Çka më ndan nga Jezusi?

Jun 26 • Meditimi i ditës

26 qershor 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Mbr 25, 1-12; Ps 137, 1-6; Mt 8, 1-4)

 

Prania e Hyjit


“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria


O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Më ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 


 

Mt 8, 1-4

 

1 Kur Jezusi zbriti nga mali, iu vu pas një turmë e madhe populli. 2 Dhe ja, një i gërbulur iu afrua, ra përmbys para tij e i tha: “O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh.”

3 Atëherë Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua, shërohu!” Dhe përnjëherë u shërua gërbula e tij. 4 Jezusi i tha: “Ruaju se i tregon kujt! Por shko, paraqitu te prifti e kushtoje flinë që ka urdhëruar Moisiu, t’u vlejë atyre për dëshmi.”

 


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

 O Zot, më ndihmo ta ndiej dramën e këtij të gërbuluri. E shkeli ligjin që ia ndalonte një personi që vuante nga lebra (gërbula) t`i afrohej ndokujt për disa metra, dhe ai iu afrua Jezusit. Kur besimi i të gërbulurit i theu kufizimet ligjore, Jezusi jo vetëm që bashkëbisedoi me të, por ai edhe e preku.
• Kur jemi të infektuar me gërbulën e mëkatit Jezusi nuk mund të durojë që të na shikojë të ndarë dhe të izoluar nga ai. Çka më ndan nga Jezusi, cilat janë “gërbulat” e mia?

  

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit të Shenjtë.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë… 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »