A është dobësuar besimi im nga skepticizmi dhe cinizmi?

Jul 6 • Meditimi i ditës

6 korrik 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Oz 2, 16.17b-18.21-22; Ps 145, 2-9; Mt 9, 18-26)

 

Prania e Hyjit

Ia përkujtoj vetes se gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat vetjake,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi 

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 


 

Mt 9, 18-26

18 Ndërsa Jezusi po ua mësonte këto, ja se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: “Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.” 19 Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij.

20 Dhe ja, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut prej dymbëdhjetë vjetësh, iu afrua pas shpine e ia preku kindin e petkut të tij, 21 sepse thoshte në vete: “Do të shërohem nëse ia prek qoftë edhe vetëm petkun e tij! “22 Jezusi u soll, e pa dhe i tha: “Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!” Dhe gruaja u shërua në atë moment.

23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë, 24 u tha: “Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle.” Ata e përqeshën. 25 Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit. 26 Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.

 


 

Ç` po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Besimi i të dyve, gruas së sëmurë dhe kryetarit të sinagogës, është i mahnitshëmJezusi iu përgjigjet me zemërgjerësi. Ky besim i thellë është në kontrast të fortë mefyelltarët dhe turmën, e cila e përqeshte deklaratën e Jezusit, se vajza nuk kishte vdekur, por po flinte.
  • Kjo ngjarje e vë në provë forcën e besimit tim në fuqinë e Krishtit që të veprojë suksesshëm edhe në jetën time, por nëse i kthehem atij. A është dobësuar besimi im po nga i njëjti skepticizëm dhe cinizëm i shprehur nga fyelltarët dhe turma?
  • Zot, “unë besoj, por më ndihmo ti të besoj.” (Mk 9,24) .

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »