreth Kumranit.

Një tjetër gjë interesante ishte se ata nuk kishin skllevër apo shërbëtorë. Ishin të parët që dënuan skllavërinë si në teori ashtu në praktikë. Nuk kishte të pasur apo të varfër në bashkësinë e tyre, sepse, kjo i largonte nga ligji dhe rregullat e tyre. Kryesisht iu përkushtuan studimit të Biblës dhe disiplinave të tjera, si mjekësia dhe astronomia. Bënin jetë të thjeshtë, duke u zgjuar herët në mëngjes për të studiuar, laheshin në mënyrë rituale në ujë të ftohtë dhe visheshin në tunika të bardha.

Pas punës ditore, hanin ushqimet në heshtje, nuk hanin mish e nuk pinin verë, e Shtuna e tyre, apo dita e shenjtë, fillonte të premten në mbrëmje dhe për ta ishte dita e parë e javës.

Për t’u pranuar në bashkësinë e tyre duhej kaluar një periudhë kohore prove prej një viti, pastaj duheshin tre vite para se anëtarët e rinj të bëjnë hyrjen në këtë bashkësi, pasuar nga shtatë të tjera praktike për t’u pranuar plotësisht.

Doktrina apo mësimi i tyre shfaqet në të gjitha besimet. Bazat themelore u mësuan në kohërat e lashta në Persi, Egjipt, Indi, Tibet, Palestinë, Greqi dhe shumë vende të tjera. Pjesa ezoterike e mësimeve të tyre paraqitej nga Pema e Jetës, Bashkësitë Esene dhe engjëjt, dhe Paqja e Shtatëfishtë. Mësimi i tyre haset te Zarathustra, që e shndërroi në një stil jete për mijëra vite. Pastaj, mësimi i tyre përbën konceptet themelore të Brahmanizmit, te Vedas, por edhe ato të Jogës që vijnë nga i njëjti burim. Buda i zbërthen të njëjtat ide themelore të “Pemës së tij të shenjtë të Iluminizmit”, që lidhet me “Pemën e Jetës”. Mësimet e tyre shprehen edhe në rrethin e jetës tibetiane. Doktrina e tyre bëhet pjesë e kulturës fenikase por edhe e shkollës së filozofisë në Aleksandri dhe kontribuon në zhvillimin e kulturës perëndimore prej së cilës përfitojnë Masonët, Gnostikët, Kabala. Esenët jetonin në këtë botë, por në të vërtetë nuk ishin pjesë e saj. Ata ishin të bindur se jetojnë në shoqërinë e engjëjve, ndjeheshin se janë “Bashkësia e Zotit”, të zgjedhurit, dëshironin një Qytet të Tempullit shpirtëror sipas koncepteve të tyre.”[25]

 

Dalja e Gjonit në publik

Ungjilltarët e paraqesin Gjonin në shkretëtirë të veshur “me petk prej leshi të deves e rreth ijësh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër.”[26] Paraqitja e tij dhe përshkrimi i tij nuk është i rastësishëm, sepse veshja që ai mbante përputhet me mënyrën e veshjes që në atë kohë mbanin anëtarët e bashkësisë së Esenëve të Kumranit, që i përmendem edhe më lart, të cilët nuk jetonin më në bashkësi. Është pikërisht veshja dhe mënyra e tij e të ushqyerit, që sipas autorëve të asaj kohe, si Flavio Jozefi, të cilët tregojnë se personat që dikur kanë qenë pjesë e bashkësisë së Esenëve, kur vendosnin të jetonin në shkretëtirë, nuk guxonin të ushqeheshin me ushqime të përgatitura nga dora e njeriut, por vetëm nga ajo që ata gjenin në mënyrë natyrore. Pastaj po i njëjti autor, na ofron në shkrimin e tij edhe një informacion lidhur me bashkësinë e Esenëve të Kumranit. Ai thotë se ata shpesh merrnin dhe kujdeseshin për fëmijët e të tjerëve. Prandaj, edhe një probabilitet që Gjoni të ketë qenë dikur pjesë e kësaj bashkësie, nxirret nga paraqitja e tij, nga afërsia gjeografike me vendin e predikimit dhe me Kumranin. Po ashtu edhe shkrimet të cilët na flasin për Gjonin paraqesin një afërsi të madhe me shkrimet të cilat janë gjetur në Kumran. Si të tillë vlejnë të përmenden: Isaia 40, 3 i cili thotë: “Qe, unë po e dërgoj lajmëtarin tim,[27] por edhe predikimi i kthimit, sepse tashmë ishte përmbushur koha. Pra, kjo afërsi le të kuptohet se edhe të mos kishte qenë pjesë e tyre, Gjoni e njihte mirë mënyrën e tyre të jetesës dhe botëkuptimin e tyre. Këtyre elementeve i bashkëngjitet edhe fakti se Gjoni pagëzonte, sikurse e bënin edhe banorët e Kumranit, gjë e cila dëshmohet edhe nga gjetjet arkeologjike në atë vend.[28]

 

Personi i Gjonit

Pajtor i murgjve.

Emblema: Qengji dhe sëpata.

Emri Gjon (Iehóhanan) në hebraisht domethënë: Hyji është dashamirës.

Gjoni, duke qenë i biri i Zakarisë, do t’i ketë njohur mirë të gjitha ritet dhe traditat e tempullit. Sipas ungjillit të Lukës 3, 1, ai duhet të ketë vepruar në vitin e 15-të të sundimit të mbretit Tiber, pra në vitin 28 pas Krishtit. Disa vite pas fillimit të veprimtarisë së tij, është vrarë nga mbreti Herodi i madh, edhe pse qëllimi politik i këtij veprimi mbetet i paqartë. Sipas Shën Mateut ungjilltar 6, 17-29, ku Gjoni flet për nderin si vlerë personale, mund të jetë arsyeja e kësaj ngjarjeje. Predikimi i Gjonit mbi mbarimin e historisë dhe të të gjitha mbretërive të botës, përbën edhe mbarimin e të gjitha regjimeve të asaj kohe. Prandaj edhe Herodi mund ta ketë marrë këtë gjë si rrezik real i drejtuar kundër tij. Mendohet që kulla e Maresë në Perea të ketë qenë vendi i ekzekutimit të Gjonit, për të cilën flet Flavio Josefi. Kjo e dhënë e tij pranohet edhe nga studiuesit si një e dhënë e saktë.[29]

Mbi Gjon Pagëzuesin janë bërë shumë vepra arti dhe shumë qytete e shtete janë vënë nën mbrojtjen e tij. Në shumë kisha dhe Katedrale në mbarë botën paraqiten figura apo skulptura të cilat e paraqesin këtë shenjt të madh me veshjen e tij karakteristike. Madje edhe autor me famë botërore si Rafaello, Leonardo da Vinci dhe të tjerë kanë bërë vepra artistike mbi këtë shenjt të jashtëzakonshëm.

Traditat e nderimit të tij në mbarë botën janë të ndryshme, që kryesisht janë të lidhura me datën e festës liturgjike së tij. Shën Gjoni është pajtor i shumë qyteteve të rëndësishme në Itali, si, i Torinos, Gjenovës dhe Firences.[30] Por edhe në popullin tonë Shqiptar ka famulli që i janë kushtuar këtij shenjti, e një ndër to është edhe famullia e Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, ku festohet lindja e tij, ndërsa në Moglicë (filial e Famullisë së Gjakovës) martirizimi i tij. Përveç festës dhe kremtimit liturgjik në këto dy vende, përkujtimi i tij shënohet edhe si festë familjare prej besimtarëve.

Mbi reliket e tij ka tregime dhe histori të ndryshme të cilat lidhen ngushtë me historinë e kryqëzatave të shekujve XII-XIII, kur ishte zakon që sa më shumë relike të shenjtërve të silleshin nga Toka e Shenjtë në perëndim. Kështu thuhet se trupi i tij pa kokë ka qenë varrosur në Sebaste në Samari dhe në këtë vend janë ndërtuar dy kisha, ku më vonë janë shkatërruar nga pushtimet e popujve paganë. Trupi i tij është nxjerrë nga varri dhe është djegur dhe më pas hirin e kanë hedhur në atë zonë. Kështu, në Gjenovë në Katedrale nderohet hiri i tij i sjellë në kohën e kryqëzatave në vitin 1098. Ndërsa lidhur me kokën e tij, ku për disa ajo ndodhej në Kostantinopojë dhe për të tjerë në Emesa, thuhet se edhe ajo në atë kohë është marrë dhe sjellë në perëndim. Kështu në kishën e Shën Silvestrit në Capite ruhet koka dhe në katedralen e Shën Lorencit të Viterbos ruhet një pjesë e kokës e tij. Ka edhe tradita të tjera nëpër shumë kisha në mbarë Europën, që flasin të kenë relike të shenjtit, si: dhëmbë, gishtërinj, krahë etj. Kjo gjë dëshmon dashurinë dhe devocionin e madh, që me kalimin e kohës, është krijuar për këtë shenjt, si kushëriri dhe Pararendësi i Jezusit…[31]

 

Vendi i veprimtarisë së tij

Gjoni pagëzonte në Jordan ose në afërsi të tij. Kështu shkruhet tek Gjn 1, 28. “Në Betani, përtej Jordanit”. Kjo do të thotë në pjesën lindore të tij, në vendin që quhet Perea. Emërtimi Betani do të thotë “shtëpia e varkave-anijeve”, sepse në afërsi duhet të ketë qenë një rrugë tregtare e rëndësishme ku edhe janë takuar varka të ndryshme. Emri Betani nuk i referohet fshatit “Betani”, aty ku jetonin familja e Lazrit, Marisë dhe Martës, disa kilometra larg Jerusalemit, për të cilin flitet në Ungjij (Mt 26, 6; ose Mk, 11, 1). Pra, vendi i emërtuar Betani i referohet më shumë domethënies si “shtëpia e varkave”.[32] Në Ungjillin sipas Gjonit 3, 22-23, tregohet edhe vendi tjetër ku pagëzonte Gjoni, “afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë[33]. Ky vend quhej ndryshe edhe si “kodra e Elisë” në Vaadi Harrar, ku kishte një burim uji të pastër dhe që i përshtatej më shumë pagëzimit dhe qëllimit të tij. Uji i burimit nuk ishte i turbullt sikurse ishte uji i Jordanit. Prandaj edhe ky vend merret si mundësi reale nga ku pagëzonte Gjoni. Në shumë raste Pagëzuesi identifikohet me Elinë edhe për shkak të predikimit të tij në këtë vend. Prej këtij vendi Elia profet ishte ngritur në qiell (2 Mbr 2, 6-12).[34] Vendi i predikimit të tij lidhet edhe me historinë e hyrjes së popullit të Izraelit në tokën e premtuar, sepse po nga ky vend Jozuehu i parapriu bijve të popullit të Izraelit në tokën e premtuar.[35]

 

Predikimi i Shën Gjonit

Gjoni paraqitet në shkretëtirë, një vend i thatë, i heshtur, vend i tundimit, por edhe i vendimeve. Në këtë heshtje tingëllon zëri i Pagëzuesit, i cili paralajmëron Fjalën, e cila pas pak do të fillojë të kumbojë plotësisht në Ungjill. “Zëri është Gjoni, ndërsa për Zotërinë thuhet: “Në fillim ishte Fjala” (Gjn 1, 1). Gjoni është zëri për një kohë të caktuar, ndërsa Krishti është Fjala e amshuar që nga fillimi.”[36]

“Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve.” (Lk 3, 3). Në Ungjill e dëgjojmë thirrjen e tij: “përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tij! (Lk 3, 4).

Pagëzimi i Gjonit, paraqet gjendjen reale të kthimit si shprehje e qëndrimit të brendshëm shpirtëror.[37] Dhe, shembulli i tij, për të gjithë ne është sa thirrje, aq edhe qortim se çfarë të krishterësh duhet të jemi. Paraqitje e tij në shkretëtirë përputhet edhe me përshkrimin që i bëhet profetit që duhet të vijë para Mesisë, siç lexojmë në librin e Malakisë[38].

Për Jezusin, Gjon Pagëzuesi është më shumë se një profet: “Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai.”  (Mt 11, 11).

Ai është Dëshmitari i dritës,[39] Lajmëtari që e ngre zërin e tij, Kisha e quan Pararendës. Në kohërat e lashta, kur mbretërit apo udhëheqësit bënin ndonjë vizitë, atyre që e prisnin, u nisej lajmëtari, që kur të mbërrijë mbreti, t’i lajmërojë; ja ku është, po vjen! Këtë detyrë sikur e kishte edhe Gjon Pagëzuesi, ta përgatitë popullin për ardhjen e Zotërisë, duke e paralajmëruar: “Po vjen, ja ku është!”

Thirrja e Gjon Pagëzuesit na bën të kuptojmë se shëlbimi vjen prej Krishtit. Ai është që do të na dërgojë Shpirtin Shenjt, pra do të na bëjë krijesa të reja. Edhe teologjikisht, në fillim të Ungjillit të Markut, ai definohet me këtë emërtim: “Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit”.

Shën Gjoni bën një jetë pendestare, vishet thjeshtë, edhe më thjeshtë ushqehet.[40] Ai na mëson se për një pritje me pjekuri, duhet të lirohemi nga ajo barrë që nuk na nevojitet, ose së paku nuk na shërben për kuptimin dhe gëzimin e vërtetë. Shpesh në jetë blihen dhe grumbullohen aq shumë gjëra, duke menduar se do të na sjellin gëzim, siguri, ndërsa e shohim se, përkundrazi, ato gjëra na pengojnë në gjetjen e lumturisë së vërtetë. Shën Gjoni ofron mundësinë e pagëzimit të kthimit, ofron mundësinë ta njohim gjendjen tonë reale.

E çka na pengon ta dëgjojmë thirrjen e tij për kthim? Shpesh na pengon frika para gjërave të panjohura, nuk lejojmë lehtë të përshtatemi, duke menduar se nuk mund të ndryshoj. Shën Gjoni na fton ta ndjekim udhën e Zotit duke e dashur Atë me gjithë shpirt. Kështu do të lulëzojë shkretëtira, do të thotë, do të lulëzojë shpirti ynë.

Uria dhe etja që e përjeton Shën Gjoni në shkretëtirë, për ne ka një porosi të veçantë, sepse, me jetë pendestare, ne krijojmë hapësirë në zemrat tona për Shpirtin e Zotit, i cili na mbush me hire dhe bekime.Thirrja e tij na i kujton edhe fjalët e Krishtit, i cili, “që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!” (Mt 4, 17).

Një qëndrim i ashpër nga predikimi që e mësojmë te Shën Gjoni, si figurë apokaliptike, është “zemërimi i Zotit”. Nga predikimet e tija kuptohet se ka vetëm një rrugë që mund ta shpëtoje njeriun nga gjyqi dhe ndëshkimi i Zotit. Kjo rrugë është kthimi dhe pagëzimi për faljen e mëkateve, që njihet edhe si “pagëzimi i kthimit.” Ky kthim duhet të sjellë edhe frytet që e dëshmojnë atë.

Thirrja e Gjonit për kthim përmbledh dhe realizon thirrjen e traditës së profetëve për kthim, si nevojë e menjëhershme dhe e pazëvendësueshme për njeriun e asaj kohe. Predikimi i tij i vendosur në një klimë apokaliptike, e cila tregon kohën para ardhjes përfundimtare të gjyqtarit dhe shpëtimtarit që do të vinte (Mt 1, 7). “Me ardhjen e Jezusit nuk erdhi katastrofa përfundimtare e fundit të botës, por “Qengji i Hyjit“ për të cilin profetizon Pagëzuesi në ungjillin e Shën Gjonit.”[41] Me flijimin e qengjit në kryq, aktualizohet katastrofa e pritjes së realizimit të zemërimit të Zotit, i cili me anë të vdekjes i asgjëson mëkatet e botës. Ky është një mendim i ri ndryshe nga ai i apokaliptikës hebraike që është besuar dhe predikuar deri në kohën e Gjon Pagëzuesit. Pikërisht për këtë arsye edhe më i vogli në mbretërinë e Hyjit është më i madh se Gjoni, sepse nuk jeton më nën ndikimin e kërcënimit të ligjit, por nën ndikimin e hirit të Hyjit.[42]

Predikimi i Gjonit përputhej me traditën e predikimeve profetike, të cilët flisnin për gjyqin e fundit dhe për zemërimin e Zotit (khs. Am 2, 4-16; Is 1, 21-31). Predikimi i tij për gjyqin e fundit që mund të ndodhë në çdo çast përbën qendrën e shfaqjes publike të Gjonit. Sipas tij, gjyqi i prek të gjithë, dhe para tij do të mund të qëndrojnë vetëm ata që i kanë mbajtur rregulloret e ligjeve të Zotit dhënë popullit të Izraelit. Madje të qenurit pjesë e pasardhësve të Abrahamit nuk shpëton askënd prej zemërimit të Zotit. Vetëm ata që qëndrojnë para gjyqit do të mund të shohin shëlbimin e Zotit. Këtu bëhet fjalë për një paralajmërim apokaliptik që lidhet ngushtë me fundin e botës, por njëkohësisht edhe me fillimin e një epoke të re për mbarë njerëzimin. Duke qenë se gjyqi po afron, mbetet shumë pak kohë për të ndryshuar jetën. Pagëzimi do të jetë ai që do na shpëtojë prej qyqit. Gjoni pranohet si një profet, madje si i fundit ndër profetët, i cili predikonte fundin e kohërave dhe kthimin e menjëhershëm të njerëzve para gjyqit të fundit për të cilin lexojmë te Malakia profet (Mal 3, 1-5).[43] Gjoni ishte ai që përgatiste udhën e atij që po vinte dhe e dëshmon atë të pranishëm.

 

Pagëzimi i Gjonit

Riti i pagëzimit me ujë, është i lidhur edhe me ritin e pastrimit të njeriut. Sikurse uji që e pastron trupin nga papastërtitë e ndryshme, po ashtu edhe pagëzimi e pastron njeriun nga mëkati e njëkohësisht e shpëton atë nga gjykimi i gjyqit të fundit. Ritet e larjes së rëndomta të Judenjve në tempull, mund të kenë shërbyer si model i ritit të pagëzimit të Gjonit. Pagëzimi i Gjonit e shpëton njeriun nga gjyqi i afërt, që për të shpëtuar prej tij nuk mbetej tjetër rrugë për veçse pagëzimi. Prandaj kush e merr pagëzimin dhe kthehet, arrin të marrë shëlbimin e Hyjit. Mk 1, 4 flet për pagëzimin e kthimit dhe “faljen e mëkateve”. Kështu edhe për të krishterët e parë pagëzimi i Gjonit ishte i tejkalueshëm, sepse për ta falja e mëkateve bëhej vetëm nëpërmjet Jezusit. Për këtë gjë flet Mt 26,28 duke theksuar faljen e mëkateve në momentin e darkës së fundit dhe jo tek pagëzimi i Gjonit. Kjo e thekson akoma më shumë se falja e mëkateve bëhet me anë të flijimit të Jezusit. Pagëzimi dhe predikimi i Gjonit janë aq të lidhura me personin e tij saqë, në një farë mënyre, përfaqësojnë vetë mëshirën e Zotit. Pikërisht, kjo gjë e bëri atë që të njihet si “Pagëzuesi”. Predikimi i pagëzimit të kthimit nga ana e Gjonit ishte edhe për priftërinjtë e tempullit i papranueshëm, sepse me thirrjen e kthimit të menjëhershëm zëvendësonte ritet e pastrimit të tempullit. Kjo gjë binte në kundërshtim të fortë me rregulloret e tempullit dhe me këshillat e tyre priftërore.[44]

 

Gjon Pagëzuesi në ungjijtë e tjerë

Për Shën Gjonin nuk na flet vetëm Shën Luka, por edhe ungjijtë e tjerë flasin për të (Mt 3, 1-12; Mk 1, 2-8; Lk 3, 1-20; Gjn 1, 19-28). Gjoni paraqitet si pararendësi dhe dëshmitari i Jezusit, të cilit vetë ai i nënshtrohet. Flavio Jozefi në shkrimet e tij na e paraqet Gjonin si një filozof popullor, duke theksuar karakterin etik të predikimeve të tij. Ai e përshkruan si një mësues të virtyteve, drejtësisë dhe besimit ndaj Zotit. Për këtë gjë edhe pagëzimi i Gjonit përshkruhet si një veprim i pastrimit fizik, duke e zhveshur atë nga domethënia eskatologjike e predikimit të Pagëzuesit. Flavio Jozefi shkon aq larg sa edhe rënien e herodit Antipas e shikon si ndëshkim të Zotit për shkak të vrasjes ndaj Gjonit.[45]

Ungjilltarët Mateu dhe Marku na flasin për predikimin e tij, për pagëzimin dhe ngjarjen e vrasjes së tij nga Herodi. Mateu, në kapitullin e tretë[46] flet kryesisht për daljen publike dhe për predikimin e tij, pastaj, ai e përshkruan mënyrën e tij të thjeshtë të jetesës (rr. 4). Predikimi i Gjonit nuk vendoste veprimet e veta në qendër të vëmendjes, por ai dëshironte të paralajmëronte atë për të cilin ishte thirrur që “të përgatiste udhën e tij”. Kështu, ai shihet si një figurë apokaliptike,[47] i vendosur në atë që shpall, pa marrë parasysh që ajo mund t’i kushtojë jetën, gjë që më vonë edhe do të ndodhë. Në qendër të predikimeve tij qëndron thirrja për kthim,[48] sepse, e sheh afër zemërimin e Hyjit: “Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr” (Mt, 3, 10). Prandaj, për Krishtin, siç lexojmë në kapitullin e 11 të Shën Mateu, Gjoni është “më shumë se një profet”, (Mt, 11, 9).

Edhe në Ungjillin e Gjonit gjejmë pjesë të cilat na flasin për Gjon Pagëzuesin. Mbi të gjitha në kapitullin e parë gjejmë informacionet më të rëndësishme lidhur me të. Te ky Ungjill Shën Gjoni na paraqitet si “dëshmitar i Dritës” (Gjn 1, 7). Është ai që bën dëshminë e tij për atë që do të vijë pas, sepse ai vetë nuk është Mesia. Gjoni duke treguar se nuk ishte Mesia, dëshmon dhe paralajmëron ardhjen e Mesisë, i cili do të “pagëzojë me Shpirtin Shenjt”.[49] Pikërisht në këtë Ungjill, Gjoni thotë për Jezusin “Ja Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!”[50] Por përsëri edhe tek “nxënësit e parë”, duke treguar kah Jezusi, thotë: “Qe, Qengji i Hyjit”.[51] Ungjilli sipas Gjonit na jep edhe dëshmi mbi veprimtarinë e Gjonit si pagëzues. Kështu lexojmë në Gjn 3, 22-23 se si Jezusi shkoi në Jordan dhe pagëzonte, por edhe Gjoni në afërsi të tij.[52] Ka edhe vende të tjera në Ungjillin e Gjonit që flasin për pagëzuesin, por këto që i paraqitëm këtu janë për ne me rëndësi të madhe, mbi të gjitha për ta paraqitur Gjonin si atë që e dëshmon Mesinë e pranishëm në mesin e njerëzve.[53]

 

Pagëzimi i Jezusit

Menjëherë pas predikimit të tij, në po të njëjtin kapitull (3), Shën Mateu flet për pagëzimin e Jezusit.[54] Pra, ndërkohë që Gjoni predikonte kthimin, vjen tek ai edhe Jezusi për t’u pagëzuar prej tij, që të përmbushte “vullnetin e Hyjit”. Gjoni në këtë tregim të Shën Mateut dëshiron që ai të pagëzohet prej Jezusit, por u desh t’i bindej asaj që Jezusi i kërkonte. Tregimi mbi pagëzimin tek ky Ungjill mbyllet me dëgjimin e zërit i cili thotë:“Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!”.[55]

Te Shën Marku Ungjilltar mësojmë po ashtu mbi pagëzimin e Jezusit.[56] Madje ai e fillon tregimin e ungjillit me profetizimin e ardhjes së Shën Gjonit dhe dërgimin e tij. Edhe këtu përshkruhet paraqitja e tij dhe veshja, por edhe predikimi për atë që duhet të vinte. Pra edhe këtu flitet se ai ka ardhur për t’i paraprirë dikujt tjetër. Tipike për ungjillin e Shën Markut janë tregimet e shkurtra pa shumë përshkrime. Prandaj edhe tek pjesa e pagëzimit të Jezusit përmban në tregimin e tij vetëm tre rreshta.[57] Për të pagëzimi i Jezusit dhe dëftimi i tij si biri i Hyjit, përbën kulmin e tregimit. Për Gjonin thotë vetëm se ai e pagëzoi në Jordan.

 

Martirizimi i Gjon Pagëzuesit

Për martirizimin e Shën Gjonit[58], duhet thënë se, sikur ngjizja e tij e mrekullueshme, pastaj edhe krejt jeta e tij, ashtu edhe martirizimi, nuk është vetëm një akt dënimi dhe ekzekutimi, por është një ngjarje të cilën e shoqërojnë shkaqe të ndryshme, e njëra ndër to, kryesorja mund të themi, se ai nuk heshti të vërtetën, fakti se e qorton edhe Herodin tetrark, për mëkatet e tij.

Një nga etërit e mistikës ortodokse, Gregorio Palamas, i lindur në Konstantinopojë (1296-1359), murg nga mali Athos, kur flet për Shën Gjonin, e quan “mrekullia e mrekullive”.[59] Në një nga homilitë e tij të dalluara, jep një përshkrim të jetës së Shën Gjonit, por gjithashtu flet mjaft në detaje edhe për martirizimin e tij. Prandaj, përveç tregimit të ngjarjes që e lexojmë në Ungjill,[60] do t’i referohemi edhe tekstit të Gregorio-s.

Në atë kohë, Herodi, i biri i atij që masakroi Fëmijët e Pafajshëm, e që nuk e kishte gjithë pushtetin e të atit, ishte tetrark; por ia kalonte të atit për të këqijat e tij. Prandaj Gjoni e kundërshton hapur, e sidomos për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të vet, të cilën e kishte marrë për grua. Edhe Filipi ishte i biri i Herodit, tetrark i një pjese tjetër të mbretërisë. Kështu, pas vdekjes së të atit, Herodi, i riu, ngritët në pushtet dhe sidomos për shkak të Herodiadës, siç shkruan Shën Luka, për arsye të të gjitha veprave të tjera të këqija, të gjitha këtyre ua shtoi edhe një: e futi Gjonin në burg.” (Lk 3, 19-20). Që atij i prehet koka, fajtorja kryesore është gruaja mëkatare, Herodiada, e cila kërkon të gjitha mënyrat për ta vrarë Gjonin, por nuk mundej, sepse Herodi e kishte frikë Gjonin. E kishte frikë për shkak të virtyteve të tija të jashtëzakonshme, por nuk e kishte frikë Zotin. E njihte si njeri të drejtë e të shenjtë, por më shumë kishte frikë nga populli, sepse e mbante për profet (Mt 14, 5). Kështu, Herodi në njërën anë kërkonte të nderohej prej popullit, dhe mundohej t’u përshtatej që të mund të ushtrojë pushtetin e vet, në anën tjetër, e kishte përballë Herodiaden, mëkatin që e verbon përballë së vërtetës dhe njeriut të pafaj. Herodiada e gjen edhe rastin e volitshëm për të arritur qëllimin e vet, ditëlindjen e Herodit, dhe e fton vajzën e vet që të vallëzojë para të pranishmëve dhe autoriteteve. Vallëzimi i saj aq i pëlqeu Herodit, shkruan Shën Mateu, sa që i “premtoi se do t’i jepte çka do që t’i kërkonte.” Pastaj e mësuar prej së ëmës ia kërkoi në pjatë, kokën e Shën Gjonit. Përmes kësaj kërkese, Herodiada mendonte ta lironte Herodin nga përgjegjësia para popullit, duke i bërë njerëzit të mendojnë se ai u desh të mbajë premtimin, jo pse e urrente njeriun e drejtë. Ungjilltari shkruan: Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të ftuarve, nuk deshi t’ia mohojë kërkesën. Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t’ia sjellë kokën e Gjonit. Ky shkoi, ia shkurtoi kokën në burg, e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s’ëmës” (Mk 6, 26-28).

“Kështu Herodi është shembulli i çdo të keqeje dhe pabesie, ndërsa Gjoni shtyllë e çdo virtyti dhe mëshire. Herodi, në të vërtetë, është plotësia e së keqes, fuqia e të pabesit, instrument i shkeljes, njeri vërtetë mishëror, i cili sipas mishit jeton dhe mendon; Gjoni është kulmi i etërve teoforë që nga fillimi i kohës, selia e ndritshme e karizmave të shpirtit, ai që merr dhe e mbart emrin që i është dhënë prej hirit hyjnor, banesa e çdo mëshire dhe virtyti.”[61]

Për Shën Gjonin, Krishti thotë se ishte “dritëz që digjej e ndriçonte,” ndërsa njerëzit i qorton duke ju thënë se “ju pëlqeu të kënaqeni në atë dritë vetëm për një çast.” (Gjn 5, 35).

Për më tepër, njerëzit si Herodi, që ishte i pushtuar nga errësira e krenarisë dhe mëkatit, nuk arrin të dalë në dritë e të ngadhënjejë përballë tundimeve të jetës. Ai Shën Gjonin e dënoi me vdekje, megjithëse luftën me të e humbi përgjithmonë.

 

Përmbyllja

Në përfundim të këtij shkrimi për Shën Gjon Pagëzuesin, i nxjerrim tri gjëra të veçanta nga jeta e tij[62], të cilat do të donim t’i marrim edhe si udhëzime për jetën tonë të krishterë. Nga njëra anë, ato janë përmbledhje që karakterizojnë jetën e tij, e nga ana tjetër, udhëzime të dobishme për jetën tonë shpirtërore.

Së pari, madhështia e lindjes së tij, ngjizja nga një grua që kishte humbur çdo shpresë që të bëhet nënë, pastaj, shenjtërimi i tij në kraharorin e nënës, kur Maria e vizitoi Elizabetën, dhe se “Vërtet, dora e Zotit ishte me të” (Lk 1, 66), janë argumente që na flasin se edhe jeta jonë, prej ngjizjes, lindjes dhe veprimtarisë së përditshme, është plan i Zotit, dhuratë e tij që na është bërë, thirrje që ta dëshmojmë edhe ne Shëlbuesin me jetën tonë.

Së dyti, madhështia e tij në misionin e shenjtë, për të cilin përgatitet me uratë e pendesë, duke ia mohuar vetes të mirat e kësaj bote, e që është dëshmi e mirë për ne se ai jeton për një botë, Mbretëri tjetër, të cilën me aq përkushtim e shpall, duke na bërë thirrje që edhe ne, të kryejmë veprat e dashurisë dhe të drejtësisë, në raport me Zotin dhe të afërmin: “Kush ka dy palë petka ‑ u përgjigjej ‑ le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!” (Lk 3, 11).

Së treti, madhështia e tij për dëshminë, që ishte kulmi i misionit të tij. Gjoni i orienton nxënësit e vet dhe të gjithë njerëzit drejt Krishti, pastaj largohet. E plotëson deri në fund detyrën e lajmërimit të ardhjes së Mesisë, duke e shpallur atë të pranishëm në mesin e njerëzve, prandaj i mbetet që ta dëshmojë me zërin e gjakut të vet.

Nxënësve të tij, dhe të gjithë njerëzve deri në ditët tona, u mbetet që të bëhen nxënës të Krishtit, që duke mësuar nga përvoja e jetës së tij, pastaj nga besimi i ushqyer me Korpin dhe Gjakun e tij, të mund të kalojnë pragun tjetër, nga nxënës, të bëhen apostuj.

Dëshmia e Shën Gjonit, por edhe thirrja e Krishtit: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!”, (Mt 16, 24), është oferta më me peshë, të cilën, nëse e zbatojmë, do të arrijmë ta shenjtërojmë jetën tonë. Prandaj, edhe pse shumë njerëz nuk do ta shfletojnë kurrë asnjë faqe të Ungjillit të shtypur në letër, ne duhet t’i nxisim që ta lexojnë duke e jetuar në jetën tonë./drita.info

 

 

Literatura e përdorur

  • Bibla, Shkrimi i Shenjtë BV dhe BR, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Tiranë 2011.
  • Liturgjia e Orëve sipas ritit Romak III, Botues Editrice Velar, Bergamo, Qendra Don Bosco Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006.
  • Xavier Léon-Dufour: Fjalor i teologjisë biblike, Shtëpia botuese Chirico, Napoli 2009.
  • https://www.bibelwissenschaft.de/wibilex/dasbibellexikon/lexikon/sachwort/anzeigen/details/johannes-der-taeufer/ch/6791ed97aef1bc8b95f4fa9303cc689b/#h1
  • “Gli Esseni e i rotoli del Mar Morto” – Emanuela Cella Ferrari, Janar 2004 https://www.riflessioni.it/enciclopedia/esseni.htm
  • santiebeati.it
  • Adalbert Rebić: “Vodič po Svetoj zemlji”, KS, Zagreb 2006.
  • Božo Lujić: “Božji tragovi, Biblijska mjesta i događaji”, Svjetlo riječi, Livno 1996.
  • Enrico Pepe: “Martiri e Santi” del Calendario Romano, Città Nuova, botimi i dytë, 2002.
  • Gregorio Palamas: “Abassò i cieli e discese”, omelie, Edizioni Qiqajon, Comunità di Bose, Magnano (BI) 1999.
  • Hartmut Stegemann: “Die Essener, Kumran, Johannes der Täufer und Jesus”. Ein Sachbuch. Herder, Freiburg-Basel-Wien, Freiburg in Breisgau 1993.
  • Luigi Berra:“Panne spezzato”, Pjesa e II, Nuove Frontiere Editrice – Roma, 1988.
  • Mario Sgarbossa Luigi Giovannini: “Il Santo del giorno”, San Paolo, Torino 1986.
  • Michael Kunzler:“Amen, wir glauben”, Bonifatius, Paderborn, 1998.
  • Piero Lazzarin:“Sveci kroz crkvenu godinu”, Mala Enciklopedia, botimi i dytë, Veritas, Zagreb 2010.
  • Stefan Schreiber: “Begleiter durch das Neue Testament”, Matthias Grünewald, Botimi i 4-të Ostfildern 2018.

 

——————————-

[1] Khs. Enrico Pepe: “Martiri e Santi” del Calendario Romano, Città Nuova, botimi i dytë, 2002, f. 313. Autori e citon tekstin liturgjik nga Meshari Ambrozian II, 1134.

[2]Khs. Luigi Berra: “Pane Spezzato” Pjesa II, Nuove Frontiere Editrice – Roma 1988, f. 124-125.

[3]Khs. Mario Sgarbossa – Luigi Giovannini: “Il Santo del giorno”, San Paolo, Torino 1986, f. 302.

[4] Khs. Adalbert Rebić, “Vodič po Svetoj zemlji”, KS, Zagreb 2006, f. 86-87.

[5] Khs. Božo Lujić:“Božji tragovi, Biblijska mjesta i događaji”, Svjetlo riječi, Livno 1996, f. 43.

[6] Khs. Mario Sgarbossa – Luigi Giovannini: vep. e cit., f. 301.

[7] Khs. http://www.santiebeati.it/Ditëfesta e tyre më 23 shtator.

[8] Khs. Xavier Léon-Dufour, Fjalor i teologjisë biblike, Napoli 2009. Në këtë Fjalor në pika të shkurtra flitet për Shën Gjonin, megjithëse janë shumë të rëndësishme për ta njohur figurën dhe misionin e tij prej Lajmëtari, pastaj Paralajmëruesi dhe pagëzimi i tij, Dëshmitari i dritës. Këtu, f. 418.

[9] Në Librin e Zanafillës, në kapitullin e 18, lexojmë si Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres dhe e paralajmëroi se Sara, gruaja e tij, do të ketë djalë; pastaj kapitulli 21, na flet për lindjen e Izakut. Ndërsa, për rastin e Rakelës, lexo Zan 30,1, 22-24.

[10] Lk 1, 68-79. “Atëherë Zakaria, i ati i tij, u mbush me Shpirtin Shenjt dhe profetizoi: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet. Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij të shenjtë: se do të na shpëtojë prej armiqve tanë dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë; se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë, se do të na e bëjë të mundshme  t’i shërbejmë pa frikë, të çliruar nga duart e armikut në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë. E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët, për ta vënë në dijeni popullin e tij se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tij, në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin, për të shndritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.”

[11] Khs. Gjon Pali i II, Audienca e Përgjithshme, e mërkurë, 1 tetor 2003, Katekeza 87 – Benedictus (Lk 1, 68-69. 76. 78-79).

[12] Khs. Lk. 1, 9.

[13] Khs. Lk. 1, 13b.

[14] Khs. Lk. 1, 15.

[15] Khs. Lk. 1, 25.

[16] Khs. Lk 1, 39-56.

[17] Khs. Lk 1, 45.

[18] Khs. Lk. 1, 36b.

[19] Khs. Lk. 1, 46-56.

[20] Khs. Lk 1, 57-66.

[21] Khs. Lk. 1, 59b.

[22] Khs. Lk 1, 61b.

[23] Khs. Božo Lujić, vep. e cit.: Mbi bashkësinë e Esenëve, dhe mbi temën: “Gjoni, Krishti dhe Esenët”, autori flet më gjerësisht në faqet 243-246.

[24] Khs. Hartmut Stegemann: “Die Essener, Kumran, Johannes der Täufer und Jesus”. Ein Sachbuch. Herder, Freiburg-Basel-Wien, Freiburg in Breisgau 1993, f. 292.

[25] Khs. “Gli Esseni e i rotoli del Mar Morto – Emanuela Cella Ferrari, Janar 2004, https://www.riflessioni.it/enciclopedia/esseni.htm

[26] Khs. Mk 1, 6: Mt. 3, 4.

[27] Krhs. Mk. 1, 2b.

[28] Khs. Hartmut Stegemann: “Die Essener, Kumran, Johannes der Täufer und Jesus”, f. 292-293.

[29]Khs. Stefan Schreiber: “Begleiter durch das Neue Testament”, Shtëpia Botuese Matthias Grünewald, Botimi i 4-të Ostfildern 2018, f. 232.

[30]Khs: Antonio Borelli: Në: http://www.santiebeati.it/dettaglio/20300

[31]Khs: Antonio Borelli, në: http://www.santiebeati.it/dettaglio/20300

[32] Khs. Hartmut Stegemann: «Die Essener», f. 294-295.

[33] Khs. Gjn 3, 22-24.

[34] Khs. Stefan Schreiber: “Begleiter durch das Neue Testament”, f. 232-233.

[35]Khs. Hartmut Stegemann: «Die Essene»r, f. 293-294.

[36]Liturgjia e Orëve sipas ritit Romak III, Botues Editrice Velar, Bergamo, Qendra Don Bosco Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, Përbashkorja e Shenjtërve, 24. Qershor, Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit. Nga «fjalimet» e Shën Augustinit, ipeshkëv, f. 1363.

[37]Enrico Pepe: “Martiri e Santi”,  vep. e cit., f. 314.

[38] Khs. Mal 3. 1.

[39] Xavier Léon-Dufour: “Fjalor i teologjisë biblike”, Napoli 2009, f. 419.

[40] Khs. Piero Lazzarin:“Sveci kroz crkvenu godinu”, vep. e cit., f. 302.

[41]Michael Kunzler, “Amen, wir glauben”,vep. e cit., f. 514.

[42] Khs. Po aty, f. 514.                                                                                                                  

[43]Khs. Mal 3, 1-5; “I dërguari misterioz, ishte me siguri një figurë familjare – e njohur mirë prej dëgjuesve të kohës që pritej në fundin e kohëve. Sipas një teksti më të vonshëm (23-24) flitet për Elinë, kurse Jezusi do t’ia përshtatë Gjon Pagëzuesit” (Mt 11, 10; Mk 1, 1; Lk 1, 17).

[44] Khs. Stefan Schreiber:“Begleiter durch das Neue Testament”, f. 232.

[45]Ibid.

[46] Khs. Mt. 3, 1-12.

[47]Michael Kunzler: “Amen, wir glauben”, f. 514.

[48]“Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi!” (Mt 3, 7-8).

[49] Khs. Gjn 1, 32-34.

[50] Khs. Gjn 1, 29b.

[51] Khs. Gjn 1, 35-37.

[52]Gjn 3, 22-23. “Pastaj Jezusi shkoi me nxënësit e vet në tokën e Judesë. Aty u vendos me ta dhe pagëzonte. Edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte mjaft ujë. Njerëzit shkonin dhe pagëzoheshin.”

[53] Khs. https://www.bibelwissenschaft.de/wibilex/das-bibellexikon/lexikon/sachwort/anzeigen/details/johannes-der-taeufer/ch/6791ed97aef1bc8b95f4fa9303cc689b/#h1

[54] Khs. Mt 3, 13-17.

[55] Khs. Mt. 3, 17b.

[56] Khs. Mk. 1, 1-8.

[57] Khs.  Mk. 1, 9-11.

[58]Enrico Pepe: “Martiri e Santi”,vep. e cit., Mbi martirizimin e Shën Gjonit, shih f. 314-315.

[59]Gregorio Palamas: “Abassò i cieli e discese”, omelie, Edizioni Qiqajon, Comunità di Bose, Magnano (BI) 1999, f. 267.

[60] Mt 14, 1-12 “Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!” E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. Sepse Gjoni i kishte thënë: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!” Herodi donte ta vriste, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet. Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të ftuarve dhe aq i pëlqeu Herodit, sa që me përbetim i premtoi se do t’i jepte çkado që t’i kërkonte. Ajo, e mësuar prej së ëmës: “Ma jep‑tha‑këtu në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit!” Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të ftuarve, urdhëroi t’i jepej. Dërgoi dikë dhe ia preu Gjonit kokën në burg. Kokën e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës. Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin, e varrosën, shkuan dhe i treguan Jezusit. “ Mk 6, 14‑29; Lk 9, 7‑9.

[61]Gregorio Palamas: vep. e cit., f. 279.

[62] Khs. Luigi Berra: “Panne spezzato”, vep. e cit., f. 124-125.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »