Dashuria, guri i jetës

Jun 25 • Meditimi i ditës

25 qershor 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2Kr 24, 8-17; Ps 79, 1-5.8-9; Mt 7, 21-29)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,

se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempullin e tij…



Liria

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençur.

 

 

Ndërgjegjësimi


E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka për çka duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të falënderohem.

Diçka për çka ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

 Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 


 


Mt 7, 21-29

 

21 “Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. 22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?’ 23 Atëherë unë do t’u them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o keqbërës!”

24 “Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. 25 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. 27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!”

28 Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij, 29 sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.

 


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri

 Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Paramendoje erozionin bregdetar: shtëpia e ndërtuar në rërë duke u rrënuar sepse nuk ka themel të fortë. Jezusi merr shembull nga jeta e përditshme – ndërtimin mbi shkëmb. E njëjta gjë vlen edhe për vendimet tona të jetës. Nëse jetën tënde e ndërton në shkëmbin e të hollave, imazhit, pushtetit, … do të shembesh si ajo shtëpia në rërë.
  • Dashuria ndaj Hyjit dhe të afërmit është guri i jetës që është krejt njerëzor, plot jetë, i ngjashëm me Krishtin.

 

 

Bashkëbisedimi


O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »