O Zot, më ndihmo të mos kem frikë nga njerëz paranoikë
1 korrik 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTE – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Am 5, 14-15.21-24; Ps 50, 7-14.16b-17; Mt 8, 28-34)
Prania e Hyjit
Kur jam i grishur në shoqërim me mikun,
Mezi pres të takohem dhe e ndjej veten se më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në afërsinë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndjej dashurinë e tij.
Në fe dhe shpresë e hap mendjen dhe zemrën ndaj Hyjit,
Dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i vetëdijshëm për dashurinë dhe praninë e tij.
Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem përmbi zhurmën;
zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e lidhur, që ndan.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në rrjetën e ndërthurur me marrëdhënie – me lidhje të shumta me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedhë nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë të shtrembëruara, disa të prishura, disa të ndërprera:
Ndoshta për shkak kësaj ndjehem i mërzitur, i zemëruar, i zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.
Fjala
Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë.
Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:
Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Mt 8,28-34
28 Sapo kaloi në bregun tjetër ‑ në krahinën e gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalonte asaj rruge. 29 Dhe ja, bërtitën:
“Çka do prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?”
30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash. 31 Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit:
“Meqë po na dëbon, na ço në tufën e derrave!”
32 Ai u tha: “Shkoni!”
Ata dolën e hynë në derra. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua me turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë. 33 Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit. 34 Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- O Zot, nganjëherë kam pasur frikë nga njerëzit e marrë apo paranoikë, që nganjëherë bëheshin të çuditshëm dhe të paparashikuar. Ti nuk ke pasur frikë nga demonët lakuriqë, ata kanë pasur frikë prej teje. Në ty po e ndjej fuqinë që mund t`i rezistoj çdo të keqeje dhe ta mundë atë. Është fakt i hidhur se njerëzit e atij vendi kishin pasur frikë nga njeriu i cili megjithatë kishte mbledhur fuqi për të vendosur që t`i afrohet Jezusit; nuk kanë dashur ta kenë pranë vetes.
- Si e ndjej unë veten dhe çfarë qëndrimi kam kur ballafaqohem me njerëz të veçantë?
Bashkëbisedimi
Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.
Ndërsa bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjojë gjithçka ai dëshiron të më thotë.
Do ta imagjinoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri ndërsa ai më vështron.
Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin ndërsa ia besoj të gjitha brengosjet dhe gëzimet e mia.
Ia hap zemrën time ndërsa i flas për frikësimet dhe dyshimet e mia.
Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund t`i besohem kujdesit të tij,
i vetëdijshëm se ai gjithmonë e di çfarë është gjëja më e mirë për mua.
Përmbyllja
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Përvjetor: 120-vjetori i lindjes së At Zef Valentini, jezuit, historian dhe albanolog i madh Jezusi dëshiron të jetoj i lirë dhe në plotësi »