Bota e të rinjve: Në kërkim të atit!

Jul 3 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Në rrafshin më të thellë psikologjik, janë dy detyra që fëmija duhet t’i realizojë gjatë zhvillimit të tij, të cilat rëndohen fortë për shkak të mospranisë së atit në jetën e tij. Detyra e parë është ballafaqimi/çlirimi nga lidhjet e mëparshme, që është kusht i nevojshëm për ta ndërtuar personalitetin e pavarur; e dyta është marrja simbolike e roleve për të ardhmen, që është kusht për ta ndërtuar identitetin e të qenit i/e fejuar apo identitetin prindëror. Ecuria pozitive e këtij kërkimi do të varët nga aftësia për të dhënë përgjigje në dy pyetjet, që në shikim të parë duken shumë të thjeshta: “Kush është i ati im?” dhe “Fëmija i kujt jam unë?”.

“Më ndihmoni ta zgjedh të atin!” – i drejtohet psikologut një 19 vjeçare, e cila ndjehej e ndarë mes dy burrave. I pari është i ati i saj biologjik, kurse i dyti është burri i ri i nënës së saj. Për sa i përket këtij të dytit, nuk e ka të qartë as në çfarë lidhje familjare është, prandaj e thërret thjesht me emrin Gjon. Vajza rrëfehet se si prindërit e kanë braktisur deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Ata gjithnjë grindeshin. Ndjehet e humbur në familje, por edhe në trupin e saj. E ndjen të atin si njeriun që është kujdesur për të derisa ishte e vogël, por kur kishin filluar grindjet, ai nuk kishte pasur kohë më për të. Gjoni e kishte adaptuar dhe i kishte ndihmuar shumë, ndonëse nuk është i vetëdijshëm për këtë. Në pyetjen, çfarë i ka ndihmuar, ajo përgjigjet: “Ka ngjallë në mua përjetimin e ndjenjave të mira të të atit nga koha e fëmijërisë së hershme.”

Në vetëdijen e kësaj vajze konkurrojnë dy figura: figura e atit real, i cili e ka braktisur dhe figura e atit-surrogat, i cili tani kujdeset për të. Duke e falënderuar këtë të dytin, vajza ndjehet më mirë pas moshës gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Ky njeri ia ka kthyer vetëbesimin, sigurinë. Porse, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi ka nevoje edhe për diçka tjetër. Gjoni nuk është i ati i saj, kurse për t’u bërë grua e rritur, ajo ka nevojë të definojë marrëdhënien e saj ndaj këtij burri, i cili jeton me të dhe me nënën e saj. Meqë duhet të ndajë dashurinë mes dy burrave, për pasojë do ta ketë të domosdoshme të bjerë një vendim, që duke e braktisur njërin ta pranojë tjetrin. Një detyrë mbinjerëzore dhe jonjerëzore, njëkohësisht. Shumë të rinj të sotëm nuk janë njerëz rebelë, por janë në kërkim të atit të humbur.[1]

Për fat të mirë, në psikologji nuk ekzistojnë ligjshmëri në kuptimin e ngushtë të fjalës. Asnjëherë nuk do të mund të themi me siguri se dikush do të bëhet kështu apo ashtu, vetëm pse e ka pasur një atë të tillë apo një nënë të tillë. Mosprania e atit në jetën e të riut, mund ta nxit në shqyrtime dhe vendime, që mos ta përsërisë gabimin e prindërve të tij në prishjen e martesës. Vajza e përmendur më lartë e përmbledh në këtë mënyrë përvojën e saj: “Përpiqem që mos të dashurohem. Sepse, kur njëherë do të martohem, dua që martesa ime të jetë solide dhe e përhershme. Nuk e dua ndarjen. Nuk dua që fëmijët e mi ta përjetojnë vuajtjen që unë e kam provuar.” Kjo mënyrë e shqyrtimit tregon se vajza kërkon unitetin e brendshëm që ishte ndërprerë me thyerjen e figurës së atit. Imperativi themelor i një shpirti rinor në zhvillim është të zgjedh të atin, apo më saktë, ta vendos atë në vendin e vërtetë. Qëllimi i psikoterapisë apo çfarëdo ndihme tjetër ka për qëllim ta bëjë personin përsëri një fëmijë që një ditë të mund të bëhet edhe ai vet një prind.

Detyra tjetër e moshës rinore është kërkimi për rolin e ardhshëm prindëror, dmth. përgjigje në pyetjen: “Çfarë ati/nëne do të jem një ditë?” Tony Anatrella, psikologu i njohur francez, e analizon këtë fenomen nëpërmjet një vajze 17 vjeçare. Vajza jeton me nënën e saj, kurse të atin nuk e ka parë tash disa vite. Prindërit e saj ishin divorcuar kur ajo i kishte tetë vjet. Momentalisht ajo po kalon në periudhë dileme për ta definuar raportin e saj me nënën. Ajo konstaton se ky raport është i rënduar. “Shpesh ëndërroj që të dal nga kjo lëvozhgë, të shkoj diku e të bëj atë që dua. Shpesh e mendoj se herdokurë ose unë ose nëna do ikim nga shtëpia, që të mund të marrim frymë lirshëm. Ne dyja jemi shkrirë në një raport, në të cilin nuk ka më vend për ndryshim shikimesh. Nuk ka dyshim, mendojmë ne, secila për vete, por kur jemi bashkë, nuk e gjejmë temën e përbashkët. Qajmë, ndjehemi fajtore, por njëkohësisht kemi frikë se do të ndahemi.”[2]

Në këtë bashkëjetesë, ku ka humbur liria, është e vështirë të krijosh një raport të kuptimtë, sepse mungon ajo distancë, e cila është e nevojshme për dialog pa pasur frikë që të ketë shkrirje në botën e tjetrit. Në atë mënyrë i/e riu/reja ngelet i/e humbur në raportin nënë-fëmijë, nga i cili nuk mund të dilet po s’qe personi i tretë, i ati. Është e nevojshme treshja për ta lindur individin, për ta bërë dikush. Nëna nuk është e mjaftueshme për ta arrirë këtë, sepse ajo nuk i posedon ato forca simbolike të cilat janë të domosdoshme për ta bërë fëmijën vetvetja.

Claudio Risé, psikoanalist, i sjell në vijim këto role të atit:

  1. I ati jep jetën – Cilësia e parë që secili person ndjen në raport me atin e tij është se ai është personi që i ka dhënë jetën, e ka lindur. Ky perceptim ushqen ndjenjën e afërsisë dhe të shoqërimit: personi ndjen se nuk është i vetmuar, edhe kur është vetëm, sepse ekziston i ati. E përjeton të atin “krijues”, si atë prej të cilit njihet deri në thellësi, ai i cili e përcjell në rrugën e jetës. Duket se lind një kategori e re klinike që manifestohet si ankth, kurse rrënjët e tij i gjejmë në mungesën e lidhjes të fortë primare, ndjenjën e përcjellësit zanafillor, dmth. ati. Kjo mosprani e atit shndërrohet pastaj në mungesë të kuptimit të jetës, në të cilën nuk e njohim origjinën dhe qëllimin. Këtu rrethi mbyllet: ankthi ushqehet me pamundësi për të pasur besim në jetë. Mungesa e besimit tentohet të kompensohet me kontrollin e ngurtë të situatave të jetës.
  2. I ati e siguron lirinë – Cilësia e krijuesit që e bartim në figurën e atit natyror, duke e bërë në atë mënyrë përfaqësuesin e Aitit qiellor, përveç sigurisë së origjinës, ai ia siguron të birit edhe lirinë. Psikologjikisht kjo bëhet për shkak se i ati është ai që e liron të birin nga varësia biografike (dmth. ia mundëson ta sheh vetveten si i veçantë, një qenie origjinale) dhe e shpëton nga neuroza familjare. Mosprania e atit, përkundrazi, e shndërron të riun në vetmitar, i cili gjithnjë e më shumë e kërkon identitetin e tij në përkatësinë e masës.
  3. I ati hap të ardhmen – Pa marrëdhënie me të atin vështirë arrihet të hetohet bota e re që shpie në të ardhmen. Shikimi mbetet i drejtuar në të kaluarën, në realitetin pa probleme dhe pa sfida, e cila simbolizohet në bashkimin me nënën.
  4. I ati mbron – I ati është po ashtu mbrojtës i fëmijës. Ky është funksioni i tij i përditshëm dhe ashtu fëmija e percepton të atin. Këtë funksion e gjejmë te figura e Shën Jozefit, i cili merr urdhër prej qiellit ta merr fëmijën dhe të ik me të, sepse Herodi ka vendosur ta vras. Herodi këtu paraqitet si një sistem i vjetër, i cili i frikësohet të resë, ai që nuk dëshiron t’i jep hapësirë rinisë. Kurse i ati është ai që garanton mundësinë e rilindjes së botës, bartës i së cilës është i biri.  
  5. I ati prezanton botën e punës – Njëra nga mënyrat si i ati e përgatit fëmijën për të ardhmen është prezantimi me botën e punës dhe krijimin e shprehisë së punës. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për aftësitë konkrete, por gjatë rrugës i bartë urtinë e jetës, parimet etike dhe virtytet njerëzore, siç janë nderi, zelli, qëndrueshmëria, durimi etj.
  6. I ati edukon dhe përmirëson – I ati e ndihmon fëmijën në rritjen e tij personale nëpërmjet paralajmërimeve, vërejtjeve dhe përmirësimeve. Ai perceptohet si burim i drejtësisë dhe i së drejtës. Sot, për fat të keq, këtë funksion e ka marr shteti me institucionet e tija edukative, në të cilat, megjithatë, nuk mbretëron parimi i dashurisë, por parimi i burokracisë dhe i shpagimit/hakmarrjes.[3]/drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————-

[1] Khs. T. Anatrella, Adolescenes au fil des jours, Paris, 1991, 17-19.

[2] Khs. T. Anatrella, Adolescenes au fil des jours, 53-55.

[3] Khs. C. Risé, Il Padre. L’assente inaccetabile, Cinisello Balsamo, 2003, 35-42.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »