Shënohet 40-vjetori i shpalljes së Nënë Terezës qytetare nderi e Shkupit

Jun 27 • Kulturë

Shkup, 27.6.2020 – Sot, në sheshin e Shkupit, pikërisht në vendin ku dikur ndodhej shtëpia e lindjes e Nënë Terezës, u shënua 40-vjetori i shpalljes së saj qytetare nderi e këtij qyteti. Me këtë rast aty u shpalos edhe pllaka përkujtimore në gjuhën shqipe.

Në këtë aktivitet, para të pranishmëve foli drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), Skënder Hasani, i cili, në mes të tjerash theksoi se tani e tutje gjuha e Nënë Terezës do të shënohet bashkë me gjuhët e tjera në pllakën përkujtimore të saj, me çka do ta plotësojë mozaikun shumetnik dhe shumëgjuhësor.

Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe Ministri i Arsimit dhe i Shkencës i RMV-së, Arbër Ademi, me ç’rast drejtorit të ITSHKSH-së, Skënder Hasani, ia dorëzoi aktin e regjistrimit të Regjistri Qendror të Departamentit të studimit të jetës dhe veprës së Nënë Terezës në kuadër të institutit në fjalë.

Krahas këtyre, pjesëmarrësit i përshëndeti edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, i cili theksoi se prej sot, pllaka përkujtimore e cila shënon vendin ku lindi Nënë Tereza, është edhe në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë kjo gjuhë do të qëndrojë e barabartë pranë gjuhëve të tjera. Natyrisht ky akt përkon edhe me zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe, punë kjo të cilën tanimë e kryen me sukses AZGJ-ja.

 

***

 

Fjalimi i plotë i Dr. Skender Hasani, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve

 

KUAZAT HUMANE TË NËNË TEREZËS, UDHËRRËFYES PËR TË SOTËM DHE TË ARDHMEN TONË

Sot në sheshin qendror të Shkupit para nesh po hapet një prej skenave më të bukura që ndërlidhet me një ngjarje të shënuar, që ka ndodhur këtu e dyzetë (40) vite më parë, atëherë kur bija e qytetit tonë, e Shkupit tonë të lashtë, Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza, vizitoi vendlindjen e saj dhe me atë rast u shpall QYTETARE NDERI E SHKUPIT.

Ne si Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në koordinim edhe me Universitetin Nënë Tereza, Shtëpinë e Muzeut NËNË TEREZA, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Shoqatën qytetare ‘Shkupjania Nënë Tereza’, ndjehemi të privilegjuar që po e nderojmë kujtimin për Nënë Terezën, pikërisht në një moment kur të gjithë së bashku, me ndihmën edhe të autoriteteve të Qytetit të Shkupit, po i rikthejmë gjurmët e traditës dhe identitetit , që lidhen me vendin ku kishte lindur Nënë Tereza dhe me gjuhën e saj. Tash e tutje gjuha e Nënë Terezës do të jetë e stampuar bashkë me gjuhët tjera në pllakën përkujtimore,një fakt ky që plotëson mozaikun e realitetit tonë shumetnik e shumgjuhësor.

Ne si institucione dhe si shoqëri civile e kemi për obligim të ruajmë trashëgiminë kulturore e shpirtërore të figurës sublime të Nënë Terezës, e cila për ne shkupjanët mbetet simboli më autentik i një aseti kombëtar , që tash e tutje do të duhej të mbrohej edhe me Ligj. Vetëm në këtë mënyrë mund të patentohet trashëgimia e pasur kulturore e shpirtërore që na e la Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza, duke filluar që nga fëmijëria e saj, në kalldrëmin e Shkupit të lashtë e deri në frymën e fundit, në Kalkutën e largët, atje ku ajo mirësinë njerizoi e shndërroi në mision.

Nënë Tereza është simboli më përbashkues i vlerave e aspiratave tona, sepse vet fryma që ajo promovoi në botë ishte një shkollë e tërë ku bota kishte rastin të mësojë mbi tolerancën, mirëkuptimin, paqen, mëshirën, dhembshurinë, humanizmin etj.

Nuk është edhe aq lehtë të bëhesh nxënës i kësaj shkolle, prandaj ne si Institut kemi themeluar një Departament të posaçëm , i pari i këtij lloji në botë, i cili do të merret me studimin dhe kultivimin e shumanshëm të figurës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, duke ngritur në shkallë institucionale kulturën e mbamendjes kolektive.

Sot kur po flasim për figurën sublime të Nënë Terezës, nuk do të donim që emrin e saj ta përdorim për ndonjë betejë që do të ishte në kundërshtim me frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit që ajo praktikonte.

Ne si ITSHKSH dhe si shoqëri civile nuk kemi dashur që debatin tonë argumentues ta vendosim brenda ndonjë konteksti që do ta përjashtonte figurën e Nënës Terezë nga imazhi i urtësisë dhe dashurisë për gjithë njerëzimin. Përkundrazi jemi munduar, dhe kështu do të veprojmë edhe në të ardhmen, që përmes debateve civilizuese të demonstrojmë në praktikë se i përkasim frymës dhe nurit që rrezaton emri dhe lavdia e Nënës Terezë. Pra, në asnjë mënyrë nuk do të donim që me veprimet tona të hedhim hije mbi këtë frymë, e me këtë të minojmë urat e bashkëpunimit në mes etnive e feve tona.

Çdo shtet dhe çdo shoqëri i ka brendet e veta, me të cilat mburret. Fati ynë është që simbolika e identifikimit tonë kalon përmes një figure që tash më është ngritur në monument planetar, ndërkohë që një shoqëri që identifikohet me madhështinë e Nënës Terezë, duhet të punojë që fryma e saj të jetë e pranishme në çdo pore të saj. Sepse nuk mjafton që ne të identifikohemi me të, por edhe të jemi shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit të çdoditshëm. Madje ne si shtet dhe si shoqëri jemi vonuar në kodifikimin legjislativ të shëmbëlltyrës së Nënës Terezë, duke e konservuar trashëgiminë e saj edhe në rrugë ligjore.
Nderimi më i mirë që mund t’i bëhet figurës madhore të Nënë Tertezës në 40 vjetorin e shpalljes QYTETARE NDERI e QYTETIT TË SHKUPIT, është përvetësimi nga ana e jonë e kuazave humane të Nënë Terezës, duke i vendosur ato në kontekst tëkomunkimit dhe mirëkuptimit tonë qytetar.

Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSh

Shkup, 27 qershor 2020

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »